Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, ka thënë se normalizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën, mbetet kusht politik për Serbinë që të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane.
I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë se cilat janë shanset që Serbia deri në fund të vitit të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE, Fule ka thënë se ky proces “mund të zgjasë një muaj, por edhe katër vjet”.
Diplomati evropian ka thënë se nuk është e precizuar saktë nëse fusnota për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale duhet të vihet para delegacionit të Prishtinës apo në dokumentet zyrtare të takimit të caktuar.
“Tani, gjatë fushatës zgjedhore në Serbi, ndoshta nuk është momenti i duhur që një gjë e tillë të precizohet, por menjëherë pas zgjedhjeve do t’i përkujtoj të dyja palët se çfarë saktësisht janë dakorduar – e jo secila nga to ta interpretojë marrëveshjen në mënyrën e vet”, ka thënë Fule.