Dy policët kosovarë, të cilët u arrestuan të shtunën nga xhandarmëria serbe në zonën në afërsi të pikës kufitare në Merdare, i janë dorëzuar misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), ndërsa tashmë kanë arritur në Kosovë. EULEX ka konfirmuar se bashkë me KFOR-in do të vazhdojnë hetimet për rrethanat e arrestimit të tyre. Ministria e Punëve të Brendshme edhe njëherë ka shprehur bindjen se zyrtarët policorë të kidnapuar tinëzisht nga ana e xhandarmërisë Serbe kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës.
Lajmin për lirimin e policëve e ka konfirmuar zëdhënësi i EULEX-it, Nicolas Hauton, i cili bëri të ditur se transportimi i tyre është bërë me një veturë të misionit nga Prokupla për në territorin e Kosovës, raporton Rel.
Hauton tha se hetimet për rrethanat e arrestimit do të vazhdojnë, por përjashtoi mundësinë që raporti final të jetë publik. Ai nuk dha as ndonjë afat kohor se kur mund të jetë gati raporti në fjalë.
“Rrethanat e arrestimit të tyre janë duke u hetuar. Pjesëtarët e Policisë dhe të KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes ku thuhet se është bërë arrestimi. Pra, ka nisur mbledhja e të dhënave për hetimin e këtij rasti. Gjasat janë të ulëta që ky raport të jetë publik. Ky do të jetë një hetim, të cilin e bëjnë policët e prokurorët, ndërsa nuk ka ndonjë afat kohor se sa kohë do të marrë ky hetim”, u shpreh Hauton për të shtuar se lirimi i policëve kosovarë është bërë pas ndërhyrjes së misionit EULEX.
Autoritetet serbe kishin thënë se policët Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, janë arrestuar, meqë kishin shkelur zonën e gjelbër dhe me këtë edhe marrëveshjen ushtarako - teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.
Prishtina zyrtare, ndërkaq, e kishte quajtur “kidnapim” arrestimin e policëve, duke shprehur bindjen që ai të ketë zënë vend brenda territorit të Kosovës.
Ndërkohë, as KFOR-i, i cili po kryeson hetimet mbi rrethanat e arrestimit, nuk dha detaje të tjera për procesin e hetimit.
“KFOR-i është i shqetësuar për zhvillimet e fundit, por është i bindur që të gjitha palët e përfshira të sillen në mënyrë profesionale për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje. Është përgjegjësi e KFOR-it të adresojë shkeljet e vijës administrative e kufitare. Në rast se ka ndonjë mosmarrëveshje për vijën kufitare-administrative, KFOR-i është arbitrazhi për këtë çështje”, tha Den Harvej, një nga zëdhënësit e misionit të NATO-s.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, vlerëson angazhimin dhe përpjekjet e mekanizmave ndërkombëtarë, në veçanti EULEX-it, për lirimin e zyrtarëve policor të kidnapuar nga ana e xhandarmërisë serbe.
Ministria e Punëve të Brendshme edhe njëherë shprehë bindjen se zyrtarët policorë të kidnapuar tinëzisht nga ana e xhandarmërisë Serbe kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga MPB.
“Ne besojmë se KFOR-i dhe EULEX-i bashkërisht do të konstatojnë këtë fakt dhe do të vërtetohet se zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë patrulluar brenda juridiksionit të Republikës së Kosovës. MPB inkurajon të gjithë zyrtarët e Policisë së Kosovës të vazhdojnë kryerjen e detyrave të tyre sipas mandatit, në mbrojtje të integritetit territorial dhe në ruajtje të rendit dhe ligjit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.