Përmirësohet baza ligjore që ka të bëjë me gazetarë

Kodi i ri i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës do të përmirësojë bazën ligjore të trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me punën e gazetarëve.

Pas konsultimeve ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dhe Ministrisë së Drejtësisë është arritur pajtim që Ministria e Drejtësisë të heq nga Kodi Nenin 37 dhe Nenin 38, të cilat janë vlerësuar si shqetësues për komunitetin e gazetarëve, pasi që mund të krijojnë hapësirë që të keqpërdoren kundër lirisë së mediave.
Po ashtu, Ministria e Drejtësisë është pajtuar që të fusë në politikat e dënimeve rritjen e dënimit për 30 për qind (për çfarëdo lloj dënimi), në rastet kur gazetarët janë penguar ose janë sulmuar për shkak të punës së tyre. Rastet që kanë të bëjnë me gazetarët do të trajtohen me prioritet nga gjykatat.
Në takim është diskutuar edhe për mundësitë e përmirësimit të transparencës dhe lehtësimit të punës së gazetarëve.
AGPK ka shfrytëzuar rastin që edhe një herë të adresojë problemin e mungesës së një zëdhënësi të Qeverisë së Kosovës.
Sipas AGPK-së, zbatimi i këtyre masave në Kodin Penal të Kosovës do të krijojë një bazë të kënaqshme ligjore të trajtimit të rasteve kur gazetarët pengohen në punën e tyre, por edhe krijon mundësinë që gazetarët të jenë subjekt i trajtimit të drejtë gjyqësor në rastet kur mund të kenë devijuar nga kriteret profesionale.