Sulmohet një shqiptar në “Lagjen e boshnjakëve”

Një grup personash të panjohur të shtunën pasdite (sot) kanë sulmuar të riun shqiptar, 15 vjeçarin F.K., banor i Mitrovicës.
Ngjarja ka ndodhur në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ndërsa viktima pas kërkimit të ndihmës në Qendrën e Emergjencës në Mitrovicë, është lëshuar në shtëpi.
“Kam shkuar t’i ndihmoj babait, i cili punon në lagjen e lartpërmendur, dhe duke ecur papritmas njëri nga shtatë personat që ishin afër furrës ‘Moni’ më ka thirr në shqip që të shkoj tek ata. Unë nuk e kam dëgjuar dhe kam vazhduar rrugën, ndërsa përnjëherë të shtatë personat kanë filluar të më sulmojnë me grushte dhe shqelma nëpër pjesë të ndryshme të trupit”, ka thënë viktima F.K. për Kosovapress.
Sipas tij, sulmuesi është i nacionalitetit boshnjak, dhe është në raporte të mira me grupe kriminale serbe në veri.
Ai dyshon se incidenti ka mundur të ndodhë për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestën e organizuar nga Këshilli i Rinisë të Mitrovicës një ditë më parë kundër EULEX-it.

Haxhinasto: Të flitet qartë për veriun

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka theksuar se për veriun e Mitrovicës, ndërkombëtarët duhet të flasin qartë dhe me gjuhë të përbashkët.
Haxhinasto ka kërkuar nga Serbia plotësimin e angazhimeve të marra në marrëveshjet me Republikën e Kosovës, përfshirë pjesëmarrjen aktive të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale.
Ai këto komente i ka bërë gjatë takimit me Ministri i Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, në Bratisllavë.

Bieber: Pa strategji për veriun

Eksperti i njohur i çështjeve politike të Evropës Juglindore, Florian Bieber, tha se faktorët ndërkombëtarë nuk kanë strategji të qarta për veriun e Kosovës.
Në momente të krizave, gjëja më e mirë që bëjnë KFOR-i dhe EULEX-i, është parandalimi i eskalimit, por ata nuk kanë qëllime strategjike”, tha Bieber, në intervistën për Radio Kosovën.
Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi mund të flasin për veriun pas finalizimit të procesit elektoral në Serbi. 

I jep llogari vetëm Kryeministrit

Ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, nuk i ka bërë shumë përshtypje afati prej dy javësh i dhënë nga Komisioni i punëve të brendshme për shtrirje të rendit dhe ligjin në veri. Ai thotë se nuk e ka obligim t’i japë llogari këtij komisioni derisa pohon se nëse ka rekomandime të zbatueshme do t’i marrë parasysh. Ai e pranon se nuk kanë pasur bashkëpunim të mirë me KFOR-in dhe EULEX-in të cilat sipas tij kanë dështuar në disa raste.
Bajram Rexhepi, ministër i Brendshëm e ka marrë me qetësi afatin kohor që ia ka dhënë Komisioni i punëve të brendshme, për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.
Në një intervistë dhënë KTV-së, Rexhepi ka deklaruar se nuk është komisioni në fjalë ai që i cakton atij afate dhe atij, thotë se nuk e ka obligim t’i japë përgjegjësi.
I shumëkritikuari i kohës së fundit thotë se ende nuk ka asgjë zyrtare nga Komisioni..., por nëse ka rekomandime të zbatueshme do t’i marrë parasysh ato, kurse llogari thotë se i jep vetëm kryeministrit.
Rexhepi ka pranuar se kohët e fundit nuk kanë pasur bashkëpunim aq të mirë me KFOR-in dhe EULEX-in, të cilat sipas tij kanë dështuar në disa raste.
Ai ka një shpjegim edhe për atë se pse nuk ka pika statike të policisë në veri.
Rexhepi thekson se policia patrullon në atë pjesë, derisa vendosjen e kontejnerëve e ka quajtur punë teknike.
Ndërkohë të shtunën në lagjen “Tre rrokaqiejt” në veri janë vënë re masa të shtuara të KFOR-it, të cilët kanë patrulluar në të pjesë të vendit.
Aty shihet se janë vendosur autoblinda të paqeruajtësve, gjë të cilën e kishin kërkuar edhe banorët e kësaj pjese.

Sparkes: Veriu drejt përshkallëzimit

Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes ka deklaruar se situata në veriun e vendit po shkon drejt përshkallëzimit. Ai ka kërkuar që banorët atje ta mbajnë qetësinë dhe t’u besojnë autoriteteve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, duke thënë se po vazhdojnë hetimet për ta ndriçuar rastin e vrasjes së Selver Haradinajt.
Ish- ambasadori britanik, tani zëvendësshef në EULEX, Andy Sparkes, në një intervistë për RTV21, ka mohuar që EULEX-i të ketë kontakte me strukturat ilegale, ndërkaq ka thënë që MUP-i i Serbisë nuk guxon të jetë i pranishëm në atë territor.
Ai vlerëson se situata në veriun e vendit vazhdon të jetë e tensionuar, me mundësi të përshkallëzimit, marrë parasysh incidentet e fundit. Ai deklaroi se çdo akt edhe më i vogli mund të provokojë situatën edhe ashtu të brishtë.
“Është e qartë se situata është shumë e tensionuar dhe të dyja palët janë nervoze dhe të brengosura për qëllimet e njëra tjetrës. Çdo akt edhe më i vogli mund të provokojë situatën, ndërkohë ka shumë spekulime dhe atmosfera është shumë e rëndë. Unë apeloi tek njerëzit që të mbajnë qetësinë dhe t’i besojnë autoriteteve përgjegjëse kosovare apo ndërkombëtare dhe të lejojnë që situata të qetësohet”, tha ai.
Situata, sipas tij, është duke u përshkallëzuar për shkak që njerëzit janë gjithnjë e më të brengosur dhe kjo mund të shpie tek ndonjë reagim i tepruar për shkak të incidenteve, gjë që mund të provokoi dhunë.
“Situatën duhet ta mbajmë të qetë dhe nën kontroll, shembull unë dëgjova thashetheme për një incident në Suhodoll dhe nëse kjo është e vërtetë nevojitet që sa më shpejt të hetohet rasti, kurse popullata duhet të mbajë qetësinë, ndryshe këto incidente mund të provokojnë ngjarje më serioze”, ka thënë Sparkes. /Telegrafi/
 

Kushtetuesja shqyrton ndryshimet kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës po i shqyrton ndryshimet kushtetuese të bëra nga Komisioni Parlamentar, i cili ka propozuar ndryshimet për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Kryetari Enver Hasani, tha se duhet të shikohet nëse ndryshimet janë në përputhje me të drejtat e njeriut. Sipas tij, parlamentit do t’i kthehet përgjigjja brenda afatit ligjor prej 60 ditësh.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani tha se duhet të shikohet nëse ndryshimet e propozuara nga Komisioni Parlamentar, për zgjedhjen e presidentit janë në përputhje me të drejtat e njeriut.
“Është në procedurë kërkesa e Kuvendit dhe ju e dini që me ligj ne kemi 60 ditë. Ajo çka mund të them është që është në procedim e sipër dhe brenda afatit kohorë do të vendosim”, theksoi ai, raporton RTK.
Hasani i bëri këto komente pas një takimi me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, Ernest Petric.
Takime të tilla kryetari Hasani ka zhvilluar kohëve të fundit edhe jashtë Kosovës dhe bëhen pak muaj para se të merret vendim për pranimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Gjykatën Evropiane.
Kosova nuk njihet ende nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian, por Hasani thotë që deri në shtator do të krijohet një situatë e favorshme politike për Kosovën dhe anëtarësimi në këtë institucion pritet të ndodhë.
“Këto anëtarësime dhe jo vetëm i Gjykatës Kushtetuese, por i çdo organizmi të Kosovës në rajon është çështje që nuk lidhet me juridiksionet tona, por me proceset politike që zhvillohen përreth dhe rreth Kosovës. Besoj që do të jetë më e lehtë deri në shtator, do të ketë më pak paragjykime rreth statusit tonë atje dhe unë shpresoj për të mirë”, theksoi ai.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, Ernest Petric, tha se vizita e tij gjatë së shtunës në Kosovë flet për marrëdhëniet e mira ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës, respektivisht këtyre dy Gjykatave.

Serbia arrestoi edhe një shqiptar në Merdar

Në vend kalimin kufitar në Merdar policia e Serbisë sot ka arrestuar Mark Kasnetin, i cili, sipas palës serbe, dyshohet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kryer krime mbi civilët serbë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq i tha Tanjugut se Kasneti është përgjegjës për krime lufte ndaj serbëve në Kosovë në vitet ’90.
“Ky nuk është nj arrestim mbi baza nacionale. Bëhet fjalë për një të dyshuar për krime lufte ndaj civilëve, për fajësinë e tij do të tregojë procesi i mëtejmë”, ka thënë Dacic, transmeton Tanjugu.
Sipas ministrit serb, policia e ka arrestuar Kasnetin në autobus.

Ndërsa zëvendësi i prokurorit për krime lufte, Bruno Vekaric, ka konfirmuar se Kasneti është arrestuar në Merdar dhe “ai dyshohet se si pjesëtar i UÇK-së, gjatë viteve ’90 ka kryer krime lufte ndaj civilëve serbë në Kosovë”.
Sipas tij Kasneti gjatë ditës do të dërgohet në Gjykatën Speciale në Beograd, ku do të merret në pyetje nga prokurori, kurse gjykatësi i procedurës paraprake do të vendos për masën e arrestit.

“Lëndën kundër Kasnetit e kemi formuar në bazë të fotografive që kemi marrë ndaj të dëmtuarve dhe në atë mënyrë kemi konstatuar përgjegjësinë e tij potenciale”, tha Vekaric.

Dorëzohet Bayerni

Bayern Munichu ka luajtur pa gola përballë Mainzit në Allianz Arena.
Bavarezët luajtën më mirë gjatë gjithë ndeshjes, megjithatë nuk arritën ta thyejnë mbrojtjen mysafire.
Pas kësaj ndeshjeje, Bayerni mbetet tetë pikë prapa Borussia Dortmundit, që me fitore në xhiron e ardhshme do të shpallet kampion edhe matematikisht.

Adebayor e dëshiron Kupën FA

Sulmuesi i Tottenhamit, Emmanuel Adebayor, dëshiron ta eliminojë Chelsean nga gjysmëfinalja e Kupës FA.
Togolezi mban mend eliminimin nga Blutë, pikërisht në gjysmëfinale kur luante për Arsenalin (2009), ndërsa tani shpreson në sukses.
“Paraqitja ime e vetme në Wembley deri më tani është ajo humbja 2-1, prandaj kujtimet e mia nuk janë të mira. Por kjo është një ndeshje e re dhe ne duam ta fitojmë”.
“Futbolli ka të bëjë me fitimin e trofeve dhe ato janë momente në jetë të cilat mund t’i kujtosh me krenari”, ka deklaruar Adebayor. 

Branca: Interi nuk do të kualifikohet në LK

Drejtori teknik i Interit, Marco Branca, mendon se Nerazzurrët nuk do të arrijnë të zënë një vend që çon në Ligën e Kampionëve.
“Me gjithë sinqeritetin, nuk mendoj se jemi në garë për Ligën e Kampionëve”.
“Krejt çfarë mund të them është se do të bëjmë më të mirën deri në fundin e hidhur”, ka thënë Branca për Udinese Channel.
Zikaltrit aktualisht janë gjashtë pikë prapa pozitës së tretë, të cilën e mban Lazio.

Ora e mençur e Sonyt

Sony zyrtarisht paraqiti orën e vet “të mençur” të dorës e cila shfrytëzuesve do të duhej të ia mundësoj komunikimin me telefonin e bazuar në Android.
Sony SmartWatch ia mundëson shfrytëzuesve marrjen e informatave më të fundit në rrjetat shoqërore si dhe të mesazheve tekstuale, dhe manipulimin me muzikën dhe thirrjet drejtpërdrejtë nga ora. SmartWatch lidhet me telefonin mobil përmes Bluetoothit për të mundësuar komunikimin dhe menaxhimin me funksionet e telefonit mobil.
Ora është e pajisur me ekranin OLED të ndjeshëm në prekje me diagonale prej 1.3 inç, ndërsa do të shitet me rripin e zi nga goma, por janë në dispozicion edhe ngjyrat tjera, duke përfshirë të bardhën, vjollce, mint dhe të kaltër. Për të ia komunikuar shfrytëzuesin për një thirrje ose ndonjë gjë tjetër, ora vibron, e një mbushje e baterisë do të duhej të mjaftoj për katër orë punë. Gjithashtu theksohet se është e qëndrueshme ndaj pluhurit dhe lagështisë.
Çmimi i SmartWatch në SHBA është 150 dollarë. 

Polici punëtor (Video)

Një polic i përkushtuar vietnamez ka refuzuar ta lejojë largimin e autobusit, vozitësi i të cilit vendosi të largohej dhe të mos paguante dënim për parkim të gabuar.
Ai është kapur për fshirëset e xhamave dhe me këmbë ka hipur në parakolpin e autobusit, i cili ishte në lëvizje.
Polici Nguyen Manh Phan është xhiruar i ngjitur në autobus, ndërsa ka kërkuar nga udhëtarët që ta thërrasin policinë.
Vozitësi i autobusit është arrestuar për mosrespektim të ligjit dhe mund të dënohet me tre vite burg. I njëjti, më herët ka vuajtur katër vjet burg, pasi ishte shpallur fajtor për një aksident trafiku me pasojë vdekjen.

Nuk ka ndeshje në Itali

Pas vdekjes tragjike të Piermario Morosinit, të gjitha ndeshjet e kësaj fundjave në Itali (duke përfshirë edhe ato në Serie A) janë anuluar.
Federata Italiane e futbollit ka marrë vendim që të gjitha ndeshjet të caktohen për një datë tjerë, për të nderuar jetën e lojtarit të Livornos, i cili ndërroi jetë si pasojë e arrestit kardiak.
Fillimisht u mendua se ndeshjet do të zhvilloheshin me një minutë heshtje, mirëpo drejtori gjeneral i FIGC, Antonello Valentini, ka konfirmuar se nuk do të ketë futboll në Itali këtë vikend. 

Qeveria: Nuk kemi trajnuar shërbyes civilë në Dubai

Qeveria e Kosovës ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar në disa media në Prishtinë, se "kinse Qeveria ka ndarë mjete nga buxheti i vendit për trajnimin e shërbyesve civilë të Kosovës në Dubai".
"Një ofertë e një kompanie, që është dërguar në imejllat zyrtarë të qeverisë, është refuzuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe si e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me qasjen dhe politikat e qeverisë për ngritjen e mëtejme të kapaciteteve profesionale të shërbimit civil të Kosovës", thuhet në komunikatën e ekzekutivit.
Përmes saj, Qeveria ka vlerësuar se "misioni i informimit të opinionit publik është një mision jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e gjithmbarshëm demokratik të vendit.
"Në këtë kuadër, çdo lajm i pavërtetë dhe si rrjedhojë çdo keqinformim i qytetarëve të Kosovës e dëmton seriozisht besueshmërinë e mediave dhe rolin e tyre në shërbim të avancimit të punës së institucioneve të vendit", thuhet në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare të Kryeminisitrit të Kosovës.

Vdes në fushë futbollisti i Livornos (VIDEO)

Mesfushori i Livornos, Piermario Morosini, ka pësuar një atak kardiak dhe ka vedkur gjatë ndeshjes së ekipit të tij ndaj Pescaras në kuadër të Serie B në stadiumin Stadio Adriatico.

25 vjeçari u rrëzua në fushë në minutën e 33-të dhe stafi mjekësor menjëherë ndërhyri për t’i bërë masazh kardiak tashmë të ndjerit.

Ndeshja është ndërprerë dhe Morosini u largua nga stadiumi me ambulancë në gjendje të komas, para se të ndërronte jetë.

Besohet se vdekjen e Morosinit mund ta ketë shkaktuar një vonesë e dërgimit të tij në spital, si shkak i ngarkesës në komunikacion, një lajm i pakonfirmuar ky ende nga mediat italiane.


Dortmundi pranë titullit

Dortmundi është shumë pranë që ta mbrojë titullin e kampionit të Gjermanisë, pas fitores me rezultat 2-1 ndaj Schalkes në Veltins Arena të Gelsenkirchenit.
Pjesa e parë filloi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi me anë të Jefferson Farfan (9’).
Dortmundi u kthye në lojë dhe barazoi në minutën e 17-të me anë të Lukasz Piszczek për 1-1.
Në pjesën e dytë titullin Dortmundit ia siguroi Sebastian Kehl (63’), i cili shënoi për 2-1 dhe fitoren e mysafirëve në derbin e Ruhrit.
Me këtë fitore Dortmundi ka 72 pikë në tabelë, nëntë pikë më shumë se Bayerni që pas pak takohet me Mainzin në Allianz Arena.

HTC prezanton modelet Dragon

Prodhuesi më i famshëm tajvanez i telefonave të mençur mobil, HTC, sot ka prezantuar në tregun kinez modelet e reja të linjës HTC Dragon.
Kjo seri e telefonave mobil nga HTC ishte paralajmëruar në Kongresin Botëror Mobil në Barcelonë, në të cilën drejtori ekzekutiv i HTC, Ren Weiguang, kishte thënë se këto modele janë dedikuar për tregun kinez, përkatësisht operatorët mobil kinez, si China Mobile, China Unicom and China Telecom. 
Modelet e reja të telefonave HTC Dragon, përfshijnë ekranet e ndjeshme në prekje me 4 inç, 800 x 400 piksel, kamerën me 5 mega-piksel, procesorin me 1GHz, 512GB RAM, Android + Sense 4.0A, ndërsa telefonat mbështesin edhe Beats Audio, dhe versionin e ri të Android, Ice Cream, Sandwich.

Si është dhe si do ta bëjnë kinezët...

Ky Hotel, projekti i të cilit të magjeps është duke u ndërtuar në fushën e një oxhaku të vjetër guri me thellësi 100 metra që ndodhet rrëzë malit të Perëndisë, 50 km larg Shangait në Kinë.
Hoteli i cili përbëhet nga 19 kate, 16 nëntokë dhe 3 sipër, rrethohet nga ujëvara, një liqen i vogël, dhe parqe të mëdha me pemë.
Në hotelin me 380 dhoma nuk do të mungojë as një restorant nënujor.
Çmimi për një natë në këtë hotel, që pritet të përfundojë në vitin 2014-2015, fillon nga 320 dollarë. 

Kreu i Kushtetueses sllovene në Prishtinë

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, priti sot kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Sllovenisë, Ernest Petric dhe dy gjyqtaret e kësaj gjykate, Etelka Korpic - Horvat dhe Jasna Pogacar.
Gjatë takimit me homologun slloven, Hasani bëri një paraqitje rreth punës së deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke nënvizuar rolin e saj si garantues i respektimit të Kushtetutës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi në mes të dy gjykatave do të vazhdoj të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen, duke pasur në fokus shkëmbimin e përvojave dhe ideve në fushën e gjyqësisë kushtetuese.
Nga ana e tij, kryetari Petric u zotua për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy institucioneve simotra dhe shprehu dashamirësinë për anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Këshillin e Gjykatave Kushtetuese të Evropës.

Amerikanët zhbllokojnë fshatrat shqiptare në veri

Ushtarët e kontigjentit amerikan të KFOR-it, që janë të vendosur në veriun e Kosovë, të shtunën rreth mesditës kanë marr një aksion për të liruar rrugën që shpie për në tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit - Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë e Vllahi.
KFOR-i që nga mesdita është duke i larguar barrikadat, të cilat 48 orë më parë i kishin vendosur grupet serbe, duke bllokuar tërësisht banorët shqiptarë të Leposaviqit.
Heqjen e barrikadave të vendosura nga grupe serbësh dy net më parë e ka konfirmuar edhe Behxhet Hetemi, banor i fshatit Bistricë. “Na dolën në ndihem ata që kemi shpresuar, pra KFOR-i amerikan”, ka thënë Hetemi, transmeton Koha.net.
Largimin e barrikadave nga ane e KFOR-it në rruga, që të shpie për tri fshatra shqiptare të Leposaviqit, e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë.
“KFOR-i me makinerinë e tij është duke i larguar barrikadat, që janë vendosur nga grupe serbësh, në rrugën që të shpie për në tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
“ Deri më tani në atë pjesë, ku është duke punuar KFOR-i, situata është e qetë dhe nuk ka asnjë qytetar të tubuar atypari”, ka pohuar zëdhënësi i policisë.
Të premten, në orët e vona të pasdites, banorët shqiptarë të fshatrave në veri të Mitrovicës, që mbetën të izoluar nga barrikadat serbe, bashkërisht kanë ndërmarrë iniciativë për largimin e një barrikadë nga rruga e tyre. Por, për shkak të defektit në buldozer, u detyruan të heqin dorë nga qëllimi.

Fton për qetësi në veri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, u ka bërë thirrje për qetësi qytetarëve që jetojnë në veri të Mitrovicës, duke u kërkuar atyre të mos lejojnë çfarëdo manipulimi.
ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Jozef Hllep, Petrovic ka theksuar rëndësinë për mbështetjen e mekanizmave të sigurisë për mbajtjen e qetësisë në pjesën veriore të vendit.
“Shfrytëzoj edhe këtë rast të bëj thirrje, para së gjithash, për qytetarët që jetojnë në veri, që të jenë të qetë dhe të mos lejojnë asnjë lloj të manipulimit, që institucioneve të sigurisë t’u japim mbështetje, në mënyrë që sa më parë të tejkalohet problemi në veri. Ju e dini që në Republikën e Serbisë është vit i zgjedhjeve, që ato janë në zhvillim e sipër dhe sigurisht që edhe ato ushtrojnë ndikimin e tyre”, është shprehur Petrovic, transmeton Rel.
Komenti i tij vjen gati një javë pas një shpërthimi në veri të Mitrovicës, si pasojë e të cilit kishte vdekur një, ndërsa ishin lënduar disa persona të tjerë.
Sulmi është dënuar nga autoritetet vendore e ndërkombëtare, mirëpo autoritetet e rendit ende nuk kanë vënë para drejtësisë personat përgjegjës të këtij akti.
Në ndërkohë, përgjatë kësaj jave në veri të Mitrovicës qëndruan disa politikanë serbë në kuadër të fushatës për zgjedhjet serbe të 6 majit, mbajtja e të cilave në territorin e Kosovës është kundërshtuar ashpër nga Prishtina zyrtare dhe partnerët e saj ndërkombëtarë. 

Kurti: Për Mitrovicën të reagojmë si komb

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, thekson se rruga e vetme për të biseduar me Serbinë është aksioni mbarëkombëtar. Sipas tij, çdo lëshim apo luhatje do të sillte pasoja fatale dhe një dëm të madh historik. Me Mitrovicën, sipas tij, sot është në provë shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar.
“Çdokush që është sjellë mirë me Serbinë, prej politikanëve shqiptarë, e ka bërë Serbinë më të keqe. As nuk është e drejtë dhe as e dobishme që t’i bëjmë koncesione Serbisë. Shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë në funksion të faktorizimit të kombit shqiptar në Ballkan. Të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, kanë kontribuar për Republikën e Shqipërisë dhe më vonë për Republikën e Kosovës. Ndaj, këto dy shtete ua kanë borxh ndihmën e pakursyer të gjithë shqiptarëve, kurdoherë që u shkelen të drejtat”, kanë thënë Kurti për gazetën Shekulli.
Sipas tij, koncesionet që po i bëhen Serbisë në dialog, tani po pasohen edhe me indiferencën ndaj sulmeve terroriste të saj. Andaj, mendon Kurti, shqiptarët duhet t’i kthehen vetes, “në mënyrë që të forcohemi dhe me Perëndimin të krijojmë marrëdhënie partneriteti e jo servilizmi”. 

Rikthehet kolona dhe pritjet e gjata në Merdar

Pritjet e gjata të automjeteve që ia kishin mësyrë pikës kufitare në Merdar për të hyrë në Serbi, kanë vazhduar të shtunën, pas normalizimit të gjendjes në fillim të javës, kur kishte pasur pritje të ngjashme. Qytetarët që udhëtojnë nëpërmjet kësaj pike kufitare për në shtetet perëndimore, por edhe ata që bartin mall me kamionë, janë ankuar se kanë pritur që nga mëngjesi dhe se ende nuk kishin kaluar në pjesën serbe për të vazhduar udhëtimin. Zyrtarët policor, kishin paralajmëruar se kolonat e pritjeve do të rikthehen në fundjavë për shkak të kthimit të mërgimtarëve në vendet perëndimore.
Mexhid Sadiku ka qenë njëri nga udhëtarët që bashkë me gruan dhe dy fëmijët po prisnin që nga mëngjesi në kolonën e gjatë disa kilometra për të kaluar pikën kufitare në Merdar, drejt një shteti perëndimor. “Qe 5 orë jam duke pritur në kolonë dhe ende nuk kam kaluar në pjesën serbe për kontroll të dokumenteve. Sigurisht se edhe 2 orë të tjera do të presim këtu derisa ta kalojmë këtë kufi”, ka thënë Mexhidi, i cili ishte nisur në orën 08:00 nga Vushtrria.
E shoferët e kamionëve me mall janë ankuar se pritjet për ta janë gjatë tërë javës si në hyrje, ashtu edhe në dalje.
Edhe zyrtarët policorë të Kosovës kanë njoftuar se që prej orës 08:00 të ditës së shtunë kur kishin filluar ndërrimin, është e njëjta gjendje. “Kjo gjendje është prej orës 08:00 kur e kemi filluar punën. Pritjet janë kryesisht nga 5 deri në 6 orë. Arsyet janë të njëjta. Pala serbe nuk mërzitet të shtojë kapacitetet edhe kur ka udhëtarë shumë. Në pjesën tonë po punohet normalisht dhe se sikur edhe pala serbe këtë ta bënte me kapacitetet më të mëdha, sigurisht se nuk do të kishte kolona as pritje”, ka thënë një zyrtar policor, që nuk ka dashur t’i përmendet emri.
“Ka pasur shumë edhe autobusë që kanë shkuar për në vendet perëndimore dhe ka plot prej tyre që janë me letërnjoftime dhe procedurat e regjistrimit të tyre sigurisht se zgjasim më shumë”.

Kosova pa energji elektrike të mjaftueshme

Edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, furnizimi i rregullt me energji elektrike mungon në Kosovë. Ekspertë të fushës së energjisë vlerësojnë se një problemi i tillë ishte zgjidhur shumë më herët sikur autoritetet kosovare të ishin më të përgatitura dhe të dinin t’i shfrytëzonin resurset natyrore që ka vendi.
 Eksperti i energjetikës, Et’hem Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova në nivel evropian, dhe po ashtu radhitet lart edhe në nivel botëror me pasuri të mëdha në fushën e linjitit plumbit, zinkut, arit dhe argjendit, por që këto resurse, siç thekson Çeku, po mbesin të pashfrytëzuara. “Kosova i posedon këto resurse të mëdha natyrore, por fatkeqësisht këto resurse nuk po mund të hyjnë në favorin e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe këto resurse sikur po na mallkojnë që vendi ynë të mbetet vend i varfër dhe qytetari ynë në shekullin XXI të përballet me mungesë të energjisë elektrike”, thotë Çeku.
Pavarësisht të gjitha këtyre kritikave për mungesë të energjisë elektrike, që ekspertët e energjetikës i kanë bërë me vite radhazi, në Korporatën Energjetike të Kosovës, thonë se furnizimi me energji elektrike nuk mungon. Sipas tyre, gjatë pesë javëve të fundit të gjithë qytetarët e Kosovës janë furnizuar rregullisht me energji elektrike pa pasur reduktime.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se aktualisht nuk ka reduktime me energji elektrike për asnjë kategori. “Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike tash e 5 javë, nuk ka reduktime në as një cep të Kosovës, për asnjë kategori. Kategorizimi ABC momentalisht është pasiv, kjo si pasojë e mbulimit të kërkesës nga prodhimi vendor që po bëhet. Kemi katër njësi në prodhim që po e mbulojnë kërkesën”, deklaron Buzhala.
Buzhala thekson se Korporata Energjetike e Kosovës është e përkushtuar që të mos ketë reduktime të energjisë elektrike. “Aktualisht, nuk ka reduktime për asnjë kategori dhe po flasim për një periudhë afatgjate. KEK-u është i përkushtuar që të vazhdojë ta përmirësojë furnizimin me energji elektrike nga dita në ditë, nga java në javë, nga viti në vit - e ka bërë dhe po e bën”, thekson Buzhala.
Pavarësisht kësaj deklarate të zëdhënësit Buzhala, të premten në një komunikatë për media të lëshuar nga KEK-u, thuhet se për shkak të disa problemeve teknike kanë mbetur pa energji elektrike disa lagje në kryeqytet.
Ndryshe, pasiguria në furnizimin e energjisë vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë. Ekspertët e energjetikës thonë se pa ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit të shumëpërfolur Termocentrali “Kosova e re”, vështirë se do të mund të shkarkohet vendi nga mungesa e energjisë elektrike.
Et’hem Çeku thekson se jostabiliteti energjetik dhe pasiguria për furnizim stabil, i ka shkaktuar dhe vazhdon t’i shkaktojë pasoja negative vendit. “Unë mendoj se janë dy probleme të mëdha, kemi një klasë qeverisëse, e cila nuk është e përgatitur për sfidat zhvillimore në konceptin ekonomik të vendit dhe, po ashtu, edhe një pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë sikur janë larg këtyre proceseve dhe Kosova gradualisht është shndërruara në blerës më të madh të energjisë elektrike nga vendet e rajonit”, vlerëson Çeku.

‘Më vështirë ta ndalësh Messin sesa Ronaldon’

Mbrojtësi i Levantes, Sergio Ballesteros, mendon se është shumë më vështirë të ndalet Lionel Messi, sesa Cristiano Ronaldo.
“Të dy luajnë me shpejtësi të madhe, por ndoshta Messi është më vështirë të ndalet, sepse ai e mban topin të ngjitur për këmbe dhe asnjëherë nuk di nëse duhet të presësh ose të ndërhysh... Ai mund të të kalojë gjithmonë”, ka thënë Ballesteros për Sport.
Ai e ka lëvduar edhe skuadrën aktuale të Barcës duke e konsideruar si njërën nga më të mirat në histori.
Levante pret Barcelonën të shtunën mbrëma në Estadio Ciudad de Valencia. 

Tri gola Tevez, dy pikë larg United

Manchester City e ka demoluar Norwichin në transfertë me rezultat 6-1, për të vazhduar kështu luftën për titull të kampionit në Ligën Premier.
Manchester City e filloi takimin duke e dominuar, por as vendasit nuk mbetën prapa dhe rrezikuan portën mysafire disa herë, duke detyruar mbrojtësit që të intervenojnë në vijën fatale.
Sidoqoftë, pak i interesuar për rastet e Norwichit ishte Carlos Tevez, i cili me një projektil nga 28 metra hapi serinë e golave (18’) për 1-0. Rezultatin në pjesën e parë e dyfishoi Sergio Aguero (27’), i cili dhe mbeti i tillë pas 45 minutave të para.
Në pjesën e dytë me t’u inkuadruar në lojë Andrew Surman shënoi për 2-1, duke u dhënë shpresa tifozëve për një rezultat pozitiv.
Sidoqoftë, përsëri i pa interesuar ishte Carlos Tevez, i cili përfundoi dilemën e fituesit (73’) për 3-1. Golin e dytë të takimit për 4-1 e shënoi Aguero (75’), kurse hettrikun e tij në këtë takim e kompletoi Tevez për 5-1 dhjetë minuta pa përfunduar takimi. Për rezultatin përfundimtar të këtij takimi prej 6-1 shënoi Andrew Johnson në minutën e dytë të shtesës.
Me këtë fitore Manchester City ka në vendin e dytë në tabelë 77 pikë, dy pikë më pak se sa Manchester United që të dielën e pret në Old Trafford Aston Villën që po lufton për mbijetesë. 

Liverpooli në finale të FA Cup

Liverpooli ka arritur të realizojë rikthim sensacional ndaj rivalit të përbetuar, Evertonit, duke arritur ta fitojë sfidën e zhvilluar në Wembley me rezultat 2-1.
Ndeshja ishte interesante që nga fillimi, me Evertonin që kishte dominimin e pjesshëm në periudhën e parë. Në vazhdim të takimit Nikica Jelavic (24’) arriti që ta kalojë Evertonin në epërsi që ishte dhe rezultati i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Liverpooli shtrëngon dhëmbët dhe arrin deri te golat. Luis Suarez (62’) barazoi shifrat në 1-1 dhe mbajti në lojë për finale The Reds.
Kur të gjithë menduan se do të shohim vazhdime, i këtij mendimi nuk ishte Andy Carroll (87’), i cili pas asistimit të Craig Bellamys arriti të shënojë me kokë për 2-1 dhe fitoren e Liveproolit në këtë takim.
Liverpooli me këtë fitore kualifikohet në finale të FA Cup, ku do të presë fituesin e gjysmëfinales tjetër Tottenham – Chelsea. Kjo finale i jep mundësinë klubit nga Anfield që ta fitojë trofeun e dytë këtë sezon, pas triumfit në Carling Cup.

Noga të lansojë nesër klipin dhe albumin e ri

Tinejxheri nga Prishtina, Noga beatbox, do të lansojë të dielën albumin e ri të tij, të cilit dhe do t’ia bashkangjesë edhe videoklipin e këngës “Ku Je” në bashkëpunim me Andin Randobravën.
Kënga “Ku Je?” bën pjesë në albumin e ri të Nogës, “Unstopable” i cili do të promovohet për publikun në diskotekën My Pub në Prizren. Albumi do të përmbajë 11 këngë dhe në të do të ketë bashkëpunime të shumta me yjet e estradës, të cilat Noga deri tani ka refuzuar t’i zbulojë pasi dëshiron ta befasojë publikun dhe fansat e tij.
Albumi “Unstopable” vjen një vit pas lansimit të albumit “Souljah” dhe duke marrë parasysh suksesin që ka pasur “Souljah”, mbetet të shihet nëse albumi i ri do të jetë i kategorisë së njëjtë.
Pos tjerash në albumin e ri është dhe kënga “Këtë natë” po ashtu në bashkëpunim me Andin Randobravën, këngë e cila u lansua kohë më parë dhe që ka arritur të rrëmbejë zemrën e publikut. 

One Direction shesin një milion kopje

Kënga debutuese e bendit britanik One Direction, “What Makes You Beatiful”, ka shitur më shumë se një milion kopje në SHBA që prej lansimit të grupit të djemve në turne javë më parë.
Djemt e njohur britanik të cilët arritën famën pas paraqitjeve në X Factor, janë bërë yje të mëdha në SHBA dhe me këngën e parë të tyre kanë arritur të shesin hiç më pak se 1 milion e 200 mijë kopje.
“Që të organizojmë koncertin tonë në një vend ku kanë performuar legjendat e muzikës, ata të cilët jemi rritur duke i dëgjuar, sigurisht se është ëndërr e realizuar për ne”, ka thënë një prej antarëve Niall Horran për performancën e tyre në Madison Square Garden.

Serbët vazhdojnë... në rrugë “alternative”!

Serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë t’i shfrytëzojnë rrugët alternative, pavarësisht se ato cilësohen si vendkalime ilegale – si nga institucionet e Kosovës, ashtu edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë.
Këtë e pohojnë edhe politikanët serbë të Kosovës, ndonëse pikëpamjet e tyre lidhur me këtë çështje janë të ndryshme.
Marko Jaksic, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shfrytëzimi i rrugëve alternative nga serbët – e jo i vendkalimet kufitare legale 1 dhe 31 – bëhet si reflektim i refuzimit të tyre për ta njohur shtetin e Kosovës.
Ndërsa, Randjel Nojkic, politikan serb nga Kosova qendrore, thotë se rrugët alternative gjithnjë e më pak po shfrytëzohen nga qytetarët serbë. Sipas tij, shfrytëzimi i rrugëve alternative është ilegal, sidomos pas marrëveshjes për qarkullim të lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Para se gjithash ato (rrugët alternative) i shfrytëzojnë disa grupe ekstreme dhe disa liderë të cilët po përpiqen të tregojnë se si serbët e veriut nuk dëshirojnë t’i shfrytëzojnë vendkalimet kufitare legale”, thekson Nojkic.
Mundësinë që rrugët ilegale të shfrytëzohen për kontrabandë të mallrave, këta politikanë serbë e shohin në mënyra të ndryshme.
“Kontrabanduesit për serbët dhe Serbinë nuk ekzistojnë, duke pasur parasysh se serbët ndaj shtetit të tyre i kryejnë të gjitha obligimet e mundshme ligjore... Sa i përket shtetit të Kosovës, kjo është një çështje tjetër. Serbët nuk kanë ndonjë obligim ndaj tij”, shprehet Jaksic.
Nojkic mendon ndryshe.
“Mendoj se kjo (kontrabanda) ndodh gjithmonë e më pak. Ndoshta në sasi shumë të vogla. Përndryshe, sa u përket sasive të mëdha, jam krejtësisht i sigurt - dhe këtë e kam parë me sytë e mi - se xhandarmëria serbe nuk e lejon asnjë kamion që të kalojë nëpër ato vendkalime”, thotë ai.
Zyrtarët e KFOR-it ditë më parë kanë paralajmëruar se do t’i mbyllin të gjitha rrugët alternative dhe ilegale në veri të Kosovës, në kufirin me Serbinë. I kontaktuar nga REL, zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowitzki, nuk deshi të japë sqarime se çfarë është duke bërë KFOR-i në këtë drejtim.
“Nuk flasim për qasjen tonë operacionale. Porta 1 dhe 31 - si pika zyrtare kufitare - janë të hapura. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i përdorin ato për kalim”, u shpreh Nowitzki.
Që nga vera e vitit të kaluar - pas vënies nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 nga ana e institucioneve të Kosovës - serbët në vazhdimësi i kanë shfrytëzuar rrugët ilegale në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Ferguson: Dështimet kritikohen nga tifozët

Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ndjen se tifozët do ta kritikonin dhe ndoshta do të kërkonin largimin e tij në rast të rezultateve të dobëta të ekipit.
“Mendoj se po. Ata do të kërkonin përgjegjësi. Është një ndryshim i shoqërisë në ditët e sotme. Unë kam folur disa herë për fotografinë kontraverse në fushë kur u luajt United - Leeds dhe në prapavijë tifozët ishin pasivë. Kjo sot nuk do të ndodhte”.
“Ne bëmë mirë që pushuam Scholesin të mërkurën. Nuk është dukur e mirë kjo për tifozët pas disfatës, por pasi kemi ndeshje tjetër tri ditë më vonë, mendoj se kemi bërë gjënë më të mirë duke pushuar Scholesin”, ka potencuar Ferguson. 

Maradona: Bayerni do ta mposhtë Realin

Legjenda argjentinase, Diego Maradona, ka kritikuar klubet evropiane dhe ka parashikuar që Bayerni i Munichut do ta tejkalojë Real Madridin në gjysmëfinale të Ligës së Kampioniëve.
Argjentinasi i cili është dhe mik i ngushtë i Jose Mourinhos, trajnerit të Realit, e sheh Bayernin e Munichut në finale pas dy ndeshjeve që do të zhvillohet në dy javët e ardhshme.
“Në rastin e Bayernit, klubi është 9% në pronë nga Adidas, 9% nga Audi, 82% nga partnerët dhe aksionerët e tjerë. Bayerni është një kompani aksionare private, ku tifozët janë bosat e vërtetë. Për këtë arsye klubi mund të shpenzojë aq sa fiton dhe sukseset vijnë në fushë dhe në fushën e marketingut”.
“Finalja në mënyrë aksidentale do të luhet në Allianz Arena, shtëpinë e Bayernit të Munichut, e ku bavarezët janë favoritë për të fituar ndaj Barcelonës”, ka deklaruar Maradona.

Forlan: Ende s’keni parë Forlanin e vërtetë

Sulmuesi i Interit, Diego Forlan, ka deklaruar se ai ende nuk ka arritur të adaptohet te gjiganti italian, por thotë se së shpejti të gjithë do të shohin se kush është ai.
“Njerëzit nuk e kanë parë ende Forlanin e vërtetë që prej ardhjes time te Interi. Unë mezi pres të bëj më mirë, kështu edhe tifozët. Unë jam i lumtur në klub, më pëlqen qyteti dhe tifozët kanë qenë të mirë me mua”.
“Ky ka qenë sezon i vështirë për shkak të lëndimeve të mia dhe rezultateve të klubit. Nuk dua të largohem nga Interi në këtë moment, më pëlqen sfida. Unë gjithmonë e kam dashur Interin dhe tani kam rastin për të bërë mirë. Dua të qëndroj dhe të luaj mirë”, ka thënë Forlan. 

Beyonce i shkruan letër respekti Michelle Obamës

Pop ylli, Beyonce, e cila konsiderohet si “Zonja e Parë e Pop muzikës” i ka shkruar një letër të hapur Zonjës së Parë të SHBA-ve, Michelle Obamës, ku ka shprehur admirimin dhe respektin për të.
Letra e cila ishte skanuar dhe postuar në web faqen e Beyonces, e përshkruan zonjën Obama si shembull ultimativ të një femre të fortë amerikane.
Më tej Beyonce e përshkroi zonjën Obama si një nënë të mirë, një grua e dashur dhe në të njëjtën kohë një zonjë e parë e jashtëzakonshme.
Nuk është e rastësishme që Beyonce ka shfaqur admirim të tillë ndaj Michelle Obamës.
I pyetur së fundmi edhe presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, se cili reper i pëlqen më shumë, Jay-Z apo Kanye West, Obama pa problem u përgjigj se Jay-Z atij i pëlqen më shumë sepse Kanye West ka sjelljet e gomarit.

20 vite nga Windows 3.1

Edhe pse Windows 3.1 jo vetëm se nuk ishte SO i parë me ndërfaqe grafike në PC dhe në botën kompjuterike në përgjithësi, ai nisi erën e cila po zgjat ende dhe është më meritori për rritjen e rrufeshme të Microsoftit si gjigant softuerik.
E vërtetë është se këtë rritje në kohë të fundit ka kompani që e tejkalojnë, pikësëpari Apple, por kjo nuk e minimizon rëndësinë e Windows 3.1 – që ishte Windowsi i parë që gjeti përdorimin në shkallë të gjerë dhe i pari me popullaritet të lartë.
Ishte ky sistemi i parë operativ i Microsoftit për kompjuterët PC i cili kishte shfuqizuar kompatibilitetin me “real mode” të procesorëve (8086/8088), të cilin e përkrahnin Windowsët e mëhershëm. Në vend të kësaj, ata punon në mënyrën e ashtuquajtur “standarde”, që ishte kompatibile me Intel 80286, respektivisht me 386-mode që përkrahej nga procesorët e klasës 80386 dhe ata kompatibil me atë.
Në PC ai solli edhe fontet TrueType të cilat vetëm një vit më herët kishte prezantuar Apple, pastaj Control Panelin, Regjistrin, OLE dhe shumë teknologji të tjera që edhe sot e kësaj dite janë pjesë e Windowsit. 

Bisedime për veriun do të ketë herët a vonë

Incidentet në Kosovë janë më të shpeshta. Serbët në veri të Kosovës e fajësojnë Prishtinën se kërkon një shtet brenda Serbisë, analistët thonë se Beogradi dëshiron të tregojë se veriut duhet t’i jepet status i veçantë.
Zyrtarët e Kosovës kanë paralajmëruar për mundësinë që Prishtina të ndërmarrë veprime në veri, të ngjashme me atë të 25 korrik të vitit të kaluar, kur është kryer aksioni për vendosjen nën kontroll të kalimit kufitar Bërnjak. Për Marko Jaksicin, një prej udhëheqësve politik të serbëve në veri të Kosovës, deklaratat e tilla janë luftënxitëse.
Jaksici thotë për DW se serbët duan të hetohet saktësisht se si ka ndodhur vrasja e Selver Haradinajt në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Ne jemi kundër të gjitha ekseseve dhe incidenteve. Ajo çfarë ka ndodhur tek ‘Tre Rrokaqiejt’ është për keqardhje, prandaj ne kërkojmë, dhe shumica e serbëve e kërkojnë këtë, që të zhvillohet një hetim i paanshëm. Përveç kësaj të shihet gjithashtu ajo çfarë po ndodh me serbët pikërisht për shkak të zgjedhjeve të ardhshme lokale, e kam fjalën për numrin e incidenteve që ndodhën në Deçan, në Prishtinë, pastaj arrestimi i serbëve në Viti. Të gjitha këto flasin thjesht për atë se autoritetet në Prishtinë dëshirojnë t’i kthejnë serbët në qytetarë të klasës së dytë dhe të krijojnë shtet aty ku nuk ka pasur”, thotë Jaksic.
Nga ana tjetër, analisti politik Nexhmedin Spahiu vlerëson për DW-në se incidentet e fundit në veri ndodhin sepse Beogradi dëshiron të tregojë se veriut duhet t'i jepet një status i veçantë. Ai megjithatë është kundër aksioneve të reja të autoriteteve në Prishtinë, të cilat do të ishin të rrezikshme për jetën e njerëzve.
“Në veri është e nevojshme që të vendoset rendi dhe ligji, d.m.th. të kapen kriminelët dhe të dërgohen para drejtësisë, por në asnjë mënyrë ndonjë aventurë e llojit të 25 korrikut, e cila solli vetëm viktima dhe përkeqësoi situatën, e asgjë të mirë. Unë mendoj se veprimi i 25 korrikut ka qenë si i porositur nga Beogradi dhe gjë më të mirë ata nuk do të mund të bënin për politikën që luan Beogradi në lidhje me Kosovën dhe veriun e Kosovës”.
Situata në veri, sipas mendimit të Jaksicit nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen e Beogradit e as ndaras nga pjesët e tjera të Kosovës.
“Qëndrimi ynë është se bisedimet duhet të zhvillohen nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në asnjë mënyrë në kuadër të Washingtonit dhe Brukselit”.
Analisti Spahiu vlerëson se për Veriun e Kosovës do të negociohet herët a vonë, por qeveria aktuale në Prishtinë nuk mund të jetë e suksesshme në zgjidhjen e situatës në veri. Spahiu shton gjithashtu se as të gjithë serbët nga veriu nuk mendojnë njëjtë.
“Kundër janë më shumë disa faktorë politikë, të cilët nuk lejojnë të arrihet një marrëveshje, përkatësisht tek një bashkëjetesë paqësore ndërmjet të gjitha bashkësive etnike në këtë rajon”, thotë Spahiu.

Robinho dëshiron të kthehet te Santosi

Presidenti i Santosit, Luis Alvaro Ribeiro, ka thënë se sulmuesi i Milanit, Robinho, mezi pret që të rikthehet te klubi brazilian.
28 vjeçari ka pasur një sezon frustrues te Milani duke shënuar vetëm nëntë gola në të gjitha garat këtë sezon. Rikthimi i tij te Santosi gjithmonë ka qenë i hapur, por tani presidenti i klubit brazilian vetëm sa ka shtuar spekulimet për një transfer.
“Mendoj se ekziston mudnësia që ai të mund të thotë ‘po’. Santosi dëshiron që kjo të ndodhë dhe kështu dëshiron edhe Robinho. Tani është në dorën e Milanit. Ne do të flasim me ta”, ka theksuar Ribeiro. 

Ronaldo të rinovojë kontratën?

Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, do të përballet me një zgjedhje të vështirë për të ardhmen e tij, pasi klubi mbretëror besohet t’i ketë ofruar superyllit portugez një super kontratë të re.
Mediat spanjolle raportojnë se Real Madridi ka në tavolinë ofertën për Ronaldon – një rinovim deri në vitin 2018 me përfitime prej 13 deri 15 milionë euro në sezon.
Cristiano Ronaldo vazhdimisht është lidhur me një rikthim te Manchester United dhe në asnjë moment nuk ka deklaruar se do ta rinovojë kontratën.
Superylli portugez ka shënuar 52 gola në të gjitha garat këtë sezon për Real Madridin dhe është në rrugë të mirë që të shpallet golashënuesi më i mirë në La Liga. 

Marotta: Del Piero do të largohet

Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, thotë se nuk ka gjasa që Alessandro Del Piero të qëndrojë te Zonja e Vjetër edhe një sezon.
“Del Piero është shembull. Nuk ka fjalë për të përshkruar atë që ai mund të bëjë në aspektin e emocioneve dhe paraqitjeve. Kampionët si Del Piero janë të rallë dhe është e pamundur që përnjëherë të gjejmë një futbollist sikurse ai. Na merr kohë për t’u bërë kampionë”.
“Kontratë e re? Ne nuk jemi të fokusuar në dinamikat e të ardhmes, ne jemi duke u përkushtuar për të tashmen. Tani për tani duam që të shndërrojmë ëndrrat në realitet”, ka deklaruar Marotta.

“Nuk kam menduar se ky Real do të ma thyejë rekordin”

Ish-trajneri i Real Madridit, John Toshack, ka thënë se ai ka menduar se rekordi i ekipit të tij mbretëror prej 107 golave në një sezon në La Liga në vitin 1990 nuk do të mund të thyhej kurrë.
Uellsiani udhëhoqi Los Blancos drejt titullit të La Ligas dhe atë me rekord të golave që mbetet i pa prekur edhe sot. Sidoqoftë, Real Madridi deri tani ka shënuar 104 gola në 32 ndeshje, ndërsa ekipi i Jose Mourinhos është shumë pranë rekordit të madh.
“Vite më parë unë u thosha miqve të mi dhe ish-kolegëve se rekordi prej 107 golave kurrë nuk do të thyhej, por ky është një ekip që ka gjithçka në duar të veta. Është e lehtë të thuash, por nuk është e lehtë ta arrish. Këto janë pothuajse 3 gola për ndeshje dhe Real Madridi e Barcelona janë ekipe mbi të gjitha të tjerat”.
“Atë vit kur thyem rekordin në La Liga ishim eliminuar në Ligën e Kampionëve nga Milani në tetor, kështu që kemi pasur më pak ndeshje. .Ne fituam kampionatin dhe mendoj se shënuam 16 gola në katër ndeshjet e fundit”, ka deklaruar Toshack.

‘Ringjallen’ Tupac dhe Nate Dogg

Sonte mbahet festivali Coachella, një prej festivaleve më të mëdha në botë, ndërsa ka pasur shumë fjalë për atë që kanë mundur të përgatisin dy prej reperëve elitarë, Snoop Dogg dhe Dr. Dre.
Reperët e lartpërmendur do të sjellin në skenë nga ‘varri’ dy reperët e ndjerë, legjendarin Tupac dhe Nate Dogg. Që të dy këta do të performojnë në skenën e festivalit si holograme, në atë që konsiderohet ribashkimi i gjithë krahut perëndimor të hip-hopit ‘West Coast’.
Nate Dogg vdiq vitin e kaluar pas një sëmundje, teksa Tupac është vrarë në Las Vegas në vitin 1996.
Besohet se edhe Eminem dhe Warren G do të jenë të pranishëm dhe do të performojnë në koncertin më të madh të repit të parë ndonjëherë. Artistët ishin të gjithë pjesë e ‘West Coast’, krah i hip-hopit ky i përfshirë në një luftë me rivalët e lindor ‘East Coast’ në vitet e 90-ta.
“Snoop Dogg dhe Dr. Dre duan që ky të jetë koncerti më i madh i hip hopit në histori. Teknologjia e hologramëve është shumë e përsosur. Mariah Carey e kishte përdorur këtë në një prej koncerteve të saj, por kurrë nuk është përdorur ashtu siç do të përdoret tani. Do të jetë fantastike, një prej festivaleve më të mira të të gjitha kohërave që do të mbahet mend një kohë të gjatë”, ka theksuar një burim.

2014 – mbi një miliard smartphone

Raporti i cili vjen nga analistët e një kompanie mjaftë të besueshme Credit Suisse, të cilët manipulojnë para dh të cilët nuk kanë zakon të gabojnë shumë kur ato janë në pyetje, thotë se këtë vit tregu i smartphoneve do të rritet për 46% në krahasim me vitin e kaluar dhe se do të shiten deri 690 milion sosh.
Nëse kjo ju duket shumë, ju themi se këto shifra janë të vogla në krahasim me parashikimin për vitin 2014 – atëherë sipas të njëjtit burim pritet të shiten 1.05 miliard copë.
Duhet cekur se përmbushja e këtij parashikimi varet nga tregu kinez i cili pritet të vazhdoj të rritet dhe deri më 2015 të përbëj 22% të tregut të smartphoneve.
Në raundin e njëjtë të parashikimeve Credit Suisse, për ndryshim nga shumë të tjerë, mendon se Nokia do të arrij të kthej lavdinë që e kishte dikur, dhe se vitin e ardhshëm do të filloj të kthehet në pozitat e mëhershme dhe se do të pushtoj krejtësisht 11% të mbarë tregut.
Parashikime të mira kanë dhënë edhe për Samsung dhe Huawei, ndërsa Motorola, HTC, Sony dhe RIM do të humbasin treg.

Fule: Kosova mbetet kusht për Serbinë

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, ka thënë se normalizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën, mbetet kusht politik për Serbinë që të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane.
I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë se cilat janë shanset që Serbia deri në fund të vitit të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE, Fule ka thënë se ky proces “mund të zgjasë një muaj, por edhe katër vjet”.
Diplomati evropian ka thënë se nuk është e precizuar saktë nëse fusnota për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale duhet të vihet para delegacionit të Prishtinës apo në dokumentet zyrtare të takimit të caktuar.
“Tani, gjatë fushatës zgjedhore në Serbi, ndoshta nuk është momenti i duhur që një gjë e tillë të precizohet, por menjëherë pas zgjedhjeve do t’i përkujtoj të dyja palët se çfarë saktësisht janë dakorduar – e jo secila nga to ta interpretojë marrëveshjen në mënyrën e vet”, ka thënë Fule.

SHBA: Inflacioni u ul gjatë marsit

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), inflacioni u ul pak gjatë muajit të marsit. Raporti i sotëm nga Departamenti i Punës thotë se çmimet u rritën 0.3 për qind në mars, një shifër pak më e ulët sesa ajo e muajit të kaluar.
Përveç sektorëve të paqëndrueshëm si ai i artikujve ushqimorë dhe energjia, çmimet në përgjithësi u rritën vetëm 0.2 për qind. Inflacioni i ulët i shton shanset që banka qendrore amerikane t’i mbajë përqindjet e interesave të ulëta siç janë aktualisht.
Interesat e ulëta kanë si synim të stimulojnë ekonominë duke ua bërë më të thjeshtë bizneseve që të marrin hua për të blerë pajisje, të ndërtojnë fabrika dhe të punësojnë.

Ju i lejuat

Zyrtarë ndërkombëtar të afërta me zhvillimet e fundit për ligjin e bankave, thonë se problemi nuk është të Ligji dhe Institucionet Mikrofinanciare, por të fakti se pse këto organizata u lejuan gjithë këto vite të realizojnë profit në mënyrë të paligjshme. Për këtë fajësojnë institucionet vendore. Ministri i Financave, Bedri Hamza, mohon që kjo ka qenë përgjegjësi e tyre.
 “Nuk është problemi të Ligji i ri për Bankat dhe Institucionet Mikrofinanciare. Por, te ajo se pse u lejuan gjithë këto vite OJQ’të të realizojnë profit nën statutin e institucioneve mikrofinanciare”.
Kështu i ka komentuar reagimet dhe kritikat rreth Ligjit për Bankat dhe Institucionet Mikrofinanciare një zyrtar i lartë ndërkombëtar në Kosovë, i cili është shumë i afërt me zhvillimet ekonomike në vend. Ai, në një bisedë për Express, ka thënë se si duket grupeve të caktuara po u konvenon që të çohet pluhur lidhur me këtë ligj, me qëllimin që të shmanget vëmendja nga esenca e këtij problemi.
“Nuk është problemi të ligji aktual, i cili e rregullon se si duhet të veprojnë institucionet mikrofinanciare në Kosovë. Problemi më i madh është nëse këto institucione deri tash e kanë respektuar ligjin në bazë të cilit kanë vepruar”, ka thënë ky zyrtar i lartë në kushte anonimiteti.
Edhe pse sponsorizues i Ligjit për Bankat dhe Institucionet Mikrofinanciare është Ministria e Financave, numri një në këtë ministri, Bedri Hamza, mohon që puna e institucioneve mikrofinanciare deri tash të ketë qenë përgjegjësi e dikasterit që ai drejton. Kjo më shumë ka qenë punë e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila edhe e mbikëqyr sistemin financiar në Kosovë.

Të privilegjuarit e PTK-së

Derisa Bordi i Drejtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës thonë se kanë të drejtë legjitime që të shfrytëzojnë veturat zyrtare dhe të marrin benificione nga kjo kompani publike të tjerat duket që nuk e kanë këtë privilegj. Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala thotë se kjo korporatë nuk ka përfitime të tilla.
 “Kompensimi bëhet në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrje Publike dhe vendimet e Qeverise. Nuk ka përfitime tjera”, është përgjigjur shkurt Buzhala.
Mirëpo, disa ditë më parë një kërkesë e Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, kishte dërguar një kërkesë në adresë të drejtorit të bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, në të cilën kërkohet kthimi i 320 mijë euro shpenzime që i ka bërë bordi për 3 vjet dhe që nuk ka qenë të parapara me ligj.
Kreu dhe anëtarët e Bordit çdo vit kishin marrë dhjetëra mijëra euro bonuse nga kompania publike, kishin shfrytëzuar vetura zyrtare dhe benificione të tjera, të cilat nuk parashihen me ligjin mbi ndërmarrjet publike. Kjo kërkesë nuk i kishte pëlqyer Gjonbalajt, e as shkrimi me titull “Rexhë, kthej 320 mijë euro” në gazetën “Zëri”.
Me këtë rast Bordi i Drejtorëve të PTK-së ka reaguar ndaj këtij shkrimi duke e quajtur shkrim tendencioz dhe të porositur. Ndërsa ka paralajmëruar padi ndaj gazetarit. “Thirrja publike e bërë nga gazetari për kthimin e 320 mijë eurove të imagjinuara nga vetë gazetari, sepse në realitet as që ka ndodhur ndonjëherë, gazetari ka bërë lajmërim të rrejshëm kinse për marrjen e tyre. Me këtë i njëjti ka shkaktuar huti tek opinioni publik dhe tek aksionari. Konsiderojmë që me këtë shkrim është bërë një përpjekje e radhës nga po i njëjti gazetar dhe e njëjta gazetë që të denigrohet personaliteti i kryetarit të Bordit dhe i gjithë anëtarëve të tjerë pa pasur fakte dhe jashtë etikës gazetareske”, thuhet në reagim.
Po ashtu thuhet se shfrytëzimi i veturës zyrtare është e lejuar nga Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie. “Është hera e gjashtë që gazetari Lavdim Hamidi dhe gazeta “Zėri” shkruajnë-dezinformojnë rreth punës së bordit e posaçërisht kryesuesit të bordit si dhe për shfrytëzim të veturës zyrtare nga ana e kryesuesit të bordit, i cili shfrytëzon atë me një vendim legjitim të Bordit të Drejtorëve.
Ai shfrytëzon një nga 557 automjete të PTK-së për nevoja zyrtare dhe me qëllim të efikasitetit sa më të madh në punë në kohën kur qarkullimi vjetor i korporatës është mbi 160 milionë euro. Bordi njofton gjithashtu se do të përgatisë padi ndaj Hamidi për shpifje dhe denigrim të Bordit të Drejtorëve të PTK, e posaçërisht ndaj kryesuesit Rexhë Gjonbalaj”, shtohet ndër të tjera në reagim.
Ne reagim thuhet se shfrytëzimin e veturës ia ka lejuar bordi, ndërsa Gjonbalaj është në krye të këtij bordi me shumë se 3 vjet që i bie se këtë privilegj ia ka lejuar vetes. Rexhë Gjonbalaj është nën hetime të EULEX-it, bashkë me ish-drejtorin e PTK-së, Shyqyri Haxha, për kontratën e PTKsë me operatorin mobil virtual “Dardaphone”.
Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala thotë se kjo korporatë nuk ka përfitime të tilla. “Kompensimi bëhet në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrje Publike dhe Vendimet e Qeverise. Nuk ka përfitime tjera”, është përgjigjur shkurt Buzhala.
Mirëpo, disa ditë më parë një kërkesë e Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, kishte dërguar një kërkesë në adresë të drejtorit të bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, në të cilën kërkohet kthimi i 320 mijë euro shpenzime që i ka bërë bordi për 3 vjet dhe që nuk ka qenë të parapara me ligj.