Vendimet e Kuvendit e obligojnë Qeverinë

Deklaratat e kryekuvendarit Jakup Krasniqi se rekomandimet e votuara në Kuvendin e Kosovës për fatin e të pagjeturve nuk janë obliguese për ekzekutivin e vendit, kanë nxitur reagimin e opozitës. Sipas partive opozitare, të gjitha vendimet e kuvendit janë obliguese. Ndërsa deklaratën e Krasniqit e kanë vlerësuar si një deklaratë të zyrtarit të partisë në pushtet.
Rekomandimet për kushtëzimin e dialogut Kosovë – Serbi me fatin e të pagjeturve janë nxjerrë më 10 maj, pas një debati të gjatë të deputetëve. Ndërsa, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit, u ka thënë deputetëve se rekomandimet që ka nxjerr Parlamenti për këtë çështje nuk e obligojnë Qeverinë.

Ndërsa, gjatë seancës kreyaparlamentari ua ka mohuar deputetëve të diskutojnë për këtë çështje, përfaqësuesit e opozitës, qëndrimet e tyre i kanë shprehur jashtë sallës së Kuvendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se çdo vendim i Kuvendit është obligim për të zbatuar Qeveria.

“Nuk dëshiroj me komentuar se çfarë ai ka thënë, por po e përsëris edhe njëherë mendimin edhe qëndrimin e LDK-së që ato që vendosen në kuvend, aty ku merret vendimi ato janë obligative për Qeverinë. Fundi i fundit, cila është arsyeshmëria që pas debateve dhe seancave të jashtëzakonshme dhe pas interpelancave të bëhen rekomandimet. Pse atëherë të bëhen kur nuk qenkan obligative”, ka theksuar Beqiri.

I pyetur se a mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të dhënë interpretimin lidhur me këto rekomandime, ai ka thënë se është ende herët të jepet një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se vendimet Kuvendit të Kosovës janë obliguese për Qeverinë dhe ky nuk është qëndrim i një subjekti politik, por është përcaktim kushtetues.

Ai, këto deklarata të të parit të legjislativit, i ka cilësuar më shumë si deklarata të një zyrtari të partisë në pushtet.

“Mua më duket që kryeparlamentari atë ditë kur ka fol, ka fol më shumë si një zyrtar i partisë në pushtet, sesa si figura kryesore politike e cila e ka përgjegjësi për me mbrojt pavarësinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për me afirmuar këtë pavarësi, sidomos karshi ekzekutivit të vendit”, ka thënë Konjufca.

Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se me këtë po manipulohet opinionin publik, kinse këto rekomandime nuk janë obliguese për Qeverinë e Kosovës.

“Çdo votim që bëhet në Parlamentin e Kosovës dhe merr miratimin duhet të zbatohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por këtu po bëhen lojëra fjalësh dhe po ashtu. Qeveria po iu ik obligimeve që i ka para Parlamentit të Republikës së Kosovës...”, ka thënë Isufi