“Muslim Taxi” i ndanë udhëtarët sipas gjinisë

Gjermani Selim Reid, prindërit e të cilit vijnë nga Iraku, e zgjodhi problemin e myslimanëve të cilët nuk dëshirojnë të hipin në taksi me femra. Reid themeloi kompaninë “Muslim Taxi” e cila ndanë udhëtarët sipas gjinisë, për ta respektuar traditën myslimane se burrat e gratë nuk mund të voziten bashkë.
Reid tha se për këtë punë ishte inspiruar që në vitin 1996 kur prindërit e tij po voziteshin me taksi, ndërsa një taksist i kritikoi për shkak të traditave myslimane, shkruan Huffington Post.
“Shoferi i taksisë më së tepërmi ankohej për të huajt që vinin në Gjermani dhe për faktin se nëna ime mbante një shall rreth qafës”, tha Reid.
Edhe pse “Muslim Taxi” tingëllon si shumë restriktiv, Reid thotë se kjo kompani do të siguroj për myslimanët më shumë të drejta dhe më shumë respekt për imigrantët. 

Sa herë e gudulisin i bie të fikët (Video)

Në rrjetet sociale ka shpërthyer një diskutim nëse heroi i kësaj video është duke aktruar ose jo, por duke hulumtuar kemi mësuar se një sjellje e tillë është e mundshme për shkak të mungesës së oksigjenit. Shikojeni videon dhe gjykoni vetë.

Gruaja që dëshiron 120 kilogramë muskuj (Video)

Rene Campbell (35 vjeçare) nga Britania e Madhe pranoi se është bigoreksike (e varur nga buildingu) dhe se nuk e ka ndërmend të ndalet para se të arrijë qëllimin, të bëhet 120 kilogramë.
Nëna e dy fëmijëve dikur ishte 50 kilogramësh, ndërsa para katër vitesh filloi të stërviste nga dy orë pesë herë në javë dhe të konsumojë një numër të madh të kalorisë dhe arriti peshën 85 kilogramë.
Çdo ditë ajo përpiqet t’i konsumojë rreth 4200 kalori, ndërsa gjatë drekave nëpër restorante ajo merr edhe peshoren me vete për t’i matur saktë kaloritë, shkruan Daily Mail.
“Nuk do të ndalem derisa të mos shtoj edhe më muskuj. Çdo ditë shoh meshkujt në sallën e bodybuildingut të cilët kanë nga 120 kilogramë dhe muskuj të fortë dhe se vërtetë kam dëshirë të dukem si ata. Më pëlqen forma e trupit si e zotëve grekë”, tha Rene.

Skype për Windows, gjatë muajit

Prej momentit që Microsoft pati lajmëruar se e ka blerë kompanisë Skype, të gjithë ishin në pritje që të shihnin këtë shërbim të komunikimit të lirë në platformën mobile të Microsoft, Windows Phone.
Sipas një raporti të fundit, tashmë ka një version të ri të Skype për Windows Phone, i cili është në dispozicion për shkarkim nga punëtorët e Microsoft, ndërsa së shpejti do të jetë edhe për publikun.
Edhe pse të gjithë prisnin që Skype të lëshojë një version të ri për platformën e Microsoft në fund të vitit të kaluar, kjo gjë nuk ka ndodhur as në shkurt të vitit aktual, por sipas raporteve mediale, kjo gjë do të ndodhë shumë shpejtë gjatë muajit.

Të gjatët kanë zemër më të shëndetshme?

Meshkujt, të cilët janë më të gjatë se 182 cm, kanë për 24 për qind më pak rrezik për dështim të zemrës. Arsyet nuk janë të qarta, por ofrojnë material për hulumtime të ardhshme.
Hulumtuesit amerikanë pohojnë që ekziston mundësia që ekziston dallimi në biologjinë e njerëzve të gjatë, siç është distanca mes zemrës dhe arteries, e cila do të mund të zvogëlonte ngarkesën e zemrës.
“Nga dita në ditë po shqyrtojmë shkaktarët e sëmundjeve dhe dështimeve të zemrës, por gjatësinë kurrë nuk e marr parasysh”, thotë dr. JeffreyTeuteberg për Reuters.
Dr. Teuteberg shtoi po ashtu se “njerëzit e gjatë edhe më tutje duhet të brengosen për shëndetin e zemrës, gjatësia është diçka që ndoshta mund të luajë një rol të rëndësishëm, por kjo nuk është dëshmuar plotësisht. Po ashtu, njerëzit e shkurtër nuk duhet menjëherë të dëshpërohen, sepse shprehitë jetësore janë ato që janë më përgjegjëset për shëndetin e zemrës” .
Hulumtuesit ritheksojnë që shtypja e lartë, e gjakut, trashësia, mungesa e aktiviteteve dhe diabeti janë fajtorët kryesorë për sëmundjet e zemrës.
Të dhënat kanë ardhur nga 22.000 persona të cilët janë përcjellë si pjesë e një hulumtimi të madh për sëmundjet e zemrës dhe kancerin. Shkencëtarët kanë filluar t’i përcjellin në të pesëdhjetat e tyre. Hulumtuesit është dashur të përgjigjen në pyetësorin i cili ka kontrolluar edhe gjatësinë e tyre, peshë dhe gjendjen e përgjithshme shëndetësore.
22 vjet pas plotësimit të pyetësorit, raporti për dështimet e zemrës kishte në regjistër madje 1444 persona nga fillimi i hulumtimit. Deri tek dështimi i zemrës vjen kur zemra nuk është mjaft e fuqishme të pompojë gjak në pjesët tjera të trupit. Duke studiuar raportin, u zbulua që personat e gjatë kanë për 24 për qind rrezik më të vogël nga dështimi i zemrës.
Në lartësi, përveç predispozitave gjenetike, ndikon edhe mënyra e rritjes. Futja e varfër e materieve ushqyese, si dhe infeksionet, mund të ngadalësojnë rritën, të çojnë deri tek grumbullimi i pllakëzave në arterie dhe shtypja e lartë e gjakut; të cilat janë të lidhura me dështimin e zemrës.

Enët e kuqe zvogëlojnë konsumimin për 40 për qind

Dëshironi të dobësoheni apo të hani më pak gjëra që i keni në tavolinë, përdorni enë të kuqe, këshillon ekipi i akademikëve gjermanë dhe zviceranë.
Sipas hulumtimit më të ri, njerëzit hanë 40 për qind më pak nga ena e kuqe, dhe e njëjta gjë është edhe me filxhanët e kuq. Shpjegimi është në vetë ngjyrën e kuqe, e cila gjithmonë lidhet me rrezikun dhe ndalimin, prandaj njeriu me siguri në mënyrë evolucionare reagon në të.
Ky zbulim mund të përdoret për ushqimin e pashëndetshëm, këshillojnë hulumtuesit, kështu që qeveritë çdo gjë që është e pashëndetshme do të mund ta paketonin në ambalazh me ngjyrë të kuqe. Po ashtu, mirë do të ishte që edhe nëpër bare të ketë sa më shumë ngjyrë të kuqe për t'u parandaluar .pirja e tepruar e alkoolit, bën të ditur, Daily Mail.

Beckham i dashuruar në shtatoren e tij

Gjiganti i veshjeve për meshkujt, H&M ka zbuluar shtatoren nga bronzi të superylli anglez David Beckham, në dyqanin që është në rrugën Regent të Londrës.
Shtatorja e re është ngritur për nder të linjës së re të të brendshmeve nga H&M dhe për këtë arsye Beckham në këtë shtatore është i tëri lakuriq, pos në pjesët intime.
Sidoqoftë, ditë më parë u publikua dhe spoti publicitar për nder të Super Bowl, finales së futbollit amerikan, ku ylli anglez shihet i zhveshur ‘tërësisht’.

Ancelotti nuk heq dorë nga Pato

Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, thotë se sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ende është cak për liderin e Ligue 1, por shton se ata nuk kanë biseduar ende me brazilianin.
“Nuk kam folur me Paton. Milani nuk ka dashur ta shesë dhe kjo ishte fundi. Një para-marrëveshje për qershor? Nuk ka asnjë marrëveshje”.
“Prioriteti ynë kryesor është një sulmues, por Pato nuk është kandidati i vetëm. Ai është një sulmues i kalibrit të lartë, por ne po ashtu jemi duke përcjellë Damiaon (yllin e Internacional]”, ka thënë Ancelotti për La Gazzetta dello Sport. 

Buffon të vazhdojë kontratën me Juventusin?

Juventusi dëshiron të mbështetet në portierin Gianluigi Buffon deri në fund të karrierës së tij dhe është i gatshëm t’i hapë negociatat për vazhdim të kontratës, shkruan Tuttosport.
Buffon ka kontratë me Bainconerët deri në fund të sezonit të ardhshëm, por klubi dëshiron ta shpaguajë besnikërinë e tij duke i ofruar një marrëveshje të re afatgjate.
Portieri iu bashkua Juventusit nga Parma në verën e vitit 2001, dhe që atëherë ka bërë mbi 300 paraqitje për Zonjën e Vjetër.
Ndryshe nga ish-bashkëlojtarët si Lilian Thuram, Zlatan Ibrahimovic dhe Patrick Vieira, Buffon vendosi të qëndrojë në Torino pasi Juventusi zbriti në Serie B pas skandalit Calciopoli në vitin 2006.

Suarez pasardhësi i Del Pieros te Juve?

Suarez kërkohet nga Bianconerët si zëvendësim për kapitenin legjendar Alessandro Del Piero, i cili pritet të largohet nga klubi gjatë verës.

Uruguaiani, i cili vlerësohet rreth 30 milionë funte, pritet të marrë fishkëllima nga fansat pasi të rikthehet për Liverpoolin, shkruan Daily Mail.

Klubi anglez ka frikë se lojtari mund të kërkojë të largohet, nëse nuk do të pranohet mirë në rikthimin tij, për shkak të dënimit pas shpalljes fajtor për abuzim racor ndaj mbrojtësit të Manchester United, Patrice Evra. 

Gerrard kthehet ndaj Tottenhamit

Kenny Dalglish ka konfirmuar se Steven Gerrard do të kthehet në skuadrën e Liverpoolit për ndeshjen ndaj Tottenhamit që zhvillohet të hënën mbrëma.
Gerrard nuk luajti në mesjavë ndaj Wolves, por do të jetë në gatishmëri për të luajtur ndaj Tottenhamit të hënën.
“Steven Gerrard do të kthehet në skuadër të hënën, kështu që tani ekipi po duket mjaft i shëndetshëm. Për momentin, kemi mjaft përzgjedhje për shumë pozita. Kjo më bën problem shtesë, por është problem pozitiv”, ka thënë Gerrard. 

Roma - Inter shtyhet për të dielën

Superderbi italian mes Romës dhe Interit, që duhet të zhvillohet stadiumin Olimpico të kryeqytetit italian është shtyrë për të dielën, teksa moti i keq po shkakton ende probleme në programin e ndeshjeve të Serie A për këtë fundjavë.
Lega Calcio tashmë kishte vendosur që ndeshja të mos luhej në mbrëmje të shtunën, por në ora 15:00, mirëpo gjendja është e rënduar dhe tani sfida është shtyrë për të dielën.
Sidoqoftë, ndeshja tjetër mes Cesenas dhe Catanias e paraparë të luhet të shtunën në ora 15:00 është shtyrë për një afat të pa caktuar për shkak të motit të ligë.
Ndeshjet e parapara për të dielën zhvillohen të gjitha në ora 15:00 përpos Genoa – Lazio që zhvillohet në ora 12:30.
Bora e madhe dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që të shtyhen rreth katër ndeshje të mesjavës, duke përfshirë dhe sfidën e liderëve Juventus ndaj Parmës në Ennio Tardini.

Toure: City në krye edhe pa mua

Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, i ka bërë thirrje klubit që të qëndrojë në maje të tabelës, pasi nuk do të kalojë edhe shumë kohë dhe ai do të kthehet në ekip, pas angazhimit me kombëtaren e tij në Kupën e Kombeve afrikane.
“Ne kemi ekip të mrekullueshëm dhe unë e di se nuk jam i pa zëvëndësueshëm. Unë besoj në titullin. Dikush mund të luajë në vendin tim dhe të na ndihmojoë të fitojmë”.
“Por, vjen koha kur përfundon dhe AFCON dhe unë sigurisht kur të kthehem do ta shoh ekipin në vendin e parë”, potencoi Toure. 

Palombo: Milani nuk më kërkoi

Mesfushori i ri i Interit, Angelo Palombo, ka hedhur poshtë spekulimet se Nerazzurët edhe njëherë ua morrën Rossonerëve një lojtar nga dora, duke thënë se ishin vetëm zikaltrit ata që shfaqën interesim për të.
“Disa klube u interesuan për mua dhe jam mjaft falënderues për këtë. A më ka kërkuar Milani? Jo”.
“Kur ju kërkojnë disa klube, ju duhet të mendoni se cili është opsioni më i mirë dhe definitivisht Interi është klubi më i mirë italian dhe kjo është arsyeja pse kam pranuar”, tha Palombo i cili debutoi ndaj Palermos të mërkurën.

Agjenti: Bayerni më i mirë për Shaqirin

Bayerni i Munichut do të ishte klubi më mirë për anësorin shqiptar të Baselit, Xherdan Shaqiri, gjithnjë sipas agjentit të futbollistit.
20 vjeçari po lidhet me një largim nga Baseli, ndërsa si opsione më të mëdha shihen Bayerni i Munichut dhe Galatasaray. Sidoqoftë, tashmë Shaqiri dhe agjenti i tij kanë krijuar idenë e qartë për të ardhmen.
“Tani për tani, Bayerni është klubi më i mirë për Shaqirin, por është e qartë që ai duhet të largohet nga Baseli gjatë verës për hirë të zhvillimit të tij si lojtar. Ka pasur kërkesë jo zyrtare nga Bayerni, por ata nuk kanë kontaktuar as mua e as Xherdanin”, theksoi Erdin Shaqiri për Basler Zeitung.

Bllokohet skijimi në Brezovicë

Komuna e Shtërpcës ka marr vendim që të ndalojë qarkullimin e njerëzve dhe makinave nga Brezovica për në Qendrën e skijimit. Sipas policisë, mësohet se ketë vendim komuna e marrë bazuar në nenin 224 të Ligjit të sigurisë së komunikacionit rrugor.
Burime policore në Ferizaj, kanë thënë se në qendrën e skijimit vazhdon të mbretërojë mot i keq dhe me erëra të fuqishme.
Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka bërë të ditur se një ditë më parë, në këtë rrugë ka rënë një ortek bore i përmasave të mëdha, ndërsa rreziku nga rrëshqitja e borës dhe e orteqeve të tjera është edhe më tutje i pranishëm. "Për zbatimin e këtij vendimi është duke u përkujdesur edhe Policia e Kosovës, patrullat e së cilës janë vendosur në një pikë të këtij aksi rrugor", tha Gashi.

KEK-u me import mundohet të mbaj furnizimin me rrymë

Zyrtarët e KEK-ut kanë thënë se, si pasoje e motit, me acar ekstrem dhe reshje të mëdha te borës, që nuk mbahet mend gjatë 3 dekadave të fundit është vështirësuar furnizimi me rrymë. Blloqet funksionale mund të prodhojnë 900 megavatë orë energji elektrike, ndërsa ngarkesa në pik këto ditë shkon deri ne 1300 orë energji elektrike. Kjo rezulton me nevojë të importit rreth 400 orë energji elektrike, për kushtet optimale të punës së blloqeve.
Gjithashtu, vështirësitë e Termokosit që t’ju ofrojë ngrohje konsumatorëve në Prishtinë gjatë tere ditës kane rezultuar në një ngarkesë në sistemin energjetik prej 80 orë energji elektrike. Si rrjedhojë, ngarkesa në Prishtine është konstant rreth 250 orë energji elektrike.
Gjendje e njëjtë mbizotëron edhe në rajon. Linjat transmetive rajonale janë në limitin e tyre, pasi kërkesa është e jashtëzakonshme. Situatën e ka rënduar edhe më tepër nga mungesat e furnizimit me gas të rajonit
KEK po importon në maksimum duke siguruar edhe import shtesë, por si pasojë e gjendjes rajonale, niveli i importit të nevojshëm në këtë gjendje të jashtëzakonshme është i pamundur të sigurohet. “Për me tepër, kushtet ekstreme atmosferike, kane vështirësuar prodhimin e energjisë elektrike. Acari ka penguar edhe stabilimentet në termocentrale, të cilat kohë pas kohe kanë dështuar të funksionojnë. Problemet rezultojnë tek hinkat, rrëshqitja e shiritave transportues, thyerja e shiriti transportues te qymyrit që furnizon njësinë A4 ndërsa ekskavatorët e djerrinës nuk kanë mundur të punojnë prej mbrëmjes të së enjtes si pasojë e ngricave”, thuhet në një komunikatë të KEK-ut.
Pajisjet e ngrira vazhdimisht janë shkrirë, janë rikthyer dhe po rikthehen vazhdimisht në punë fale përkushtimit maksimal të punëtorëve 24 orë në ditë, por kushtet atmosferike kanë bërë të veten.“Si rrjedhojë, ngrirja e pajisjeve ka nxjerrë dy njësi nga prodhimi, përkundër përkushtimit maksimal të punëtorëve”.
Zyrtarët e KEK-ut thanë se kushtet atmosferike të ngjashme që kanë mbizotëruar në dimrin 1984/85 kishin vështirësuar prodhimin e energjisë elektrike në TC Kosova B edhe pse ajo në atë kohë ishte në gjendje të përkryer të punës, menjëherë pas komisionimit.

Shqipëri, kursi i këmbimit stabil

Kursi i këmbimit në vendin tonë është i stabilizuar dhe i pandikuar nga luhatjet. Ekspertë të bankave, konstatojnë se qëndrueshmëria e kursit të këmbimit ka sjellë ndikim në stabilizimin e inflacionit të importuar.
Arjan Kadare, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, thotë se kjo i dedikohet stabilitetit të monedhës vendase, e cila gjendet në mënyrë konstante në një pozitë të favorshme dhe si e tillë, siguron kursimet dhe shpenzimet e qytetarëve.
Po ashtu, kohët e fundit kreditë në lekë kanë nisur të shtohen në raport me kreditë e dhëna në monedhat e huaja. Orientimi më imadh i bankave sikurse edhe i qytetarëve drejt kredive në monedhën vendase, erdhi pas thirrjeve të përsëritura të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar rregulloren e këmbimit valutor që bëhet mes saj dhe bankave të nivelit të dytë. Sipas këtyre ndërhyrjeve, bankat sanksionohen të njoftojnë më parë në lidhje me këto transaksione si dhe për shumën që duhet të shkëmbejnë. Një gjë e tillë bëhet për të patur një praktikë të duhur të këmbimit valutor mes institucionit monetar dhe bankat.

Edhe Peja shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, neni 13, statuti i komunës së Pejës, i shtyrë nga krijimi i rrethanave të kushteve atmosferike, Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e komunës së Pejës.
Me këtë vendim të gjitha drejtoratet komunale ngritin në shkallën më të lartë masat e gatishmërisë duke aktivizuar të gjitha kapacitetet përfshirë edhe ato njerëzore. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.
Ndërkohë, “Dukagjini” njofton se trashësia e borës në komunën e Pejës ka kaluar trashësinë prej mbi 60 cm, dhe po vazhdon të bie. Pesë kompani janë angazhuar për pastrim ndërsa që pritet të angazhohen edhe dy të tjera. Lëvizja është vështirësuar si për automjete ashtu edhe për këmbësor.
Kryetari i Komunës së Pejës, Berisha, ka formuar një shtab emergjent dhe ka dalë të përcjellë situatën nga afër. Ai ka ftuar qytetarët të jenë mobilë dhe të ndihmojnë në pastrimin e borës, secili nëpër lagjet e veta.
Ndërkohë konfirmohet se rruga Pejë – Rugovë është mbyllur në kilometrin e 9-të, nga një ortek i madh bore përderisa rruga Pejë-Kullë-Rozhajë mbetet e hapur vetëm për qarkullim të automjeteve të vogla.
Për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe erës së fortë, një ditë më parë edhe kryetari i Kaçanikut, ka shpall gjendjen e jashtëzakonshme në territorin e kësaj komune.

Edhe Tadic është i gatshëm të takohet me Thaçin

Serbia dëshiron që të gjithë kryesit e krimeve të luftës të procedohen dhe mbështet nismën e presidentit të Kroacisë, Ivo Josipovic, që për këtë të arrihet marrëveshje dypalëshe, tha presidenti i Serbisë, Boris Tadic.
Këto komente ai i bëri në takimin trelateral që po zhvillohet në Jahorinë, afër Sarajevës, ku tha se është i gatshëm të bisedojë edhe me politikanët kosovarë, por që kjo të mos jetë promovim i pavarësisë së Kosovës, por zgjidhje e problemeve, transmeton “Koha”.
Në këtë takim, anëtari i Kryesisë tre anëtarëshe të BeH-së nga komuniteti kroat, Zeljko Komsic, bëri të ditur se ai nuk do të mbështesë kandidaturën e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremic për kryetar të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sepse nuk pajtohet me qëndrimet e tij.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci tha një ditë më parë se është i gatshëm të bisedojë me kryetarin serb, Boris Tadic, me qëllim që siç ka thënë ai, të shqyrtimit të gjithë gamës së problemeve që i rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Shqiptarët e Luginës duhet t’i gëzojnë të drejtat e tyre

Zëvendëskryeministrja Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur të premten në një takim përfaqësuesit politik nga Lugina e Preshevës në përbërje te të cilit ishin, Riza Halimi, deputet në parlamentin e Serbisë; Galip Beqiri, Kryetar i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve dhe Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit.
Në këtë takim u fol për situatën politike në Luginën e Preshevës, për gjendjen e shqiptarëve etnik të kësaj pjese, si dhe për efektet e marrëveshjeve teknike të arritura në Bruksel për përmirësimin e jetës së shqiptarëve atje, raporton Zyra për informim zëvendëskryeministres.
Delegacioni i Luginës së Preshevës njoftoi zëvendëskryeministren Tahiri për zhvillimet më të reja në fushën e realizimit të të drejtave legjitime të komunitetit shqiptarë atje, duke potencuar në veçanti në sfidat dhe vështirësitë në planin politik, ekonomik dhe arsimor. Ata po ashtu vunë në dukje dukurinë e largimit të vazhdueshëm të shqiptarëve nga vendet e tyre nga mungesa e perspektivave të qarta për shqiptarët.
Zëvendëskryeministrja Tahiri duke shprehur shqetësimin për gjendjen jo të mirë të shqiptarëve në Luginë, premtoi angazhimin maksimal të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbështetje të drejtave etnike të shqiptarëve, si dhe për ruajtjen e identitetit etnik dhe kulturor në trojet e tyre etnike.
Tahiri theksoi se të drejtat e komuniteteve janë të garantuara me standarde ndërkombëtare, andaj Serbia duhet të respektoj këtë obligime ndërkombëtare karshi shqiptarëve të luginës së Preshevës dhe t’u sigurojë mirëqenie e perspektive demokratike.
Duke folur për procesin e dialogut teknik në Bruksel, Tahiri tha se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve teknike mes dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë, dhe marrëveshjet e arritura deri tash janë me efekte pozitive edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse sipas saj sigurojnë lëvizjen reciproke dhe të njerëzve dhe mallrave.
Tahiri premtoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave të sigurimit të automjeteve që po e vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke iu bërë me dije se qëndrimi i Kosovës në dialog ka qenë për zgjidhje në favor të qytetarëve, dhe se për shkak se Serbia ka insistuar për tarifa të larta atëherë Kosova është përgjigjur me reciprocitet.

Përmirësohet baza ligjore që ka të bëjë me gazetarë

Kodi i ri i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës do të përmirësojë bazën ligjore të trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me punën e gazetarëve.
Pas konsultimeve ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dhe Ministrisë së Drejtësisë është arritur pajtim që Ministria e Drejtësisë të heq nga Kodi Nenin 37 dhe Nenin 38, të cilat janë vlerësuar si shqetësues për komunitetin e gazetarëve, pasi që mund të krijojnë hapësirë që të keqpërdoren kundër lirisë së mediave.
Po ashtu, Ministria e Drejtësisë është pajtuar që të fusë në politikat e dënimeve rritjen e dënimit për 30 për qind (për çfarëdo lloj dënimi), në rastet kur gazetarët janë penguar ose janë sulmuar për shkak të punës së tyre. Rastet që kanë të bëjnë me gazetarët do të trajtohen me prioritet nga gjykatat.
Në takim është diskutuar edhe për mundësitë e përmirësimit të transparencës dhe lehtësimit të punës së gazetarëve.
AGPK ka shfrytëzuar rastin që edhe një herë të adresojë problemin e mungesës së një zëdhënësi të Qeverisë së Kosovës.
Sipas AGPK-së, zbatimi i këtyre masave në Kodin Penal të Kosovës do të krijojë një bazë të kënaqshme ligjore të trajtimit të rasteve kur gazetarët pengohen në punën e tyre, por edhe krijon mundësinë që gazetarët të jenë subjekt i trajtimit të drejtë gjyqësor në rastet kur mund të kenë devijuar nga kriteret profesionale.

VV: Acari dëshmoi keqqeverisjen e Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi të premten se acari i këtij dimri, më qartë se shumëçka tjetër, dëshmoi keqqeverisjen e Prishtinës. Sipas tyre, komuna, edhe një javë pasi pushuan reshjet e borës, nuk ishte e aftë që t’i pastrojë rrugët dhe të menaxhojë këtë gjendje që shkaktoi moti.
Aktivistë të Vetëvendosjes të cilët kanë dalë me skia në qendër të Prishtinës, theksuan se rrugët vazhdojnë të mbesin të bllokuara nga bora.
“Në rastin më të mirë është pastruar vetëm njëra korsi e rrugës, por vetëm në disa rrugë. Trotuaret mbeten tërësisht të mbuluara nga bora, që më pas është shndërruar në akull. Në çdo moment kjo gjendje e rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetareve, veçanërisht te këmbësorëve, ku më të prekurit janë të moshuarit dhe fëmijët”, theksoi Vetëvendosje.
Sipas tyre, komuna ka kontraktuar tre ndërmarrje për pastrimin e rrugëve nga bora dhe mirëmbajtjen e tyre gjatë dimrit, por gjendja në terren, theksuan ata po na tregon që, ose ndërmarrja e kontraktuar nuk po e bën punën si duhet, meqë nuk ka mjete të mjaftueshme pune në dispozicion dhe kripë, ose Komuna me kohë nuk ka bërë ndarjen e buxhetit si duhet, ose ia ka dhënë tenderin një ndërmarrje të papërgjegjshme dhe pa kapacitete të mjaftueshme për këtë veprimtari.
“Në të dy rastet Komuna ka përgjegjësinë e saj...Ditëve të fundit jemi njoftuar se Komuna ka angazhuar ndërmarrje shtesë për të ndihmuar në pastrimin e rrugëve nga bora dhe akulli. Kontraktimi i ndërmarrjeve me procedura të tilla të përshpejtuara lë hapur mundësinë, që në rastin më të mirë të mos kontraktohet çmimi më i favorshëm, e në rastin më të keq të ketë keqpërdorim të parasë publike. Gjithashtu kemi vërejtur se në pastrimin e trotuareve është angazhuar edhe ndërmarrja komunale ‘Hortikultura’ që ka ndihmuar kontraktorët privatë. Ky është një rast i përdorimit të resurseve publike për interes të një kontraktori privat, i cili është paguar një herë që ta bëjë një gjë të tillë, dhe tani në vend të ndëshkimit shpërblehet me ndihmë falas...”, shprehet kjo lëvizje.
Sipas Vetëvendosjes edhe më katastrofale se rrugët janë trotuaret. “Për pasojë shumë qytetarë po pësojnë nga rrëshqitja ne akull. Për fat të keq, disa prej tyre, edhe me lëndime serioze, si gjakderdhje në kokë, thyerje të kockave etj. Kush mban përgjegjësi për këto lëndime? Kush paguan shpenzimet e shërimit të këtyre të lënduarve? Kush dëmshpërblen dhimbjet e vuajtjet e të lënduarve???”, shprehen aktivistë të kësaj lëvizje. 

Pezullohet përkohësisht procesi “Bllaca 2

Është pezulluar përkohësisht procesi gjyqësor Bllaca 2 pas kërkesës së palës mbrojtëse për ta përjashtuar nga ky rast kryesuesin e trupit gjyqësor, gjykatësin ndërkombëtar Torre Tomason.
Në arsyetimin e mbrojtjes, siç raporton Indeksonline thuhet se i njëjti gjyqtar ka qenë anëtar i panelit edhe në rastin e parë të gjykimit të Fahredin Gashit, ku Nazim Bllaca ka qenë dhe është dëshmitar bashkëpunues.
Gjyqtari ka marrë vendim të pezullohet dhe mbrojtja do t’i drejtohet Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it që do të vendos në favor apo jo të kërkesës së mbrojtjes. Në këtë rast, si palë e dëmtuar janë Adem Salihaj dhe Ismet Arifi.
Të dyshuar janë: Fahredin Gashi, Driton Hajdari, Shpresim Uka, Sadik Abazi, Bekim Syla dhe Shaban Syla.

Krasniqi: Nëse hiqet Republika, dikush duhet të japë llogari

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur i prerë se duhet të kërkohet llogari ndaj delegacionit të Kosovës, nëse ndodh të hiqet termi “Republikë” në përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.
Këto komente Krasniqi i ka bërë në emisionin Rubikon të KTV-së, transmeton Koha.
Ndërkaq, nënkryetari i AAK-së Blerim Shala ka thënë se me këto marrëveshje po zhvlerësohen të gjitha arritjet e mëparshme.
E deputeti i LDK-së, Skender Hyseni theksoi se me këto negociata po bëhen manipulime duke vënë në spikamë papërgjegjshmërinë e delegacionit të Kosovës ndaj kuvendit dhe qytetarëve.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi në emisionin Interaktiv ka thënë se Kosova në arenën ndërkombëtare nuk do të përfaqësohet pa termin “Republikë”.
Sa i përket fusnotës, Kuçi ka thënë se nëse do të ketë fusnotë për Kosovën, do të ketë edhe për Serbinë dhe se nuk do të pranohet asnjë fusnotë e cila do ta dëmtojë Republikën e Kosovës 

Thaçi: S’e pranoj heqjen e Republikës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se edhe krejt spektri politik po të pranonte heqjen e Republikës, ai nuk do ta pranonte një gjë të tillë. Qeveria e Republikës së Kosovës do ta respektojë me përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, dhe dokumentin e presidentit Ahtisaari.
Kreu i ekzekutivit të vendit në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë folur edhe për të ardhmen e veriut.
“E ardhmja edhe e veriut të Mitrovicës është e ardhmja identike me shtetin sovran të Kosovës. E ardhmja e veriut është e ardhmja e Kosovës, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës; duke respektuar dokumentin e presidentit Ahtisari, prandaj në asnjë rrethanë nuk do të ketë as status special, as ndonjë propozim që lexohet në ndonjë medium, dhe një gjë e tillë asnjëherë nuk është shtruar së diskutuari, e lëre së propozuari nga ndokush. Pra, veriu i Mitrovicës është pjesë e Kosovës. Kosova do të funksionojë si një njësi shtetërore, me integritetin territorial të respektuar e garantuar e të njohur edhe ndërkombëtarisht”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që janë të instaluar në Kosovë do të vazhdojnë të punojnë që të jenë sa më afër qytetarëve në veri, në mënyrë që edhe ata të kuptojnë realitetin e ri të krijuar.
Kryeministri Thaçi ka folur edhe rreth deklaratave të tij, se është i gatshëm të takohet me presidentin serb, Boris Tadic.
“Realisht, kjo nuk është hera e parë e deklarimeve të tilla. Është e nevojshme, është e domosdoshme për interesin e dy shteteve, dy popujve tanë, të paqes, të stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, të ketë takime të liderëve politikë të zgjedhur në mënyrë legjitime të shteteve përkatëse. Takime të delegacionit kosovar ka pasur edhe në Vjenë edhe në vende të tjera. Prandaj në interesin e dy vendeve tona, është që të ketë edhe komunikim të drejtpërdrejt ndërshtetëror në mes të lidershipit kosovar edhe atij të zgjedhur të Serbisë, por gjithmonë si dy shtete të pavarura sovrane, duke punuar për interesin e dy vendeve, qytetarëve tanë dhe perspektivës euro-atlantike, edhe të Kosovës edhe të Serbisë edhe të gjithë rajonit”, shprehet Thaçi.
Ndërsa, rreth zhvillimeve të fundit dhe përplasjeve me Vetëvendosjen, kryeministri i vendit ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është duke u konfrontuar me askënd.
“Realisht Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është duke u konfrontuar me askënd.... Qeveria e Republikës së Kosovës është duke vazhduar të luajë rolin e vet unifikues, në kuptimin e një agjende të përbashkët shtetërore. Ne kemi qenë edhe në opozitë në vitin 2004 - 2007, kur është formuar ekipi i unitetit, kemi marrë të gjitha përgjegjësitë si lidership, duke vënë së pari interesat e shtetit mbi ato partiake... Prandaj, edhe thirrja ime sot për gjithë spektrin politik kosovar është që të punojë së pari për Kosovën, pastaj për interesa partiake ose interesa të tjera, sepse është viti më i rëndësishëm historik për Kosovën pas vitit 1999, kur e fituam lirinë, pas vitit 2008 që e shpallëm Kosovën të pavarur dhe sovrane”, u shpreh ndër të tjera Thaçi.