Konfirmon përkushtimin e BE-së për Kosovën

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, sot në Gjilan ka përsëritur vazhdimin e përkushtimit e BE-së që të ndihmojë Kosovën për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe të përparuar dhe që të lehtësojmë jetën e të gjithë qytetarëve.

“Jemi këtu që t’u ndihmojnë të ndërtoni një shoqëri më të përparuar, dhe të përmirësojmë sistemin e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës” , tha Zbogar gjatë vizitës në Gjilan, me rastin e përurimit të bibliotekës së qytetit, në të cilën BE-ja ka investuar 2.2 milionë euro.
Ai tha se në takim me kreun e Komunë së Gjilanit, Qemajl Mustafën ka biseduar për projektet e ndryshme që janë duke u realizuar në këtë komunë dhe që do të realizohen në të ardhmen, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra për Informim e Komunës së Gjilanit.
“Biseduam edhe për procesin riatdhesimit dhe ri-integrimit të personave që kthehen në vendlindjen e tyre, që është njëra ndër çështjet shumë të rëndësishme për liberalizimin e vizave”, ka thënë Zbogar, derisa çmoi punën që ka bërë në këtë proces komuna e Gjilanit.

Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, ai tha se e kupton shqetësimin e qytetarëve të Kosovës, për shkak se bashkësia ndërkombëtare i pat premtuar qeverisë së Kosovës dhënien e udhërrëfyesit në pranverë, por nënvizoi se ende jemi në pranverë dhe BE është duke biseduar për çështjet përfundimtare sa i përket udhërrëfyesit dhe u shpreh optimist se së shpejti ky dokument do t`i prezantohet qeverisë së Kosovës.
Duke folur për veriun Zbogar ka thënë se” Qeveria e Kosovës dhe ne, gjithsesi duhet t`i afrohemi kësaj pjese dhe të ofrojmë një dialog me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështje. Është detyrë e qeverisë së Kosovës që t`i ndërmerr hapat e duhur”, ka thënë ai.