OSBE ndihmon strategjinë kundër trafikimit, drogës e terrorizmit

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përkrahur hartimin e strategjive të reja dhe planeve të veprimit 2012-2017 kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimit të organizuar gjatë disa punëtorive të mbajtura në Durrës.

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Misioni i OSBE-së ka punuar me përfaqësuesit e policisë së Kosovës, ministritë relevante, këshillat gjyqësor dhe prokurorial, si dhe me EULEX-in, ICITAP-in, UNDP dhe organizata jo-qeveritare për të rishikuar strategjitë 2009-2012 dhe për të ndihmuar në hartimin e strategjive të reja, të cilat vazhdojnë deri në vitin 2017, thuhet në njoftimin e OSBE-së.
“Këto strategji janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë”, tha Dusko Zavisic, zëvendës drejtor i Departamentit për Siguri Publike në OSBE. “Një bashkëpunim dhe koordinim i përmirësuar i të gjithë akterëve relevant është qenësor për mbajtjen dhe përmirësimin e sigurisë publike dhe kjo është edhe thelbi i këtyre strategjive,” ka thënë ai.
Strategjia kundër trafikimit të drogës ka për qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e abuzimit me droga duke zvogëluar mundësinë e sigurimit dhe kërkesës për drogat e ndaluara, kurse strategjia kundër terrorizmit përqendrohet në parandalimin, ndjekjen, mbrojtjen dhe reagimin ndaj aktiviteteve të terrorizmit, vlerëson OSBE përmes një komunikate për media.
Strategjia kundër krimit të organizuar – si strategji ombrellë – përcakton rolet e agjencive për zbatim të ligjit dhe parasheh masa për përmirësimin e mëtutjeshëm të punës së tyre. Kjo strategji përfshinë edhe komponentin e ngritjes së vetëdijes për të siguruar përkrahje për implementimin e saj, thuhet ne komunikate.