A po rrezikon të politizohet Kushtetuesja?

Plotësimi i vendeve të lira për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese po vonon si proces, pasi që ligjvënësit gjatë votimit, kanë mundur të përzgjedhin vetëm një kandidate për gjyqtar, edhe pse në garë ishin pesë kandidatë.

Nga opozita kjo nuk shihet si shumë shqetësuese, duke thënë se me rëndësi është të përzgjidhen gjyqtar apolitik. Ndërkohë Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP), këtë e interpreton edhe si paaftësi institucionale, raporton “KosovaPress”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini nuk e ka quajtur këtë proces të dështuar, por ka thënë se për t’u zgjedhur një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, duhet konsensus i gjerë.
“Nuk mund të thuhet se po dështon. Herën e fundit kur ka votuar Kuvendi, e ka votuar një kandidate dhe i ka shkuar presidentes për nënshkrim dhe duhet përsëritet konkursi dhe fundi i fundit, Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë i drejtësisë në Kosovë, duhet të votohet me shumicë absolute të deputetëve prezent në Kuvendin e Kosovës dhe për arsye të tillë duhet të këtë konsensus, nuk duhet të votohen nga një qeveri dhe një qeveri tjetër, për shkak se për një kohë shumë të shkurtër do të përfundojmë në një Gjykatë Kushtetuese, e cila do të dukej si Komisioni Qendror Zgjedhor”, ka deklaruar Gjini.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënëse për emrat e kandidatëve që ishin dërguar në Parlament, ka pas një laramani qëndrimesh edhe brenda koalicionit.
“Me qenë se atë ditë ishin më shumë se 100 deputetë, natyrisht që u dashtë një numër i madh i votave rreth 70 për t’u zgjedhur. Mendoj që përkundër asaj që ka ardhur një listë prej pesë vetash në Parlament, ka laramani qëndrimesh, natyrisht që pozita ka përkrahur dikën, por edhe brenda koalicionit qeverisës është vërejtur që ka pasur kombinime të ndryshme”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka bërë thirrje që të ketë një vendim apolitik, sepse siç ka thënë ajo në Kosovë duhet të jetë së paku ky institucion larg nga politika.
Florent Muqaj, nga Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP), ka thënë përmes postës elektronike për “Kosovapress”, se ky proces mund të dështojë, për shkak të formulës se zgjedhjes se tyre. Sipas tij në bazë të kësaj formule duhet një koordinim i mazhorancës dhe opozitës, për të ardhur deri tek zgjedhja.
Ndryshe, në raundin e parë ishin në garë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese veç Arta Hajrizi-Rama, ishin edhe Bahri Hyseni, Sevdail Kastrati, Visar Morina dhe Arbëresha Raça-Shala, të cilët nuk morën votat e mjaftueshme. Për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese duhet të sigurohen 2/3 e votave të deputetëve prezent.