Njohja nga 100 shtete dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian, përmenden si qëllimet kryesore afatshkurtra të diplomacisë kosovare.
Më 23 janar, Republika e Ganës u bë shteti i 86-të nga gjithsej 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, e cila njohu shtetësinë e vendit. Pesë shtete të Bashkimit Evropian, megjithatë, nuk hyjnë në radhët e vendeve që pranojnë Kosovën si palë të barabartë në arenën ndërkombëtare.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme shfaqin shpresën që brenda këtij viti hapin për njohje ta hedhin edhe të paktën 14 shtete të tjera.
Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, tha për Radio Evropa e Lirë se synim kryesor do të jetë tejkalimi i problemeve aktuale me Serbinë me qëllim përmirësimin e raporteve sidomos me pesëshen evropiane që s’e ka njohur Kosovën.
Ministria e Jashtme pati hartuar, kohë më parë, një strategji për lobim dhe njohje të reja, me të cilën, ndër të tjera, parashihet të arrihet njohja e Kosovës nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së, nga të gjitha vendet e BE-së dhe përfshirja e Kosovës si anëtare e barabartë në të gjitha organizatat dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal.
Gashi shprehu bindjen se pas arritjes së një pajtimi Prishtinë-Beograd, rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale, do të krijohej mundësia e lidhjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
Me diplomatë të ndryshëm evropianë dhe ndërkombëtarë janë takuar, përgjatë muajve të kaluar, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministri i parë për lobim dhe sjelljen e investimeve të huaja, Behgjet Pacolli.
Opozita vlerësoi se diplomacia, siç quhet me shumë adresa, nuk ka treguar efikasitetin e premtuar përgjatë pothuaj katër viteve prej se Kosova është shtet.
Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se ka pasur një neglizhencë në lobimin për njohje dhe se punët në këtë proces janë komplikuar nga ndarja joadekuate e punëve. Mosnjohja nga pesë vende të BE-së, sipas tij dëshmon mungesën e suksesit.