Shqipëri, kursi i këmbimit stabil

Kursi i këmbimit në vendin tonë është i stabilizuar dhe i pandikuar nga luhatjet. Ekspertë të bankave, konstatojnë se qëndrueshmëria e kursit të këmbimit ka sjellë ndikim në stabilizimin e inflacionit të importuar.

Arjan Kadare, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, thotë se kjo i dedikohet stabilitetit të monedhës vendase, e cila gjendet në mënyrë konstante në një pozitë të favorshme dhe si e tillë, siguron kursimet dhe shpenzimet e qytetarëve.
Po ashtu, kohët e fundit kreditë në lekë kanë nisur të shtohen në raport me kreditë e dhëna në monedhat e huaja. Orientimi më imadh i bankave sikurse edhe i qytetarëve drejt kredive në monedhën vendase, erdhi pas thirrjeve të përsëritura të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar rregulloren e këmbimit valutor që bëhet mes saj dhe bankave të nivelit të dytë. Sipas këtyre ndërhyrjeve, bankat sanksionohen të njoftojnë më parë në lidhje me këto transaksione si dhe për shumën që duhet të shkëmbejnë. Një gjë e tillë bëhet për të patur një praktikë të duhur të këmbimit valutor mes institucionit monetar dhe bankat.