Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) tash e dy muaj është duke përdorur çmimin referent për pulat e freskëta që vijnë nga Sllovenia, si masë për të mbrojtur prodhimet vendore. Por përkundër kësaj çmimi i tyre vazhdon të mbetet i njëjtë në tregun e Kosovës. Çmimi i pulave të freskëta, që vijnë nga ky shtet, në tregun me pakicë, mund të blihen me një çmim prej 2 euro e 55 centësh. Ky çmim sipas prodhuesve vendorë është joreal, dhe është vënë për të dëmtuar prodhuesit vendorë.
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se tash e një kohë është duke u përdorur çmimi referent për pulat e freskëta që vijnë nga Sllovenia, pasi sipas saj është konstatuar se është përdorur çmimi damping. “E kemi pasur një ankesë nga një prodhues vendor se pulat e freskëta që vijnë nga Sllovenia janë më të lira se në vendin e prodhimit apo se vlera e tyre. Prandaj, ne e kemi bërë një komision hetimor për të vërtetuar se çmimi që është aplikuar në Kosovës është çmim që mund të kategorizohet si çmim damping. Kjo ka qenë arsyeja që ne kemi marrë vendim që të bëhet ngritja e bazës doganore për pulat e freskëta”, ka thënë ministrja, raporton Koha Ditore.
Vendimi i MTI-së, sipas Kusari-Lilës, është në harmoni me ligjin antidamping i cili i mundëson që të mbrohen prodhimet vendore nga përdorimi i çmimeve nën kosto që aplikojnë disa kompani.
Mirëpo, importuesit e pulave të freskëta thonë se nuk janë duke përdorur çmime damping, por sipas tyre ministria po tenton të ngufatë prodhimin që është kualitativ që prodhohet nga një kompani që ka traditë 120-vjeçare.
Lulzim Begaj, pronar i kompanisë “Kosmonte”, e cila ka të drejtën ekskluzive për importin e produkteve të kompanisë sllovene “Perutnina”, e mohon se është përdorur çmimi më i ulët se ai i prodhimit. Ai thotë se ministria padrejtësisht është duke tentuar t’i mbrojë prodhuesit përmes përdorimit të çmimit referent. Beqaj thotë se gjithçka ka të bëjë me cilësinë, pasi sipas tij po tentohet të ndalohen mallrat që janë shumë cilësore krahasuar me prodhimin vendor.
Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, ka thënë se vendimi për masa antidamping për pulën e freskët është marrë mbi bazën e një hetimi që është bërë nga komisioni antidamping, në të cilën përveç doganierëve dhe Ministrisë së Tregtisë ka edhe zyrtarë nga ministri të linjës.