Qeveria e Republikës së Kosovës e ka shkelur Kushtetutën, e ka shkelur rezolutën e Kuvendit të Kosovës të miratuar më 15 mars, nismëtare e së cilës ishte vetë ajo. Kjo rezolutë e obligonte Qeverinë e Kosovës që të vepronte në rast se zgjedhjet serbe mbahen në Kosovë. Këto akuza i ka bërë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti i lëvizjes Vetëvendosje , Glauk Konjufca, në një konferencë për media të hënën. Kundër këtyre akuzave ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili tha se nuk ka pasur zgjedhje serbe në Kosovë dhe nuk është shkelur asnjë parim kushtetues i vendit.
“Ne mendojmë se lejimi nga ana e qeverisë i zgjedhjeve të Serbisë brenda shtetit të Kosovës paraqet një sërë shkeljesh, duke filluar që prej rezolutës së Kuvendit e deri të Kushtetuta dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës. Më 15 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës pat nxjerrë një rezolutë në pajtim me të gjitha grupet parlamentare, e që e obligonte Qeverisë e Republikës së Kosovës që në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Qeveria të merrte masat konkrete dhe të caktuara për t’i ndaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të ndihet i mashtruar nga Qeveria, pasi që kemi të bëjmë me një vendim të nxjerrë nga Kuvendi, i cili është obligativ për Qeverinë. Ai ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që Qeveria i shkel vendimet e Kuvendit dhe kjo është në vazhdën e shkeljeve që ajo po i bën.
“Duke mbajt këso zgjedhjesh në Republikën e Kosovës, pakica serbe e cila duhet të integrohet në Republikën e Kosovës, gjithmonë po i mban sytë drejt Tadicit apo Nikolicit, në vend që ta kthejë shikimin drejt Republikës së Kosovës, shtetit të së cilës kjo pakicë i përket”, ka thënë ai.
Këtyre akuzave u është përgjigjur shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci, i cili ka thënë se nuk ka pasur zgjedhje serbe në Kosovë dhe se nuk është shkelur asnjë parim kushtetues i vendit, ndërsa ka thënë se është respektuar një e drejtë e qytetarëve që kanë dyshtetësi, që të votojnë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
“Përcaktimet e Partisë Demokratike dhe të Qeverisë së Kosovës janë shumë të qarta, nuk ka zgjedhje serbe në Kosovë, ndërsa kemi respektuar një të drejtën e çdo qytetari që respektohet çdo kund. Qytetarët që kanë dyshtetësi kanë pas të drejtë të votojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe për parlament, ndërsa të tjerat u është pamundësuar dhe është hera e parë që në Kosovë nuk lejohet të organizohen zgjedhjet për institucionet lokale brenda territorit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke punuar që të krijojnë kushte ku qytetarët serbë që jetojnë në veri të Mitrovicës të votojnë për t’i zgjedhur udhëheqësit e tyre legjitimë.
Ndërsa i pyetur nga gazetarët që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Qeveria e Kosovës, duke ua mundësuar të votojnë edhe qytetarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet në Kosovë, Grabovci ka thënë se është e drejtë e çdo qytetari, kudo që jetojnë, qofshin edhe ata të Luginës së Preshevës, të votojnë në zgjedhjet në Kosovë.