Praktika e krijimit të strategjive për zhvillim ekonomik është kthyer në mani politike për Qeverinë Thaçi, kanë thënë zyrtarë të Lidhjes demokratike të Kosovës (LDK). Sipas tyre më 21 mars, Qeveria ka formuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës. Ky vendim i konfirmon më së miri vërejtjet e LDK-së se kjo qeveri nuk ka plan zhvillimor, udhëheq në mënyrë ad-hoc duke e quar vendin në qorrsokak ekonomik dhe social.
LDK thotë se plani i Bullgarisë ka qenë dhe mbetet dokument i pavlerë dhe tani kjo po konfirmohet me formimin e këtij Këshilli. Ekonomia e varfër e Kosovës nuk ka kohë të humbë me krijimin e këshillave, por ka nevojë për masa konkrete për të zvogëluar papunësinë, ndihmuar bujqit, rritur pensionet dhe përkrahur sektorin privat.
LDK konsideron se një Qeveri që nuk mund të planifikojë dhe të paguajë me rregull as punëtorët e saj, nuk ka aftësi dhe përgatitje për të nxjerrë Plan Nacional të Zhvillimit Ekonomik. “Për shkak të keqmenaxhimit të buxhetit të shtetit me projekte të pamenduara si duhet, buxheti i shtetit po hynë në deficit gjithnjë e më të thellë. Qeveria e Kosovës nuk po paguan dhjetëra miliona euro obligime për projekte të kryera nëpër fusha të ndryshme”, thuhet në komunikatën e LDK-së për media.
Ajo që është e patolerueshme, sipas LDK-së ka të bëjë vonesat e vazhdueshme në pagesën e pagave të të punësuarve në sektorin publik, si shërbyesit civilë, arsimtarët, mjekët dhe punëtorët e tjerë në administratën shtetërore. “Vonesa në paga punëtorëve të administratës po ju shkakton probleme të shumta, pasi shumica prej tyre pagën e kanë burim të vetëm të të ardhurave. Po ashtu, shumë prej tyre po paguajnë dënime dhe interesa ndëshkuese në banka për shkak të vonesave në pagesën e kredive”, theksohet në komunikatë.