E ashtuquajtura Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka kërkuar nga shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, që në bashkëpunim me këtë mision të arrijë marrëveshje për mënyrën e zbatimit të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.
“Zgjedhjet janë shpallur në tërë territorin e Serbisë. Duke marrë parasysh se Kosova është nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, në përputhje me Rezolutën 1244, është e nevojshme që për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të arrihet marrëveshje me misionin e UNMIK-ut në Kosovë”, thuhet në letrën që ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, i ka dërguar shefit të misionit të Kombeve të Bashkuara, raporton REL.
Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi janë caktuar për datën 6 maj. Por autoritetet kosovare kundërshtojnë organizimin e tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Dhe ndonëse Serbia deri më tash ka organizuar disa herë zgjedhje në Kosovë, rezultatet e tyre nuk janë njohur të ligjshme as nga zyrtarët kosovarë, as ata ndërkombëtarë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka kërkuar UNMIK-ut të mos bëhet palë e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë, pasi ato sipas saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.