Nesta mendon të pensionohet

Legjenda e Milanit, Alessandro Nesta, është duke menduar t’i japë fund futbollit pas një karriere të bujshme.
Dy herë fituesi i Ligës së Kampionëve u largua nga Rossonerët, ku qëndroi për një dekadë dhe teksa gjendet pa klub, mbrojtësi italian ka pranuar se mendon që të pensionohet pasi nuk ka gjetur ndonjë klub jashtë Italisë ku mund t’i kthehet interesimi për lojën.
Nesta është shprehur i interesuar që të kalojë në MLS, mirëpo asnjë klub nga SHBA-të nuk i ka bërë ofertë, duke qenë se ata dëshirojnë ta shfrytëzojnë mundësinë e transferimit të sulmuesve. 

Tifozët e Realit nuk e duan Modricin

Sipas rezultateve të një ankete të bërë nga Marca, 45 për qind e tifozëve të Real Madridit janë kundër transferimit të Luka Modric, ndërkohë që 55 për qind e tyre e konsiderojnë si përforcim.
Mediat në Spanjë dhe Angli raportojnë se klubi mbretëror në javën e ardhshme do t’i bëjë ofertë Tottenhamit për shërbimet e mesfushorit me një shumë që besohet të jetë 35-40 milionë euro.
Nga ana tjetër, Modric thuhet të jetë mjaft i pëlqyer nga trajneri Jose Mourinho, por për të interesohen edhe shumë klube të tjera evropiane. 

Lavezzi: Napoli gjithmonë në zemrën time

Ezequiel Lavezzi nuk e di me saktësi se kur do të finalizohet kalimi i tij te Paris Saint-Germain, por ai tashmë është përshëndetur me tifozët e Napolit.
“Nuk di shumë rreth negociatave. Agjenti im po i menaxhon ato. Mirëpo, nga Napoli do ta mbaj në zemrën time dashurinë e jashtëzakonshme për njerëzit”.
“Napoli më ka shtyrë përpara dhe më ka dhënë mbështetje të madhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Lavezzi për Il Mattino.
Lavezzi iu bashkua Napolit në vitin 2007 nga San Lorenzo. 

Soldado te Valencia deri në vitin 2017

Roberto Soldado dhe Valencia kanë përfunduar me sukses bisedimet për vazhdimin e kontratës së lojtarit spanjoll.
Sulmuesi iu bashkua Los Che në vitin 2010 nga Getafe, ndërsa tani është pajtuar që të qëndrojë në Mestalla deri në vitin 2017.
“Performancat e Roberto Soldados kanë qenë fantastike – kjo është diçka të cilën e kanë parë të gjithë”.
“Megjithatë, përkushtimi i tij, dëshira për ta çuar Valencian përpara dhe karakteri i tij fitues e bëjnë atë një gurëthemel për skuadrën dhe një emblemë për valencianistët”, ka thënë presidenti i klubit, Manuel Llorente. 

Liverpooli të shesë Skrtel

Liverpooli është i gatshëm që ta shesë mbrojtësin Martin Skrtel gjatë kësaj vere, për të mbushur arkat e klubit.
Daily Star Sunday shkruan se Manchester City do të jetë ekipi i parë që do të tentojë të transferojë sllovakun në Etihad Stadium.
Liverpooli ka opsione të shumta për mbrojtje dhe duket se klubi nga Anfield po i përgatit goditjet e veta në treg për muajin gusht, ku dhe çmimet ulen ndjeshëm. 

“Mirë që Robben dështoi në finale të LK-së”

Një anëtar i kombëtares holandeze ka pohuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë qenë shumë të lumtur kur mësuan se Arjen Robben humbi penaltinë vendimtare në finalen e Ligës së Kampionëve.
Burimi anonim ka deklaruar për Telegrafin holandez se ata kanë menduar se Robben do të jetë më i angazhuar me ekipin që të kenë sukses në Euro 2012.
“Paramendoni se si do të kishte ardhur ai në kombëtare po që se do ta shënonte atë penalti. Ai do të kishte qenë më arrogant dhe kurrë nuk do t’ua pasonte topin bashkëlojtarëve”, ka theksuar ky burim për De  Telegraaf.
Arjen Robben njihet si lojtar shumë egoist, gjë që i kushtoi atij humbjen në finalen e Botërorit ku lëshoi dy-tri mundësi të pastra shënimi përderisa kishte lojtarë tjerë në pozitë të sigurtë shënimi dhe ky imazh u përsërit edhe në finalen e Ligës së Kampionëve. 

City ofertë për De Rossin

Manchester City është duke e menduar një ofertë për mesfushorin e Romës, Daniele De Rossi.
Mediat angleze raportojnë se Roberto Mancini që një kohë të gjatë e përcjell mesfushorin e Romës dhe se tani ka ardhur momenti për hapin konkret.
Vet De Rossi siç dihet ka shprehur admirimin e tij ndaj futbollit anglez, duke aluduar kështu ndoshta te një kalim te gjiganti anglez që po tremb botën e futbollit me sukseset. 

Juventusi, ofertë astronomike për Cavanin

Gjiganti italian, Juventus, është i vendosur që të lansojë një ofertë për sulmuesin e Napolit, Edinson Cavani.
Il Corriere dello Sport raporton se Napoli është në gjendje që ta lëshojë Cavanin vetëm për 70 milionë euro.
Sidoqoftë, Juventusi e ka menduar një ofertë më të mirë. Bianconerët duan të ofrojnë 20 milionë euro dhe shërbimet e sulmuesve Sebastian Giovinco dhe Alessandro Matrit. 

Humphries: Kam dëshmi se Kim më ka tradhtuar

Ish burri i Kim Kardashian, Kris Humphries, ka thënë se ka dëshmi se ylli televiziv e kishte tradhtuar gjatë kohës sa ishin së bashku.
Sipas TMZ, basketbollisti këtë informatë ia ka dhënë ish-të dashurës së tij Myla (Fatmire) Sinanaj, të cilës i ka thënë se e dinte që Kim e tradhton me reperin Kanye West.
Këngëtari konsiderohej si mik i afërt i familjes edhe para se të lidhej zyrtarisht me bukuroshen, ndërkohë që dyshimet e Humphries kishin filluar qëkur ai nuk u shfaq në ceremoninë martesore.
Pas përfundimit të martesës 72-ditore me Kris Humphries, Kim Kardashian u hodh në krahët e Kanye West.

Si këndonte dhe vallëzonte Shakira 13-vjeçare (Video)

Këngëtarja kolumbiane, Shakira, që në moshën 13-vjeçare kishte një zë të bukur dhe po ashtu dinte të vallëzojë.
Këto ditë në YouTube është lansuar kënga “Magia”, të cilën e performon këngëtarja si e re.
Kjo këngë është përfshirë në albumin e parë të Shakiras nga viti 1991. 

Tony Parker të padisë ‘clubin’ ku u rrahën Drake dhe Brown

Tony Parker, ylli basketbollistik i kampionatit NBA pritet që ta padisë ‘clubin’ e natës W.I.P në New York, për lëndimet që ai i ka pësuar pas rrahjes së Chris Broën dhe Drake.
Basketbollisti po kërkon dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh nga ky klub i natës, për shkak se ai ishte goditur me shishe në fytyrë duke dëmtuar rëndë syrin e tij.
Nëse Parker arrin të vërtetojë se klubi i natës ishte përqëndruar më shumë në marrjen e të hollave se kujdesin ndaj konsumatorëve, ashtu sikurse në faktin se nuk është dashur t’i lë në një vend Drake dhe Brown, atëherë dëmshpërblimin do ta fitojë pa problem francezi. 

Liami besnik ndaj të dashurës

Ish-banori i Big Brother Albania, Liami, kishte qenë pjesë e spekulimeve mediatike për jetën tij private. Shumë mediume shqiptare kanë raportuar se ai ishte ndarë nga e dashura Evelina, të cilës i propozoi martesë në finalen e Big Brother.
Ky duket të jetë një thashethem shumë i madh, pasi largimi i Evelinës drejt Gjermanisë ka bërë mediat të besojnë se ata mund të jenë ndarë .
“Unë kam një të dashur dhe ajo quhet Evelinë. Duke qenë se studion administrim-biznesi, ajo kishte për të dhënë ca provime. I kam dëgjuar thashethemet që fliten për jetën time, por do të bindeni se nuk jam ndarë”, ka theksuar Liami. 

Justin Bieber nuk rebelohet ndaj prindërve

Pop ylli amerikan, Justin Bieber, thotë se kurrë nuk është rebeluar ndaj prindërve të tij, por thotë të jetë i lumtur që është pjekur për t’i marrë vet vendimet.
18 vjeçari thotë se ai dëgjon çfarë i thotë nëna dhe babai, por e di se nëse nuk dëshiron të bëjë diçka nuk ka nevojë që të shtyhet me ta.
“Unë jam tani burrë. Unë jam pjekur shumë dhe jam rritur shumë. Tani jam një i rritur dhe kjo më jep më shumë liri. Unë nuk kam nevojë që të bëj atë që më thonë prindërit. Nuk kam nevojë që të shtyhem me ta për diçka. Nëse duhet të bëj diçka që ata nuk pajtohen, atëherë e bëj pa problem”, ka thënë Bieber.

Pjesëtarë të FSK-së shkollohen në Maqedoni

Komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtnant Kadri Kastrati, tha se FSK-ja ka planifikuar që të dërgojë për shkollim katër vjeçar në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë ushtarët serbë dhe boshnjakë të FSK-së.
Në kuadër të memorandumeve të bashkëpunimit me shtetet e rajonit, FSK-ja ka hartuar edhe planet konkrete për shkollimin e oficerëve të saj jashtë vendit.
Komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtnant Kadri Kastrati, tha se FSK-ja ka planifikuar që të dërgojw për shkollim katër vjeçar ushtarët e FSK-së, serbë dhe boshnjak, në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë.
“Jepet mundësia që edhe komunitetet jo shqiptare edhe komunitetit serb dhe boshnjak t’i prodhojmë oficerët e parë dhe të kemi kuadro të këtyre dy komuniteteve që për momentin janë deficitarë në FSK-së”, shpjegon general-lejtnant Kastrati.
Përveç nevojave të FSK-së për oficer nga minoritetet, shkak për shkollim jashtë vendit është edhe shkollimi jo adekuat i tyre dhe mos njohja e gjuhës angleze.
“Një prej detyrave tona dhe qëllimeve tona në të ardhmen si forcë multietnuike është që të përfshijmë edhe të gjitha komunitetet shqiptare dhe jo shqiptare, kjo nuk mjafton vetëm me ushtarë. Por, ne dëshirojmë që në të ardhmen në zhvillimin e karrierës të përfshijmë edhe komunitetet jo shqiptare, sidomos në këtë rast komunitetin boshnjak dhe serbë”, tha Kastrati, raporton RTK.
Ndërkaq, me 27 qershor do të bëhet edhe gradimi i radhës së kadetëve të rinj të FSK-së, bëri të ditur gjeneral Kastrati. Ai shtoi se FSK-ja si ushtri e Kosovës do të tregojë se është e gatshme dhe e vullnetshme që në kuadër të saj të përfshijë të gjitha komunitetet. 

Hoxhaj viziton Maqedoninë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, nesër (e hënë) shkon në një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.
"Gjatë qëndrimit në Shkup, ministri Hoxhaj do të zhvillojë takime me udhëheqësit e institucioneve të Maqedonisë, me përfaqësues të shoqërisë civile e të trupit diplomatik të akredituar në Maqedoni", thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Jashtme.
"Ministri Hoxhaj gjatë vizitës do të takohet me presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, me kryeministrin, Nikola Gruevski, homologun maqedonas, Nikola Poposki dhe zëvendëskryeministrin, Musa Xhaferi", thuhet në njoftim. 

Ekzekutivi kontrollon shërbimet që merr nga OJQ-të

Qeveria e Kosovës ka filluar hartimin një strategjie për përfshirje dhe bashkëpunim me shoqërinë civile. Strategjia është pjesë e obligimeve që ka marrë ekzekutivi i vendit për përmbushjen e detyrave që dalin si obligim nga Raporti i Progresit dhe pretendon të përfshijë shoqërinë civile në hartimin legjislacionit, dhe të kontrollojë shërbimet që ekzekutivi i blen nga OJQ-të.
Pas presioneve që kanë ardhur përmes raporteve të ndryshme ndërkombëtare për Kosovën, Qeveria ka vendosur të formalizojë bashkëpunimin me sektorin jo qeveritar.
Një strategji, e cila po punohet në bashkëpunim me platformën CIVIKOS, që përfshin mbi 100 organizata në rrjetin e saj, pritet t’i standardizojë format e partneritetit të Qeverisë me shoqërinë civile.
Valdete Idrizi, udhëheqëse e rrjetit CIVIKOS, thotë se strategjia do të hedh bazat e përfshirjes së shoqërisë civile në hartimin e ligjit, në transparencë e sidomos do të mundësojë edhe mbikëqyrjen rreth financimit.
“Shumë ministri japin para për OJQ në forma të ndryshme, por askush nuk e din kush merr. Tash me këtë strategji vendoset një lloj kriteri dhe transparence dhe dihet kush ofron dhe kush çka merr”, ka thënë Idrizi për Radio Kosovën.
Shefi i zyrës për qeverisje të mirë në Qeverinë e Kosovës, Abit Hajredini ka thënë se përmes kësaj strategjie, tani, jo vetëm që do të jetë e përfshirë shoqëria civile, por edhe do të kontrollohen shërbimet e blera nga OJQ-të.
Ndërsa, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës ka theksuar tri dimensione në të cilat shoqëria civile do të duhej të jetë e përfshirë.
“Për të pasur efekt strategjia duhet të fokusohej në çështje me shumë rëndësi për jetën e qytetarëve duke filluar nga informimi, pra qasja në dokumente, dialogu dhe krejt në fund partneriteti”, ka thënë Selmanaj për RTK.
Përmes kësaj strategjie që nuk është e para e këtij lloji, Qeveria pretendon të përmbush një prej detyrimeve të saj për të cilat ka pasur vërejtje edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. 

Ndotje e Sitnicës, Fushë-Kosova disa orë pa ujë

Ndotja enorme e lumit Sitnica, ka bërë që qytetarët e Fushë-Kosovës të dielën të mbesin pa furnizim më ujë të pijshëm për disa orë rresht. Këtë vendim e ka marrë Ujësjellësi rajonal “Prishtina”, punëtorët e të cilit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë dërguar mostrat në laborator.
Lumi Sitnica është shumë afër puseve të cilat shfrytëzohen për furnizim me ujë të pijshëm. Pas analizave të hollësishme të mostrave të ujit, Ujësjellësi ka lëshuar sërish furnizimin me ujë të konsumatorëve në Fushë-Kosovë.
Fillimisht rastin e kanë raportuar disa qytetarë të cilët pranë lumit kanë parë peshq të ngordhur.
Edhe zyrtarë të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës kanë dalë në vendngjarje dhe kanë marrë mostrat për analiza të hollësishme, pasi ky institut monitoron vazhdimisht gjendjen e lumenjve, raporton Koha.net.
Banorët kanë thënë se ndotja vjen nga disa kompani prodhuese, të cilat e shfrytëzojnë rrjedhën e lumenjve për të derdhur ujërat industrial. 

Thaçi: Dorëheqja e Kuçit, standard i munguar

E plotësuar - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi sot në Tiranë se dorëheqja e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi është bërë për shkaqe morale dhe ky veprim instalon në Kosovë një standard të ri.
“Ka qenë debat që është përcjellë me opinione të ndryshme, me diçka të re në Kosovë. Z Kuci bashkëpunëtor imi i ngushtë dhe njeri i suksesshëm në qeverinë e Kosovë i ka dhënë opinionet e tjera. Ka ndodhur ajo që ka ndodhur në Parlamentin e Kosovës", citon BallkanWeb kryeministrin Thaçi.
"Zv/kryeministri kishte bërë një deklaratë publike që potenconte se nëse kalonin 3 nene do të dorëhiqej. Unë kërkova menjëherë që nenet 37 e 38 të riprocedohen në Kuvend. Kuçi me veprimin e tij ka instaluar një standard të munguar në Kosovë, atë moral të fjalës së dhënë. Ai do mbetet bashkëpunëtor imi i ngushtë”, tha Thaçi gjatë një konference për gazetarë në Tiranë, i pyetur rreth dorëheqjes së Hajredin Kuçit. /Telegrafi/
Berisha-Thaçi: Urojmë përmbylljen e mbikëqyrjes së Pavarësisë
Përmbyllja me sukses të plotë e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është dëshmi e funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, si dhe e shndërrimit të Kosovës në një faktor të vërtetë paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal, tha kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë takimit në Tiranë, me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Kreu i qeverisë shqiptare, e njohu homologun nga Kosova me zhvillimet në vend, ku u ndal në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqipërisë, i cili sipas tij "u konkludua në përputhje të plotë me germën dhe frymën e Kushtetutës, duke zgjedhur në krye të shtetit shqiptar një personaliteti me integritet e me të gjitha dhuntitë e cilësitë për të përmbushur me sukses këtë mision, raporton Balkanweb.
Ai gjithashtu me kryeministrin Thaçi bisedoi dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe angazhimin e përbashkët në kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë.
Dy kryeministrat biseduan gjithashtu dhe për perspektivën evropiane të të dy vendeve dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar intensivisht në projektet e mëdha të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës për të ardhmen evropiane.

Ivanovic: Dialog pa shefat e shtetit dhe qeverisë

I ashtuquajtur sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic ka deklaruar se presidenti dhe kryeministri i ri i Serbisë nuk do të jenë pjesë e ekipit negociator serb në vazhdimin e dialogut me Prishtinën.
Ai mendon se një gjë e tillë do të nënkuptonte njohje direkte, ose e tërthortë e pavarësisë së Kosovës.
“Mendoj se presidenti, por edhe kryeministri i ardhshëm duhet të ruhen që të mos bien në këtë kurth, që të takohen në takime bilaterale me dikë që nuk e pranojnë”, ka thënë Ivanovic për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug.
Ai ka deklaruar se është e qartë që në ciklin e ardhshëm të dialogut me Kosovën do të hapen disa tema politike për të cilat duhet të ngrihen ekipe negociatore politike.
“Mund të supozohet se në vendin tonë do të jetë një pozicion politik, por unë besoj se kjo do të varet nga qëndrimi i qeverisë së re serbe”, tha ai, transmeton Rel.
Ivanovic shtoi se edhe Prishtina duhet të përgjigjet me të njëjtën mënyrë duke thënë se “te ta vështirë se do të mund të ngrihet niveli mbi atë të zëvendës- kryeministrit dhe se negociatorët duhet të jenë të pranueshëm për Serbinë, sepse përndryshe nuk do të ketë negociata”.
Bisedimet teknike mes Kosovës e Serbisë, të lehtësuara nga Brukseli, u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale në Serbi.
Nuk është caktuar ndonjë agjendë për rifillimin e tyre, ndërkohë, që ka zëra në rritje, se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e mëhershme, nuk do ketë rinisje të tyre.
Bisedimet e nisura në mars të 2011 kanë prodhuar shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre, ka ngecur, dhe për këtë, si Kosova, ashtu edhe Bashkimi Evropian, fajin e ka hedhur te Beogradi zyrtar. 

Ende herët për takimin Jahjaga-Nikolic

Një takim i ngutshëm ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit serb, Tomislav Nikolic, mund të prodhojë efekte negative, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.
Ndonëse dialogun e shohin si të domosdoshëm për vendosjen e raporteve ndërshtetërore në të ardhmen, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, thonë se presidenti serb, Nikolic, paraqet një personalitet me shumë pikëpyetje te komuniteti ndërkombëtar, sidomos te vendet e botës demokratike, kështu që realizimi i një takimi të shpejtë me presidenten Jahjaga, konsiderohet se do t’i nevojitej atij vetëm për të përmirësuar imazhin e tij para bashkësisë ndërkombëtare, shkruan “Evropa e Lirë.
Analisti politik, Belul Beqaj, thotë se problemi i këtij takimi, si edhe i dialogut të zhvilluar deri më tash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndron te mungesa e krijimit të ambientit adekuat tek opinioni publik për t’i pranuar takimet e tilla dhe rezultatet eventuale.
“Konsideroj se derisa nuk konstituohet qeveria në Beograd dhe derisa nuk ka konsensus të brendshëm në Beograd dhe në Kosovë rreth dialogut dhe takimit, ky mund të ketë vetëm efekte propagandistike dhe në pikëpamje të përmbajtjes mund të ketë madje edhe vlerësime e pasoja kundër-efektive”, vlerëson Beqaj.
Ndërkohë, Alban Bokshi, drejtor Ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme thotë se menjëherë pas shkëndijave të para në qarqet diplomatike për një takim të mundshëm në nivel presidentësh ndërmjet dyja vendeve, presidentja e Kosovës Aftifete Jahjaga ishte deklaruar pro këtij takimi, gjë, që sipas tij, paraqet një gjest të ngutshëm politik nga ana e saj.
“Patëm deklarata edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja që ata së pari do ta përcjellin sjelljen e Nikolicit si president dhe më pastaj do ta formulojnë një qëndrim ndaj tij dhe mendoj se në këtë kuadër gatishmëria e presidentes Jahjaga për t’u takuar me Nikolicin ka qenë e ngutshme, pasi që Nikolic është një president i paparashikueshëm në raport me Kosovën dhe në raport me integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, thotë Bokshi.
Shtrirja e dialogut teknik në dialogun politik, duke përfshirë aty edhe takimin e mundshëm ndërmjet Jahjagës dhe Nikolicit, sipas Alban Bokshit, do ta promovonte presidentin serb si faktor paqeje e stabiliteti në rajon, pavarësisht politikave dhe qasjes së Beogradit në raport me Kosovën.
“Efekti i këtij takimi do të ishte rehabilitues për Nikolicin, pasi që ai konsiderohet i paparashikueshëm nga perëndimi dhe takimi i Jahjagës me të do ta paraqiste presidentin serb si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon njësoj siç e pati prezantuar Marrëveshja e Dejtonit, Miloshevicin e që më vonë u dëshmua se ai nuk ka qenë kurrfarë faktori i paqes e stabilitetit”, thekson Bokshi.
Para se dialogu Prishtinë - Beograd të shtrihet në nivelin politik, duhet që ai të përgatitet mirë, në mënyrë që efektet të mos jenë negative, thotë në anën tjetër Belul Beqaj. Ai rikujton dialogun aktual në nivel të delegacioneve qeveritare që, sipas tij, më shumë po prodhon dilema e pikëpyetje sesa rezultate konkrete.
“Sa është i mirëseardhur dialogu, aq është edhe i papërgatitur dhe për shkak se është i papërgatitur ambienti, mendoj se ndoshta është më mirë që të analizohet situata dhe të vlerësohet mirë pozicioni, derisa të arrihet konsensusi dhe konstituohet edhe qeveria në Serbi, dhe pastaj të ndërmerren hapa që përcillen me veprime konkrete dhe jo të ndodhë sikurse deri më tash që të jepen mendime të ndryshme edhe rreth marrëveshjeve, të cilat kanë qenë të akorduara”, shton Beqaj.
Dialogu politik, duke përfshirë edhe takimet e niveleve të larta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë përmendur si mundësi në shumë raste.
Por, ajo që deri më tash ka insistuar pala kosovare ka të bëjë me plotësimin e disa kushteve, e ndër më kryesoret mbetet ajo për largimin e strukturave paralele të pushtetit që Serbia i ka aktualisht në Kosovë, sidomos në pjesën veriore.
Po ashtu, ndër parakushtet tjera është përmendur edhe bashkëpunimi i Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, si dhe riparimi i dëmeve të luftës. 

A po rrezikon të politizohet Kushtetuesja?

Plotësimi i vendeve të lira për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese po vonon si proces, pasi që ligjvënësit gjatë votimit, kanë mundur të përzgjedhin vetëm një kandidate për gjyqtar, edhe pse në garë ishin pesë kandidatë.
Nga opozita kjo nuk shihet si shumë shqetësuese, duke thënë se me rëndësi është të përzgjidhen gjyqtar apolitik. Ndërkohë Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP), këtë e interpreton edhe si paaftësi institucionale, raporton “KosovaPress”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini nuk e ka quajtur këtë proces të dështuar, por ka thënë se për t’u zgjedhur një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, duhet konsensus i gjerë.
“Nuk mund të thuhet se po dështon. Herën e fundit kur ka votuar Kuvendi, e ka votuar një kandidate dhe i ka shkuar presidentes për nënshkrim dhe duhet përsëritet konkursi dhe fundi i fundit, Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë i drejtësisë në Kosovë, duhet të votohet me shumicë absolute të deputetëve prezent në Kuvendin e Kosovës dhe për arsye të tillë duhet të këtë konsensus, nuk duhet të votohen nga një qeveri dhe një qeveri tjetër, për shkak se për një kohë shumë të shkurtër do të përfundojmë në një Gjykatë Kushtetuese, e cila do të dukej si Komisioni Qendror Zgjedhor”, ka deklaruar Gjini.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënëse për emrat e kandidatëve që ishin dërguar në Parlament, ka pas një laramani qëndrimesh edhe brenda koalicionit.
“Me qenë se atë ditë ishin më shumë se 100 deputetë, natyrisht që u dashtë një numër i madh i votave rreth 70 për t’u zgjedhur. Mendoj që përkundër asaj që ka ardhur një listë prej pesë vetash në Parlament, ka laramani qëndrimesh, natyrisht që pozita ka përkrahur dikën, por edhe brenda koalicionit qeverisës është vërejtur që ka pasur kombinime të ndryshme”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka bërë thirrje që të ketë një vendim apolitik, sepse siç ka thënë ajo në Kosovë duhet të jetë së paku ky institucion larg nga politika.
Florent Muqaj, nga Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP), ka thënë përmes postës elektronike për “Kosovapress”, se ky proces mund të dështojë, për shkak të formulës se zgjedhjes se tyre. Sipas tij në bazë të kësaj formule duhet një koordinim i mazhorancës dhe opozitës, për të ardhur deri tek zgjedhja.
Ndryshe, në raundin e parë ishin në garë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese veç Arta Hajrizi-Rama, ishin edhe Bahri Hyseni, Sevdail Kastrati, Visar Morina dhe Arbëresha Raça-Shala, të cilët nuk morën votat e mjaftueshme. Për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese duhet të sigurohen 2/3 e votave të deputetëve prezent. 

Gerrard: T’u japim fund zhgënjimeve

Kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard, është i vendosur që t’u japë fund zhgënjimeve të anglezëve për të fituar një trofe të madh, pasi sheh Tre Luanët në gjysmëfinale ndaj Gjermanisë.“Që prej se debutova për Anglinë ndaj Ukrainës në vitin 2000, unë i kam ëndërruar këto turne të mëdha. Deri tani nuk kemi fituar”.
 
“Por, kemi mundësi tjetër për ta bërë këtë, ndërsa kemi mësuar nga dhimbja dhe kështu do të jetë ndryshe kësaj radhe. Do ta mposhtim Italinë dhe do tëo shkojmë në gjysmëfinale. Është ndeshje e vështirë, por do t’ia dalim”, ka deklaruar Gerrard.

Blanc: Dështova taktikisht

Trajneri i Francës, Laurent Blanc, ka pranuar se planet e tij taktike nuk funksionuan në humbjen ndaj Spanjës të shtunën mbrëma.“Ishte e mundur ta mposhtim Spanjën. Ne i planifikuam disa gjëra, por ato nuk funksionuan. Por, ne treguam solidaritet dhe vrapuam nëpër fushë për të mbuluar hapësirat”.
 
“Ne kemi pasur disa mundësi shënimi dhe më vjen keq që Spanja shënoi në rastin e parë. Nëse do të përfundonte pjesa e parë me rezultat  0-0, atëherë do të kishim hyrë ndryshe në pjesën e dytë. Djemt bënë gjithçka,  por është e qartë se po mungojnë disa gjëra. Kombe të mëdha të futbollit do të jenë në gjysmëfinale, por jo ne”, ka deklaruar Blanc. 

Del Bosque: Franca nuk kishte asnjë rast

Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, ka shprehur kënaqësinë e tij me paraqitjen e ekipit të tij ndaj Francës në fitoren prej 2:0 që ia siguroi skuadrës së tij fitoren të shtunën mbrëma.“Nuk mendoj se rezultati është i pa merituar, sepse Franca nuk kishte asnjë rast të mirë për të shënuar. Ne ishim nën kontroll të lojës për pjesën më të madhe të kohës”. 
 
“Ne kemi pritur që Franca të mbrohet. Goli i parë na i lehtësoi punët, ne vërtet jemi ndjerë më mirë. E kontrolluam lojën mirë dhe treguam shenjë të organizimit të mirë dhe solidaritetit”, ka thënë Del Bosque.

Prandelli: Anglia e rrezikshme, nuk zbuloj formacionin

Menaxheri i Italisë, Cesare Prandelli, ka refuzuar që të zbulojë formacionin e tij para supersfidës ndaj Anglisë, duke thënë se ai këtë gjë e bën për herë të parë pas dy vitesh.“Ne jemi përgatitur duke shikuar Anglinë. Ne kemi arritur të zbulojmë se ata janë një prej ekipeve më të organizuara në Evropë.  Ata fokusohen në një hapësirë të vogël prej 40 metras. Ata do të luajnë me tempo të lartë dhe do të shkojnë përpara të parët, por ne duhet të marrim iniciativën”.
 
“Skuadra ka shumë futbollist cilësorë.  Do të jetë vështirë, por ne duhet që  t’i hyjmë ndeshjes pa frikë. Për herë të parë pas dy vitesh unë nuk do të zbuloj formacionin tim para ndeshjes”, ka thënë Prandelli.

Nasri e fton gazetarin për t’u rrahur

Mesfushori i Manchester Cityt, Samir Nasri, nuk e ka pritur mirë largimin nga Euro 2012, pasi ka fyer dhe ka ftuar për t’u rrahur një gazetar francez.Nasri, i cili ishte njeriu më kontravers te kampi francez gjatë Euro 2012, është kritikuar për paraqitjet e tij dhe nuk arriti që të bëjë diçka as pasi u zëvëndësua ndaj Spanjës.
 
I vënë nën presion nga një gazetar francez për atë se nëse e ndjen veten fajtor për eliminimin, Nasri ishte i qartë.

“Këto janë trillime. Shkoni shkruani trillime. Tani mund të thuani se kam luajtur keq. Eja po shkojmë më tutje që ta rregullojmë problemin unë e ti”, ka theksuar Nasri.

Balotelli: Jam burrë, jo Peter Pan

Sulmuesi kontravers, Mario Balotelli, pasi zhgënjeu mediat në fillim të deklaratës së tij në konferencë për shtyp, ka bërë një pohim sa qesharak aq edhe serioz, duke kritikuar mediat për qëndrimin ndaj tij.“Do të jetë ndeshje e mirë. Mediat nuk janë kërkah, pasi unë jo që kam pasur bllokadë mentale, thjesht nuk po e gjeja rrjetën. Ndërsa tani që kam shënuar, të gjithë ma kanë frikën. Do të jetë kënaqësi të luaj ndaj bashkëlojtarëve të mi të Cityt, por unë dua që ata të humbasin”.
 
“Unë mund të jem Peter Pan, unë bëj gjëra si i dua vet, me shumë liri, por jam më shumë burrë se sa Peter Pan”,  ka  deklaruar Balotelli. 

Hodgson: Terry e ka arsyetuar vendin

Menaxheri i Anglisë, Roy Hodgson, thotë se John Terry e ka justifikuar vendin e tij në skuadrën e Anglisë, pasi la jashtë pikërisht për Terryn veteranin Rio Ferdinand.“Ai e ka sjellë formën e tij të mirë në fund të sezonit edhe në Euro 2012”.
 
“Është shumë mirë që ai ka formësuar një partneritet aq të mirë me Joleon Lescott”, ka theksuar Hodgson.
 
Anglia përballet të dielën me një sfidë  të vështirë – super duelin klasik ndaj Italisë.

Messi: Reali dhe Chelsea luajnë keq

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, ashpër ka kritikuar mënyrën e lojës së Real Madridit dhe Chelseat, duke thënë se këto dy ekipe nuk luajnë për t’i kënaqur adhuruesit e tyre, por për të fituar pa marrë parasysh mënyrën.
“Futbolli është lojë. Unë po tentoj që të kënaqem në fushë dhe gjithmonë të luaj. Ja pse luaj futboll. Ditën që nuk do të kem kënaqësi, do të pensionohem...unë kurrë nuk dua ta humbas këtë kënaqësi, këtë pasion”.
“Sot, ekipet luajnë në mënyrë më statike, më shumë për rezultatin final se sa për të bërë futboll të mirë. Për ata (Chelsean, Realin), është më me rëndësi që të fitojnë se sa të luajnë mirë. Ne kemi nevojë për lojtarë me pasion dhe kjo që po them është për të mirën e futbollit”, ka deklaruar Messi për Times.

Vettel nuk largohet nga Red Bull

Bosi i Red Bull, Christian Horner, ka mohuar se Sebastian Vettel është i destinuar që t’i bashkohet Ferrarit, pasi këmbëngul se edhe në të ardhmen piloti gjerman do të jetë i skuadrës së tij.
“Sebastian Vettel është shumë i kënaqur me ekipin, ai është pjesë e rëndësishme e ekipit dhe do të drejtojë makinën tonë edhe në të ardhmen, në të ardhmen e largët”.
“Gjithmonë do të ketë spekulime për kalim të ngasësve dhe kontratat, që sigurisht gjithmonë mbesin konfidenciale”, ka potencuar Horner.

Trezeguet kthen në elitë River Platen

Ish-sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, shënoi dy herë në pjesën e dytë për të ndezur tifozët e gjigantit River Plate, që pas rënies nga elita e futbollit argjentinas, do të rikthehet në të vetëm pas një viti pritje.
Trezeguet shënoi 13 gola gjatë sezonit të kaluar për River Platen dhe ka arritur të jetë krucial për klubin argjentinas dhe në tenetimet e tij për t’u rikthyer në majen e futbollit argjentinas.
Sulmuesi francez konsiderohet si një prej sulmuesve më të mirë në histori të kombëtares franceze dhe edhe përkundër moshës së tij, ai ishte në formë më të mirë se sa të rinjt e kombëtares franceze, të cilët siç dihet dështuan ndaj Spanjës

Mourinho kërkon Tevezin

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, do të bëjë së shpejti një ofertë për sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, në tentim për ta sjellur atë në Bernabeu.
The Sun shkruan se Mourinho është tejet i interesuar për argjentinasin, situatën e të cilit po e monitoron me vëmendje.
Është shumë e mundur që Tevez të shitet te Real Madridi, pasi Manchester City dëshiron të transferojë nga Emirates sulmuesin holandez, Robin Van Persie. 

Suker: Modric, shko te Reali

Sulmuesi legjendar kroat, Davor Suker, ia ka sugjeruar Luka Modricit që të mos refuzojë një kalim te Real Madridi.
Modric po lidhet me një kalim te Reali, pasi Florentino Perez u impresionua nga lojtari në ndeshjet e tij në Euro 2012, kurse Suker tani është duke dhënë shtytjen e tij si ish-lojtar i Realit.
“Si presidenti i ardhshëm i futbollit kroat, unë do të doja ta shoh Luka Modricin te Real Madridi. Ai ka cilësinë dhe aftësinë të luajë për një klub të madh sikur Real Madridi. Por, për këtë do të flas edhe me Perezin dhe Mourinhon”, ka theksuar Suker për Marca

Mascherano: Tito të vazhdojë si Guardiola

Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, beson se Tito Vilanova do të jetë i suksesshëm me gjigantët katalanas dhe se do të vazhdojë të ndjekë rrugën e Guardiolës.
“Mendoj se sigurit që njeriu përgjegjës për këtë ekip është Guardiola. Por, prapa tij ka qenë gjithmonë Tito”.
“Tani ai e merr në dorë ekipin dhe ajo që kemi bërë për katër-pesë vite vazhdon një kohë më të gjatë”, ka thënë Mascherano. 

E dashura e Di Caprios shfaq trupin (foto)

E dashura e re e Leonardo Di Caprios është prezantuar për publikun. Erin Heatherton ka bërë disa fotografi, për t’u prezantuar më mirë me publikun e saj të gjerë, edhe pse të gjithë e njohim nga Victoria’s Secret.
Heatherton duket në formë të jashtëzakonshme – e gjatë, e bukur, bjonde me trup shumë mirë të definuar në të gjitha pjesët.
Erin Heatherton është e dashura e Di Caprios, pasi ky i fundit ishte i lidhur edhe me modelet tjera, Bar Rafaelin dhe Erin Heatherton. 

Ermali dhe Dr Flori sjellin këngën “Ku ka si Tirona”

Prezantuesi televiziv, humoristi e këngëtari, Ermal Mamaqi, ka realizuar një këngë në bashkëpunim me Dr. Florin.
Kënga e titulluar “Ku ka si Tirona”, flet për fëmijërinë dhe rininë e dy këngëtarëve të kaluar në kryeqytetin shqiptar.
Teksti i këngës dhe videoklipi është i mbushur me plot humor e satirë, duke sjellë krahasime mes Tiranës së dikurshme dhe kësaj të sotmes.

Tuna vjen me një super klip

Pop ylli shqiptar, Tuna, ka lansuar këngën e re të titulluar “I Asaj”, të cilës këngë dhe ia ka shoqëruar një videolip të jashtëzakonshëm.
Kënga është punuar nga Vig Poppa dhe Cekic, ndërsa për videoklipin është përkujdesur Entermedia.
Vlen të përmendet dukja e fantastike e Tunës në këtë klip, për të cilën janë përkujdesur stilisti shqiptar Niko Komani, kurse për flokët dhe grimin Studio Kaci respektivisht Angel Vogue.
Është ky një klip që pos e vërteton Tunën si yll në maje të skenës tonë, e vërteton po ashtu statusin e këngëtares si seks simbol shqiptar. 

Me akupresurë ndihmohet shkrirja e kilogramëve

Akupresura është një metodë që ka zgjuar vëmendjen e VIP-ave në Hollywood dhe është ndjekur nga Madonna, Gwyneth Paltrow, Julia Roberts dhe Demi Moore.
Për zbutje të urisë: pika mbi buzën e epërme shtypet me gishtin tregues. Kjo përsëritet tri herë. Pastaj: me shtypje të fuqishme të pikës rreth katër centimetra mbi kapakun e gjurit, me gishtin e madh ose me atë tregues, ndikohet në nxjerrjen e toksineve nga organizmi.
Nëse dëshirohet të aktivizohet metabolizmi, atëherë me gishtërinj shtypet ana e majtë dhe e djathtë e lukthit, në të dy anët e kërthizës.
Akupresura është një teknikë masazhi në kuptimin më të gjerë. Ajo punon nëpërmjet një masazhi të veçantë, duke bërë presionin e saktë në pika të caktuara akupunkturale. 

Pse fshihet depresioni postpartal dhe nuk flitet për të?

Shumë gra kalojnë një periudhë paqartësie emocionale për shkak të ndryshimit të hormoneve, por depresioni postpartal është një gjendje shumë serioze dhe zgjatë shumë.
Zakonisht depresioni postpartal fshihet dhe nuk flitet për të. Periudha pas lindjes perceptohet si një periudhë kur ju duhet të jeni e lumtur dhe “dielli duhet të shkëlqejë në sytë tuaj”. Për këtë arsye shpeshherë nuk i kushtohet rëndësi parandalimit dhe trajtimit të depresionit postpartal.
Shumë gra pas lindjes kalojnë nëpër një periudhë kur ndihen mërzitshëm. Kjo zakonisht fillon rreth tri ditë pas lindjes dhe mund të zgjasë deri në dy javë. Shenjat e kësaj gjendjeje janë: të qarit, irritabiliteti, shqetësimi, tensioni, anksioziteti dhe ndoshta pagjumësia. Në paraqitjen e kësaj gjendjeje luajnë rol hormone, por ndoshta edhe stresi gjatë lindjes dhe shqetësimi që lidhet me beben.
Një përqindje e grave do të kalojnë në depresion postpartal. Kjo gjendje karakterizohet nga përkeqësimi i simptomave normale me panikë ose mani postpartale, ndonjëherë më çrregullimeve obstesive-kompulsive. Disa gra do të përjetojnë të ashtuquajturin çrregullimin e stresit posttraumatik, sidomos nëse lindja ka qenë traumatike.
Rrallëherë ndodhë që gjendja të përkeqësohet skajshmërisht, por ajo që shihet shumë shpesh është gjendja me simptomat e sipërshënuara e shoqëruar me halucinacione, konfuzion dhe diluzion. Kjo gjendje është shumë serioze! 

HTC largohet nga Brazili, ndalon shitjet direkte

Fansat brazilian të sistemit operativ Android dhe telefonave të HTC’së me siguri se nuk janë të gëzuar me lajmin se prodhuesi tajvanez HTC do të largohet nga vendi i tyre.
Ky lajm tani është konfirmuar edhe zyrtarisht nga zëdhënësi i HTC’së, i cili ka thënë se zyrat e kompanisë do të mbyllen në Brazil “pas një analize të kujdesshme të tregut”.
Megjithatë, dyshohet se arsyeja kryesore e largimit të HTC-së nga tregu i madh jug-amerikan janë tarifat e larta të importit të teknologjisë, për të cilën arsye Foxconn kishte vendosur të hapte fabrikat e saj në këtë vend, në mënyrë që Apple të mund të shesë pajisjet e saj si iPad dhe iPhone në këtë vend.
Edhe pse HTC kishte kohë që nuk prodhonte telefonat e saj në Brazil, mbajtja e kostove të ulëta është faktor qenësor në këtë biznes, pasi që kompanitë kryesore që po krijojnë profite nga kjo industri janë Apple dhe Samsung, ndërsa të tjerat duhet t’i mbajnë kostot e ulëta të pajisjeve të tyre për të qenë ende atraktiv për konsumatorët. 

Qëndron në shtyllën elektrike – mendon se është mbi urë (Video)

Një ekip shpëtimi në qytetin çek Zlin ka pasur një punë jo të zakontë shpëtimi – kur nga një shtyllë elektrike të lartë 13 metra iu është dashur ta largojnë një femër.
Pasi ka tymosur marihuanë me orë të tëra, 21-vjeçarja kishte pasur halucinacione dhe duke menduar se gjendet në urë, është përpjekur që ta kalojë lumin.
“Ishte një tmerr i vërtetë, sepse vajza ishte nën ndikim të fortë të drogës dhe çfarëdo që bënte ishte e pakuptimtë. Ishte e bindur se shtylla elektrike me tension të lartë ishte urë mbi Moravë”, citon The Sun fjalët e zëdhënëses së policisë. 

Thaçi, ministrave: Kuçi do të rikthehet

Hajredin Kuçi vetëm përkohshëm do të jetë jashtë ekzekutivit. Ai do të rikthehet për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar sapo të hiqen nga Kodi Penal dy nenet kontestuese për mediat.
Burime të “Kohës Ditore” kanë thënë të shtunën se ai do të rikthehet, për t’u bërë pjesë e Kabinetit qeveritar, sapo Kuvendi të heqë nga Kodi Penal dy nenet kontestuese për mediat, shkaku i moslargimit të të cilave ai ka ofruar dorëheqjen një ditë më parë.
Mirëpo, vetëm pak kohë pas votimit në Kuvend dhe ofrimit të dorëheqjes së zëvendëskryeministrit, Qeveria ka proceduar në Kuvend një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit, konform kërkesës së Kuçit që nenet të hiqen.
Në pjesën e parë të mbledhjes së Qeverisë, kur medieve nuk iu krijohet qasje, kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi, kishte dhënë një arsyetim për reflektimin e menjëhershëm. Kishte paralajmëruar edhe rikthimin e Kuçit.
“Kryeministri tha se Kodi fillimisht ishte proceduar me ato dy nene, 37 38, sepse edhe vetë ndërkombëtarët ishin pajtuar me këtë. Ai tregoi se më vonë ndërkombëtarët kishin ndërruar fjalët dhe pas tërheqjes së tyre, tha se as ne nuk insistojmë që nenet të mbesin”, ka cituar një ministër zëvendëskryeministrin.
“Ai na tha se nenet do të hiqen dhe Kuçi do të kthehet”.

Haradinaj kthehet në Hagë

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është rikthyer të premten në Tribunalin e Hagës, kanë konfirmuar për portalin “Korieri” burime të sigurta brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Haradinaj ka arritur në Tribunalin e Hagës, dy ditë para se të mbahen dy seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij, më 25 dhe 26 qershor, në të cilat Prokuroria dhe Mbrojtja do të thonë fjalën përfundimtare, për t’i lënë pastaj kohën për rreth dy muaj trupit gjykues që të marrë një vendim përfundimtar për këtë rast.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të muajit gusht ose eventualisht gjatë muajit shtator, transmeton “Zëri”.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës iu bashkua përkohësisht familjes së tij më 10 maj, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë, që ta lirojë përkohësisht atë.
Gjatë qëndrimit disa javor në Kosovë, Haradinaj shoqërohej nga Policia e Kosovës dhe forcat e EULEX-it, pasi gjykata e liroi atë nën kushte të rrepta që nënkupton lëvizje të kufizuar dhe që të mos ketë asnjë përfshirje në veprimtari politike apo paraqitje publike.

Kodi Penal ngatërron PDK-në

Kryesia e Kuvendit të Kosovës gjatë ditëve në vijim do të përballet me shqyrtimin e dy kërkesave kontradiktore që janë parashtruar nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës.
Njëra është për kthim të Kodit Penal në rivotim, ndërsa tjetra për plotësim-ndryshim të të njëjtit kod, njofton “Koha Ditore”.
Të parën e ka parashtruar grupi parlamentar, ndërsa të dytën shefi i partisë dhe i Qeverisë, Hashim Thaçi.
Dy nismat janë ndërmarr menjëherë pas dorëheqjes së Hajredin Kuçit nga posti i zëvendëskryeministrit dhe i ministrit të Drejtësisë, si pasojë e kalimit të Kodit Penal me dy nenet që cenojnë lirinë e medies.
Por si njëra, ashtu edhe kërkesa tjetër konsiderohen nga opozita parlamentare si të pambështetura në Kodin parlamentar dhe në Kushtetutën e Kosovës.
Kryetari i nënkomisionit për Rregullore të Kuvendit, Armend Zemaj, ka deklaruar të shtunën se “Kushtetuta e Kuvendit” nuk lejon kthimin në rivotim të ligjeve, kodeve, apo marrëveshjeve, pasi ato të jenë miratuar apo ratifikuar paraprakisht në seancë plenare

Për reformë zgjedhore, e presin Gjykatën

Liderët e partive politike janë duke e bllokuar reformën zgjedhore. Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e AKR-ja nuk kanë arritur ende marrëveshje për çështjet kryesore të këtij procesi.
Burime të gazetës “Express”, kanë thënë se liderët janë duke pritur mendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e amendamenteve.
Liderët e partive politike kanë vendosur të mbajnë peng reformën zgjedhore që ka të bëjë me numrin e zonave zgjedhore, listat zgjedhore dhe pragun elektoral.
Gjasat janë shumë të mëdha që as javën e ardhshme të mos takohen Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli e Blerim Shala - për ta çuar përpara reformën zgjedhore.
Burime të gazetës kanë thënë se takimi mes liderëve nuk pritet të ndodhë pa u publikuar qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ndryshimet kushtetuese për mandatin dhe kompetencat e Presidentit.
“Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese janë të ndërlidhura mes vete. Çfarëdo vendimi që do të sjellë Gjykata për propozimet e amendamenteve, do të ketë ndikim në reformën zgjedhore”, ka thënë një zyrtar i afërt me reformën zgjedhore.
Ndryshe, Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka bojkotuar tri takimet e fundit për reformën zgjedhore, me arsyetimin se ka pasur agjendën e ngjeshur dhe se s`ka pasur koordinim mes Komisionit dhe Zyrës së Kryeministrit. 

Dorëheqja e Kuçit i prin riformatizimit

Dorëheqja e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi nga këto dy poste qeverisëse ia ka hapur derën riformatizimit të ekzekutivit-një paralajmërim i dikurshëm i kryeministrit Hashim Thaçi.
Kështu thonë burime të gazetës “Zëri”, të afërta me Qeverinë, të cilat nënvizojnë se së shpejti do të ndryshojë kabineti qeveritar, ndërsa gjasat janë minimale që në ndonjërin prej dikastereve të vijë tashmë ish-ministri Kuçi.
Ky person, që flet në kushte anonimiteti thekson se brendapërbrenda Partisë Demokratike të Kosovës është duke qarkulluar ideja që në kuadër të riformatizimit, në përbërjen e re qeveritare të jenë të përfshirë edhe disa nga njerëzit e fuqishëm të PDK-së.
“Njëri prej këtyre njerëzve të PDK-së do ta marrë Ministrinë e Drejtësisë, e tjetri ka gjasa që ta ma marrë atë të Punëve të Brendshme. Por, e tëra kjo është vetëm si ide, sepse ende nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë ky person.
Vetë Hajredin Kuçi, të shtunën nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, duke pohuar se për ndryshimet e mundshme në qeveri dhe për pasuesin e tij, gazeta duhet të marrë qëndrimin nga Qeveria e Kosovës. Por, një gjë e tillë ishte e pamundur ngase siç dihet, qeveria “Thaçi 2” pothuajse po i bën dy vjet të funksionimit pa zëdhënës.
I vetmi person që të shtunën është deklaruar për hapat e mëtejmë të PDK-së në raport me ndryshimet në qeveri është ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së.
Stavileci ka thënë se është herët të flitet për mundësinë se kush do të jetë në vend të Kuçit, ndërsa ka mohuar se ardhja e një ministri të ri mund të jetë e lidhur me procesin e riformatizimit të qeverisë.
Nga ana tjetër, analistët politikë nuk e shohin krejtësisht të “rastësishme” largimin e Kuçit, duke hedhur dyshime se gjithçka ishte e përgatitur nga partia më e madhe në vend.