“Vetëvendosja” vendos për Kurtin, jo Kuvendi

Shaip Muja do ta ketë më lehtë që ta braktisë vetë Komisionin për Punë të Jashtme, se sa t’ia arrijë qëllimit për ta shkarkuar Albin Kurtin nga pozita e kryetarit të këtij komisioni.

Së paku tre anëtarë të Komisionit të Jashtëm, të cilët janë njoftuar me shkrim me “synimin” e deputetit Muja, dy publikisht, e i treti në kushte anonimiteti, kanë deklaruar se të drejtën për shkarkim të Kurtit nga kryetari i komisionit e ka vetëm grupi parlamentar i “Vetëvendosjes”, shkruan “Koha Ditore”.
Kështu, sipas tyre, është e përcaktuar me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe me një “marrëveshje të panënshkruar” që është arritur ndërmjet subjekteve parlamentare kur është bërë ndarja e komisioneve.
“Është e drejtë ekskluzive e partive parlamentare, dhe jo e komisioneve, që të vendosin se kush do t’i kryesojë komisionet parlamentare”, ka thënë një nga deputetët e këtij komisioni, duke parapëlqyer anonimitetin.
Në nenin 65, pika 3 të Rregullores së punës së Kuvendit, shprehimisht thuhet se: “Grupet parlamentare i propozojnë kryetarët për komisione, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Kryesi. Në marrëveshjen për caktimin e posteve për kryetarë të komisioneve, Kryesia e merr parasysh proporcionin e forcës së grupeve parlamentare”.
I njëjti deputet është pajtuar me Mujën se Komisioni për Punë të Jashtme është izoluar, por nuk e ka bërë fajtor Kurtin për këtë gjë.
“Nëse dikush ka faj në këtë mes, në radhë të parë janë PDK-ja e LDK-ja, që nuk e kanë zgjedhur këtë komision gjatë kohës kur është bërë ndarja e tyre. Siç dihet, partia më e madhe është ajo që e gëzon të drejtën për të zgjedhur e para ndonjërin nga komisionet parlamentare, e pastaj vjen në radhë partia e dytë, e tretë, e kështu me radhë..”, ka sqaruar ai.