Balotelli: Refuzoj Milanin për Cityn

Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, ka këmbëngulur se ai do të refuzonte Milanin, në mënyrë që të mbesë lojtar i klubit nga Ettihad Stadium.
Balotelli është në mes të një lufte mes Interit dhe Milanit për firmën e tij, por sulmuesi kontravers ka bërë të ditur se ai nuk do të largohet nga Anglia.
“Unë do të qëndroj në Mançester, kështu që do t’i thosha ‘jo’ Milanit. Do t’i thosha ‘jo’ tani dhe ‘jo’ viteve të ardhshme. Unë jam te City”, ka theksuar Balotelli. 

Conte rinovon kontratën

Juventusi ka bërë të ditur në faqen zyrtare të klubit se trajneri Antonio Conte ka nënshkruar kontratë të re që do ta mbajë atë në klub deri në vitin 2015.
42 vjeçari është pritur të rinovojë pas suksesit që në vitin e parë më Bianconerët, duke fituar Scudetton.
Nën drejtimin e Contes, Juventusi e përfundoi sezonin në Serie A i pa mposhtur, me katër pikë më shumë se sa Milani.

Hazard zgjedh Unitedin?

Duket se anësori belg Eden Hazard, të cilin e kërkojnë të gjitha ekipet nga Liga Premier, ka vendosur që të nënshkruajë për Manchester Unitedin.
Agjenti i Hazard ka konfirmuar se belgu ka arritur marrëveshje me Unitedin, Chelsean dhe Cityn, por se do të bënte të ditur së shpejti vendimin e ti.
Sidoqoftë, Mercato365 shkruan se Hazard ka vendosur të kalojë te United dhe janë detajet e vogla që pengojnë zyrtarizimin e kalimit të tij në Old Trafford. Kontrata e francezit pritet të jetë pesë vjeçare

Lampard: Drogba la hapësira boshe

Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ka pranuar se largimi i sulmuesit Didier Drogba do të lë hapësira të mëdha boshe në ekipin e Bluve.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë të martën konfirmoi largimin e tij nga klubi londinez, duke lënë të pikëlluar tifozët dhe vet bashkëlojtarët.
“Unë nuk e kam parë Drogban të përmendet kur kanë dashur të zgjedhin ekipin më të mirë në 20 vitet e fundit në Ligën Premier. Ndoshta kjo për shkak se njerëzit flasin për anën tjetër të medaljes. Sigurisht, largimi i tij do të lë hapësira të mëdha boshe në ekip. Ai është i pa zëvëndësueshëm”, ka theksuar Lampard. 

United lanson ofertë 17 mil. euro për Kagawan

Manchester United ka bërë hapin e parë drejt transferimit të mesfushorit japonez të Dortmundit, Shinji Kagawa, duke lansuar ofertë prej 17 milionë eurosh.
Gjiganti anglez është serioz dhe favorit i madh për supertalentin japonez, i cili ka shumë skuadra të interesuara pas vetes. Sidoqoftë, tashmë kur dihet se ekziston oferta konkrete, është vetëm çështje kohe zyrtarizimi i Kagawas.
Kjo pasi agjenti i japonezit ua ka bërë të ditur zyrtarëve të klubit gjerman se ai nuk do ta rinovojë kontratën dhe pasi dihet se vitin e ardhshëm i skadon kontrata Kagaëas, atëherë Dortmundi nuk ka llogari ta lë në parametra zero, e kështu do të pranojë ofertën e Djajve.

Juventusi nis bisedimet për Destron

Juventusi ka filluar bisedimet me Sienën dhe Genoan për transferimin e sulmuesit Mattia Destro.
21 vjeçari, i cili po lidhet me një largim nga Siena, ka qenë në negociata me Interin ditëve të fundit, akademia nga e të cilit klub edhe ka dalë si futbollist, teksa së fundmi Goal beson se Destro është bërë subjekt i negociatave të Juventusit me dy klubet që kanë kartonin e tij.
Në mënyrë jozyrtare mësohet se Juventusi ka arritur marrëveshje me agjentin e Destros, por bllokada e madhe për Bianconerët është rivali i përbetuar, kjo nëse Interi shfrytëzon opsionin e blerjes që e ka në marrëveshjen me Genoan.
Destro, i cili është produkt i akademisë së Interit, është përfshirë në skuadrën preliminare të kombëtares italiane për Euro 2012. 

Cana nuk largohet nga Lazio

Mesfushori titanik shqiptar, Lorik Cana, nuk do të largohet nga klubi italian Lazio gjatë verës, përkundër ofertave nga klube tjera evropiane.
Kështu ka bërë të ditur babai i futbollistit nga Gjakova, Agim Cana, i cili ka konfirmuar ofertat e klubeve tjera, por njëkohësisht edhe besnikërinë e të birit të tij ndaj klubit italian.
“Loriku nuk do të largohet nga Lazio. Ai është i lumtur në Romë dhe ndihet mjaft mirë”, ka theksuar Agimi.
Lorik Cana ka treguar formë të lartë në ndeshjet e fundit sezonale në Serie A, duke realizuar madje një eurogol ndaj Atalantës në fitoren prej 2-0, i cili cilësohet si një prej golave më të bukur në Serie A sezoni që lamë pas.

Cruyff: Guardiola humbi përkrahjen e bordit

Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka pohuar se ish-trajneri Blaugran, Pep Guardiola, e kishte humbur përkrahjen e hierarkisë së klubit, kur Sandro Rosell u bë president i klubit.
“Guardiola pothuajse merrte vendime të përkryera, por ai kishte gjithmonë përkrahjen e qarqeve të larta të klubit për ta mbrojtur. Pas zgjedhjeve të reja, gjithë kjo mori fund”.
“Me largimin e Guardiolës merr fund një cikël, sepse ai ishte njeriu i cili kishte gjithë kontrollin”, është shprehur Cruyff. 

Milaim Rama “lamtumirë” futbollit (Foto)

Milaim Rama, futbollisti kosovar me nënshtetësi zvicerane, i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist në ndeshjen e mbrëmshme të Thunit përballë Zurichut në stadiumin “Arena”.
"O Milaim Rama, hajde të shohim gola", "Faleminderit Milaim", "Ti je hero i Thunit", "Ti do të mbetesh në legjendë", "I papërsëritshëm", ishin brohoritjet e mbi katër mijë tifozëve të FC Thunit.
Në mesin e tyre ishin edhe rreth 100 bashkatdhetarë të trevave shqiptare, që ishin mbledhur mbrëmë në stadiumin e ri të qytetit Thun, për të përshëndetur golgeterin e kësaj skuadre, i cili pas 47 viteve e solli klubin në ligën e parë profesioniste.
Më 113 gola, mbi 355 ndeshje, Rama luajti në klub për 13 vite, ndërsa 10 herë veshi fanellën e kombëtares zvicerane, duke u bërë futbollisti i parë shqiptarë që luajti për këtë përfaqësuese dhe i pari që luajti në një kampionat evropian, atë të vitit 2004.
Rama luajti për 57 minuta në takimin e mbrëmshëm, në të cilin skuadra e tij, Thun, u mposht me rezultat 1-0 nga Zurichu.
“Janë momentet më të vështira, jam përplot me emocione, falënderoj Perëndinë, falënderoj familjen time, pra prindërit, bashkëshorten, djalin tim, vajzën, motrën, vëllain, të gjithë familjen në Kosovë dhe kudo që gjendet, gjithë shqiptarët”.
“Jam shumë i lumtur që kam bërë diçka të mirë, që kam qenë shembull për të tjerët, se me punë arrihet suksesi. Nuk gjej fjalë në këto momente, po e ndjej, se zemra po rrah shumë, edhe lotët po dalin, këto janë lot zemre, janë lot falënderimi për tifozët e shumtë nga e gjithë Zvicra, që vazhdimisht më kanë përkrahur, këta më kanë dhënë gjithmonë elan, që të jem i mirë”, ka thënë Rama gjatë një prononcimi pas takimit. 

Rooney: Do të kthehemi më të fuqishëm se kurrë

Ylli i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se humbja e titullit në ditën e fundit të sezonit, ka qenë shumë e dhimbshme për Djajtë e Kuq.
“Sigurisht do të dëshironit kjo të mos kishte ndodhur, për tifozët tanë. Si lojtarë, ishte diçka e mundimshme të humbni titullin në atë mënyrë. Çdokush vazhdon tët thotë se sa mirë ka luajtur City se dhe si ata kanë dominuar në Ligën Premier”.
“Por nëse kjo është dominim, ata e kanë bërë atë në bazë të diferencës së golave. Ne mund ta mbajmë kokën lart pasi ne kemi bërë presionin maksimal ndaj Cityt”.
“Ne do të kthehemi, nuk ka diçka për t’u shqetësuar këtu – ne do të vijmë më të fuqishëm dhe më të mirë se kurrë”, ka thënë Rooney.

Dell optimist për zyrën në veri të Mitrovicës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e zyrës administrative në veri të Mitrovicës. Sipas tij, ky vendim i qeverisë demonstron edhe një herë përkushtimin e saj për mirëqenien e qytetarëve të vet pa marr parasysh përkatësinë etnike të tyre dhe përkushtimin e mëtejmë të Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë me përmbushjen e Planit të Ahtisarit edhe pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të këtij viti.
I pyetur nga gazetarët, nëse do të ketë sukses formimi nga Qeveria e Kosovës i zyrës administrative në veri të Mitrovicës, Dell është shprehur optimist, duke thënë se që nga korriku i vitit 2010, kur në veri të Mitrovicës është hapur zyra për shërbime kanë qenë më shumë se 10 mijë qytetarë nga ajo anë, të cilët i kanë marrë shërbimet e tyre dhe se 8 mijë prej tyre kanë qenë serbë, raporton Kosovapress.
Këto komente ambasadori amerikan Christopher Dell i ka bërë sot nga Hoça e Madhe, ku ishin për vizitë bashkë me zëvendëskryeministrin Slobodan Petrovic dhe kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi.
“Jam shumë optimist, sepse mendoj se kjo demonstron edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mirëqenien e qytetarëve të vet, pa marr parasysh përkatësinë etnike të tyre dhe përkushtimin e mëtejmë të qeverisë së Kosovës që të vazhdojë më përmbushjen e planit të Ahtisarit edhe pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të këtij viti, në mënyrë që të krijojë edhe mundësitë për hapjen e komunës së re atje dhe për zgjedhjet e mëvonshme”, ka thënë Dell.
Ndërsa, lidhur me incidentin e djeshëm në një fshat të Komunës së Klinës, me ç’rast janë djegur dy shtëpi të serbëve, Dell ka thënë se ky akt nuk do të ndikojë në kthimin e qëndrueshëm të serbëve në shtëpitë e tyre.

Djegien e shtëpive të dy familjeve të komunitetit serb në fshatin Dresnik, e kanë dënuar drejtues të institucioneve të Kosovës, duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe që kryesit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë.

Finlanda, raporte te veçanta me Kosovën

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Suedi, i akredituar si ambasador jo rezident në Finalndë, Lulzim Peci, në një audiencë solemne në pallatin presidencial në Helsinki i dorëzoi sot letrat kredenciale presidentit të Finlandës Sauli Niinisto.
Ambasadori Peci i përcolli Presidentit Niinisto përshëndetjet e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe dëshirën e saj për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera në mes të dy vendeve.
Duke falënderuar Presidentin Niinins për përkrahjen e gjithanshme që Finlanda i ka dhënë Kosovës, Peci theksoi se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë prioritet i lartë i politikës së jashtme të Kosovës, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ai e informoi Presidentin Niinisto për progresin e gjithmbarshëm të arritur në Kosovë dhe sfidat në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë.
Presidenti Niniisto i përcolli përshëndetjet e tij për Presidenten Jahjaga dhe theksoi se Kosova ka vend të veçantë në zemrat e finlandezëve. Ai i cilësoi marrëdhëniet në mes dy vendeve si të karakterit të veçantë dhe e siguroi ambasadorin Peci se Finlanda do të vazhdojë të përkrahë fuqimisht Kosovën.
Ambasadori Peci, në fund të audiencës, u falënderua për përkrahjen e Presidentit Niinisto dhe shprehu përkushtimin e tij në përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera në mes dy vendeve me një miqësi tanimë të rrënjosur.
Me aktin e dorëzimit të letrave kredenciale Presidentit Niinisto, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stockholm e mbulon Republikën e Finlandës si mision diplomatik jorezident i akredituar në Helsinki. 

Konfirmon përkushtimin e BE-së për Kosovën

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, sot në Gjilan ka përsëritur vazhdimin e përkushtimit e BE-së që të ndihmojë Kosovën për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe të përparuar dhe që të lehtësojmë jetën e të gjithë qytetarëve.
“Jemi këtu që t’u ndihmojnë të ndërtoni një shoqëri më të përparuar, dhe të përmirësojmë sistemin e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës” , tha Zbogar gjatë vizitës në Gjilan, me rastin e përurimit të bibliotekës së qytetit, në të cilën BE-ja ka investuar 2.2 milionë euro.
Ai tha se në takim me kreun e Komunë së Gjilanit, Qemajl Mustafën ka biseduar për projektet e ndryshme që janë duke u realizuar në këtë komunë dhe që do të realizohen në të ardhmen, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra për Informim e Komunës së Gjilanit.
“Biseduam edhe për procesin riatdhesimit dhe ri-integrimit të personave që kthehen në vendlindjen e tyre, që është njëra ndër çështjet shumë të rëndësishme për liberalizimin e vizave”, ka thënë Zbogar, derisa çmoi punën që ka bërë në këtë proces komuna e Gjilanit.

Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, ai tha se e kupton shqetësimin e qytetarëve të Kosovës, për shkak se bashkësia ndërkombëtare i pat premtuar qeverisë së Kosovës dhënien e udhërrëfyesit në pranverë, por nënvizoi se ende jemi në pranverë dhe BE është duke biseduar për çështjet përfundimtare sa i përket udhërrëfyesit dhe u shpreh optimist se së shpejti ky dokument do t`i prezantohet qeverisë së Kosovës.
Duke folur për veriun Zbogar ka thënë se” Qeveria e Kosovës dhe ne, gjithsesi duhet t`i afrohemi kësaj pjese dhe të ofrojmë një dialog me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështje. Është detyrë e qeverisë së Kosovës që t`i ndërmerr hapat e duhur”, ka thënë ai. 

Zgjidhja për veriun, dialogu me qytetarët

Liberalizimi i vizave dhe integrimi në Bashkimin Evropian është një proces që kërkon përkushtimin e të gjithëve, ka deklaruar ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou.
Kjo, sipas tij, nuk është çështje ditësh, dhe as ndonjë dhuratë, ngase kërkon punë sistematike dhe permanente.
Gjatë vizitës në Deçan ai po ashtu tha se për veriun nuk duhet asnjë status special, por dialog me qytetarët atje. 

Klepto merr pasaportën kosovare

Reperi i grupit, TBA, Klepto, është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës, duke bërë kështu dhe një hap tjetër konkret para koncertit të madh të 15 korrikut në Stadiumin e Prishtinës.
Klepto ka konfirmuar se tashmë është shtetas i Kosovës edhe pse jeton në Amerikë dhe me këtë rast ka konfirmuar ardhjen e tij në Kosovë për koncert, përkundër polemikave se ai dhe anëtarët tjerë të ‘labelit’ TBA nuk guxojnë të vijnë në Kosovë.
Së shpejti pritet të lansohet dhe një bashkëpunim tjetër i grupit TBA para koncertit të madh, është kënga e Unikkatilit dhe Presionit, që pritet të lansohet brenda pak ditësh.

Edhe Arsenali pas Hazard

Arsenali është duke bërë përpjekje për ta transferuar yllin e Lille, Eden Hazard, para syve të dy gjigantëve të Manchesterit, Cityt dhe United.
Hazard së fundi ka konfirmuar se ai do të luajë në Ligën Premier dhe se me gjasë qyteti i tij i ardhshëm do të jetë Manchesteri, edhe pse është përfolur edhe për një transferim të tij te Chelsa.

Por drejtori i klubit francez, Frederic Paquet, ka zbuluar se edhe një klub tjetër po ashtu është duke luftuar për të marrë shërbimet e mesfushorit dhe sipas Daily Star ky është Arsenali.

Menaxheri Arsene Wenger është një admirues i madh i 21-vjetarit dhe e ka përcjellë atë për tashmë disa vite.

Wenger është i vendosur ta përforcojë skuadrën me qëllim që të luftojë për trofe në sezonin e ardhshëm, megjithatë shuma prej 32 milionë eurosh, sa kërkon Lille për lojtarin, mund të jetë e papranueshme për francezin.

Iniesta ka besim në Villanovan

Njëshi i Barcelonës, Andres Iniesta, është i bindur se Tito Vilanova do ta ruajë vazhdimësinë e sukseseve të trajnerit në largim, Pep Guardiola.
“Është e rëndësishme që lojtarët janë më të bindur se kurrë se ne mund të shkojmë për të fituar gjërat në të njëjtën mënyrë siç kemi bërë deri tash”.

“Tito Vilanova i njeh mirë gjërat këtu dhe do të vazhdojë në të njëjtin drejtim, i bindur se gjithçka do të funksionojë mirë. Ne vetëm duhet të shohim se si do të dalin gjërat”, ka thënë Iniesta.

Juventusi kërkon Fabio Borinin

Sulmuesi i Romës, Fabio Borini, është duke u lidhur me një transferim te Juvensuti gjatë afatit kalimtar veror.
Kampioni i Italisë është duke e përcjellë nga afër sulmuesin, i cili tash është në bashkëpronësi të Romës dhe Parmës.

“Nuk di asgjë për interesimin e Juventusit. Nuk e di nëse klubet kanë biseduar. Unë nuk jam kontaktuar as nga Juventusi, Parma ose Roma”, ka thënë agjenti i lojtarit, Marco De Marchi.

“Por është normale që një lojtar si Fabio, dikush që ka margjina të përmirësimit, monitorohet nga top klubet pas sezonit që ka pasur”, ka shtuar agjenti

NBA: E ardhmja e Gasol me Lakersat, e pasigurt

Pau Gasol ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij me Los Angeles Lakers pas një bisede me menaxherin gjeneral, Mitch Kupchak, pas eliminimit të skuadrës nga playoffi i NBA-së.
Lakersat u mposhtën në gjysmëfinalet e Konferencës Perëndimore nga Oklahoma City Thunder, pas një serie jo të qëndrueshme të ndeshjeve kur Gasol u akuzua nga bashkëlojtari i tij Kobe Bryant se nuk luan me mjaft agresivitet.

“Do të doja të kisha qartësime, por ata nuk mund të më japin për momentin. Mendoj se menaxhmenti ende duhet të bisedojë me pronarët për të parë se në cilin drejtim do të shkojë skuadra vitin e ardhshëm. Ne vërtet nuk kemi folur shumë për të ardhmen”.

“Ne biseduam për këtë vit, si shkuan gjërat. Gjithçka ishte vërtet pozitive dhe inkurajuese për potencialin tonë për sezonin e ardhshëm”, ka thënë spanjolli.

Zubizarreta admirues i Bielsas

Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, është një tifoz i madh i trajnerit të Athletic Bilbao, Marcelo Bielsa.
Barcelona sonte do të përballet pikërisht me Bilbaon në finalen e Kupës së Mbretit, që do të jetë edhe ndeshja e fundit e Blaugranëve nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola.

Bielsa një kohë të gjatë ishte përmendur si pasardhës i Guardiolës te gjiganti spanjoll, por ata tashmë kanë caktuar Tito Villanovan.

“Ai është një burrë me personalitet të madh dhe në këtë aspekt ai do të adaptohej mirë te klubi jonë. Por është mënyra se si ai e sheh lojën – bazuar në individë që e bëjnë skuadrën më të fuqishme – nuk e di nëse kjo do të përshtatej saktësisht te një klub si Barca”.

“Kam ndjenjën se Bielsa është saktësisht në klubin e duhur, për atë çfarë kërkon nga një skuadër”, ka thënë Zubizarreta.

NBA: 76ers nuk dorëzohen

Philadelphia 76ers ka nxjerrë fitore 82-75 ndaj Boston Celtics për të çuar sfidën gjysmëfinale të Konferencës Lindore në ndeshjen e shtatë, e cila do të jetë vendimtare në përcaktimin e finalistit.
Jrue Holiday ishte lideri me 20 pikë të shënuara, derisa Elton Brand shënoi 13 pikë dhe 10 kërcime për skuadrën fituese, që është në rrugë për të bërë befasinë e radhës pasi eliminoi Chicago Bulls në rundin e parë të playoffit.

Te Boston, Paul Pierce shënoi 24 pikë dhe 10 kërcime, derisa Kevin Garnett kontribuoi me 20 pikë dhe 11 kërcime. Ndeshja e shtatë mes dy skuadrave zhvillohet të shtunën në Boston.

Lampard shpreson në përforcime të verës

Frank Lampard shpreson triumfi në Ligën e Kampionëve dhe kualifikimi në këtë garë për sezonin e ardhshëm të joshë më shumë lojtarë të klasit në Stamford Bridge.
“Triumfi në Ligën e Kampionëve është gjë e madhe për klubin – kjo na vendos neve në hartë. Njerëzit gjithmonë kanë qenë kundër nesh që nuk e kemi fituar atë dhe tash klubi do të ecë përpara”.

“Klubi gjithmonë përparon pasi ky është Chelsea. Investimi i pronarit e ka krijuar këtë situatë, na ka dërguar neve në vende të cilat nuk i kam ëndërruar kur kam nënshkruar 11 vite më parë”.

“Por ne kemi nevojë të vazhdojmë ta ndërtojmë këtë dhe të bëhemi edhe më të mirë. Është gjë e madhe të kesh të garantuar futbollin në Ligën e Kampionëve sërish sezonin e ardhshëm, pasi ne duhet të jemi atje me skuadrën që kemi dhe me atë çfarë kemi bërë”, ka thënë Lampard.

Milani dëshiron Salomon Kaloun

Milani raportohet se ia ka vënë syrin sulmuesit të Chelseat, Salomon Kalou.
Ylli i Bregut të Fildishtë do të jetë pa kontratë muajin ardhshëm dhe deri tash ka refuzuar të nënshkruajë kontratën e re.

Duke qenë lojtar i lirë, Kalou ka joshur vëmendjen e zëvendëspresidentit të Milanit, Adriano Galliani, i cili megjithatë do të duhet ta mposhtë rivalitetin e Arsenalit për të nënshkruar me lojtarin.

Interi në biseda me agjentin e Sahin

Interi është duke menduar të transferojë mesfushorin e Real Madridit, Nuri Sahin.
Agjenti i Sahin është parë në Milano, dhe mediat italiane raportojnë se ai ka biseduar me Interin, Milanin dhe Juventusin.

Qysh javën e kaluar kishte spekulime se Sahin është duke u monitoruar nga klubet e Serie A, pasi i është dhënë dritë e gjelbër për t’u larguar nga Madrid.

Edhe Man United pas David Alaba

Mbrojtësi i Bayern Munichut, David Alaba, ka joshur edhe interesimin e gjigantit anglez Manchester United.
Menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, ka përcjellë personalisht austriakun gjatë finales së Kupës së Gjermanisë.

Spox shkuan se Ferguson e sheh Alaban si një pasardhës afatgjatë për Patrice Evra. Alaba është duke u kërkuar edhe nga Barcelona.

Capital T dhe 2po2 së shpejti me: As Gucci as Louis

Sërish bëhen bashkë Capital T dhe 2po2 së shpejti me: As Gucci as Louis.
“As Gucci as Louis” titullohet kënga më e re e dy reperëve, këngë kjo e cila do të shoqërohet edhe me videoklip.

“Authentic”, është produksioni më i ri i krijuar nga 2po2 dhe Capital T i cili edhe do të përkujdeset për klipin e kësaj kënge.

Videoklipi i kësaj kënge është xhiruar në “ Menthon st Bernard” i cili gjendet mes Francës dhe Zvicrës.

Kënga “As Gucci as Louis” është këngë e albumit “KAPO” i Capital T i cili pritet të lansohet së shpejti.

Në këtë album pritet të ketë shumë bashkëpunime dhe befasi për adhuriesit e Captial T

Mediat botërore: Rona, Aretha Franklin shqiptare

Pas interpretimit të Ronës në natën gjysmë-finale të Eurosong-ut, nuk kanë vonuar të vijnë edhe komentet e para të specialistëve të muzikës.
Në një shkrim të gazetës italiane “Corriere della Sera”, autorja Maria Serena Natale ka sjellë në vëmendjen e lexuesve krahasimin që specialistë të huaj të muzikës kanë bërë për aftësitë vokale të këngëtares Rona Nishliu, e cila përfaqëson kombin tonë në Festivalin Evropian të këtij viti, finalja e të cilit do të mbahet ditën e shtunë në Baku të Azerbajxhanit.

Sipas saj, Rona është krahasuar për nga potenca vokale me Chaka Khan dhe Aretha Franklin, përkatësisht njëra mbretëreshë e zhanrit punk dhe tjetra mbretëreshë e soul-it, shumë të njohura për fuqinë vokale dhe suksesin e madh profesional.

Lorik Cana në lidhje me një italiane

Lorik Cana, i cili shpesh është cak i spekulimeve për jetën e tij private, ka thënë se shumë gjëra që fliten rreth jetës së tij nuk janë të vërteta.
“Për ta hedhur një emër apo histori është shume lehtë. Thjesht për kohën dhe mundësinë që kam në dispozicion nuk është e mundur që të kem aq shumë relacione, ose të kem lidhje me persona”.

“Sigurisht që kontakte këtu, në Shqipëri, apo në Francë kam dhe rri gjithashtu me shoqërinë. Por lidhje të tilla nuk kam pas në jetën time”, ka thënë Cana.

Futbollisti i kombëtares kuqezi ka pohuar se momentalisht është në lidhje dashurie me një vajzë nga Italia. Ai ka pohuar se ndihet shumë mirë në praninë e saj.

“Jam me një vajzë këtu në Itali. Jo prej shumë kohësh, por ndihem mirë. Më ofron gjërat që kam nevojë dhe gjithashtu unë mund ta ndihmoj atë në gjërat që ka nevojë dhe si njeri. Ka pak muaj, por ndihem mirë”, ka shtuar Lorik Cana

Argjentina: Lidhja thjesht mbaroi

Argjentina Ramosaj, e cila është duke konkurruar në “Top Fest 9” me këngën “Si shiu”, nuk ka dashur të komentojë rreth ndarjes nga i dashuri i saj.
E pyetur për jetën private, për arsyet e ndarjes nga i fejuari, Valoni, ajo s’ka dhënë asnjë përgjigje.

“Dua ta mbaj për vete këtë pjesë. Thjesht mbaroi”, është përgjigjur Ramosaj.

Speci djegës ul dëshirën për seks

Ndonëse përdoret mjaft shumë si shije që ia heq ëmbëlsinë ushqimit, speci djegës ulë dëshirën për marrëdhënie seksuale.
Sipas testuesve të këtij fenomeni, speci djegës ulë për 13 për qind dëshirën e partnerëve për të pasur marrëdhënie seksuale.

Kjo ndodh për shkak se lëngu i specit pas tretjes kalon edhe neper kanalet urinare dhe kështu jo vetëm që ulë dëshirën për seks por edhe shkakton dhimbje të kanaleve urinare dhe të vetë penisit dhe vaginës.

Ndërkohë një ndezje cigareje bashkë me çokollatë para seksit është një zgjidhje mjaft e mirë për seks të suksesshëm.

Gërhitja e shton rrezikun nga kanceri

Ata persona, të cilët kanë një problem mesatar me gjumin, përkatësisht gërhitjen gjatë kohës sa janë në gjumë dyfish janë më të rrezikuar se do të preken nga kanceri.
Gërhitja dhe çrregullimet e tjera në frymëmarrje gjatë gjumit, me orë të tëra e zvogëlojnë furnizimin e organizmit me oksigjen.
Shkencëtarë, po ashtu dhe mjekët theksojnë se mungesa e oksigjenit në trup mund të jetë një nxitës për zhvillimin e tumoreve malinje. Ata, po ashtu theksojnë se në të ardhmen mjekët do të mund t'ju ndihmojnë njerëzve, duke ua ndaluar gërhitjen.
Hulumtimi ka vërtetuar se njerëzit me çrregullime serioze në frymëmarrje gjatë gjumit 4- 8 herë janë më të rrezikuar se do të preken nga kanceri, në krahasim me ata njerëz, të cilët nuk kanë kurrfarë problemesh me gjumin apo me gërhitjen.
Hulumtimi ishte bërë nga një grup shkencëtarësh dhe mjekësh nga universiteti Viskonsin - Medison. Gjatë kohës së gërhitjes rrugët e frymëmarrjes gjatë procesit të frymëmarrjes shpeshherë mbyllen, prandaj i përgjumuri ‘lufton’ për më shumë ajër.

Samsung Galaxy S III thyen rekordet e Vodafone

Kohëve të fundit është thënë se telefoni më i ri i Samsung, Galaxy S III ka arritur në 9 milionë njësi të para-porositura nga blerësit, ndërsa tani një operator mobil anglez ka thënë se modeli i ri i telefonit Android ka thyer të gjitha rekordet e saj për para-porosi.
Sipas Vodafone, kërkesa për Samsung Galaxy S III ka qenë masive, duke thyer kështu të gjitha rekordet e porosive që kompania i ka pasur për një telefon Android.

“Një javë para lansimit, Galaxy SIII është modeli më i kërkuar Android” kanë thënë përfaqësuesit e Vodafone për Inquirer.

Megjithatë, Vodafone nuk ka publikuar asnjë detaj për numrin e përafërt të telefonave të porositur, por gjithsesi se do të mbetet të shihet se sa njësi të Samsung Galaxy S III do të shiten në ditët e para të paraqitjes në treg

Pekin, lejohen vetëm dy miza në tualete

Në tualetet publike në kryeqytetin kinez nuk guxon të ketë më shumë se dy miza. Këto janë normat e reja të komitetit komunal, i cili kujdeset për higjienën dhe imazhin e qytetit.
Direktiva duhet të zbatohet në tualetet në parqet publike, në stacione, në aeroporte, spitale, qendra tregtare dhe supermarkete – shkruan gazeta Xin Jingbao.

Mes normave tjera që ka miratuar ky komitet, në tualete nuk guxon të ketë grumbullim të urinës dhe ujit, ndërsa kovat e mbeturinave nuk guxojnë të jenë të mbushura përplot.

Mbeturinat e hedhura duhet të largohen në afat prej gjysmë ore. Defektet e vogla në instalimet sanitare duhet të rregullohen brenda gjysmë ore, ndërsa ato më të mëdhatë në afat prej 12 orësh.

Dashuria bën gjëra të marra dhe të bukura

Një nuse dhe një dhëndër kanë ndërtuar “një urë bashkimi” në jetën reale duke ndarë një puthje nga dy vetura të ndara me të cilat udhëtonin.
Lu Ben dhe tashmë gruaja e tij, Li Wen, i hapën dritaret e veturave, ndërkohë që vozitësit i afruan ata pranë njëri-tjetrit gjatë rrugës për në ceremoninë martesore që u zhvillua në Yuxi të provincës kineze Yunnan.

Ata ndanë një puthje të zjarrtë, ndërsa mysafirët që gjendeshin prapa tyre brohoritën dhe i duartrokitën.

“Deshëm të bëjmë diçka ndryshe për fotografinë e puthjes nga dita jonë e martesës”, ka treguar nusja.

Martohen në varreza – për të qenë “të gjithë” të pranishëm (Foto)

Një çift nga Shtetet e Bashkuara e ka zgjidhur dilemën që në ditën e martesës të jenë të pranishëm të gjithë pjesëtarët e familjes, ashtu që janë martuar në varreza.
Diane Waller dhe Randy Kjarland janë martuar përpara varrezave ku po ‘pushojnë’ prindërit e tyre, ndërsa në ceremoni ishin të pranishëm 60 njerëz.



“Disa njerëz mendojnë se kjo është shaka, por në fakt është një akt i madh respekti ndaj prindërve tanë. Kur kanë dëgjuar të tjerët për tregimin tonë, kanë qarë”, ka thënë i porsamartuari për Austin Daily Herald.

“Nënat tona kanë qenë shumë të lumtura. Menduam se prindërit tanë duhej të ishin në dasmë”, ka deklaruar e porsamartuara.

Punësimi i vështirë

Për zbutjen e shkallës së lartë të papunësisë, sektori privat po bën përpjekje që të gjenerojë vende të reja të punës, por që edhe për këta të fundit, hapja e vendeve të reja të punës nuk është një gjë e lehtë. Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, papunësia në Kosovën arrin në 38 për qind, derisa përfaqësues të punëtorëve dhe organizatat joqeveritare, vlerësojnë se kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, dhe atë mbi 60 për qind.
Në projektet e punësimit që bëhen në Kosovë, numri i punëkërkuesve është i madh, derisa prej tyre arrijnë të punësohen shumë pak.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, i cili në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, çdo vit organizon projektin për punësim të të rinjve, thotë se ky projekt ka rezultuar të jetë i suksesshëm, por siç thotë ai, është e pamundur të punësohen të gjithë ata të cilët kërkojnë punë, pasi që numri i të papunëve është tejet i lartë. “Fluksi i ‘armatës’ së të papunëve në Kosovë, çdo ditë është në rritje, kurse numri i atyre që arrijnë të punësohen është më i vogël, në krahasim me kërkesat. Ky projekt është i suksesshëm, pasi që çdo vit arrin t’i punësojë rreth 500 të papunë. Por, e keqja është se në Kosovë kemi vetëm një projekt të tillë, që ka për qëllim të drejtpërdrejtë punësimin”, thekson Shahini.

Për të gjeneruar vende të reja të punës, ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se kjo mund të bëhet vetëm në rast se krijohet një ambient më i favorshëm biznesor.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë politika më të favorshëm ekonomike për sektorin privat. “Qeveria e Kosovës duhet t’i zvogëlojë tatimet, duhet të ndihmojë bizneset e reja të cilat hapen, dhe ato të mos ngarkohen me tatime. Të ndihmohen investitorët e jashtëm, pasi që investimet krijojnë vende te reja të punës”, thotë profesor Tahiri.

Ai thotë se për të gjeneruar vende të reja të punës, duhet të bëhet aktivizimi i sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë. Sipas tij, këto dy veprimtari arrijnë të punësojnë një numër të madh të të papunëve.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se deri në fund të viti 2015, në sektorin publik nuk do të ketë vende të reja të punës.

Ulqin, themelohet Shoqata shqiptare Biznes Klubi Anamali

Bizneset nga Ana e Mali, krijuan shoqatën e tyre e cila ka për qëllim përkrahjen, organizimin dhe zhvillimin e jetës ekonomike dhe zhvillimore të gjithanshme në Anën e Malit të Ulqinit. “Anamalasit historikisht kanë hapur derën çdo kujt, koha është që të ndërtojnë shtëpinë e tyre” është mesazhi i kësaj shoqate.
Kabil Kurti, kryetar i Shoqatës Biznis Klub Ana Malit, tha se kjo nismë do të jetësohet dhe do të bëhet promotore e një zhvillimi të mirëfilltë të kësaj zone të njohur. “Objektivi i rëndësishëm i kësaj shoqate bazohet te strategjia afatshkurtër dhe afatmesme, ku përfshihet kultivimi dhe metoda bashkëkohore në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë me zgjerimin e kapaciteteve të tyre, investimin në objektet e përpunimit, grumbullimit dhe prodhimeve e të plasimit të tyre në treg si dhe zhvillimin e turizmit familjar si një veprimtari që po shënon hapa pozitive në rajon”, tha Kurti.

Kurse Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit, tha se të gjithë ata që merren me afarizëm duhet të jenë krenar që janë pjesë e formimit të vlerave të reja. “Rrjedhat ekonomike në Komunën e Ulqinit, kanë ndikuar në zhvillimin e përgjithshëm. Privatizimet e pasuksesshme kanë lënë familje të tëra pa punë dhe populli përsëri ka nisur të migroi dhe kërkoi kushte më të mira për jetesë”, theksoi kryetari Cungu.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës (AKB), Agim Shahini tha se me themelimin e kësaj shoqate po ofrohen institucionet. “Duhet të kemi ura komunikimi dhe bashkëpunimi. Ulqini ka afaristë të suksesshëm dhe tashmë po organizohen edhe më fuqishëm. Biznesi këtu po fuqizohet dhe sukseset e bizneseve janë të mëdha”, tha Shahini.

Pensionistët protestojnë të premten

Koalicioni i Pensionistëve të Kosovës, që mbledh mbi 80 mijë anëtarë, ka paralajmëruar për të premten protesta në gjithë Kosovën. Kjo protestë do të mbahet për shkak mos përfilljes së kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.
Degët e Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës do të mbajnë protesta të qeta nëpër qendrat komunale të Kosovës për gjendjen e mjerueshme me të cilën ballafaqohen dhe kundër mospërfilljes së kërkesave të tyre nga institucionet e vendit. Protestat do të mbahen prej orës 11.00 deri ne orën 12.00, ne te njëjtën kohë në të gjitha qendrat komunale, thuhet në njoftimin për medie.

Në Prishtinë, protesta do të mbahet në hapësirën në mes të ndërtesës së Komunës dhe asaj të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi ratifikon marrëveshjen SOFA me SHBA-të

Kuvendi i Kosovës me unanimitet të plotë ka ratifikuar Marrëveshjen SOFA, përmes Projektligjit për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike për statusin e forcave të huaja mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me 98 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të gjitha partitë parlamentare kanë miratuar këtë marrëveshje duke besuar se vota e tyre shkon në shërbim të avancimit të marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të shtetit më të ri evropian.

Në emër të qeverisë, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj tha se duke e ratifikuar këtë marrëveshje, Kosova pajtohet për imunitetet dhe privilegjet e personelit civil e ushtarak të forcave amerikane, e cila tashmë është realizuar përmes këmbimit të notave me Ambasadën Amerikane në Prishtinë në shkurt të këtij viti.

“Marrëveshja për statusin e forcave siguron kornizën ligjore brenda së cilës personelit civil të Ushtrisë Amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, e të cilët nuk janë pjesë e misionit të NATO-s mund të veprojnë në Kosovë”, tha Hoxhaj.

Marrëveshje të ngjashme me Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar shumica e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian, raporton Rel.

Ministri Hoxhaj në vijim përmendi edhe katër fushat e angazhimit të personelit amerikan në Kosovë që rregullohen me këtë marrëveshje.

“Ky personel do të punojë me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të zhvilluar tutje aftësinë në kryerjen e katër misioneve të saja thelbësore: zjarrfikjen, kërkimin dhe shpëtimin, largimin e materialeve të rrezikshme dhe largimin e mjeteve eksplozive”, tha në vijim Hoxhaj.

Ratifikimi i Marrëveshjes SOFA është mbështetur unanimisht edhe nga opozita. Kurse, vërejtjet e parashtruara kryesisht ishin të karakterit teknik e që kishin të bëjnë me përpilimin e tekstit.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Vjosa Osmani tha se Projektligji nuk ka pasur nevojë të përcillet edhe me letrën mbështetëse të presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, pasi që Kuvendi, theksoi ajo, është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka ruajtja, kultivimi dhe avancimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

“Shpresoj që të kihen parasysh procedurat e parapara me Kushtetutë në të ardhmen dhe të mos ketë letra nga presidentja ku kërkohet nga presidentja të ratifikohet një marrëveshja që shumë qartë kërkohet të vjen drejtpërdrejtë në Kuvend. LDK natyrisht që do ta përkrahë këtë marrëveshje”, tha Osmani.

Mbështetje ratifikimit të marrëveshjes SOFA i kanë dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje si dhe grupet parlamentare të minoriteteve.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë Kosovës, Ardian Gjini, tha se deputetët janë të bindur që me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje po shtyjnë përpara marrëdhëniet me shtetin alet dhe përkrahës të vazhdueshëm të shtet-ndërtimit të Kosovës.

“Kjo votë sot do të jetë element i thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Gjini.

Pas votimit me unanimitet dhe pa asnjë votë kundër, sipas procedurave, Marrëveshja SOFA u ratifikua nga Kuvendi duke mos pasur nevojë për shqyrtimin e dytë të Projektligjit me anë të cilit u fuqizua kjo marrëveshje.

Një grup i studentëve amerikan vizitojnë Kosovën

Kryeministri Hashim Thaçi ka pritur ambasadorin John K. Menzies, dekan i shkollës së Diplomacisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Seton Hall, në New Jersey, i cili shoqërohej nga një grup i studentëve të këtij universiteti.
Në njoftim thuhet se grupi i studentëve është në një vizitë studimore në Kosovë, që synim kanë hulumtimin e rastit të Kosovës, si një vend i cili ka kaluar luftën, procesin e shtetbërjes, dhe tani është duke kaluar nëpër procesin e konsolidimit të shtetit dhe shoqërisë në një shtet dhe shoqëri demokratike.

Kryeministri Thaçi i njoftoi studentët me proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, si ai i procesit të integrimit evropian, procesi i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, reformat gjyqësore, zhvillimi ekonomik, afirmimi dhe lobimi për shtetin e Kosovës, si dhe proceset tjera nëpër të cilat po kalon Kosova.

Vendimet e Kuvendit e obligojnë Qeverinë

Deklaratat e kryekuvendarit Jakup Krasniqi se rekomandimet e votuara në Kuvendin e Kosovës për fatin e të pagjeturve nuk janë obliguese për ekzekutivin e vendit, kanë nxitur reagimin e opozitës. Sipas partive opozitare, të gjitha vendimet e kuvendit janë obliguese. Ndërsa deklaratën e Krasniqit e kanë vlerësuar si një deklaratë të zyrtarit të partisë në pushtet.
Rekomandimet për kushtëzimin e dialogut Kosovë – Serbi me fatin e të pagjeturve janë nxjerrë më 10 maj, pas një debati të gjatë të deputetëve. Ndërsa, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit, u ka thënë deputetëve se rekomandimet që ka nxjerr Parlamenti për këtë çështje nuk e obligojnë Qeverinë.

Ndërsa, gjatë seancës kreyaparlamentari ua ka mohuar deputetëve të diskutojnë për këtë çështje, përfaqësuesit e opozitës, qëndrimet e tyre i kanë shprehur jashtë sallës së Kuvendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se çdo vendim i Kuvendit është obligim për të zbatuar Qeveria.

“Nuk dëshiroj me komentuar se çfarë ai ka thënë, por po e përsëris edhe njëherë mendimin edhe qëndrimin e LDK-së që ato që vendosen në kuvend, aty ku merret vendimi ato janë obligative për Qeverinë. Fundi i fundit, cila është arsyeshmëria që pas debateve dhe seancave të jashtëzakonshme dhe pas interpelancave të bëhen rekomandimet. Pse atëherë të bëhen kur nuk qenkan obligative”, ka theksuar Beqiri.

I pyetur se a mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të dhënë interpretimin lidhur me këto rekomandime, ai ka thënë se është ende herët të jepet një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se vendimet Kuvendit të Kosovës janë obliguese për Qeverinë dhe ky nuk është qëndrim i një subjekti politik, por është përcaktim kushtetues.

Ai, këto deklarata të të parit të legjislativit, i ka cilësuar më shumë si deklarata të një zyrtari të partisë në pushtet.

“Mua më duket që kryeparlamentari atë ditë kur ka fol, ka fol më shumë si një zyrtar i partisë në pushtet, sesa si figura kryesore politike e cila e ka përgjegjësi për me mbrojt pavarësinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për me afirmuar këtë pavarësi, sidomos karshi ekzekutivit të vendit”, ka thënë Konjufca.

Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se me këtë po manipulohet opinionin publik, kinse këto rekomandime nuk janë obliguese për Qeverinë e Kosovës.

“Çdo votim që bëhet në Parlamentin e Kosovës dhe merr miratimin duhet të zbatohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por këtu po bëhen lojëra fjalësh dhe po ashtu. Qeveria po iu ik obligimeve që i ka para Parlamentit të Republikës së Kosovës...”, ka thënë Isufi

Ivanovic: Zyra Administrative, provokim i Prishtinës

I ashtuquajturi sekretar shtetëror i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, ka thënë të enjten se formimi i Zyrës Administrative për veriun e Mitrovicës nga ana e Qeverisë së Kosovës “është një provokim dhe tendencë për të ndryshuar gjendjen në terren para dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit”.
“Nuk do të ketë ndonjë reagim të veçantë të Qeverisë së Serbisë, aq më pak jo në këtë situatë, përveç deklaratave se ky është një akt i provokimit flagrant, i cili nuk ka për qëllim qetësimin e gjendjes, por përkundrazi shqetësimin e popullatës serbe dhe krijimin e situatave ku janë të mundshme incidentet”, ka thënë Ivanovic, transmeton Kosovapress.

Sipas tij, serbët nuk do të pranojnë zyra të tilla, sepse kanë vetëqeverisjen e tyre lokale.

Demaku: MPJ pa strategji

Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës lidhur me dy dokumentet e saj, atë për Strategjinë e Diplomacisë Ekonomike të Kosovës dhe Strategjia për Njohjet, për të cilat dokumente drejtues të kësaj lëvizjeje kanë thënë se janë dokumente me plotë gabime dhe që nuk janë publikuar ende për opinionin. Ata kanë kritikuar këtë ministri për ngecje në njohje, degradim të shërbimeve të jashtme, struktura të dyfishta, shkelje ligjesh e rregulloresh. Kjo lëvizje ka akuzuar këtë ministri edhe për funksionim me dokumente të skaduara.
Puhie Demaku, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar të enjten po ashtu Ministrinë e Punëve të Jashtme se nuk kanë strategji për politika të jashtme.

Ajo ka paraqitur para mediave dokumentin e MPJ-së “Strategjia e Diplomacisë Ekonomike”, të cilin e ka quajtur si një dokument me shumë gabime dhe që nuk e pasqyron realitetin për investime të jashtme në Kosovë.
Sipas Demakut, dokumenti është hartuar në bashkëpunim edhe me ekspertët e USAID-it amerikanw e që ende nuk figuron as në ueb-faqen e MPJ-së.

Ajo tha se “në vend që ky dokument të jetë si një udhërrëfyes për punën e kësaj ministrie se si të tërhiqen investimet e huaja për në Kosovë, ai dokument ngërthen në vete shumë gabime drejtshkrimore e strategjike”.

Ndërsa ajo duke folur për dokumentin e dytë, atë të “Strategjisë për njohje”, ka thënë se ky dokument është miratuar kohë më parë dhe ende nuk është bërë publik.
Ajo tha se në kuadër të këtij dokumenti është hartuar edhe një shtojcë tjetër, e cila, sipas saj, po ashtu nuk është bërë publike me arsyetimin se është koefidencial dhe paraqet rrezik për partnerët në përmbushjen e synimeve.

Sipas saj, ky dokument sipas ministrisë është konsideruar si shumë me rrezik, por ajo mendon se veprimi më i keq nga kjo ministri ka qenë kur ajo nuk e ka publikuar këtë dokument.

O’Brien: Britania partner i fuqishëm i Kosovës

Ndryshe nga zyrtarët tjerë ndërkombëtarë që vizitojnë Kosovën e që ikin të zhgënjyer, nënsekretari i shtetit në Departamentin Ndërkombëtar për Zhvillim (DFID) për Çështje Evropiane, Stephen O’Brien, është ndjerë i impresionuar me zhvillimin që ka bërë Kosova dhe me përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.
Ai tha se Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë një partner i fuqishëm për Kosovën edhe në të ardhmen, duke e ndihmuar që të jetë një shtet i përkushtuar për qytetarët e saj.

“Të gjitha çështjet për të cilat ne kemi qenë partner me Kosovën kanë arritur progres shumë të madh... Kur mendon se ku ishin gjërat në Kosovë dhe ku kanë arritur, është një progres enorm dhe kjo jep besim për të ardhmen”, ka thënë O’Brien në një intervistë për “Zëri”.

Ndërsa, duke folur në përgjithësi për DFID dhe ndihmat që i janë dhënë Kosovës, O’Brien ka thënë se “rreth 13 vjet më parë është iniciuar fillimisht një ndihmë shumë e madhe për arsye humanitare, një kohë shumë e vështirë ajo për Kosovën. DFID ka qenë shumë i kënaqur që ishte në gjendje për të vazhduar programin e përkrahjes për nevojat e zhvillimit për Kosovën”, ka thënë ai.

“Kjo tani ka ardhur në një përfundim natyral. Natyrisht avantazhi që e kemi ne tani është të përmbledhim të arriturat dhe të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë. Britania e Madhe po e vazhdon përkrahjen shumë të madhe për Kosovën dhe popullin e saj duke e marrë si bazë faktin se dinamika e sfidave për të ardhmen është pjesë e rrugës së integrimit në BE, duke shkuar drejt marrjes së statusit të kandidatit, angazhimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, është shprehur O’Brien