Ditëlindja e tetë e Facebookut

Vetëm pak ditë pas publikimit të informatave rreth ofertës fillestare të aksioneve, Facebook feston ditëlindjen e tetë me 845 milion shfrytëzues aktiv dhe biznes shumë të suksesshëm, të hyrat neto të kompanisë gjatë vitit 2011 ishin një miliard dollarë.
Vlera e kompanisë mendohet të jetë në mes 75 dhe 100 miliard dollarë, e sipas hulumtimit më të fundit i cili për temë kishte Facebookun, e të cilin e ka kryer Pew Research Center, shfrytëzuesit ende shprehim interesim të madh për këtë rrjetë shoqëror.
Në të vërtetë, madje edhe shfrytëzuesit disa-vjeçar të këtij rrjeti nuk po tregojnë kurrfarë shenja të ngopjes me Facebook, tregoi hulumtimi i tyre.
“Sa më shumë miq të ketë shfrytëzuesi i Facebookut, ai do të jetë më aktiv në shtimin e miqve të rinj, Like-ing, komunikim përmes mesazheve personale, komentim, ngarkim dhe tag-im të fotografive dhe bashkëngjitje në grupet e ndryshme, thuhet në raport.”
Facebook është nisur me 4 shkurt të vitit 2004 në adresën www.thefacebook.com, ndërsa the “ra” nga emërtimi në vitin 2005, kur u ble domeni facebook.com për 200,000 dollarë.
Fillimisht rrjeti ishte në dispozicion vetëm për shfrytëzuesit e Harvardit, e për të gjithë njerëzit mbi 13 vjeç u bë në dispozicion me 26 shtator të vitit 2006.
Deri te 100 milion shfrytëzuesit e parë Facebook arriti në gusht të vitit 2008.

Milani barazon, ashtu si Juvja

Milani nuk ka arritur të bëjë më shumë se sa të barazojë pa gola me Napolin në San Siro, duke mos shfrytëzuar barazimin e Juventusit nga ana tjetër ndaj Sienës për t’u ngritur në tabelë.
Ndeshjen e dominuan lehtësisht Rossonerët nga fillimi, me figurën kryesore Ibrahimovic i cili ishte figura kryesore dhe tentoi të shënonte.
Në pjesën e dytë një rast të mirë e lëshoi Robinho, por kjo ishte gjithçka, pasi sfida përfundoi vetëm me një karton të kuq të Zlatan Ibrahimovic. 
Edhe Juventusi nuk arriti të bëjë asgjë në takimin e zhvilluar në Juventus Arena, e që përfundoi pa asnjë gol të realizuar, përkundër dominimit ndaj Sienës së fortë në mbrojtje. 
Me këtë barazim Milani ka 44 pikë në tabelë, një më pak se Juventusi që po ashtu barazoi me Sienën. Bianconerët kanë 45 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar në vendin e parë.

Roma deklason Interin

Me rezultat 4-0 ka përfunduar ndeshja e shtyrë dy herë e që u zhvillua në Olimpico, ku Roma i dha leksion nënkampionit të Italisë, Interit, se si luhet futbolli modern.
Pjesa e parë ishte mjaft dinamike, me Romën që e dominoi në tërësi. Që në fillim romakët shfaqen të rrezikshëm, duke dominuar në posedim dhe duke u hapur rrezikshëm në sulm gjë që tregoi telashe për një Inter tejet defensiv.
Dhe presioni i vazhdueshëm në portën Nerazzure u shpagua që në fillim. Pas dy goditjeve nga afërsia të cilat mrekullisht i ndali portieri Julio Cesar, ishte mbrojtësi Juan, ai që pas harkimit të Tottit nga këndi shënoi me kokë për 1-0 dhe gëzimin e Giallorosëve në Olimpico (13’).
Interi më pas tenton të kthehet kur Milito ishte pranë golit, por kjo ishte e tëra prej zikaltërve në pjesën e parë. Nga ana tjetër një pasim të bukur të Miralem Pjanic e shfrytëzoi Fabio Borini, i cili pa problem mashtroi Samuelin për të realizuar për 2-0 dhe epërsinë solide të romakëve në këtë takim (41’).
Në pjesën e dytë Interi as që iu afrua portës romake. Ranieri bëri ndryshime të kota dhe kreativiteti mungoi në masë të madhe te Nerazzurët.
Pas një pasimi fenomenal të Juan, Fabio Borini bukur shmangu mbrojtësit e Interit për të shënuar në portën e Julio Cesar për 3-0 (49’). Në fund epilogun përfundimtar të takimit e vuri Bojan Krkic, i cili realizoi për 4-0 (89’)
Me këtë fitore Roma ka 35 pikë në vendin e gjashtë, një pikë më pak se sa Interi dhe me një ndeshje më pak të zhvilluar.

AVB: Torres do të shënojë ndaj United

Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, vazhdon të jetë optimist për të ardhmen e sulmuesit spanjoll, Fernando Torres, i cili thotë se ka impakt të jashtëzakonshëm në skuadër përkundër faktit se ai po vuan për gola që prej kohës kur u transferua janarin e kaluar.
“Fernando Torres ka pasur impakt të jashtëzakonshëm në ekip, ne nuk e shohim Torresin vetëm si golashënues, por edhe si lojtar ekipor”.
“Ne kemi punuar në lëvizshmërinë e tij për një kohë në mënyrë që ai të përshtatet me lojën tonë. Një gol ndaj United do të ishte vërtet fantastik për të vazhduar një eucri të suksesshme”, deklaroi Villas Boas.

Reali interesohet për Ibrahimovic?

Agjenti i Zlatan Ibrahimovic, ka aluduar se Real Madridi është duke shprehur interesim për sulmuesin kryesor të Milanit.
Suedezi i cili luajti edhe për Barcelonën në sezonin 2009/2010 ndihmoi Rossonerët të fitojnë Scudetton sezonin e kaluar dhe madje shprehur dëshirën të pensionohej në San Siro. Sidoqoftë, duket se po vjen një ofertë e pa rrefuzueshme në drejtim të Ibrës.
“Çdo ditë marr oferta, nuk mund të jap garanci. Real Madridi do të ishte sfidë interesante”, theksoi agjenti Mino Raiola.

Ronaldo dëshiron të kthehet te United

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, u ka rrëfyer miqve të tij se ai dëshiron të rikthehet te ish-klubi i tij, Manchester United.
Sunday Express shkruan se anësori portugez, i cili feston ditëlindjen e 27-të, u ka thënë miqve se transferimi i tij i ‘ëndrrave’ te Real Madridi nuk i ka dalur ashtu siç e ka pritur.
Më herët gjatë sezonit, Ronaldo ishte vërshëllyer nga tifozët në Bernabeu, të cilët vënë në pikëpyetje qëndrimin e yllit portugez. Edhe pse relacionet mes tifozëve dhe lojtarit janë përmirësuar, ende ka mbetur boshllëk në këtë raport.
Ronaldo, i cili iu bashkua Real Madridit nga Manchester United për 80 milionë funte, u ka rrëfyer miqve dhe familjarëve se atij i mungon Old Trafford dhe menaxheri Sir Alex Ferguson, të cilin e konsideron si baba.
Pas plot tri viteve në Spanjë, tashmë spekulimet për një rikthim të tij në Ligën Premier po rriten, dhe lajmi sigurisht se do të alarmojë top klubet britanike, duke përfshirë edhe Manchester Cityn dhe Chelsean. Por, sigurisht se relacionet e veçanta që ka Ronaldo me Unitedin mund të jetë krucial nëse Reali pajtohet ta shesë portugezin.

Wenger aludon në qëndrim të Henryt

shqyrtuar mundësinë e zgjatjes së huazimit të legjendës së klubit nga Emirates, Thierry Henry.
“Nuk kam vendosur për këtë, por ndoshta mundësia është që të zgjasim nga dy deri në gjashtë javë”.
“Sigurisht që jo, ai nuk do të jetë i pranishëm për ndeshjen kruciale ndaj Tottenhamit”, tha francezi

De Rossi të rinovojë kontratën

Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, besohet se është i gatshëm që të nënshkruajë rinovimin me klubin Gialloros.
De Rossi është lidhur me një kalim te Manchester City javëve të fundit, por duket se ai do t’i rezistojë ofertës marremendëve nga gjiganti anglez.
La Gazzetta dello Sport raporton se 28 vjeçari është takuar me drejtorët e Romës dhe kontrata e re mund të nënshkruhet jo më larg se javën e ardhshme. Marrëveshja është pesëvjeçare dhe vlen 6 milionë euro për sezon, plus bonuset.
Është po ashtu e përfshirë edhe një klauzolë prej 10 milionë eurosh, por mund të aktivizohet vetëm një muaj para përfundimit të sezonit. 

Valdes: Kemi akademinë më të mirë në botë

Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, mendon se katalanasit kanë akademinë më të mirë në botë, pas golit vendimtar të shënuar nga 20 vjeçari Cristian Tello në sfidën ndaj Real Sociedadit.
“Unë dua të përgëzoj Tellon për golin e tij të parë për ekipin. Ne kemi akademinë më të mirë në botë”.
“Ishte një ndeshje e vështirë, është shumë ftohtë, por ne luajtëm mirë. Ishte një rezultat i ngushtë, tifozët kanë vuajtur, por ne luftuam deri në fund. Në përgjithësi, ekipi ishte në formë”, tha Valdes. 

Hoxhaj kërkon mbështetje në New York

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë takime me shumë diplomatë amerikanë, përfaqësues të Senatit të SHBA-ve dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetërorë të administratës amerikane.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë takime me shumë diplomatë amerikanë, përfaqësues të Senatit të SHBA-ve dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetërorë të administratës amerikane.
Ai do të ketë takime edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në kuadër të lobimit permanent për të rritur numrin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Hoxhaj do të kërkojë nga përfaqësuesit e këtyre shteteve që ta njohin sa më parë pavarësinë e Kosovës.
Më 8 shkurt, ministri do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku do të prezantohet dhe diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.
Hoxhaj para përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, do të shpalosë progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Kosovë, reformat e gjithëmbarshme që po realizohen nga institucionet kosovare, si dhe për aspekte të tjera të konsolidimit të shtetit të Kosovës. Në KS të OKB-së, ministri kosovar do të kërkojë mbështetje për shpërbërjen dhe largimin e strukturave paralele serbe nga veriu i Kosovës, si parakusht për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin. 

Diplomaci drejt BE-së dhe 100-shit

Njohja nga 100 shtete dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian, përmenden si qëllimet kryesore afatshkurtra të diplomacisë kosovare.
Më 23 janar, Republika e Ganës u bë shteti i 86-të nga gjithsej 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, e cila njohu shtetësinë e vendit. Pesë shtete të Bashkimit Evropian, megjithatë, nuk hyjnë në radhët e vendeve që pranojnë Kosovën si palë të barabartë në arenën ndërkombëtare.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme shfaqin shpresën që brenda këtij viti hapin për njohje ta hedhin edhe të paktën 14 shtete të tjera.
Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, tha për Radio Evropa e Lirë se synim kryesor do të jetë tejkalimi i problemeve aktuale me Serbinë me qëllim përmirësimin e raporteve sidomos me pesëshen evropiane që s’e ka njohur Kosovën.
Ministria e Jashtme pati hartuar, kohë më parë, një strategji për lobim dhe njohje të reja, me të cilën, ndër të tjera, parashihet të arrihet njohja e Kosovës nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së, nga të gjitha vendet e BE-së dhe përfshirja e Kosovës si anëtare e barabartë në të gjitha organizatat dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal.
Gashi shprehu bindjen se pas arritjes së një pajtimi Prishtinë-Beograd, rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale, do të krijohej mundësia e lidhjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
Me diplomatë të ndryshëm evropianë dhe ndërkombëtarë janë takuar, përgjatë muajve të kaluar, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministri i parë për lobim dhe sjelljen e investimeve të huaja, Behgjet Pacolli.
Opozita vlerësoi se diplomacia, siç quhet me shumë adresa, nuk ka treguar efikasitetin e premtuar përgjatë pothuaj katër viteve prej se Kosova është shtet.
Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se ka pasur një neglizhencë në lobimin për njohje dhe se punët në këtë proces janë komplikuar nga ndarja joadekuate e punëve. Mosnjohja nga pesë vende të BE-së, sipas tij dëshmon mungesën e suksesit.

Bora “bllokon” Pejën

Reshjet e borës, që kanë nisur katër ditë më parë, po vazhdojnë edhe të dielën me intensitet të shtuar në komunën e Pejës. Trashësia e borës ka arritur në një metër. Kryetari i komunës, Ali Berisha, ka mobilizuar shtabin e krizës dhe po punohet në terren për t’u dal në ndihmë qytetarëve.
Berisha tha se autoritetet komunale në bashkëpunim me qytetarët, si dhe me kompanitë e pastrimit, Policinë, me FSK-në dhe me organizata të ndryshme po përpiqen që së bashku të tejkalojnë këtë gjendje të krijuar.
“Bora që po vazhdon të bije e ka vështirësuar qarkullimin, mirëpo të gjitha lokalitetet, fshatrat dhe rrugët e bashkësive territoriale kanë qarkullim të lirë. Po bëhen përpjekje që të gjitha ato familje që të mbështeten. Është krijuar një koordinim me bashkësitë territoriale që t’u vijnë në ndihmë familjeve që kanë nevojë dhe nuk kanë kapacitete njerëzore për zbulimin e kulmeve të tyre tek ato shtëpi që janë të ndërtuara nga materiali më i dobët që rrezikohet çatia”, u shpreh Berisha, transmeton Kosovapress.
Edhe pse thuajse të gjitha kompanitë që veprojnë në komunën e Pejës janë të angazhuara për pastrim, lëvizja është e vështirësuar si për automjete ashtu edhe për këmbësor. Bëhet e ditur se një familjeje në qytetin e Pejës i është rrëzuar çatia nga pasha e madhe e borës.
Berisha i ka ftuar qytetarët që të jenë të angazhuar dhe të ndihmojnë në pastrimin e borës, së paku secili në lagjet e veta.
Ndryshe, rrugët kryesore janë të kalueshme, përveç rrugës Pejë-Rugovë, për shkak të ortekëve që bien kohë pas kohe dhe po bllokojnë komunikacionin.

Westerwelle përkrah agjendën evropiane të Kosovës

Presidentja Atifete Jahjaga ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, me të cilin diskutuan për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, zhvillimet në tri komunat veriore të Kosovës dhe situatën e përgjithshme politike në vend.
Jahjaga, njofton Zyra e saj, tha se institucionet e Kosovës e shohin dialogun teknik me Serbinë si mënyrën e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje.
Ajo theksoi se procesi i dialogut përfiton me garantimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura nga Bashkimi Evropian duke respektuar përfaqësimin e Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, në të gjitha marrëveshjet e arritura.
Ministri Westerwelle ndërkaq, siç thuhet në komunikatë, shprehu përkrahjen e Gjermanisë për Republikën e Kosovës në konsolidimin e mëtejshëm të saj në skenën ndërkombëtare, agjendën e saj evropiane dhe vazhdimin e dialogut teknik.
Ai inkurajoi bashkërendimin dhe bashkëpunimin e përfaqësuesve dhe liderëve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare në avancimin e proceseve demokratike dhe sigurimin e lirisë së plotë të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, si një vlerë evropiane.

Ndërpritet mësimi për një javë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë vendim që javën e ardhshme të mos mbahet mësim në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Këtë vendim ministri Buja e ka marrë për shkak të motit që ka vështirësuar lëvizjen qytetarëve dhe për shkak paralajmërimit se edhe gjatë javës së ardhshme do të mbretërojë mot i ftohtë dhe me reshje.
Meqë informatat e vazhdueshme që ka MAShT-i nga terreni flasin për një gjendje tejet të vështirësuar të lëvizjes, është vendosur që mësimi të ndërpritet nga dita e hënë (6 shkurt) deri në ditën e premte (10 shkurt) në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.
Mësimi rifillon të hënën më 13 shkurt 2012. Ditët e humbura të mësimit do të kompenzohen në fund të vitit shkollor. 

“Leximi i mendjes” dhe ruajtja e rrethit shoqëror

Studimet kanë vërtetuar lidhjen midis aftësisë ‘për të lexuar mendjen’ dhe aftësisë për të krijuar dhe ruajtur rreth të mirë shoqëror.
Udhëheqësi kryesor i hulumtimit, profesori Robin Dunbar, nga “Institute of Cognitive and Evolutionary Biology” në Universitetin Oxford ka thënë që ‘mentalizimi’ ndodh atëherë kur individi është në gjendje të përcjellë hierarkinë natyrale që përfshin gjendjen mendore të individëve të tjerë.
Kuptimi i lidhjes midis madhësisë së trurit të individit dhe numrit të miqve të tij na ndihmon të kuptojmë mekanizmat që kanë çuar në zhvillimin e trurit më të madh tek qeniet njerëzore sesa tek speciet e tjera.
Gjithsej 40 vullnetarë janë pajtuar t’u nënshtrohen skanimeve të trurit me rezonancë magnetike në Universitetin e Liverpulit. Të anketuarve u është kërkuar të numërojnë personat me të cilët janë të lidhur në mënyrë shoqërore dhe jo profesionalisht në shtatë ditët e fundit. Atyre po ashtu u është bërë edhe testi psikologjik i aftësive mentalizuese. Të gjithë vullnetarët në këtë studim janë studentë të moshave të ndryshme me potencial të ngjashëm për aktivitete shoqërore.
“Sigurisht, sasia e koha së ndarë për socializim, gjeografia dhe gjinia dhe personaliteti ndikojnë në madhësinë e shoqërisë apo rrethit social, por po ashtu e dimë që disa nga këta faktorë, sidomos gjinia, po ashtu janë në korrelacion me aftësitë ‘mentalizuese’. Studimi ynë ka zbuluar se ekziston një lidhje mes aftësisë për të ‘lexuar’ atë që mendojnë njerëzit me madhësinë e rrjetit shoqëror”. 

Leonora kërkon debat me Adelinën (video)

Këngëtarja Leonora Jakupi, ka demantuar pohimet e Adelina Ismajlit dhe ka kërkuar debat nga diva e pop muzikës shqiptare, pas pohimeve kontraverse të kësaj të fundit të bëra ditë më parë.
Adelina Ismajli në emisionin Rubikon e thumboi tërthorazi Leonora Jakupin duke folur madje në emision edhe për rrahjen mes këngëtareve. Dhe, në emisionin Prive, ishte Leonora Jakupi ajo që akuzoi Adelinën se ka probleme me vetveten, duke kërkuar dhe debat të hapur me të.
“Nuk dua të merrem me njerëz që kanë probleme me vetveten, propaganda që ajo bën është e rrezikshme, e ftoj atë në debat të hapur”, theksoi Leonora.
Ndër të tjera Leonora shtoi se ajo nuk ka të dashur momentalisht, por nuk mohoi se ka dalur në takime. Ajo po ashtu mohoi realizimin e një dueti me Ermal Fejzullahun.
Intervista e Leonora Jakupit në Prive

Adelina flet për rrahjen me Leonora Jakupin

DJ Blunt dhe Real 1 vijnë me “Hot Girls”

Dj Blunt dhe Real 1 kanë sjellur bashkëpunimin më të ri me videoklip, “Hot Girls”, në bashkëpunim me Napy Paco dhe Ergenin.
Videoklipi i paralajmëruar shumë kohë më parë nga reperët, ku merr pjesë edhe antari tjetër i NR, Ergeni.
Ky klip i këngës që pritet të bëhet hit, është punuar nga EmfCreative. 

Noga, tinejxheri më i klikuar në Europë

Tinejxheri sensacional nga Prishtina, Agon Abdullahu, i njohur si Noga, është duke thyer kufinjt e reales dhe duke kaluar madje përtej imagjinares, pasi tashmë mund të konfirmohet si tinejxheri më i klikuar në Europë.
Kjo falë projekteve të jashtëzakonshme të cilat zënë vend në kanalin e tij zyrtar në YouTube “NogaBeatbox”, i cili mirëmbahet me një përpikmëri të jashtëzakonshme.
Edhe pse vetëm 16 vjeçar, Noga ka hiç më pak se 23 milionë klikime nëpër këngët e tij të publikuara në kanalin zyrtar, ndërsa sipas vet talentit në Beatbox dhe tashmë edhe këngëtarit, ai është duke synuar t’i arrijë 100 milionë klikime.
Filloi si 6 vjeçar në beatbox duke fascinuar të gjithë, ndërsa si 14 vjeç doli publikisht e vazhdoi me bashkëpunime, duke filluar nga Lyrical Son me hitin “Souljah”, i cili bëri ‘boom’ të vërtetë, e për të arritur më pas kulmin me bashkëpunimet e B Genius dhe “Tequila Vavan” e famshme e Florin, etj, etj, etj. Ka premtuar së fundmi dhe bashkëpunim e Unikkatilin, por mbetet të shihet cila është befasia e Nogës.
Për Telegrafin, Noga ka premtuar bashkëpunime edhe më të mëdha në të ardhmen, duke premtuar po ashtu edhe seriozitet më të madh në projektet e tij dhe karrierën e tij. 

Abramovich nuk e dëshiron Mourinhon

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, nuk dëshiron ta rikthejë trajnerin portugez Jose Mourinho në Stamford Bridgë, gjithnjë sipas tabloideve angleze.
Sunday Mirror pohon se Abramovich nuk është i interesuar që ta rikthejë në stol Jose Mourinhon dhe madje gjasat për këtë janë shumë të vogla.
Është menduar se Jose Mourinho mund të shqyrtojë një rikthim te Chelsea nëse atij i jipet kontroll i plotë mbi klubin, por miliarderi rus u ka thënë miqve të tij se ky nuk është opsion të cilin përgatitet ta shqyrtojë.

Cassano nuk kthehet këtë sezon

Neurokirurgu i Antonio Cassanos ka përjashtuar mundësinë që sulmuesi i Milanit të kthehet para përfundimit të këtij sezoni, duke shuar kështu shpresat e italianëve për përfshirje të ‘Fantantonios’ në Euro 2012.
“Mendoj se është e mundur për të që të luajë në qershor, por jo para qershorit. Unë kam dëgjuar disa zëra, por është herët. Ai po rikuperohet mirë dhe gjithçka po shkon sipas planit. Mund të them se faza e parë e rehabilitimit është kompletuar”, theksoi neurokirurgu Nereo Bresolin.
Kështu, Antonio Cassano definitivisht nuk do të mund të kthehet për ta ndihmuar Milanin në luftën për titull, ndërsa për më shumë shtohen kokëçarjet e Cesare Prandellit për sulmin e kombëtares italiane.

Ranieri: Dua fitore ndaj Romës

Bosi i Interit, Claudio Ranieri, kërkon vetëm fitoren ndaj ish-skuadrës së tij, Romës, në takimin që zhvillohet sot në ora 15:00 në kushte të pa përshtatshme klimatike.
“Do të jetë ndeshje e mirë, me rëndësi për të dyja palët që ta fitojnë. Ata sulmojnë dhe krijojnë shumë raste, por ata lënë shumë hapësira në mbrojtje dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë këto”.
“Roma ka bërë lëvizje të shkëlqyer duke sjellë Luis Enriquen. Ai ka treguar se ka idenë e duhur dhe lojtarët janë duke e ndjekur. Ai po bën mirë dhe do të përmirësohet ende”, ka thënë Ranieri. 

Allegri: Nuk jemi në krizë

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se Rossonerët nuk po kalojnë nëpër sezon zhgënjyes, përkundër rezultateve të dobëta në javët e fundit.
“Është mëkat që pësuam humbjet, por absolutisht këto nuk përbëjnë sezon zhgënjyes për ne pasi jemi në gjysmëfinale të Coppa Italias dhe në Ligën e Kampionëve, kështu që kemi ende rrugë përpara”.
“Unë kam menduar për këtë, por në fund të sezonit kur të jemi në maje, ne nuk do të shikojmë sa pikë kemi marrë ndaj rivalëve. Neve na intereson titulli”, ka thënë Allegri.

Naser Thaçi kryetar i Sindikatës së RTK-së

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, ku kryetar u zgjodh Naser Thaçi. Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, përbëhet prej 11 anëtarëve, kurse ka rreth 100 anëtarë më synim të rritjes së këtij numri në ditët e ardhshme.
 “Kuvendi i anëtarëve miratoi edhe statutin e SPERTK-së, i cili është i bazuar në detyrimet që vijnë nga Ligji i Punës dhe Kontrata Kolektive e RTK-së për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, thuhet në komunikatën për media të kësaj sindikate.
Në këtë Kuvend ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës ku ka konfirmuar se Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të jetë anëtare e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe do ta ketë përkrahjen e saj të vazhdueshme.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Naser Thaçi premtoi se do të jetë këmbëngulës në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve që dalin nga Ligji i Punës dhe Kontrata Kolektive e RTK-së. Ndërsa i bëri thirrje edhe njëherë Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt të gjejë zgjidhje ligjore sa i përket pronës së RTK-së dhe të gjej zgjidhje të qëndrueshme financiare për RTK-në. 

Trashëgimia kulturore, pa ndikime politike

Miratimi i dy projektligjeve, atij për Hoçën e Madhe dhe Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, duket se nuk do të jetë aq i lehtë, për faktin se nuk janë bërë ndryshimet e propozuara, dhe si të tilla, nga opozita konsiderohen ligje që i bëjnë dëm Kosovës. Kundërshtime për këto dy projektligje vijnë edhe nga deputetë të caktuar nga koalicioni qeverisës.
Mbledhja e fundit e Komisionit për bujqësi, pylltari dhe mjedis e planifikim hapësinor, nuk ka rezultuar ashtu siç ka pritur kryetari i komisionit, deputeti i PDK-së, Nait Hasani.
Neni 16 i Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, si më problematiku ka mbetur i njëjti, siç është propozuar nga Qeveria. Ky nen përcakton rolin kyç të Kishës Ortodokse në qendrën e Prizrenit. Hasani tha për Radio Kosovën se disa ndryshime janë bërë, por karakteri kryesor i ligjit ka qenë neni 16. Sipas tij, ky nuk është ligji për të cilin ka nevojë Prizreni.
Anëtari i Komisionit për bujqësi nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, i cili është larguar nga grupi punues për amandamentimin e këtyre dy ligjeve, tha se institucionet fetare nuk do duhej të kishin autoritet mbi qendrën dhe nuk duhet lejuar që në trashëgiminë kulturore të ketë ndikime politike, ngase thellon ndarjet etnike e fetare. Sipas tij, me mënyrën se si është plotësuar ligji, edhe Hoça e Madhe shndërrohet në instrument politik
Këto dy ligje, pa ndryshimet e kërkuara, nuk do ta kenë as mbështetjen e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri tha për Radio Kosovën se lidhja mes mbështetjes së Rezolutës për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe këtyre dy ligjeve, është e paqëndrueshme.
Përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se këto projektligje nuk e pengojnë përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, por zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon ndryshe.
“Këto janë kërkesë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, por ajo çka mund të them është që ne do t’i kryejmë obligimet tona. Nuk do të ketë asnjë veprim që do të jetë më shumë se Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Kuçi.
Sipas Kryetarit të Komisionit për bujqësi, Nait Hasani, aktualisht në Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit ka mbetur të vendoset vetëm për Këshillin Zbatues dhe Monitorues, se cili do të jetë roli i tij në trashëgimi dhe se a do të jetë ky këshill bartës i të gjitha objekteve kulturore e historike të Prizrenit.

“Vetëvendosja” vendos për Kurtin, jo Kuvendi

Shaip Muja do ta ketë më lehtë që ta braktisë vetë Komisionin për Punë të Jashtme, se sa t’ia arrijë qëllimit për ta shkarkuar Albin Kurtin nga pozita e kryetarit të këtij komisioni.
Së paku tre anëtarë të Komisionit të Jashtëm, të cilët janë njoftuar me shkrim me “synimin” e deputetit Muja, dy publikisht, e i treti në kushte anonimiteti, kanë deklaruar se të drejtën për shkarkim të Kurtit nga kryetari i komisionit e ka vetëm grupi parlamentar i “Vetëvendosjes”, shkruan “Koha Ditore”.
Kështu, sipas tyre, është e përcaktuar me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe me një “marrëveshje të panënshkruar” që është arritur ndërmjet subjekteve parlamentare kur është bërë ndarja e komisioneve.
“Është e drejtë ekskluzive e partive parlamentare, dhe jo e komisioneve, që të vendosin se kush do t’i kryesojë komisionet parlamentare”, ka thënë një nga deputetët e këtij komisioni, duke parapëlqyer anonimitetin.
Në nenin 65, pika 3 të Rregullores së punës së Kuvendit, shprehimisht thuhet se: “Grupet parlamentare i propozojnë kryetarët për komisione, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Kryesi. Në marrëveshjen për caktimin e posteve për kryetarë të komisioneve, Kryesia e merr parasysh proporcionin e forcës së grupeve parlamentare”.
I njëjti deputet është pajtuar me Mujën se Komisioni për Punë të Jashtme është izoluar, por nuk e ka bërë fajtor Kurtin për këtë gjë.
“Nëse dikush ka faj në këtë mes, në radhë të parë janë PDK-ja e LDK-ja, që nuk e kanë zgjedhur këtë komision gjatë kohës kur është bërë ndarja e tyre. Siç dihet, partia më e madhe është ajo që e gëzon të drejtën për të zgjedhur e para ndonjërin nga komisionet parlamentare, e pastaj vjen në radhë partia e dytë, e tretë, e kështu me radhë..”, ka sqaruar ai.

Tadici të mos sillet si Milosevici

Prishtina nuk do ta vë paraprakisht njohjen e Kosovës si kusht për bisedime të kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë. Do të pranojë bisedimet vetëm nëse temë është rregullimi i raporteve të dy shteteve, ka thënë Azem Vllasi, këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi.
Duke reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb Boris Tadic, i cili ka thënë se është i gatshëm të takohet me Kryeministrin e Kosovës nëse kjo është në funksion të zgjidhjes së problemeve në Kosovë, Vllasi thotë se ka vend për bisedime nëse "Tadic nuk sillet si Milosevici kur kërkonte të takonte liderët e shqiptarëve për të zgjidhur problemet në Kosovë”.
“Tadici ka mundur të takohet me presidentet Atifete Jahjaga apo Thaçin dhe të flasin për këto katër pikat që i ka përmendur Tadici, apo për ndonjë plan tjetër, me kushtin që fjala është për normalizimin e raporteve të dy shteteve. Kosova është një shtet sovran”, ka thënë Vllasi për “Blic”, për të shtuar se nuk e di nëse ka kontakte mes Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë. 

Jahjaga takoi ministrat Davutoglu dhe Amr

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit të saj në Gjermani u takua edhe me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu.
Jahjaga e vlerësoi lartë mbështetjen e Turqisë dhënë Republikës së Kosovës dhe kërkoi nga ministri Davutoglu vazhdimin e mëtejshëm të kësaj përkrahjeje për të siguruar njohje të reja për Kosovën, me theks të veçantë te disa vende të Lindjes së Mesme.
Ministri Davutoglu ritheksoi përkushtimin e shtetit Turk për të shtuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar me Republikën e Kosovës dhe për të ndihmuar në rritjen e numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës.
Presidentja e Kosovës është takuar edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Mohammed Amr.
Në këtë takim Jahjaga theksoi se shteti i Kosovës është tashmë një realitet ndërkombëtar i pranuar nga 86 vende të botës dhe se pavarësia e saj është e pakthyeshme. Ndërsa, shtroi edhe kërkesën që shteti i Egjiptit ta njoh Republikën e Kosovës.
Amr rikujtoi që Egjipti edhe pse nuk e ka njohur formalisht Republikën e Kosovës, e ka përkrahur anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. 

Qeveria nuk mund ta mbrojë veriun

Katër pikat e Boris Tadicit, një prej të cilave kërkon krijimin e një hapësire të veçantë në veri të Kosovës, të ngjashme me Republikën serbe të Bosnjës, shumë lehtë do të mund të nisin së zbatuari nëse Hashim Thaçi mbetet kryeministër i Kosovës.
Një vlerësim të tillë e japin analistët kosovarë, disa prej të cilëve e mbështesin vlerësimin në shembullin e mënyrës se si u kundërshtuan gjashtë pikat e Ban ki-Moonit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Për Avni Zogianin, drejtorin e Organizatës për Dinjitet dhe kundër Korrupsionit, “ÇOHU”, të gjitha rrugët e Kosovës momentalisht po çojnë drejt një statusi të veçantë për veriun e Kosovës.
“Thaçi qysh para dy vjetësh ka folur për një zgjidhje kreative për veriun dhe ajo që pres të ndodhë është një kundërshtim deklarativ si me planin e Ban Ki Moonit, por që u lejua të zbatohet në praktikë”, ka thënë Zogiani për “Zëri”.
Paaftësinë e qeverisë për t’u përballur me këtë plan dhe presionet e mundshme ndaj Kosovës, i përmend edhe Ardian Arifaj nga organizata KIPRED.
“ Nëse më pyet a është qeveria jonë në gjendje të mbrojë veriun, unë them nuk është”, thotë direkt Arifaj dhe shton se “deri më sot askush nuk ka dalë me një vizion se çfarë duhet bërë me veriun, asnjë pjesëtar i klasës politike”.