Krasniqi ua shpjegon deputetëve fjalën rekomandim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë sot se rekomandimet që janë votuar në Kuvendin e Kosovës për fatin e personave të pagjetur nuk janë të obligueshme për Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, fjala rekomandim është një këshillë, porosi ose mendim se di duhet vepruar dhe si duhet të bëhet diçka. Deputetët e opozitës kanë dashur të marrin fjalën pas ngritjes së kësaj çështje, por Krasniqi ua ka mohuar një gjë të tillë.
Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi para deputetëve ka thënë se në një fjalor juridik ka lexuar se rekomandimi një palësh, i miratuar nga institucionet e Bashkimit Evropian në kuadër të traktatit themelues të komunitetit evropian, ka veçori të mos jetë detyrues, të mos krijojë efekte juridike detyruese.

Sipas Krasniqit, rekomandimi mund të jetë një ftesë për të ndjekur një linjë të veçantë që i drejtohet këshillit ose shteteve anëtare, “andaj edhe në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala rekomandim është këshill, porosi ose mendim që jepet në mënyrë se si duhet vepruar, e si të bëhet diçka”.

"Ne në Kushtetutën e Republikës së Kosovës miratojmë kushtetutën, miratojmë ligje, akte nënligjore, vendime dhe rezoluta e deklarata. Rekomandimet i bëjnë komisionet. Ne në seancën të cilën po flas, kemi miratuar rekomandimet dhe rekomandimet nuk e kanë fuqinë ligjore. Vetëm një mocion është detyrues për Qeverinë, mocioni i mosbesimit, mocionet tjera lexoni në rregulloret e punës së Kuvendit nuk janë", ka theksuar Krasniqi në seancën e sotme plenare të Kuvendit, e cila ka nisur me një minutë heshtje për viktimat e tragjedisë në Himarë të Shqipërisë, raporton Kosovapress.

Ai ka thënë se nuk dëshiron që në fatkeqësinë e fatit të pagjeturve të ketë përfitime politike dhe as ta ngrit veten e tij.

Krasniqi ka thënë se kryetari i Kuvendit nuk mund të fuqizojë një dokument që nuk e ka fuqinë, por nuk mundem as të shfuqizojë, duke shtuar se dokumentet fuqizohen dhe shfuqizohen nga Kuvendi, por jo nga kryetari i Kuvendit.

Edhe pse kanë dashur deputetët e opozitës të marrin fjalën pas ngritjes së kësaj çështje, kryetari, Krasniqi nuk ua ka dhënë fjalën.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka ngritur çështjen e mospagesës së 20 për qind për punëtorët e kompanive të privatizuara.

"Punëtorët ende nuk e kanë realizuar të drejtën e vet që e kanë trashëguar drejtpërdrejt. Mjetet e 20 përqindëshit janë pronë e tyre, në bazë të ligjeve në Kosovë ato mjete ju takojnë atyre, nuk janë të ardhura personale dhe nuk janë të ardhura mujore, por janë pjesë e pronës tyre që ju takon me ligj. Këta punëtorë nuk i kanë realizuar këto të ardhura dhe ata mendojnë se të hollat e tyre mbahen nëpër banka dhe dikush nga ato të holla krijon interes. Ajo që kam vërejt është se Agjencioni i Privatizimi i derdh mjetet në konton e sindikatave dhe sindikatat nuk i lëshojnë nëpër kontot e punëtorëve", ka thënë Gjini.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli ka ngritur një shqetësim për banores e Hasit ku jetojnë 1000 banorë.

Sipas tij, ky rajon po braktiset për shkak të kushteve infrastrukturore dhe se problem themelor, sipas tij, mbetet mungesa e ujit të pijes.

Më pas seanca ka vazhduar me pyetje parlamentare të cilat kryesisht kanë qenë për ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani.