Pogba pranon ofertën e Juves

Ylli i Manchester Unitedit, Paul Pogba, ka vendosur t’i bashkohet Juventusit gjatë verës që vjen si transfer i lirë – njofton Goal.com.
Kontrata e francezit me Djajtë e Kuq skadon në fund të sezonit, mirëpo Sir Alex Ferguson kishte deklaruar se është arritur marrëveshje për vazhdimin e saj.
Megjithatë, Goal.com mëson se Pogba ka pranuar një kontratë katërvjeçare të ofruar nga Bianconerët, me ç’rast do të përfitojë nga një milion euro në sezon, plus bonuset.
Juventusi, po ashtu, është pranë sigurimit të shërbimeve të Marco Verrattit nga Pescara, i cili konsiderohet si “Andrea Pirlo i ri”. 

Buffon: Lojtarët e Milanit qeshën kur u thash se do ta fitojmë titullin

Gianluigi Buffon ka treguar se disa lojtarë të Milanit kishin qeshur me të në fillim të sezonit, kur u kishte thënë se Juventusi mund ta fitojë titullin e Serie A.
“Tash mund të tregoj diçka. Një ditë pas prezantimit të Juventus Stadium, shkova të takoj disa njerëz dhe u thashë: ‘Do ta fitojmë Scudetton’”.
“Të njëjtën gjë ua thash edhe disa djemve të Milanti kur ishim të angazhuar me përfaqësuesen, ndërsa ata më qeshën në fytyrë. Nuk më pëlqeu ajo!”, ka theksuar portieri i Juves.
Pas fitores ndaj Cagliarit të dielën mbrëma, Juventusi u shpall matematikisht kampion i Italisë një javë pa përfunduar sezoni 2011/2012.

Messi: Pep do ta ketë gjithmonë respektin im

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka deklaruar se respekti i tij për trajnerin në largim, Pep Guardiola, është i pakushtëzuar.
“Pep do ta ketë gjithmonë respektin tim... Ai ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm në karrierën time”.
“Ka qenë një kënaqësi e madhe të ndaj aq shumë momente me Pep gjatë këtyre viteve të fundit”, ka pohuar argjentinasi.

Gattuso: Nëse nuk luaj sa duhet, do të pensionohem

Gennaro Gattuso ka bërë të ditur se do të pensionohet nga futbolli nëse Milani nuk i garanton minutazh më të madh në sezonin e ardhshëm.
Mesfushorit italian i skadon kontrata në fund të sezonit aktual dhe pritet që ai të bisedojë me drejtuesit e klubit rreth kontratës së re.
Megjithatë, 34-vjeçari ka thënë se nëse nuk i premtohet përfshirje më e madhe në ekipin e parë, atëherë do ta braktisë futbollin.
“Do të flas me Gallianin për të ardhmen time. Nëse nuk luaj, atëherë do të qëndroj në shtëpi me fëmijët e mi dhe do të jem baba”.
“E rëndësishmja është që të luaj, të ndjej se jam gjallë. Përmbajtja e kontratës nuk është e rëndësishme”, u ka thënë Rino gazetarëve.

Villa shpreson të luajë në finale të Kupës

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, planifikon që të luajë në finale të Kupës së Mbretit në mënyrë që ta bindë trajnerin e Spanjës, Vicente del Bosque, që ta marrë atë në Kampionatin Evropian.
Spanjolli nuk po luan që nga dhjetori i vitit të kaluar kur e theu ashtin e këmbës në kuadër të Kupës së Botës për Klube
Ndërsa tani, Cadena COPE raporton se 30-vjeçari në tri javët e fundit është duke u stërvitur me top dhe është i bindur se mund të luajë në finalen e 25 majit kundër Athletic Bilbaos.
Ai është optimist se po të luajë në finale të Kupës, atëherë Del Bosque do ta përfshijë në ekipin e Spanjës për Euro 2012. 

DioGuardi takoi kandidatin republikan Romney

Ish-kongresisti shqiptaro - amerikan Joe DioGuardi dhe një delegacion i Lidhjes Qytetare Shqiptaro - Amerikane (LQSHA) ka takuar kandidatin presidencial republikan në SHBA, Mitt Romney.
Në këtë takim në Nju Jork kanë marrë pjesë edhe anëtarët e bordit të LQSHA-së, Zyhdi Karagjozi, Zef Balaj, Gjergj Dedvukaj, Agim Aliçkaj dhe Rifat Mehmeti.
Ky takim me Romney u zhvillua në cilësinë e takimeve fondmbledhëse për fushatën presidenciale republikane, informon agjencia e lajmeve INA.
Veprimtarët shqiptarë i shprehën mbështetjen kandidatit republikan Romney, i cili do të jetë në garën e ardhshme presidenciale me presidentin aktual, Barack Obama, që shkon për një mandat të dytë.
Komuniteti shqiptaro -amerikan në SHBA po bën fushatë të dyzuar duke i dhënë mbështetje dy forcave politike Republikanëve dhe Demokratëve. Ata po marrin pjesë përmes mbështetjeve me fonde dhe kontribute të tjera.
Ky ishte ndoshta takimi i parë i kandidatit republikan për president me komunitetin shqiptarë në SHBA, ku sipas bashkëbiseduesve Romnney u njoftua më shumë me çështjen shqiptare. DioGuardi foli për shqiptarët dhe kontributin e tyre në SHBA.

Serbët e Kosovës votuan SPS-in dhe Nikolicin

Serbët kosovarë me dyshtetësi që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, e kanë ‘ndëshkuar’ ish-presidentin serb, Boris Tadic, duke ua dhënë voten partive opozitare
Kandidati për president të Serbisë, Tadic, është radhitur i katërti në zgjedhjet presidenciale të Serbisë në Kosovë, me 18.97 për qind të votave të serbëve që kanë votuar. Po ashtu, në vend të katërt është radhitur edhe partia e tij, Partia Demokratike, me 17.41 për qind të votave.
Për serbët e Kosovës më i preferuar për president të Serbisë ka qenë Tomislav Nikolic, i dyti Vojislav Kostunica dhe përpara Tadicit, i treti, është radhitur Ivica Dacic.
Ndërsa në zgjedhjet parlamentare, partia më e preferuar e serbëve të Kosovës, është Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e cila tani udhëhiqet nga Ivica Dacic. Pas socialistëve, është radhitur partia e Nikolicit, e pasuar nga partia e ish-kryeministrit serb, Kostunica.
Kjo tregon se emancipimi politik u serbëve të Kosovës nuk ka ndryshuar shumë nga vitet e 90-ta, pasi 20.43 për qind e votuesve votuan partinë që dikur udhëhiqej nga personi që ushtroi gjenocid në ish-Jugosllavi, Slobodan Milosevic, i cili vdiq në burgun e Hagës derisa po gjykohej për krime lufte.
Misioni i OSBE në Kosovë ka raportuar një ditë më parë se pjesëmarrja në votime ishte 32.17 për qind.

Kurti: Sulmet do të ndalen vetëm kur të bashkohemi

Në nderim të “Epopesë së Çabratit”, anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, të prirë nga kryetari i saj Albin Kurti, bënë të hënën homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Gjakovë. Aty u vendosën kurora me lule në perkujtim të dëshmorëve. Ndërkaq në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, u mbajt tribuna me temën “7 Maji 1999 - Epopeja e Çabratit” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mehmetali Perolli, ne cilësinë e ish zv.komandantit të Brigadës 137, shprehu keqardhje për mungesën e përkushtimit të politikave institucionale komunale, që sillen si indiferentë e përçarës, prej pas luftës e deri më sot ndaj kësaj date. “Që 13 vite pas përfundimit të luftës, qytetit të Gjakovës nuk ka asnjë lapidar apo shtatore të dëshmorëve dhe heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” u shpreh ai.
Lideri i Vetëvendosjes, Kurti, foli për rëndësinë që kanë dëshmorët e kombit në ndërtimin dhe ardhmërinë e kombit shqiptar. “Dëshmorët e martirët e kombit e kanë larë borxhin ndaj kombit. Ata i dhanë gjithçka Kosovës e nuk morën asgjë prej saj. Ashtu qysh gjaku i dëshmorëve nuk humbet asnjëherë, njëjtë as emri i dëshmorëve s’harrohet kurrë” , tha Kurti.
“Gjithë shqiptarët e tjerë që janë gjallë duhet të punojnë sa të jenë gjallë për kombin tonë. Ne nuk kemi nevojë t’i dëshmohemi askujt tjetër. Ne duam të jemi të lirë dhe ne duhet të jemi të lirë. Ne s’duhet të lejojmë që të jemi objekt i vendimeve të të tjerëve. Na nevojitet ndihma e të tjerëve, porse vendimi duhet të jetë yni”.
“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse ta forcojmë veten tonë për hir të vetes sonë. 13 vjet pas luftës në Kosovë, 12 vjet pas luftës në Luginë të Preshevës, 11 vjet pas luftës në Maqedoninë perëndimore, shqiptarët po i arrestojnë e vrasin në të gjitha këto vende si dhe në veriun e Kosovës. Shtetet e Serbisë dhe Maqedonisë nuk do t’i ndalin sulmet e tyre derisa të bëhet bashkimi kombëtar shqiptar. Edhe shqiptarëve që nuk e duan bashkimin kombëtar, thjesht, nuk do t’iu mbetet rrugë tjetër. Ata do të na sulmojnë deri atëherë, dhe më pas nuk do të mund të na sulmojnë më”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Ndryshimi i kufijve do të prekte të paktën 6 shtete!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se nuk do të ketë këmbim të territoreve me Serbinë, dhe as nuk do të ketë autonomi speciale për serbët në pjesën veriore të Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës ka thënë se kohërat e luftërave në Kosovë dhe në Ballkan kanë perënduar. “E tëra për çka unë luftoj është të ruajmë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si një vend i pavarur, por me kufij të hapur dhe të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë Thaçi për revistën Time.
Ai ka tërhequr vërejtjen se ndryshimi i kufijve do të kishte efekte zinxhirore. “Nëse dikush në Bruksel ka dalë me këtë ide për ndryshim të kufijve, atëherë kjo nuk do të ndalet vetëm në Kosovë ose në vendet fqinje. Do të vazhdojë në mbarë Ballkanin Perëndimor. Do të prekte të paktën gjashtë shtete. Secili shtet në rajon e ka nga një Mitrovicë të vogël brenda”, ka thënë mes tjerash kryeministri Thaçi

Pato: Nuk kam marrë ofertë nga PSG

Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka sqaruar se asnjëherë nuk ka marrë një ofertë zyrtare nga Paris Saint-Germain.
Gjatë afatit kalimtar të janarit është spekuluar se braziliani ishte pranë kalimit te klubi francez dhe që atëherë vazhdimisht spekulohet se 22-vjeçari do ta vazhdoje karrierën në Parc des Princes.
“Ka pasur shumë spekulime për mua, mirëpo asnjëherë nuk kam marrë një ofertë zyrtare nga PSG”, ka thënë Pato gjatë emisionit televiziv Esporte Espetacular.
Ai ka theksuar se qëllimi i tij është që t’i kthehet sërish futbollit dhe të luajë në nivelin më të lartë par Milanin dhe Brazilin, ndërsa nuk ka shprehur dëshirë të largohet nga San Siro. 

Toure dëshiron të hyjë në histori me Cityn

Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, planifikon të hyjë në histori të klubit, kur dihet se i duhet edhe një fitore për t’u shpallur kampion i Anglisë pas 44 vitesh.
“E dimë se do të jetë vështirë, por unë besoj te kjo skuadër, besoj te këta lojtarë që kemi. Na ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur në shtëpi dhe ne duhet të tregohemi në këtë ndeshje”.
“44 vite janë të pabesueshme, janë shumë. Gjithmonë kam thënë se kam ardhur te ky klub për të shkruar historinë, edhe pse ka njerëz që thonë se kam ardhur për gjëra të tjera”.
“Ky është objektivi im i parë, të ndihmoj për ta bërë një klub të suksesshëm futbollistik”, ka thënë Toure për faqen zyrtare të Cityt. 

Emery drejt Spartak Moskës

Trajneri i Valencias, Unai Emery, pritet të marrë drejtimin e Spartak Moskës në fund të këtij sezoni.
Siç raporton AS, Emery është pajtuar për një kontratë dyvjeçare me klubin rus, i cili do ta paguajë dyfish më shumë sesa paga aktuale që merr në Mestalla.
Trajneri i Los Che është kritikuar për shkak të eliminimit nga Europa League (nga Atletico Madridi), si edhe për rënie të formës së ekipit, përkundër se tashmë e ka siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Kaka: Dua të jem pjesë e sukseseve të Realit

Kaka dëshiron ta respektojë kontratën me Real Madridin dhe të qëndrojë në Santiago Bernabeu.
“Kam kontratë edhe për tre vite të tjera dhe dua të qëndroj këtu dhe të luaj rol në sukseset e të ardhmes. Fitimi i La Ligas ishte një tjetër moment historik në karrierën time”.
“Ishte paksa më ndryshe nga që jam mësuar, sepse isha më pak i rëndësishëm sesa në të kaluarën. Kjo vetëm më motivon që të bëhem sërish lojtar kyç”, ka thënë Kaka për Globo TV

Sezoni i Milanit i dështuar

Zlatan Ibrahimovic e konsideron të dështuar sezonin 2011/2012 për Milanin dhe thotë se Rossonerët ia dhuruan Juventusit titullin e kampionit të Italisë.
“Ky sezon është një dështim i madh. Jemi përpjekur që të fitojmë dhe të luajmë më mirë se kurrë më parë. Megjithatë, mendoj se më shumë e humbën ne këtë Scudetto sesa që e fitoi Juve”.
“Ne ia dhamë mundësinë Juves që të fitojë dhe atëherë ata, kuptohet, u motivuan dhe u bënë sërish të uritur”.
“Patëm gjithçka nën kontroll, gjithçka në duart tona, ndërsa pastaj barazuam ndaj Catanias dhe humbëm nga Fiorentina në shtëpi”.
“Sidoqoftë, urime Juves. Ata kanë bërë një pun

Michael Jackson ka urdhëruar vrasjen e vëllait?

Mbreti i muzikës pop, Michael Jackson, kishte urdhëruar vrasjen e vëllait të tij Randy – ka deklaruar truproja e tij Matt Fiddles.
Sipas truprojës, këngëtari i ndjerë me vite të tëra kishte qenë “në luftë” me vëllanë e tij, ndërkaq Fiddles ka pohuar se paranoja dhe barnat kishin rezultuar me dëshirën e Jackson që vëllai i tij të vdiste.
“Michael me vite ka qenë i zënë me vëllanë. Ata dëshironin që ai të merrte pjesë në turne dhe të nënshkruante një kontratë të vlefshme 500 milionë dollarë. Deri në vitin 2005, Mbreti i popit ka shfrytëzuar shërbimet e truprojave nga kombet islame. Ai u bë aq paranoik saqë e ia ndaloi familjes që ta vizitojnë”.
“Kulmi ishte kur Randy është përpjekur me dhunë që të depërtojë në mes të truprojave që të flasë me Michaelin në njërën nga shtëpitë e marra me qira. Mbreti i popit urdhëroi vrasjen e vëllait të tij. Mendjen e kishte të turbulluar nga barnat, ndërsa Randy fatmirësisht mbeti gjallë”, ka treguar Fiddles.

Juventusi dëshiron ta mbyllë sezonin pa humbje

Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka deklaruar se Zonja e Vjetër e meritoi titullin e kampionit të Serie A dhe shpreson që ta fitojnë edhe Kupën e Italisë.
“Pas kaq shumë vitesh, ky triumf është i merituar për të gjithë angazhimin e madh”.
“Qëllimi i këtij sezoni nuk përfundon vetëm me Scudetton. Duam ta mbyllim të pamposhtur dhe pastaj ta fitojmë Kupën e Italisë”.
“Ndërsa vitin e ardhshëm duam të luajmë mirë në Evropë”, ka thënë 27-vjeçari për Sky Sports Italia

Moratti konfirmon Stamaccionin si trajner të përhershëm

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka zbuluar se Andrea Stramaccioni do të mbetet në karrigen drejtuese të Nerazzurrëve edhe pas këtij sezoni.
36-vjeçari u caktua si trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit pas largimit të Claudio Ranierit në mars, dhe Interi tash e ka marrë vendimin për ta angazhuar atë me kontratë të përhershme.
“Do ta konfirmoj Stramaccionin si trajner të ri të përhershëm. Ai ka dëshmuar klasin e tij dhe përvojën në një derbi që vërtet më ka ngazëllyer”, ka thënë Moratti për Sky Sport Italia.
Interi ka fituar pesë nga tetë ndeshjet në Serie A nën drejtimin e Stramaccionit, ndërsa ka dy barazime dhe një disfatë. Interi do të udhëtojë te Lazio të dielën në ndeshjen e fundit të ligës, që mund të jetë vendimtare për kualifikimin ose jo të klubit në Ligën e Kampionëve.

Pirlo: Unë jam njëshi

Andrea Pirlo thotë se ai e ka dëshmuar veten se është në mesin e lojtarëve më të mirë në botë pas kontributit në suksesin e Juventusit këtë sezon.
Mesfushori vitin e kaluar nuk shijoi një sezon aq të mirë pavarësisht se ishte pjesë e Milanit që fitoi Serie A, por e ka dëshmuar veten këtë sezon te Juventusi.
“Është një titull i merituar dhe një të cilin e dëshiruam prej fillimit. Mendoj se ne e merituam atë në fushë”.
“Doja ta fitoj dhe e bëra. U largova nga Milani pasi kisha nevojë për më shumë motivim në karrierën time, andaj zgjodha Juven dhe u inkuadrova në projektin e tyre. Besoja se isha numër një dhe besoj se e kam dëshmuar këtë sërish këtë sezon”, ka thënë Pirlo për Sky Sport Italia.

Ibra konfirmon qëndrimin

Zlatan Ibrahimovic ka konfirmuar se ai do të qëndrojë te Milani këtë verë pavarësisht se Rossonerët humbën garën për titullin e kampionit të Italisë ndaj Juventusit.
Pavarësisht dy golave të Ibras, Rossonerët mbrëmë u mposhtën 4-2 nga Interi në Derby della Madonnina, për t’ia dhënë titullin Juventusit, që fitoi 2-0 ndaj Cagliarit.
“Unë dua t’i jap fund kontratës time me Milanin dhe ta respektoj atë. Më vjen keq që nuk e fituam Scudeton në vitin tim më të mirë deri tash në aspektin statistikor”, ka thënë Ibra.
Suedezi ka shënuar 28 gola deri tash në ligë dhe ka kontribuar me tetë asistime.

Cech: Kupa FA përgatitje për finalen e LK-së

Portieri i Chelseat, Petr Cech, mendon se fitorja në Kupën FA ka shtuar entuziazmin e tyre para finales së Ligës së Kampionëve.
“Kur ju e fitoni një kupë dhe shkoni në finale të Ligës së Kampionëve, kjo ju jep juve shumë vetëbesim dhe disponimi sigurisht se është më ndryshe kur ju fitoni një kupë se sa kur e humbi kupën”.
“Ne kemi dy javë të përgatitemi dhe kemi një mundësi tjetër të kemi të njëjtën ndjenjë sërish. Ne mund të përqendrohemi në këtë plot vetëbesim – do të ishte krejtësisht më ndryshe nëse ne do të kishim humbur, por ne nuk humbëm”, ka thënë Cech. 

Mancini: Tash ne jemi favoritë për titull

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se tash ata e kanë njërën dorë në trofeun e Ligës Premier, pas fitores 2-0 ndaj Newcastle United.
“A është City tash favorit? Ndoshta, ndoshta po pasi kjo varet nga ne. Nëse ne e mposhtim QPR, ne do ta fitojmë kampionatin”.
“Por në këtë moment nuk mund të mendojmë për këtë. Ne duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen e ardhshme, vetëm kaq”.
“Jam i ngazëllyer pasi jemi në krye, por kjo nuk mjafton. Edhe një javë dhe nëse ne luajmë siç bëmë sot, ne do të kemi shumë shanse”, ka thënë italiani pas fitores së djeshme.

Dedaj i gatshëm t’i bashkëngjitet UÇPMB-së!

Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, paralajmëron Beogradin dhe komunitetin ndërkombëtar se në rast konflikti mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës me forcat serbe, shqiptarët e Luginës nuk do të jenë vetëm. “Ne do t’i përgjigjemi si komb dhe Serbia do të ballafaqohet me një rezistencë gjithëpopullore, me 7 milionë shqiptarë... Jam i gatshëm të vesh çizmet dhe të dalë në front bashkërisht me UÇPMB-në për të luftuar dhe mbrojtur vëllezërit tanë në Luginën e Preshevës dhe t’i përgjigjem kolonave ushtarake, nëse UÇPMB do të kërkojë mobilizim”, ka thënë Dedaj.
Ndaj akteve të fundit të dhunës, bastisjeve dhe arrestimit të tetë shqiptarëve nga Tërnoci dhe Breznica e Luginës së Preshevës, ka reaguar kryetari i Partrisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, i cili ka kërkuar nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës t’iu shmangen provokimeve dhe të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët për t’i dhënë prioritet dialogut për zgjidhjen e krizës në rajon.
“Nëse nuk arrihet marrëveshje me dialog, dihet çka pason. Do të ndodhë ajo çfarë ndodhi para 13 vitesh në Kosovë, dalja në skenë e UÇK-së, si rezultat i dhunës së regjimit të egër serbë”, ka thwnë Dedaj në një intervistë për agjencinë “Presheva jonë”.
Dedaj ka thënë se ditëve të ardhshme do të ketë takime në Bruksel dhe Gjenevë, ku do të alarmojë komunitetin ndërkombëtar për dhunën e vazhdueshme dhe terrorin serb në Luginën e Preshevës.
“Do të kërkoj të ndërmarrin masa urgjente për pengimin e eskalimit të situatës në rajon… Osa ta ndalin ndërkombëtarët Serbinë, ose e ndalim vetë!” , thotë Dedaj.
Líder i PLK-së ia përkujton Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar se Lugina e Preshevës është Kosovë Lindore.
“Ne nuk do të tolerojmë që atje të nëpërkëmben dhe të terrorizohen vëllezërit tanë… Ata nuk janë vetëm. Duhet ta dinë pasardhësit e Milosevicit se në rast konflikti me forcat serbe, shqiptarët e Luginës nuk janë të vetëm. Ne do t’i përgjigjemi si komb dhe Serbia do të ballafaqohet me një rezistencë gjithë popullore, me 7 milionë shqiptarë…”.
Duke komentuar përfoljet për mobilizim dhe riaktivizim të UÇPMB-së dhe UÇK- së në Maqedoni, Dedaj ka thënë se “jam i gatshëm të vesh çizmet dhe të dalë në front bashkërisht me UÇPMB-në për të luftuar dhe mbrojtur vëllezërit tanë në Luginën e Preshevës. Jam i bindur se nuk jam i vetmi nga Kosova, por edhe mijëra të tjerë janë të gatshëm t’i bashkëngjiten kolonave ushtarake, atë ditë kur UÇPMB do të apelonte për mobilizim…”, ka thënë Dedaj. 

OVL e UÇK-së: Shqiptarët nuk tolerojnë më spastrime etnike

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka pohuar të hënën se veteranët e UÇK-së, do të jenë pranë vëllezërve në Maqedoni e Kosovë Lindore dhe në rast mobilizimi, ata thanë se të jenë në përkrahje të tyre me të gjitha mjetet e mundshme.
OVL-ja e UÇK-së, kërkon që të gjithë faktorët politik shqiptarë si dhe ata ndërkombëtar, të merren seriozisht me këtë çështje dhe duhet ta kenë të qartë se shqiptarët nuk do të tolerojnë më spastrime të reja të trojeve etnike.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është duke e përcjellë me vëmendje situatën në trojet shqiptare të okupuara nga Serbia dhe Maqedonia. Ne jemi të shqetësuar për dhunën e presionin e vazhdueshëm të pushtuesve të orientuar kundër popullatës shqiptare, me qëllim të vështirësimit të jetës së tyre dhe detyrimit që ata të shpërngulen nga trojet e veta”, thuhet në kumtesë. 

Konjufca: Qeveria e shkeli Kushtetutën

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka shkelur Kushtetutën, e ka shkelur rezolutën e Kuvendit të Kosovës të miratuar më 15 mars, nismëtare e së cilës ishte vetë ajo. Kjo rezolutë e obligonte Qeverinë e Kosovës që të vepronte në rast se zgjedhjet serbe mbahen në Kosovë. Këto akuza i ka bërë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti i lëvizjes Vetëvendosje , Glauk Konjufca, në një konferencë për media të hënën. Kundër këtyre akuzave ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili tha se nuk ka pasur zgjedhje serbe në Kosovë dhe nuk është shkelur asnjë parim kushtetues i vendit.
“Ne mendojmë se lejimi nga ana e qeverisë i zgjedhjeve të Serbisë brenda shtetit të Kosovës paraqet një sërë shkeljesh, duke filluar që prej rezolutës së Kuvendit e deri të Kushtetuta dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës. Më 15 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës pat nxjerrë një rezolutë në pajtim me të gjitha grupet parlamentare, e që e obligonte Qeverisë e Republikës së Kosovës që në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Qeveria të merrte masat konkrete dhe të caktuara për t’i ndaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të ndihet i mashtruar nga Qeveria, pasi që kemi të bëjmë me një vendim të nxjerrë nga Kuvendi, i cili është obligativ për Qeverinë. Ai ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që Qeveria i shkel vendimet e Kuvendit dhe kjo është në vazhdën e shkeljeve që ajo po i bën.
“Duke mbajt këso zgjedhjesh në Republikën e Kosovës, pakica serbe e cila duhet të integrohet në Republikën e Kosovës, gjithmonë po i mban sytë drejt Tadicit apo Nikolicit, në vend që ta kthejë shikimin drejt Republikës së Kosovës, shtetit të së cilës kjo pakicë i përket”, ka thënë ai.
Këtyre akuzave u është përgjigjur shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci, i cili ka thënë se nuk ka pasur zgjedhje serbe në Kosovë dhe se nuk është shkelur asnjë parim kushtetues i vendit, ndërsa ka thënë se është respektuar një e drejtë e qytetarëve që kanë dyshtetësi, që të votojnë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
“Përcaktimet e Partisë Demokratike dhe të Qeverisë së Kosovës janë shumë të qarta, nuk ka zgjedhje serbe në Kosovë, ndërsa kemi respektuar një të drejtën e çdo qytetari që respektohet çdo kund. Qytetarët që kanë dyshtetësi kanë pas të drejtë të votojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe për parlament, ndërsa të tjerat u është pamundësuar dhe është hera e parë që në Kosovë nuk lejohet të organizohen zgjedhjet për institucionet lokale brenda territorit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke punuar që të krijojnë kushte ku qytetarët serbë që jetojnë në veri të Mitrovicës të votojnë për t’i zgjedhur udhëheqësit e tyre legjitimë.
Ndërsa i pyetur nga gazetarët që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Qeveria e Kosovës, duke ua mundësuar të votojnë edhe qytetarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet në Kosovë, Grabovci ka thënë se është e drejtë e çdo qytetari, kudo që jetojnë, qofshin edhe ata të Luginës së Preshevës, të votojnë në zgjedhjet në Kosovë.

Tahiri në interpelancë për të pagjeturit

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet më 10 maj, do ta sjellë në interpelancë zëvendëskryeministren dhe kryenegociatoren e Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri. Ajo pritet të raportojë lidhur me fatin e të pagjeturve dhe arritjet që janë bërë deri më tani në bisedime me Serbinë për këtë çështje.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në takimin e sotëm, ka vendosur sot të thërras zëvendëskryeministren Tahiri në seancën e përcaktuar për 10 maj, ku ajo do të raportojë lidhur me arritjen e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e të pagjeturve.
Të pagjeturit janë përmendur qysh më herët se do të bisedohet me Serbinë, pasi që është konsideruar si çështje teknike, transmeton Kosvapress.
Një pikë tjetër që pritet të jetë e nxehtë është ajo për deklarimet jashtë rendit të ditës, ku deputetët kanë të drejtë të deklarojnë për çështje të ndryshme, pa qenë të parapara në rendin e ditës se asaj seance.
Në seancën e 10 majit në rend dite do të jenë edhe shqyrtimi i raportit vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011; shqyrtimi i raportit të punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011, shqyrtimi i raportit të punës së Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ai për Gjykatën Supreme, shqyrtimi i propozimit të Qeverisë për emërimin e anëtarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës, ai për emërimin e anëtarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Reljic: Serbia në pozitë inferiore ndaj Kosovës

Beogradi nuk është në gjendje që të imponojë zgjidhje të reja për Kosovën, por duhet të reagojë varësisht nga qëndrimet e BE-së dhe SHBA-ve, thotë Dusan Reljic, ekspert i Institutit për Shkencë e Politikë në Berlin.
Kur është fjala te zgjedhjet e fundit në Serbi, Reljic thotë se Kosova nuk ka qenë temë e madhe në këtë fushatë.
“Në njërën anë, kjo ka të bëjë me faktin që partitë e mëdha e kanë kuptuar se hapësira manovruese e Beogradit është shumë e kufizuar për shkak të qëndrimeve të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, si: Gjermania, Britania dhe Madhe dhe Franca. Në anën tjetër, në Kosovë nuk ka pasur shumë vota për të fituar - rreth 100 mijë. Por, kjo nuk do të thotë që tema e Kosovës do të zhduket nga trualli politik”, thotë ai për DW.
Trajtimi i çështjes së Kosovës, sipas tij, varet nga siguria, stabiliteti dhe dinamika e zhvillimeve në Kosovë. Reljic thotë se në Beograd askush nuk është i interesuar që në Kosovë të ketë tendosje dhe shqetësime të mëdha, meqë Serbia do të koncentrohet në zgjidhjen e problemeve të saja ekonomike.
Politika e Serbisë, siç theksoi Reljic, varet nga qëndrimet e "lojtarëve të mëdhenj". Kështu, ai nuk beson se Beogradi do të prezantojë ndonjë strategji të re ndaj Kosovës.
“Beogradi nuk është në gjendje që të imponojë zgjidhje të reja për Kosovën, por duhet të reagojë varësisht nga qëndrimet e BE-së dhe SHBA-ve. Ndërkohë, në qoftë se vazhdohet me kërkesat që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, Beogradi është i varur nga mbështetja e Rusisë dhe Kinës në KS të OKB-së. Dhe, së fundi, Beogradi varet nga qëndrimet e Prishtinës dhe tonet eventuale agresive. Unë e shoh Beogradin aktualisht në një pozitë defensive sa i takon çështjes së Kosovës”.
Kreu i socialistëve serbë, Ivica Dacic, gjatë fushatës është angazhuar për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Analisti serb thotë se një qeveri serbe mund të kërkojë ndarjen e Kosovës, pas ta ndryshojë së pari Kushtetutën e vendit.
“Së dyti, aktualisht SHBA-të dhe vendet vendimtare evropiane janë strikt kundër ndarjes së Kosovës, sepse kanë frikë nga reflektimi i kësaj ndarjeje në Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë. Përshtypja ime është që në Beograd dhe Prishtinë ka relativisht shumë simpati për një marrëveshje, ndoshta jo formale por de facto, e cila do të nënkuptonte forcimin e linjës ndarëse. Si do të realizohet kjo, varet prej qëndrimeve në Bruksel dhe pozicioneve që do të kristalizohen gjatë dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

Kuçi: Rrugëtimi i Kosovës s'varet nga pushtetet në Serbi

Qeveria e Kosovës është shprehur në mbështetje të një pushteti pro-evropian në Serbi, me vlerësimin se udhëheqja e një politike të tillë nga Beogradi zyrtar do t’i bënte mirë tërë rajonit. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, theksoi se “Kosova do t’i kryejë obligimet që ka karshi çdo pushteti në Serbi, por se proceset integruese të vendit nuk varen nga politika serbe”.

“Ne jemi të gatshëm që t’i kryejmë obligimet tona shtetërore përballë kujtdo që mund të jetë në Serbi, por politika e Kosovës, integrimi i Kosovës, rrugëtimi i Kosovës nuk varet nga pushtetet politike në Serbi. Kosova ka rrugën e vet, por kushdo që është në Serbi e që është i orientuar kah perëndimi i bën mirë, në radhë të parë popullit serb e pastaj edhe tërë rajonit”, ka thënë Kuçi, pas mbledhjes së radhës të ekzekutivit kosovar, transmeton REL.
Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Serbisë vënë në dukje një garë të ngushtë për postin e presidentit në mes të presidentit të deritashëm të Serbisë Boris Tadic dhe konkurrentit të tij, Tomislav Nikolic.
Kuçi ritheksoi vlerësimin pozitiv të qeverisë për ecurinë e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës, ndërsa e quajti “farsë” mbajtjen e zgjedhjeve lokale në disa pjesë në veri të vendit.
“Dy të tretat e njerëzve më shumë ka dalë në zgjedhjet që i ka mbajtur Kosova se sa ato që janë mbajtur për qytetarët me dyshtetësi, ndërsa ato që janë mbajtur në Zveçan e Zubin Potok janë pa efekt juridik e politik - janë një farsë që kanë bërë njerëzit nëpër shtëpi private. S’ka qenë qëllimi ynë të hyjmë nëpër ato shtëpi dhe ta ndalojmë atë farsë, kur ato zgjedhje nuk njihen as nga faktori ndërkombëtar, as nga Serbia e as nga vetë ne”, tha ai.
Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare serbe në 90 vendvotime gjithandej Kosovës ishte lehtësuar nga misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. 

Zannier përshëndet votimin paqësor në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, përshëndeti përfundimin paqësor të misionit lehtësues të OSBE në zgjedhjet, që iu mundësuan votuesve me të drejtë vote në Kosovë të hedhin votat për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

OSBE-ja përfundoi dorëzimin e kutive të votimit të vulosura Komisionit Zgjedhor të Serbisë në qendrave të numërimit në Vranjë dhe Rashkë në orët e para të këtij mëngjesi, thuhet në një deklaratë të këtij misioni, transmeton REL.
“Unë e lavdëroj përmbajtjen e treguar nga të gjitha palët për të lejuar kryerjen paqësore të rolit lehtësues të OSBE në zgjedhje”, ka thënë Zannier.
“Kjo përvojë ishte e mundur vetëm për shkak të sjelljes së përgjegjshme të aktorëve relevantë politikë, si dhe mbështetjen e fuqishme dhe bashkëpunimit të dhënë nga ana e institucioneve vendore dhe komunitetit ndërkombëtar, në veçanti policisë, KFOR-it dhe EULEX-it," ka deklaruar Zannier.

Prioritet zhvillimi ekonomik

Politikat tregtare, reformat e të bërit biznes, rritja e investimeve të huaja dhe funksionimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ishte temë e ligjëratës të zëvendësministres dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari – Lila të hënën në Universitetin Pjetër Budi në Prishtinë.
Ministrja Mimoza Kusari – Lila tha se krijimi i politikave për një ambient më të favorshëm në fushën e Industrisë dhe Tregtisë është misioni i ministrisë që e drejton.
Një ndër temat kryesore gjatë ligjërimit të ministres Kusari-Lila para studentëve të Pjetër Budit ishte zhvillimi ekonomik, i cili sipas saj nuk është, e as nuk do të jetë si rezultat i një vendimi magjik. “Zhvillimi ekonomik I vendit është rezultat I përbashkët I reformave dhe vendimeve në shumë nivele dhe sektorë të cilat së bashku përkthehen në rritje ekonomike. Merrni investimet për shembull: Përvoja e vendeve tjera ka treguar që rritja e investimeve të huaja është rezultat I punës dhe koordinimit disa fusha të ndryshme”, u shpreh ajo.
Duke i ftuar studentët e interesuar të shohin për së afërmi punën e MTI-së, Kusari-Lila tha se studentët duhet të kuptojnë se arsimimi superior i duhur do të jetë faktori më i rëndësishëm për karrierën e tyre. Me gjithë sfidat që vendi është duke u ballafaquar tani, njerëzit e rinj me arsimim superior janë një ndër sfidat më të mëdha. Shumë ju thonë që ju jeni e ardhmja, por nga pozita dhe përvoja që kam, unë ju them që ju duhet të jeni e tashmja. Kosovës I duhen të rinjtë e kualifikuar, pasioni dhe idetë e tyre. 

Qeveria mbështet Berëzën e Punësimit

Qeveria e Kosovës edhe këtë vit do të mbështesë organizimin e “Berzës së Punësimit – Kosova 2012”. Ky vendim i Qeverisë është marr të hënën nën mbledhjen e rregullt të saj.
Ky aktivitet tradicional që organizohet nga Aleanca Kosovare e Bizneseve ka për qëllim zbutjen e papunësisë duke punësuar punëkërkues të sektorëve të ndryshëm.
Vitin e kaluar ky aktivitet është organizuar në komunat më të mëdha të vendit nga ku kanë arritur të punësohen afër 1000 punëkërkues.
Aktiviteti do të mbahet gjatë këtij muaji, ndërsa qytetet ku është planifikuar të mbahet ky aktivitet është Prizreni, Ferizaj, Prishtina, Gjakovë dhe këtë vit do të jetë edhe Gracanica.

Buffon: Momenti më i mirë në karrierë

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, thotë se fitorja e titullit këtë sezon është “momenti më i mrekullueshëm në karrierën e tij”.
Buffon kishte frikë se ai i kishte njollosur shanset e skuadrës për titull pas gafës së bërë javën e kaluar kundër Lecces, por fitorja ndaj Cagliarit i dha një ndjenjë krejtësisht të kundër atij.
“Është e pakuptimtë të them se gabimi nuk rëndoi në mua ose të më lërë një shenjë. Më shumë se gjithçka tjetër, kisha frikë se do të isha përgjegjës që dikush të tensionohet ose të ketë frikë në hapin e fundit. Kjo është arsyeja se pse kalova kohë të vështira në tri ditët e kaluara”.
“Ato ishin tri ditët më të tmerrshme të miat në këtë sport. Kisha frikë se e kisha humbur titullin me gabimin tim. Kisha një ndjenjë të lartë përgjegjësie”.
“Andaj, pa dyshim se pas Kupës së Botës kjo është kënaqësia ime më e madhe në jetën time sportive. Përfundimisht kjo i jep kuptim frazës se me punë gjithçka shpaguhet. Gjithmonë kam menduar se ishte 20 për qind e vërtetë dhe 80 për qind retorike, por tash mendoj se është 80 për qind e vërtetë”, ka thënë Buffon

Allegri ia uron titullin Juves

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, e ka uruar Juventusin për triumfin në Serie A këtë sezon.
Duke folur pas disfatës 4-2 ndaj Interit, Allegri ka lavdëruar rivalët Bianconerë por i ka paralajmëruar ata se Milani do të kthehet më i fuqishëm sezoni ne ardhshëm.
“[Juventusi] e meritoi. Ata fituan një kampionat konkurrues në mes të dy ekipeve të cilat kanë fituar shumë pikë”.
“Mendoj se me gjithë respektin për vitin e kaluar, për të fituar këtë vit ne kishim nevojë për më shumë pikë dhe besoj se kështu do të jetë edhe në vitet e ardhshme. Ne nuk jemi inferior, pavarësisht incidenteve të pafat dhe shumë lëndimeve”.
“Vitin e ardhshëm do të japim gjithçka për t’u kthyer në krye. Këtë vit përfunduam të dytët por vitin e ardhshëm ne mund të jemi të parët. Kush e di?”, ka thënë Allegri.

NBA: Lakers në avantazh 3-1 ndaj Nuggets

Ramon Sessions dhe Steve Blake kanë shënuar trepikësha në minutën e fundit të takimit për t’i dhënë Los Angeles Lakers fitoren 92-88 në udhëtim te Denver Nuggets si dhe avantazhin 3-1 në rundin e parë të serisë së playoffit.
Nuggets vendosën presion në Lakers duke barazuar 86-86 me 48 sekonda të mbetura para se Sessions t’ia japë avantazhin skuadrës mysafire dhe më pas rezerva Blake të jetë i saktë në tentimin e tij për trepikësh që vulosi fituesin.
Kobe Bryant shënoi 22 pikë dhe kontribuoi me tetë kërcime dhe gjashtë asistime për Lakers, të cilët mund të kualifikohen në rundin e ardhshëm nëse fitojnë në ndeshjen e pestë që zhvillet të martën në Los Angles. Fituesi do të takohet me tashmë të kualifikuarin në rundin e ardhshëm, Oklahoma City Thunder.
Në Konferencën Lindore, Boston Celtics dhe Philadelphia 76ers po ashtu kanë marrë avantazhin 3-1 në serinë e playoffit, duke mposhtur Atlanta Hawks respektivisht Chicago Bulls.
New York Knicks i ka shpëtuar eliminimit, së paku për një kohë, duke ngushtuar në 3-1 disavantazhin në sfidën përballë Miami Heat.

Stramaccioni: Ishte paraqitje e kompletuar

Andrea Stramaccioni ka lavdëruar Interin që ka realizuar si duhet të gjitha aspektet për të mposhtur Milnain në derbin e mbrëmshëm.
Diego Milito shënoi hat-trick derisa Interi fitoi 4-2 në Derby della Madonnina, që fundosi shpresat e Rossonerëve për të fituar Scudetton dhe mban gjallë shpresat e Nerazzurrëve për një vend në Ligën e Kampionëve.
“Ishte një ndeshje e bukur e cila u luajt shumë haptas nga të dyja skuadrat të cilat e kërkonin fitoren”.
“Ne treguam kualitet, futboll të mirë, karakter dhe dëshirë për të fituar. Megjithatë, të qenit e Milanit 2-1 në disavantazh, penaltia [që pranuam] dhe goli i Ibrahimovic e humbën ca shkëlqimin”, ka thënë Stramaccioni për Premium Calcio.

Del Piero i ngazëllyer me Scudetton

Alessandro Del Piero është i ngazëllyer pasi siguroi Scudetton e parë me Juventusin që nga ajo e vitit 2003.
Zonja e Vjetër mbrëmë mposhti Cagliarin me rezultat 2-0, derisa rivali tjetër për titull, Milani, pësoi disfatë 4-2 nga Interi në derbin milanez.
“Kjo Scudetto ka një shije të veçantë pas disa viteve të vështira dhe do të shkoj deri atje sa të them se kjo Scudetto është edhe më e mirë se sa ajo që e arritëm në Rimini [titulli i Serie B në vitin 2007]”.
“Çdo sezon e filloj me shpresën se mund të fitoj diçka, dhe ndonjëherë kjo nuk ndodh, por ajo çfarë ka ndodhur me mua sonte i mbulon shumë vite”.
“Sonte ne festojmë një kampionat të cilin e merituam dhe jam krenar që kam kontribuar në këtë”, ka thënë Del Piero për Sky Sport Italia pas fitores së mbrëmshme

Mancini i ngazëllyer me Touren

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është i ngazëllyer për Yaya Toure pas dy golave të tij në fitoren 2-0 ndaj Newcastle United.
Fitorja e mban Cityn në krye të tabelës me pikë të barabarta me Manchester United por me diferencë më të mirë të golave, kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje para mbylljes së sezonit.
“Yaya është një lojtar i rëndësishëm për ne pasi ai ka përvojë. Ai fitoi me Barcelonën, ai fitoi trofetë dhe ai na ka dhënë neve këtë përvojë për këtë arsye”.
“Yaya është një lojtar fantastik, por nuk mendoj se ju mund të fitoni vetëm pse Yaya luajti mirë. Ne fituam këtu kundër Newcastle pasi e gjithë skuadra luajti vërtet mirë dhe merituam të fitojmë”, ka thënë Mancini.

Mata kthen shikimin kah trofeu i LK-së

Ylli i Chelseat, Juan Mata, është i ngazëllyer që e ka fituar Kupën FA në tentimin e parë, por tash ka kthyer shikimin kah trofeu i Ligës së Kampionëve.
“Ne e fituam finalen e parë dhe kemi edhe një shans tjetër të madh të fitojnë tjetër titull, më të rëndësishëm në Evropë, dhe ne të gjithë mezi presim të luajmë në këtë ndeshje”.
“Nuk ka qenë një sezon i lehtë për ne në Ligën Premier, me ndryshimin e menaxherit dhe gjithçka. Ne ende luftojmë për një titull, ne e arritëm këtë, dhe kemi mundësinë të fitojmë dy. Chelsea kurrë nuk dorëzohet”, ka thënë Mata.

Terry: Drogba duhet të qëndrojë

Kapiteni i Chelseat, John Terry, dëshiron që sulmuesi Didier Drogba të vazhdojë qëndrimin në Stamford Bridge.
Drogba, 34-vjeçar, do të jetë pa kontratë në fund të sezonit dhe ende nuk ka një marrëveshje për qëndrimin e tij në klub.
“Do të jetë një turp i madh nëse Didier largohet pasi ai ka qenë i jashtëzakonshëm për këtë klub. Didi e do Chelsean dhe vërtet shpresoj se do të kthehet sezonin e ardhshëm”.
“Ne kemi një ndeshje të madhe në Ligën e Kampionëve pas disa javësh dhe pas kësaj shpresojmë se diçka do të zgjidhet dhe ai të qëndrojë”, ka thënë Terry.

“Poezi Grafike ” së shpejti nga Krenare Rugova

Kreacionet e fundit me temë “Poezia Grafike” dhe marka e njohur e modës “KR”,do të prezantohen së shpejti nga kreatorja Krenare Rugova përmes një “Pasarele mode”.
“Poezia Grafike” është e bazuar në kreacione unike dhe veçuar artizanate tradicionale me dizajne autoktone dekorative punuar me dorë të cilat synojnë të promovojnë modën bashkëkohore në Kosovë dhe njëkohësisht trashëgimin,kulturën dhe artin tradicional të kombinuar ato nëpërmes koleksioneve të modës.
Në këtë koleksion do të paraqiten 50 veshje – Vjeshtë/Dimër 2012 – 13, të cilat janë punuar gjatë disa muajve të fundit me një ekip shumë profesional.
Konkretisht, veshjet që do të eksponohen në Pasarelen “Poezia Grafike” përfshinë një koncept të bukur artistik duke inkorporuar shtypin e tekstilit ”textile print design” me përmbajtje të poezive tradicionale shekullore të kulturës së vjetër shqiptare.
Elementet kyçe të këtij koleksioni janë poezitë e printuara në detajet e rrobave. Këto grafika poetike do të pasurojnë kreacionin në mënyrë shumë të veçante dhe autoktone.
Në të njëjtën kohë një pjesë e madhe e këtyre linjave të vlefshme kombëtare do të përdoren me mediume tipografike dhe ilustrime në harmoni të ngjyrave dhe kontrasteve të detajizuara të njohura si: Typographic Art-Deco.
Përmbledhja e koleksionit do të prezantohet me 12 maj të këtij viti tek Përmendorja "Vëllazërim-Bashkim", ditë e cila po ashtu do të shërbej si manifestim për të mbështetur objektivat integruese bashkëkohore Evropiane dhe qëllimin e ringjalljes, nxitjes së përbashkët të zhvillimit ekonomik me Zonës së BE-së "European Union Day”.
Kjo është paraqitja e tretë me radhë e kreatores Rugova. Ajo në vitin 2011 është paraqitur edhe me dy pasarela të tjera; njëra titullohej “Kromozomet” dhe tjetra “Harmonia e Filigranit”. /Telegrafi/

Memli Krasniqi bëhet me djalë

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi është bërë baba për të dytën herë.
Familjes Krasniqi i është shtuar edhe një anëtar i ri në familje, i cili është pagëzuar me emrin Mal.
Memli Krasniqi është i martuar me Meliza Mehmeti-Krasniqi dhe dyshja kanë edhe një vajzë, e cila quhet Bora.

Rita Ora performon në Londër (Foto)

Këngëtarja me orgjinë shqiptare Rita Ora, e cila është duke u pëlqyer për muzikën dhe pamjen e saj, këto ditë ka performuar këngët e albumit të saj të ri në lokalin “G-A-Y” në Londër.
Mes një atmosfere entuziaste dhe të ftuarve të njohur nga bota e artit, Rita Ora ka dhuruar spektakël me këngët e saj më të mira si “R.I.P”, “Rock the life”, etj.
Por veç performancës së saj artistike, mediat londineze komentojnë edhe veshjen e saj. Rita Ora është shfaqur në skenë me një veshje më shumë sesa ekstravagante.
Me pantallona shumë të shkurta, sidomos në pjesën e pasme, Rita Ora ka dhuruar jo vetëm muzikë, por edhe kërcime joshëse. 

Çiljeta me biznes të ri

Këngëtarja nga Shqipërija, Çiljeta Xhilaga, përveç muzikës i është futur edhe një biznesi tjetër.
Ajo së shpejti do të hap butikun e saj në Tiranë, të cilin do ta quajë “Just Çiljeta”.
Këngëtarja ka pohuar se këtë dëshirë ajo e ka tash e sa vite dhe ndihet shumë e lumtur që tashmë u realizua.
“ishte dëshirë e imja, kisha vite që e mendoja të çelja një biznes të tillë, dhe tani me sa duket ishte momenti i duhur. Them se butiku do të jetë më tepër një show-room sesa dyqan. Do të ketë rroba kryesisht italiane, të koleksioneve më të fundit dhe nga stilistët më me zë në botë, si, Versace, Dolce&Gabanna, Roberto Cavalli, etj", ka pohuar Çliljeta për gazetën Standard.
Çiljeta së fundmi është duke konkurruar në “Top Fest 9” me këngën e saj "Maria" të realizuar nga produkisoni Three Dots.

Për bimët, qumështi dietal

Lulet reagojnë mirë nëse me rastin e pastrimit në ujë shtoni qumësht të payndyrshëm.
japë një shkëlqim të mirë. Qumështi patjetër duhet të jetë i payndyrshëm, sepse, në të kundërtën ua mbyll poret fletëve.
Spërkatja me kimikale nga ujësjellësi nuk është e mirë për lulet, aq më parë për lulet e reja. Për lulet me fletë të buta (brushtulli, filadendroni dhe halthi) bëjeni spërkatjen me qumësht nëpër fletë dy herë në javë, madje nga ana e poshtme. 

Rreziqet shëndetësore të ushqimit vegjetarian

Kalimi në ushqim vegjetarian mund të paraqesë rreziqe të dukshme për shëndetin, veçanërisht për shkak të konsumimit të ulët të disa vitaminave dhe të mineraleve.
Kalciumi luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e eshtrave. Vegjetarianët nuk pinë qumësht, për ç’arsye kalciumin duhen ta gjejnë në ushqime të tjera siç është qumështi i sojës. Po ashtu duhet ta konsumojnë kalciumin si shtesë në ushqim.
Një hulumtim ka treguar që vegjetarianët kanë thyerje më të shpeshta të eshtrave për dallim nga anëtarët e cilitdo grup tjetër ushqyes.
Vitamina B12 është kyç për funksionimin normal të trurit dhe të sistemit nervor. Niveli i ulët i vitaminës B 12 mund të shkaktojë pasoja shëndetësore serioze. Vegjetarianët kanë rrezik më të lartë për ta zhvilluar aneminë dhe sëmundjet neurodegjenerative. Gjithsesi duhet që vitamina B12 të konsumohet përmes shtesave të ushqimit, sepse në ushqimet bimore nuk është në sasinë e mjaftueshme dhe në formën për të cilën ka nevojë organizmi.
Ekzistojnë shumë zëvendësime vegjetariane, duke përfshirë qumështin e sojës, produktet në bazë të niseshtesë, e cila është zëvendësim i shkëlqyeshëm për vezët dhe tofu si zëvendësim i shkëlqyeshëm për mishin. Kështu, në ushqimin tipik vegjetarian gjenden shumë pemë dhe perime si dhe ushqime të tjera që nuk kanë prejardhje shtazore, por çdo vakt e bëjnë jashtëzakonisht të shijshëm. 

Samsung blen kompani mobile?

Samsung ka arritur rezultate shumë të mira në biznesin e saj të telefonave mobil, e posaçërisht me telefonat e mençur mobil të linjës Galaxy, prej të cilëve i ka shumëfishuar të hyrat e saj.
Mirëpo, me sa duket pozita e prodhuesit më të madh të telefonave mobil nuk po i mjafton kompanisë jug-koreane, pasi që e njëjta tani është duke planifikuar të blejë kompani të ndryshme mobile, citohet të ketë thënë WSJ. 
 
“Industria po rritet aq shumë sa që është bërë e vështirë që të menaxhohet çdo gjë nga brenda, prandaj ne jemi duke menduar të blejmë kompani të vogla të cilat kanë aftësi të mira të hulumtimeve dhe zhvillimit të produkteve” ka thënë J.K Shin, ekzekutiv i kompanisë aziatike. 
 
Edhe pse nuk ka detaje ose emër për ndonjë kompani, dyshohet se Research In Motion është njëri ndër synimet e Samsung, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga Shin. 

Homoseksualët diskriminojnë heteroseksualët

Bari i homoseksualëve “Never Mind” në Kopenhagë ua ka ndaluar mysafirëve heteroseksualë që të shprehin dashurinë reciproke me kërcënimin se do të nxirren jashtë.
Pronari i lokalit ka thënë se nuk dëshiron t’i diskriminojë çiftet normale, porse përpiqet që të mbrojë të drejtat e homoseksualëve.
Ky bar u bë hit në lajme, pasi një mysafire ishte nxjerrë jashtë pasi e kishte puthur të dashurin e saj.
Pas këtij akti femra e kishte pyetur njërin nga rojet e sigurisë për arsyen e nxjerrjes nga lokali, ndërsa ai është përgjigjur: “Pronari vendos se kush guxon të puthet këtu, e kush jo”.
Siç transmeton Daily Mail, pronari madje ka sugjeruar që heteroseksualët të mos e vizitojnë lokalin e tij: “Nuk kam asgjë që personat heteroseksualë ta vizitojnë kafenenë time, mirëpo nëse sjellin tre, katër ose pesë miq, atëherë ky nuk është më bar homoseksualësh”

Macja që lan enët (Video)

Maceve dhe qenve zakonisht nuk u pëlqen që të lagen me ujë, megjithatë ka kafshë të përkëdhelura që kënaqen me ujin.
Madje një mace e tillë, jo vetëm që e pëlqen ujin, por di ta shfrytëzojë atë në mënyrë të dobishme.
Në një xhirim të lansuar në internet, macja kryen punën e pronares së saj – lan enët.