Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri të hënën dënoi arrestimin e dy policëve të Kosovës që ndodhi javën e kaluar.
Më i zëshmi në këtë Komision ka qenë deputeti i AKR-së, Emin Gërbeshi, i cili ka deklaruar se nuk ka më kurrë farë arsye që Kosova të zhvillojë bisedime me Serbinë, raporton KTV-ja.
Ai ka thënë se drejtori i Policisë dhe ministri i Brendshëm duhet t’i shqyrtojnë pozicionet e tyre pasi që, sipas tij, nuk ka qenë në nivel të detyrës.
Për këtë çështje ka folur edhe kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, i cili këtë rast e ka quajtur shkelje të sovranitetit dhe agresion të Serbisë në territorin e Kosovës.
Ai ka pohuar se këto veprime e kanë dëmtuar imazhin e policisë, dhe i ka bërë thirrje BE-së që të rishikojë pozicionin ndaj Serbisë, të cilës muaj më parë i ka dhënë statusin kandidatit.
Isufi ka shtuar se ditëve të ardhshme në komision do të jetë ministri i Punëve të Brendshme për të dhënë informacione më të hollësishme rreth këtij rasti.