Kreu i Kushtetueses sllovene në Prishtinë

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, priti sot kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Sllovenisë, Ernest Petric dhe dy gjyqtaret e kësaj gjykate, Etelka Korpic - Horvat dhe Jasna Pogacar.

Gjatë takimit me homologun slloven, Hasani bëri një paraqitje rreth punës së deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke nënvizuar rolin e saj si garantues i respektimit të Kushtetutës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi në mes të dy gjykatave do të vazhdoj të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen, duke pasur në fokus shkëmbimin e përvojave dhe ideve në fushën e gjyqësisë kushtetuese.
Nga ana e tij, kryetari Petric u zotua për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy institucioneve simotra dhe shprehu dashamirësinë për anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Këshillin e Gjykatave Kushtetuese të Evropës.