Demaku: MPJ pa strategji

Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës lidhur me dy dokumentet e saj, atë për Strategjinë e Diplomacisë Ekonomike të Kosovës dhe Strategjia për Njohjet, për të cilat dokumente drejtues të kësaj lëvizjeje kanë thënë se janë dokumente me plotë gabime dhe që nuk janë publikuar ende për opinionin. Ata kanë kritikuar këtë ministri për ngecje në njohje, degradim të shërbimeve të jashtme, struktura të dyfishta, shkelje ligjesh e rregulloresh. Kjo lëvizje ka akuzuar këtë ministri edhe për funksionim me dokumente të skaduara.
Puhie Demaku, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar të enjten po ashtu Ministrinë e Punëve të Jashtme se nuk kanë strategji për politika të jashtme.

Ajo ka paraqitur para mediave dokumentin e MPJ-së “Strategjia e Diplomacisë Ekonomike”, të cilin e ka quajtur si një dokument me shumë gabime dhe që nuk e pasqyron realitetin për investime të jashtme në Kosovë.
Sipas Demakut, dokumenti është hartuar në bashkëpunim edhe me ekspertët e USAID-it amerikanw e që ende nuk figuron as në ueb-faqen e MPJ-së.

Ajo tha se “në vend që ky dokument të jetë si një udhërrëfyes për punën e kësaj ministrie se si të tërhiqen investimet e huaja për në Kosovë, ai dokument ngërthen në vete shumë gabime drejtshkrimore e strategjike”.

Ndërsa ajo duke folur për dokumentin e dytë, atë të “Strategjisë për njohje”, ka thënë se ky dokument është miratuar kohë më parë dhe ende nuk është bërë publik.
Ajo tha se në kuadër të këtij dokumenti është hartuar edhe një shtojcë tjetër, e cila, sipas saj, po ashtu nuk është bërë publike me arsyetimin se është koefidencial dhe paraqet rrezik për partnerët në përmbushjen e synimeve.

Sipas saj, ky dokument sipas ministrisë është konsideruar si shumë me rrezik, por ajo mendon se veprimi më i keq nga kjo ministri ka qenë kur ajo nuk e ka publikuar këtë dokument.