Kushtetuesja shqyrton ndryshimet kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës po i shqyrton ndryshimet kushtetuese të bëra nga Komisioni Parlamentar, i cili ka propozuar ndryshimet për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Kryetari Enver Hasani, tha se duhet të shikohet nëse ndryshimet janë në përputhje me të drejtat e njeriut. Sipas tij, parlamentit do t’i kthehet përgjigjja brenda afatit ligjor prej 60 ditësh.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani tha se duhet të shikohet nëse ndryshimet e propozuara nga Komisioni Parlamentar, për zgjedhjen e presidentit janë në përputhje me të drejtat e njeriut.
“Është në procedurë kërkesa e Kuvendit dhe ju e dini që me ligj ne kemi 60 ditë. Ajo çka mund të them është që është në procedim e sipër dhe brenda afatit kohorë do të vendosim”, theksoi ai, raporton RTK.
Hasani i bëri këto komente pas një takimi me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, Ernest Petric.
Takime të tilla kryetari Hasani ka zhvilluar kohëve të fundit edhe jashtë Kosovës dhe bëhen pak muaj para se të merret vendim për pranimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Gjykatën Evropiane.
Kosova nuk njihet ende nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian, por Hasani thotë që deri në shtator do të krijohet një situatë e favorshme politike për Kosovën dhe anëtarësimi në këtë institucion pritet të ndodhë.
“Këto anëtarësime dhe jo vetëm i Gjykatës Kushtetuese, por i çdo organizmi të Kosovës në rajon është çështje që nuk lidhet me juridiksionet tona, por me proceset politike që zhvillohen përreth dhe rreth Kosovës. Besoj që do të jetë më e lehtë deri në shtator, do të ketë më pak paragjykime rreth statusit tonë atje dhe unë shpresoj për të mirë”, theksoi ai.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, Ernest Petric, tha se vizita e tij gjatë së shtunës në Kosovë flet për marrëdhëniet e mira ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës, respektivisht këtyre dy Gjykatave.