Buffon: Ta ruajmë entuziazmin për fund

Gianluigi Buffon ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij të mos lejojnë që suksesi në çerekfinale të Euro 2012 ndaj Anglisë t’i pushtojë kokat e tyre, derisa Italia përgatitet për sfidën gjysmëfinale kundër Gjermanisë.“Ne nuk mund të harrojmë se kemi kaluar vetëm fazën gjysmëfinale. Nuk mund menjëherë të kërcejmë nga gëzimi pasi kemi fituar një vend në gjysmëfinale. Unë do ta bëj këtë vetëm kur të fitojmë diçka si ekip”.
 
“Disa nga ne që kemi fituar diçka të rëndësishme duam ta përsërisim këtë, dhe po ashtu ta bëjmë këtë për ata të cilët nuk kanë fituar ende”, ka thënë Buffon.
 
Italia do të përballet me Gjermaninë të enjten, ndeshje në të cilën gjermanët shihen si favoritë. Gjysmëfinalja tjetër zhvillohet të mërkurën në mes të Portugalisë dhe Spanjës.

Casillas: Pique mund ta ndalojë Ronaldon

Iker Casillas është i bindur se Spanja do të arrijë t’ia dalë me Portugalinë dhe Cristiano Ronaldon edhe në mungesë të Carles Puyol për ndeshjen gjysmëfinale të Euro 2012Kampionët e Evropës dhe botës përjetuan një goditje para fillimit të garës kur mbrojtësi i Barcelonës nuk mundi të udhëtojë në Euro 2012 për shkak se duhej t’i nënshtrohej një operacioni në gju.
 
Edhe pse ishte pa mbrojtësin me përvojë, Spanja pranoi vetëm një gol në katër ndeshje në kampionatin evropian, dhe Casillas beson se Gerard Pique do të jetë në gjendje ta mbulojë mungesën e Puyol dhe të pengojë kërcënimin që paraqet Ronaldo edhe në ndeshjen e radhës.
 
“Mungesa e Puyol? Pique gjithmonë ia ka dalë mirë, edhe te Barca edhe në ekipin kombëtar spanjoll”, ka thënë Casillas për Punto Radio. 

Barca pas Pablo Armero

Barcelona është duke menduar të bëjë ofertë për mbrojtësin e Udineses, Pablo Armero.
Barca është duke e menduar Armeron si alternativë nëse dështon të transferojë cakun e parë, Jordi Alba, nga Valencia.
Sport shkruan se presidenti Sandro Rosell ka refuzuar të paguajë shifrat e larta për Alban dhe dëshiron të shikojë mundësinë për të sjellë Armeron në Spanjë nëse Valencia nuk e ul çmimin. 

Interi ta shesë Maicon para se ta blejë Debuchyn

Interi raportohet se është në mes të rrugës në tentimin për të transferuar mbrojtësin e Lille, Mathieu Debuchy.
Oferta e parë e Nerazzurrëve e cila kapte vlerën e 5 milionë eurove, u refuzua nga klubi francez.
TMW shkruan se një ofertë e re është duke u përgatitur nga ish-kampionët e Evropës, por kjo nuk do të adresohet deri sa klubi të gjejë blerës për mbrojtësin në largim, Douglas Maicon.

Nesta të vazhdojë me Milanin?

Alessandro Nesta mund të kërkojë një rikthim te Milani, shkruajnë mediat italiane.
36-vjeçari shpresonte të transferohet në kampionatin amerikan të futbollit këtë verë pasi mbeti pa kontratë te Milani, por ka dështuar të joshë oferta nga klubet amerikane.
Corriere dello Sport shkruan se Rossonerët megjithatë mund t’i bëjnë atij ofertë njëvjeçare, të cilën ai e refuzoi më herët gjatë këtij viti. 

Diamanti të qëndrojë te Bologna

Presidenti i Bolognas, Albano Guaraldi, thotë se klubi do ta mbajë në skuadër heroin e Euros, Alessandro Diamantin.
Bologna siguroi 100 për qind të pronësisë së tij vetëm këtë vikend, pasi mposhti Brescian në një ankand të mbyllur pasi dy klubet nuk mund të arrin marrëveshje për të zgjidhur pronësinë.
“Ne kemi riblerë një diamant të vërtetë, ne duam ta mbajmë atë. Ne jemi shumë të kënaqur që ishim në gjendje të mbajmë të gjithë pronësinë e Diamantit pas zbulimit të ankandit”.
“Lojtari ka bërë shumë për Bolognan vitin e kaluar dhe do t’ia dalë mirë edhe në vitet e ardhshme. A do të mbetet këtu? Me gjithë problemet që hasëm për të nënshkruar me të, do të thosha se ai përfundimisht do të jetë te Bologna sezonin e ardhshëm”, ka thënë Guaraldi.

Flamini arrin marrëveshje të re me Milanin

Mathieu Flamini raportohet se do të vazhdojë ta veshë fanellën e Milanit.
Në të vërtetë, Sky Sport 24 shkruan se Flamini tashmë ka nënshkruar vazhdimin njëvjeçar të kontratës së tij.
Flamini mendohet se ka pranuar ulje të pagës në 1.6 milionë në vit, që do të jetë 2.9 milionë më pak se paga e mëhershme me Rossonerët. 

Drogba të përfundojë te Barca?

Legjenda e Chelsea, Didier Drogba, pritet të fluturojë në Spanjë sot për negociata befasuese me Barcelonën.
Drogba tashmë ka nënshkruar një marrëveshje të majme me Shanghai Shenhua, megjithatë TV3 shkruan se ka një klauzolë në kontratën e tij e cila do t’i lejonte atij t’i bashkohet Barcës nëse klubi spanjoll bën ofertë për të.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë do të jetë në Barcelona sot për t’u takuar me zyrtarët e klubit dhe për të diskutuar mundësinë e bashkimit me gjigantët spanjollë.
Megjithatë, thuhet se mundësia e arritjes së marrëveshjes ende është larg, me trajnerin e ri Tito Vilanova që ngurron të shtojë një sulmues të ri në skuadër. Në anën tjetër Barca as që mund t’i afrohet shumës prej 25 milionë euro të cilën Drogba do ta përfitojë nga kontrata me Shanghai Shenhua.

Ozil i impresionuar me Anglinë

Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, është i impresionuar nga Anglia në Euro 2012.Ozil thotë se Gjermania do të kishte pasur një sfidë më të madhe nëse do të duhej të përballej me Anglinë në gjysmëfinale.
 
“Me aq sa e di unë, mendoj se ata kanë pasur një turne shumë të mirë. Ata ishin lehtësisht inferiorë ndaj Italisë dhe mendoj se kjo ishte e dukshme gjatë ndeshjes. Por ata janë përmirësuar si ekip dhe janë zhvilluar më shumë”, ka thënë Ozil.

Fabregas: Portugalia e rrezikshme në kundërsulme

Mesfushori i Spanjës, Cesc Fabregas, ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij të kenë kujdes nga kundërsulmet e shpejta të Portugalisë në prag të gjysmëfinales së të mërkurës.Lojtari i Barcës mendon se rivalët e nesërm janë shumë të rrezikshëm në sulm me lojtarë si Nani dhe Cristiano Ronaldo.
 
“Portugalia ka një kundërsulm të fuqishëm, por nëse do të isha trajner dhe do ta kisha Nanin dhe Cristiano Ronaldon në ekip edhe unë do të luaja në këtë mënyrë”.
 
“Ata mund të kenë tre lojtarë të Real Madridin në skuadër por ata kanë një stil të veçantë. Portugalia ka një mesfushë të cilët i pëlqen ta mbajë topin dhe ta lëvizë atë mirë”, ka thënë Fabregas për faqen zyrtare të UEFA-së. 

Këngëtarët flasin për seksin

Disa këngëtarë të estradës shqiptare rrëfyer intimitetin e tyre, duke treguar sa aktiv janë në jetën e tyre seksuale.
Real 1: Jam fans i flaktë i seksit
Komentet më bombastike mbi jetën e tij seksuale i jep rep këngëtari Real 1. Ai tregon se për të seksi është thuajse gjithçka. I çmendur pas seksit, ai përgjigjet hapur.
“Jam fans i flaktë i seksit dhe nuk mund të jetoj pa të. Po të mund të rrija duke bërë vetëm seks, atëherë do të isha vërtet i lumtur, seksi më bën të lumtur, më mbush”, thotë Real 1.
“Nuk mund të jap shifra se bëj seks e aq herë brenda jave, bëj seks aq sa dua dhe sa kam kohë. Di vetëm një gjë, kënaqem kur bëj seks dhe për këtë nuk di pse duhet të më vijë turp të flas”, shprehet më tej ai.
Shota: Seksi ndihmon zemrën
Shota Baraliu është artiste që flet gjithmonë pa doreza për tema delikate edhe të ashtuquajtura tabu.
“Këtë nuk po e them si frazë sensacionale vërtet, kam dëgjuar se kur një person gëzon jetë të bujshme seksuale është më i shëndetshëm në të gjitha aspektet, seksi ndihmon sidomos zemrën”,- thekson këngëtarja e njohur. Baraliu thotë se nuk pëlqen të bëjë seks me një person që nuk e njeh.
“Vetëm nëse më thotë zemra do të bëja seks me një njeri, nuk mund të luftoj kundër zemrës sime, mendoj se seksi i bërë sa për sy e faqe është gabim i madh, tmerr, po nuk u ndje, atëherë pse duhet bërë? Kjo punë nuk është obligim, por qejf”, përfundon ajo.
Fuga: Seksi ul stresin dhe kolesterolin
“Seksi është i domosdoshëm, pasi përveç kënaqësisë që të jep ai ul nivelin e stresit, kolesterolit, dhe përmirëson frymëmarrjen…”.
“Mendoj se të bërit dashuri nuk është thjesht një proces kënaqësie, pasi seksi rregullon dukshëm shumë gjëra, përfshirë edhe gjendjen emocionale në përgjithësi”, thekson reperi Fuga, i njohur mes të tjerave me hitin e tij në duet me Elvana Gjatën “Mamani nejen”.
Berkani: Seksi është larguesi më i mirë i ankthit
Këngëtari Berkani thotë se ai nuk e kupton pse njerëzit e skenës sonë mundohen që gjithmonë ta evitojnë këtë pyetje.
“Definitivisht pyetjet sa bën dhe si bën seks janë të guximshme, sa herë që flitet për seks të gjithë i hapin sytë dhe veshët, më pëlqen tema, pse të mos flasim edhe ne për këtë ndjesi, siç flasin gjithë bota”, ka pohuar këngëtari, Berkani.
“E bëj për kënaqësinë time dhe të partneres sime dhe pas aktit të dy ndihemi të lumtur të qetë. Mendoj se seksi është larguesi më i mirë i shqetësimeve, anktheve”, ka shtuar Berkani.
Ardit Stafaj: Bëj seks katër herë në javë
“Unë vërtet nuk dua të jem person i sekreteve, nuk dua që publiku të ketë hamendje për mua dhe gjërat e mia. Ata meritojnë të dinë gjithçka, sepse më kanë sjellë këtu ku jam. Më pëlqen të bëj seks dhe sa herë kryej marrëdhënie ndihem i çliruar dhe shumë i qetë”.
“Seksi është gjëja më normale në botë ndaj s’kemi pse të bëhemi të ndrojtur kur është fjala për të. Seks bëj katër herë në javë, që mjafton për mua. Nëse më ndodh që të bëj më pak se kaq, ndoshta nuk ndihem i plotësuar”, tregon këngëtari Ardit Stafaj.

Nora Istrafi rruan kokën

Këngëtarja Nora Istrefi këto ditë ka ndryshuar look-un. Kësaj radhe vjen me një ndryshim më të madh. Ajo ka rruar një pjesë të kokës.
Nora, e cila gjithmonë është komentuar për flokët e saj, e ka bërë tullace një pjesë të kokës.
Nuk dihet ende nëse është duke u përgatitur ndonjë videoklip apo ky është vetëm një ndryshim qejfi nga ana e Norës.

Rozana sërish me Danin

Këngëtarët Ramadan Krasniqi dhe Rozana Radi, të cilët sollën duetin “Valsi i tradhtisë” në festivalin kënga Magjike, duket se janë duke u përgatitur edhe për një duet të ri.
Pas bashkëpunimit në ''Valsi i tradhtisë'', dy këngëtarët janë bërë bashkë serish, në këngën me titull ''Më nuk jemi".
Kënga është kompozuar nga Ardian Hila, ndërsa kanë përfunduar edhe xhirimet e videoklipit, që shumë shpejt do të publikohet.
Rozana përveç kësaj ka bërë të ditur për mediat shqiptare, se gjatë muajit shtator do të publikojë edhe një këngë të re, realizuar në duet me këngëtarin tjetër nga Kosova, Sabri Fejzullahu.

Dëgjoni ‘mitet’ verore

Këshillat që na i kanë dhënë nënat dhe gjyshet nuk janë gjithmonë të sakta. Një shembull i tillë është, “nëse hyni në det pas ushqimit nuk do të mbyteni”. Sjellim disa nga këshillat më të çuditshme verore, që në fakt janë thënie të pavërteta.
Nëse ju prek meduza duhet të urinoni mbi vendin që djeg
Urina nuk do ta ndalojë djegien e pakëndshme që e shkakton meduza, porse mund ta përforcojë atë, prandaj nuk duhet të urinoni mbi veten tuaj, por këtë problem mund ta eliminoi me uthull të zakonshme duke e vënë mbi vendin që djeg dhe duke e lënë të veprojë rreth gjysmë ore.
Aparatet e klimës nuk janë të shëndetshëm 
Një tjetër e pavërtetë. Natyrisht që edhe në ambientin ku qëndroni duhet të keni kujdes që temperatura e ambientit të jetë maksimalisht shtatë gradë më e ulët se ajo jashtë. Po ashtu, edhe rrufa gjatë verës nuk shkaktohet domosdoshmërisht nga klima, por është reaksion i lehtë alergjik që ndodh pasi dalim në ajrin e nxehtë përlot grimca të polenit.
Pas larjes në pishinë nuk duhet të bëni dush
Gabimi më i madh të cilin mund ta bëni është që të mos pastroheni pasi të jeni larë në pishinë. Për kujdesin ndaj pishinës nevojiten shumë substanca kimike dhe klor. Pastaj njerëzit që lahen aty me vete fusin edhe parfum, krem, xhel për flokë, djersë dhe makijazh. Për këtë arsye larja në pishinë mund të shkaktojnë shumë probleme shëndetësore, si barkqitja, infeksioni i veshit, irritimi i lëkurës etj. Prandaj pas çdo larje në pishinë bëni dush.

Peri i dhëmbëve zbulon sëmundjet e zemrës

Nëse mishi i dhëmbëve gjakon kur dhëmbët i pastroni me perin e dhëmbëve, kjo mund të thotë që keni infeksion bakterial.
Pastrimi vjetor i dhëmbëve në ordinancën e dhëmbëve mund ta zvogëloj rrezikun nga infarkti i zemrës për 24 për qind krahasuar me ata që i shmangen këtij trajtimi, kanë gjetur hulumtuesit nga Tajvani.
Mishi i dhëmbëve i përflakur dhe i infektuar është i lidhur me sëmundjet e zemrës, sepse inflamacionet kronike janë shkaktare të cilat nxisin sistemin e imunitetit që në qarkullim të gjakut të dërgojnë materie që i kontribuojnë grumbullimit të shtresave të yndyrshme në artere.
Simptomat e tjera mund të jenë: djersitja gjatë natës, ftohja, plogështimi dhe lodhja. 

Microsoft blen Yammer për 1.2 miliardë dollarë

Marrëveshja e shumë përfolur mes Microsoft dhe Yammer tani ka përfunduar, pasi që Microsoft edhe zyrtarisht ka njoftuar për blerjen e shërbimit për një shumë që arrin shifrën prej 1.2 miliardë dollar dhe i cili tani do të inkorporohet në divizionin e Microsoft Office, të udhëhequr nga Kurt Del Bene, ndërsa ekipi do t’i raportojë edhe më tutje drejtorit të kompanisë, David Sacks.
E themeluar në vitin 2008, Yammer ofron një shërbim të ngjashëm si Facebook për bizneset, ndërsa baza e saj e konsumatorëve tani ka arritur në 5 milionë, 85 për qind e të cilave janë pjesë e Fortune 500.
Produkti i saj bazë është falas, ndërsa kompania krijon profit nga versionet më të avancuara të shërbimit të saj, duke përfshirë kontrollin më të madh administrativ dhe të sigurisë, integrimi me aplikacione biznesi, shërbim primar për klientët e saj si dhe një “success manager” të dedikuar vetëm për klientët që paguajnë.
“Blerja e Yammer është vazhdimësi e përkushtimit tonë për të ofruar teknologjinë që bizneset e kërkojnë dhe e duan” ka thënë Steve Ballmer, drejtori ekzekutiv i Microsoft. 

Yjet mund të krijohen edhe në tokë

Ndoshta njeriu nuk do të arrijë kurrë t’i afrohet një ylli dhe aq më tepër ta prekë atë, por shkenca po tregon që ajo mund ta krijojë atë në kushte laboratorike, me ndihmën e një makine të fuqishme me rreze X.
Gjithçka mund të realizohet falë një makine, që quhet “Linac Light Source”, e cila është makina më e fuqishme me rreze X e krijuar nga njeriu.
Kjo shpikje bazohet në intuitën e disa shkencëtarëve kalifornianë, që për të krijuar një shirit-laser në gjendje për të fotografuar bërthamën e proceseve molekulare, kanë krijuar një makinë-laser me elektrone të lira, në gjendje për të lëshuar rreze X. Kjo mrekulli mund të kontribuojë për të rikrijuar atë material të pranishëm vetëm në zemrën e yjeve dhe të planetëve gjigantë si Jupiteri.
Për të dalë në këtë përfundim, shkencëtarët e Departamentit Amerikan të Energjisë kanë shndërruar falë bombardimit me rreze X, një kub alumini (anët e të cilit ishin të gjatë 1/1000 e centimetrit), në një top plazmë me temperaturë prej dy milionë gradë celsius, apo 3.6 milionë gradë Fahrenheit, temperaturë më e lartë se ajo e kurorës diellore.
E gjitha ndodhi brenda një trilion të mijtave të sekondës. Sigurisht jemi ende larg arritjes së temperaturës së bërthamës diellore, që është 13,9 milionë gradë celsius, por kjo procedurë, siç siguron shefi i ekipit kërkues Sam Vinko, do të ndihmojë shkencëtarët për të kuptuar sesi punojnë yjet.
Për më tepër mund të ndihmojë në perspektivë në prodhimin mbi tokë të fuzionit bërthamor, që për momentin është thuajse i papërsëritshëm me makineritë dhe teknologjinë në dispozicion. 

Babuinët dinë të bëjnë llogari matematikore

Babuinët janë në gjendje që të dallojnë një fjalë të shkruar nga një shkarravinë, mund të bëjnë llogari matematikore dhe madje edhe të planifikojnë të ardhmen e tyre.
Një studim i fundit i fokusuar në aftësitë njohëse të majmunëve të përparuar tregoi të dhëna të befasishme, të aftësive që më parë mendohej se nuk zotëroheshin prej tyre. Sipas shkencëtarëve, studimi vërteton se të menduarit dhe planifikimi nuk janë një ekskluzivitet i qenieve njerëzore.
“Tashmë nuk shtrohet më pyetja se si ata mendojnë, por se si mendojnë. Çdo vit, te babuinët apo orangutangët zbulojmë gjëra që më parë nuk mendonim se mund t’i realizonin”, ka thënë Brian Hare nga Universitetit Duke, ndërsa transmeton Kosovapress.
Testimi shkencor u krye në një kopsht zoologjik, ku majmunëve iu dhanë tetë vegla të ndryshme, dy prej të cilave i ndihmonin të mbërrinin tek ushqimi. Më pas ata zhvendoseshin nga dhoma e tyre në të cilën vendosej ushqimi, në një dhomë tjetër, ku liheshin pa ngrënë deri në 14 orë.
Pothuajse në çdo rast, orangutangët dhe babuinët kuptonin se ishin zhvendosur dhe përdornin veglat e tyre për të mbërritur deri tek ushqimi, madje edhe pasi kishin fjetur. Gjithashtu, primatët kryen me sukses disa ushtrime në iPad me ekran të prekshëm, duke përfshirë edhe zgjidhjen e disa ekuacioneve matematikore. 

Kriza e euros, miliona njerëz të rrezikuar nga uria

Kriza e borxheve në Eurozonë ka goditur rëndë vendet e botës së tretë, pasi ndihma financiare dhe investimet private janë shkurtuar në një nivel rekord, informoi agjensia e specializuar “Data”.
Sipas të dhënave, BE ka reduktuar ndihmat për vendet në nevojë në nivelin më të ulët prej një dekade.
Mungesa e rritjes ekonomike në pothuajse të gjithë vendet e zhvilluara të BE-së dhe “thithja” e fondeve nga vendet në krizë si Spanja dhe Greqia kanë kontribuar për të krijuar këtë gjendje të rëndë.
Vetë këto dy vende, dikur kontribuese bujare për vendet e botës së tretë, aktualisht kanë ndërprerë pothuajse çdo lloj investimi humanitar.
”Pasojat më të rënda të krizës europiane nuk po i ndiejnë banorët e shteteve të Eurozonës, por ata të vendeve më të varfëra në botë”, shkruhej në raport.
”Ndërsa BE shtrëngon buxhetet dhe është e prirur drejt kursimit, ndihma për më të varfërit e planetit, së bashku me programet që i mbajnë gjallë me miliona banorë çdo ditë është rrudhur në mënyrë të frikshme”.
Aktualisht, kontribuesit më të mëdhenj humanitarë brenda BE-së janë Gjermania, Britania dhe Franca, me 12-14 miliardë euro ndihma secili, por kjo ndihmë, në secilin prej vendeve nuk kalon më shumë se 0,4për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
”Në vende si: Mozambiku, Tanzania dhe Malaui, me miliona persona janë të rrezikuar nga uria dhe sëmundjet, si pasojë e shkurtimit të ndihmave dhe e njëjta situatë është edhe në dhjetëra vende të tjera të varfëra. Ndjeshmëria e ulët ndaj vendeve në nevojë mund t’u kushtojë jetën miliona njerëzve”, përfundon raporti i “Data”-s.

OSBE ndihmon strategjinë kundër trafikimit, drogës e terrorizmit

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përkrahur hartimin e strategjive të reja dhe planeve të veprimit 2012-2017 kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimit të organizuar gjatë disa punëtorive të mbajtura në Durrës.
Gjatë gjashtë muajve të fundit, Misioni i OSBE-së ka punuar me përfaqësuesit e policisë së Kosovës, ministritë relevante, këshillat gjyqësor dhe prokurorial, si dhe me EULEX-in, ICITAP-in, UNDP dhe organizata jo-qeveritare për të rishikuar strategjitë 2009-2012 dhe për të ndihmuar në hartimin e strategjive të reja, të cilat vazhdojnë deri në vitin 2017, thuhet në njoftimin e OSBE-së.
“Këto strategji janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë”, tha Dusko Zavisic, zëvendës drejtor i Departamentit për Siguri Publike në OSBE. “Një bashkëpunim dhe koordinim i përmirësuar i të gjithë akterëve relevant është qenësor për mbajtjen dhe përmirësimin e sigurisë publike dhe kjo është edhe thelbi i këtyre strategjive,” ka thënë ai.
Strategjia kundër trafikimit të drogës ka për qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e abuzimit me droga duke zvogëluar mundësinë e sigurimit dhe kërkesës për drogat e ndaluara, kurse strategjia kundër terrorizmit përqendrohet në parandalimin, ndjekjen, mbrojtjen dhe reagimin ndaj aktiviteteve të terrorizmit, vlerëson OSBE përmes një komunikate për media.
Strategjia kundër krimit të organizuar – si strategji ombrellë – përcakton rolet e agjencive për zbatim të ligjit dhe parasheh masa për përmirësimin e mëtutjeshëm të punës së tyre. Kjo strategji përfshinë edhe komponentin e ngritjes së vetëdijes për të siguruar përkrahje për implementimin e saj, thuhet ne komunikate.

Mbrojtja argumenton pafajësinë e Hardaninajt

Ka vazhduar edhe të martën seanca e radhës në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, të cilët po akuzohen për krime lufte gjatë luftës në Kosovë. Seanca e sotme ka nisur me paraqitjen e dëshmive nga mbrojtja e Haradinajt, e cila është fokusuar në disa dëshmi të dëshmitarëve lidhur me veprimet e Haradinajt në Gllogjan dhe Jabllanicë.
Avokati mbrojtës i Haradinajt, Emerson, ka thënë se gjatë parashtrimeve të tij lidhur me dëshminë e dëshmitarit Rrustem Dedaj dhe dëshmitë që ndërlidheshin me këtë gjyq dhe ndërhyrjen e zotëri Haradinajt atij iu soll në vëmendje ndalimi i Skënder Kuçit.
Avokati është fokusuar te dëshmia e Rrustem Dedajt, për të cilin mbrojtja tha se ai ishte personi që e bëri rrugëtimin e vështirë dhe shkoi në Jabllanicë dhe e qortoi atë për trajtimin e zotëri Kuçi dhe e urdhëroi ta lironte atë menjëherë.
Mbrojtja, po ashtu, përsëriti edhe çështjen se si Haradinaj kishte fituar emër dhe respekt aq të madh në atë zonë.
“Siç ju thash dje, zoti Haradinajt ishte komandant i atyre që donin ta ndiqnin atë dhe donin ta quanin komandant dhe popullariteti i tij, mbështetjen dhe kauzën që e përfaqësonte. Ai varej nga emri i mirë që kishte dhe nga kjo shkallë mund të mendohet se keqtrajtimi i atyre që ishin të ndaluar dhe akuzat që ishin bazuar në torturat e personave që ishin të burgosur do të kishte efektin e kundërt të asaj që donte të arrinte zotëri Haradinaj me aq mundim për konsensusin e komunitetit për të marrë pjesë në një forcë vullnetare”, ka thënë avokati i Haradinajt, transmeton Kosovapress.
Po ashtu, mbrojtja është përqendruar edhe te dëshmia e dëshmitari “3”, ku sipas mbrojtjes, ai ishte marrë nga Gllogjani prej Lahi Brahimajt dhe ishte sjellë në Jabllanicë me arsyetimin se ai njeri e kishte vjedhë një pushkë.
Avokati mbrojtës e ka përsëritur një video nga parashtrimi i pyetjeve që ai ia kishte bërë dëshmitarit “3”, i cili gjatë dëshmisë së tij kishte treguar se si ishte marrë nga Lahi Brahimaj në Gllogjan dhe ishte sjellë në Jabllanicë.
Sipas dëshmitarit “3”, në kohën kur kishte ardhur Ramush Haradinaj aty në Jabllanicë, kishte filluar marrja e tij në pyetje dhe sipas dëshmitarit, Haradinaj e kishte mbështetur atë dhe nuk ishte sjellë fare keq me të.
Dëshmitari më tej, në dëshminë e tij, kishte thënë se kur e ka marrë në pyetje dhe i ka treguar se pse ishte sjellë këtu dhe kush e kishte sjellë, siç e përshkruan dëshmitari, Haradinaj kishte reaguar me një “pfff”.
Prandaj, sipas mbrojtjes, dëshmia e dëshmitari “3” bien në kundërshtim me pretendimet e prokurorisë se Haradinaj kishte marrë pjesë në krime në atë kohë, përderisa dëshmitari tregon se Haradinaj ishte nervozuar shumë kur kishte kuptuar se pse ai ishte sjellë aty dhe kishte kërkuar që gjëra të tilla të mos ndodhin më, pasi që, siç thotë dëshmitari, Haradinaj kishte thënë se gjëra të tilla e dëmtojnë interesin e luftës.
Seanca po vazhdon edhe në këto qaste. Këto priten të jenë seancat përfundimtare të këtij gjykimi të pjesshëm në këtë proces.
Duhet përmendur se për të njëjtat akuza Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga po kjo gjykatë.

Nuk ndjehet i tradhtuar nga partia

Tri ditë pas dorëheqjes së tij nga posti i zv. kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ditën e tij të punës të hënën e ka filluar në Universitetin e Prishtinës, duke ua mbajtur provimin e radhës studentëve të Fakultetit Filozofik. Ai nuk ndjehet i tradhtuar nga partia, pjesë e së cilës është, ndonëse disa deputet nga partia së cilës i takon edhe ai votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal.
Tashmë ish-zv. kryeministri Kuçi thotë se po ndihet mirë, sepse veprimi i tij ishte bashkim i moralit dhe i politikës, sepse mosveprimi i tij do t’ia ulte kredibilitetin, pasi që e kishte dhënë një premtim publik se do të tërhiqet nga postet qeveritare nëse Kuvendi i Kosovës kalon nenin 37, 38 të Kodit Penal.
Kuçi vlerëson se nuk e tradhtoi partia, pjesë e së cilës është, pasi që dihet se disa nga deputetët e kësaj partie votuan kundër heqjes së neneve. Por, thotë se disa nga deputetët menduan që përmes Kodit do t’i ndalin atakimet që mediet po ua bëjnë atyre. Kurse mohon që largimi i tij ka të bëjë me riformatimin e Qeverisë, ku Kuçi ka mundësi të kthehet sërish, pasi që ish-shefi i tij ende nuk i ka kthyer përgjigje zyrtare pas dorëheqjes në letër që ia ka dërguar më 22 qershor.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ish-zv. kryeministri Kuçi thotë se do të vazhdojë punën në Universitetin e Prishtinës.
Ai po ashtu thotë se dorëheqja e tij nga postet e larta qeveritare ishte bërë vetëm për shkak të miratimit të neneve antimedia në Kuvendin e Kosovës. Ai nuk ua zë për të madhe bashkëpartiakëve, vota e të cilëve shkaktoi dorëheqjen e tij.
Puna e tij në Qeveri thotë se ka marrë fund të premten e kaluar, ndërsa thotë se nuk e ka synim as pozitën e kryenegociatorit, as atë të kandidatit të PDK-së për president të Kosovës, e as të rektorit të Universitetit të Prishtinës.

Topi, të premten në Prishtinë

Presidenti aktual i Shqipërisë, Bamir Topi do të qëndrojë në Kosovë të premten. Topi pritet t’iu drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë, e cila do të mbahet enkas presidentin e Shqipërisë.
Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se për nder të presidentit Topi Kuvendi do të mbajë një seancë të premten, më 29 qershor.
“Të premten kemi një seancë në të cilën do t’i drejtohet Kuvendit Presidenti në ikje siç thuhet i Shqipërisë zotit Bamir Topi. Koha e mbajtjes së seancës do të caktohet me vonë”, deklaroi Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, një ditë më herët, të enjten Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të rregullt, ku pritet që të miratohet në shqyrtim të parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për letërnjoftim, dhe disa pika tjera. 

Nuk erdhën njohjet e paralajmëruara nga Hoxhaj

Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, më datën 28 maj kishte paralajmëruar që brenda pak ditësh do të vijnë tri njohje për Republikën e Kosovës, por një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse Kosovës i erdhi vetëm njohja nga Republika e Çadit, më 1 qershor. Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme vazhdojnë të thonë se njohjet do të vijnë në ditët dhe muajt në vazhdim, ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, këto paralajmërime i quan të dëmshme për procesin e njohjes së Kosovës.
Ministri Hoxhaj më 28 maj, në një deklarim për mediat vendore, kishte premtuar se brenda pak ditësh Kosova do të njihet nga tri shtete, por kanë kaluar gati një muaj dhe ka ardhur vetëm një njohje.
Këshilltari politik i ministrit, Artan Behrami ka thënë se ministri ka premtuar që do të vijnë ato njohje dhe ka ardhur ajo nga Republika e Çadit. I pyetur se cilat janë shtetet që kanë paralajmëruar njohjen ai nuk ka dashur të jap emrat e shteteve.
“Ju e dini që ministri pat thënë që brenda një kohe shumë të shkurtër do të ketë disa njohje të Republikës së Kosovës, një ka ardhur nga Republika e Çadit, ndërsa për shtet e tjera jemi në pritje. Në këto rrethana nuk jemi në gjendje të themi emra se do të dëmtonim procesin, por unë besoj që është çështje kohës, ditësh, javësh, muajsh që do të ketë njohje të Republikës së Kosovës”, ka thënë Behrami.
Nga ana tjetër ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni ka thënë se paralajmërimet e tilla janë të dëmshme për procesin e njohjes së Kosovës, duke i quajtura si deklarime të pamatura.
“Është dëmtim shumë i rëndë të paralajmërohen njohjet, nëse ka pas premtime apo jo, sepse paralajmërimi për njohje e dëmton vet procesin e njohjeve, ose do të shpinte Serbinë që të lobonte kundër njohjeve. Prandaj paralajmërimi është si veprim politik është i konsumuar, ndërsa si veprim diplomatik është i pavend. Në fund të fund dëmton procesin e njohjeve. Ne nuk mund të detyrojmë vendet e botës që me çdo kusht të na njohin, ne duhet të kryejmë punën tonë, të zhvillojmë Kosovën për brenda. Suksesi për brenda Kosovës e përcakton edhe suksesin e njohjeve”, ka theksuar Hyseni.
Ndryshe edhe pse kishte paralajmërime të shumta nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ministri Hoxhaj se gjatë këtij viti do të vijnë shumë njohje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Në faqen zyrtare të ministrisë së Punëve të Jashtme figurojnë vetëm gjashtë njohje që kanë ardhur këtë vit, nga Republika e Ganës, Haitit, Ugandës, Sao Tome dhe Principe, Brunesi Darussalam dhe ajo nga Republika e Çadit ishte njohja e fundit që ka ardhur më 1 qershor.

Mujota “hetohet” nga kushëriri i gruas

Një hetuesi policor i ka rënë hise të hetojë kushëririn dhe dhëndrin e tij. Lutfi Menxhiqi, hetues në Drejtorinë e krimeve ekonomike, e ka pranuar se ka punuar në rastin e hetimeve në Ministrinë e Infrastrukturës, në të cilin janë të dyshuar ministri Fehmi Mujota dhe vëllai i gruas së tij, Armend Ademi.
Menxhiqi ka thënë se Ademin e ka kushëri, e Mujotën dhëndër. Madje e ka pranuar se ka marrë pjesë në mbledhjen e provave në shtypshkronjën e “Master Print”, e cila ishte angazhuar nga Ministria për shtypjen e testeve konfidenciale të patentë shoferëve.
E ndërkohë zyrtarët e kësaj ministrie të dyshuar për dhënie të patentave me para vazhdojnë të punojnë pa asnjë pasojë aty ku ishin. Asnjëri prej tyre nuk është suspenduar, duke përfshirë edhe Samed Veselin, i cili e ka pranuar se si për një ditë ka ndihmuar tre kandidatë të kalojnë testet me shkrim, shkruan “Koha Ditore”.
Dëshmia e tij dyshohet se është provuar të zhduket nga hetuesja, Valdete Gubetini, hetimet ndaj së cilës po vazhdojnë nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës. 

Qeverisje pa sovranitet në veri

Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) kanë hartuar një plan 9-pikësh për veriun e Kosovës , i cili fokusohet te shtrirja e qeverisjes atje, por jo edhe të sovranitetit.
Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) planifikojnë që të vendosin normalitetin në veri nëpërmjet veprimeve në nëntë fusha të ndryshme. Një plan veprimi, pritet që të ndihmojë Grupin Ndërkombëtar Drejtues që në fillim të muajit të ardhshëm të marrë vendimin që të përfundojë mbikëqyrja e pavarësisë në shtator të këtij viti. Grupi i shteteve që e kanë mbikëqyrur pavarësinë për tërë këto vite të ekzistimit të shtetit të Kosovës ka kërkuar plan dhe hapa konkretë për integrimin e veriut të Kosovës, në mënyrë që vendimi për fundin e mbikëqyrjes të jetë më i lehtë.

Si hap i parë konkret pritet që të vlerësohet hapja e Zyrës Administrative për Veriun e Kosovës, ndërkaq që plani parasheh një varg veprimesh tjera konkrete që do të bëhen në të ardhmen. Zgjedhjet lokale me lista të hapura dhe me sistem ku kryetari i komunës votohet ndaras nga kandidatët për asamble, investime në infrastrukturë dhe krijimi i mundësisë që Gjykata e Qarkut në veri të Mitrovicës të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës, janë disa nga veprimet e planifikuara. Gjithashtu rekomandohet që në veri të ketë një polici të pavarur dhe kompetente.
Plani niset nga parimi se serbët e Kosovës nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, por do t’i përshtaten atij, shkruan “Koha Ditore” .
Qeveria e Kosovës, sipas planit, duhet të fokusohet në shtrirjen e qeverisjes në veri e jo të sovranitetit. 

Selimi: Pse FBI?

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi ka thënë se kërkesa për përfshirjen e FBI-së në hetime rreth rastit të Dino Asanajt, ka qenë e panevojshme. Sipas tij, nga ekzaminimet ka rezultuar se ish–shefi i AKP-së ka bërë vetëvrasje. Por, deputeti Selimi vlerëson se ftesa hetuesve amerikanë u është bërë më shumë për të vërtetuar rezultatet, meqë besimi i qytetarëve në institucionet kompetente është lëkundur.
Për Behar Selimin kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar FBI`së për të ndihmuar në rastin e Dino Asanaj, ka qenë e panevojshëm.
Ai ka thënë se ekspertizat e kryera dhe fjala përfundimtare që ka dhënë Mjekësia Ligjore, se ish-shefi i AKP`së ka bërë vetëvrasje, kanë mjaftuar që hetimet e mëtutjeshme t`i kryejë Prokuroria dhe Policia e Kosovës.
Selimi ka thënë të hënën për Express se ky rast nuk ka qenë edhe mjaft kompleks që të kërkohet ndihmë nga Byroja Federale e Hetuesisë, meqë rezultat e përfundimtare kanë treguar se Dino Asanaj ka bërë vetëvrasje.
“Ekspertët e FBI-së do të mund të angazhohen në kuadër të bashkëpunimit bilateral profesional mes dy prokurorive të shteteve tona, për rastin konkret kemi mjafte ekspertizë për të nxjerrë të vërtetën. Pra, s’ka nevojë për ekspertizë nga jashtë”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, sikur edhe një plak i vetëm e në moshë i FBI-së po të vinte në Kosovë për të ndihmuar rreth këtij rasti për shkak të dilemave të shumta, do të forcohej edhe më shumë e vërteta përfundimtare që ka dalë nga autopsia e kryer në Mjekësinë Ligjore.
“Ftesa eventuale për ekspertë të FBI-së mund të ndihmojë që qytetarët t’iu besojnë përfundimeve të hetuesisë sonë, sepse për qytetarët akoma ka dilema e mëdyshje në sistemin e drejtësisë”, thotë Selimi.