Ju i lejuat

Zyrtarë ndërkombëtar të afërta me zhvillimet e fundit për ligjin e bankave, thonë se problemi nuk është të Ligji dhe Institucionet Mikrofinanciare, por të fakti se pse këto organizata u lejuan gjithë këto vite të realizojnë profit në mënyrë të paligjshme. Për këtë fajësojnë institucionet vendore. Ministri i Financave, Bedri Hamza, mohon që kjo ka qenë përgjegjësi e tyre.

 “Nuk është problemi të Ligji i ri për Bankat dhe Institucionet Mikrofinanciare. Por, te ajo se pse u lejuan gjithë këto vite OJQ’të të realizojnë profit nën statutin e institucioneve mikrofinanciare”.
Kështu i ka komentuar reagimet dhe kritikat rreth Ligjit për Bankat dhe Institucionet Mikrofinanciare një zyrtar i lartë ndërkombëtar në Kosovë, i cili është shumë i afërt me zhvillimet ekonomike në vend. Ai, në një bisedë për Express, ka thënë se si duket grupeve të caktuara po u konvenon që të çohet pluhur lidhur me këtë ligj, me qëllimin që të shmanget vëmendja nga esenca e këtij problemi.
“Nuk është problemi të ligji aktual, i cili e rregullon se si duhet të veprojnë institucionet mikrofinanciare në Kosovë. Problemi më i madh është nëse këto institucione deri tash e kanë respektuar ligjin në bazë të cilit kanë vepruar”, ka thënë ky zyrtar i lartë në kushte anonimiteti.
Edhe pse sponsorizues i Ligjit për Bankat dhe Institucionet Mikrofinanciare është Ministria e Financave, numri një në këtë ministri, Bedri Hamza, mohon që puna e institucioneve mikrofinanciare deri tash të ketë qenë përgjegjësi e dikasterit që ai drejton. Kjo më shumë ka qenë punë e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila edhe e mbikëqyr sistemin financiar në Kosovë.