Ndotja enorme e lumit Sitnica, ka bërë që qytetarët e Fushë-Kosovës të dielën të mbesin pa furnizim më ujë të pijshëm për disa orë rresht. Këtë vendim e ka marrë Ujësjellësi rajonal “Prishtina”, punëtorët e të cilit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë dërguar mostrat në laborator.
Lumi Sitnica është shumë afër puseve të cilat shfrytëzohen për furnizim me ujë të pijshëm. Pas analizave të hollësishme të mostrave të ujit, Ujësjellësi ka lëshuar sërish furnizimin me ujë të konsumatorëve në Fushë-Kosovë.
Fillimisht rastin e kanë raportuar disa qytetarë të cilët pranë lumit kanë parë peshq të ngordhur.
Edhe zyrtarë të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës kanë dalë në vendngjarje dhe kanë marrë mostrat për analiza të hollësishme, pasi ky institut monitoron vazhdimisht gjendjen e lumenjve, raporton Koha.net.
Banorët kanë thënë se ndotja vjen nga disa kompani prodhuese, të cilat e shfrytëzojnë rrjedhën e lumenjve për të derdhur ujërat industrial.