Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet më 10 maj, do ta sjellë në interpelancë zëvendëskryeministren dhe kryenegociatoren e Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri. Ajo pritet të raportojë lidhur me fatin e të pagjeturve dhe arritjet që janë bërë deri më tani në bisedime me Serbinë për këtë çështje.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në takimin e sotëm, ka vendosur sot të thërras zëvendëskryeministren Tahiri në seancën e përcaktuar për 10 maj, ku ajo do të raportojë lidhur me arritjen e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e të pagjeturve.
Të pagjeturit janë përmendur qysh më herët se do të bisedohet me Serbinë, pasi që është konsideruar si çështje teknike, transmeton Kosvapress.
Një pikë tjetër që pritet të jetë e nxehtë është ajo për deklarimet jashtë rendit të ditës, ku deputetët kanë të drejtë të deklarojnë për çështje të ndryshme, pa qenë të parapara në rendin e ditës se asaj seance.
Në seancën e 10 majit në rend dite do të jenë edhe shqyrtimi i raportit vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011; shqyrtimi i raportit të punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011, shqyrtimi i raportit të punës së Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ai për Gjykatën Supreme, shqyrtimi i propozimit të Qeverisë për emërimin e anëtarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës, ai për emërimin e anëtarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).