Bizneset nga Ana e Mali, krijuan shoqatën e tyre e cila ka për qëllim përkrahjen, organizimin dhe zhvillimin e jetës ekonomike dhe zhvillimore të gjithanshme në Anën e Malit të Ulqinit. “Anamalasit historikisht kanë hapur derën çdo kujt, koha është që të ndërtojnë shtëpinë e tyre” është mesazhi i kësaj shoqate.
Kabil Kurti, kryetar i Shoqatës Biznis Klub Ana Malit, tha se kjo nismë do të jetësohet dhe do të bëhet promotore e një zhvillimi të mirëfilltë të kësaj zone të njohur. “Objektivi i rëndësishëm i kësaj shoqate bazohet te strategjia afatshkurtër dhe afatmesme, ku përfshihet kultivimi dhe metoda bashkëkohore në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë me zgjerimin e kapaciteteve të tyre, investimin në objektet e përpunimit, grumbullimit dhe prodhimeve e të plasimit të tyre në treg si dhe zhvillimin e turizmit familjar si një veprimtari që po shënon hapa pozitive në rajon”, tha Kurti.
Kurse Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit, tha se të gjithë ata që merren me afarizëm duhet të jenë krenar që janë pjesë e formimit të vlerave të reja. “Rrjedhat ekonomike në Komunën e Ulqinit, kanë ndikuar në zhvillimin e përgjithshëm. Privatizimet e pasuksesshme kanë lënë familje të tëra pa punë dhe populli përsëri ka nisur të migroi dhe kërkoi kushte më të mira për jetesë”, theksoi kryetari Cungu.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës (AKB), Agim Shahini tha se me themelimin e kësaj shoqate po ofrohen institucionet. “Duhet të kemi ura komunikimi dhe bashkëpunimi. Ulqini ka afaristë të suksesshëm dhe tashmë po organizohen edhe më fuqishëm. Biznesi këtu po fuqizohet dhe sukseset e bizneseve janë të mëdha”, tha Shahini.