Katër vjet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, ajo vazhdon të mos jetë e fuqishme në gjithë territorin. Autoriteti i Prishtinës zyrtare as që “ndjehet” në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse me Kushtetutë parashihet që “dora” e shtetit të jetë e pranishme në gjithë territorin e Kosovës.
Sfidat për zbatimin e Kushtetutës së Kosovës janë të natyrës politike, por dhe të mungesës së vullnetit të mjaftueshëm të institucioneve, thonë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese, në katërvjetorin e miratimit aktit me të lartë juridik.
Eksperti i çështjeve juridike-kushtetuese, Riza Smaka, vlerëson se edhe pas katër vjetësh të nxjerrjes së aktit më të lartë juridik nuk shihet ndonjë përkushtim i institucioneve shtetërore të zbatojnë Kushtetutën.
Sipas tij, akti më i lartë ligjor nuk përfillet nga ata që janë të thirrur për ta respektuar dhe në të njëjtën kohë ka boshllëqe e vakuume juridike, si dhe dispozita kontradiktore. “Gjykoj se Kushtetuta nuk përfillet nga institucionet që janë më të thirrura për ta përfillur, dhe më pastaj vijnë edhe subjektet tjera”, ka thënë profesori Smaka.
Mangësitë e evidencuara në këtë akt juridik, sipas tij, burojnë edhe nga fakti se ajo është hartuar me nxitim dhe nuk buron nga vullneti i popullit të Kosovës, por nga një dokument politik, siç është plani i presidentit Ahtisaari, shkruna “Zëri”.
Edhe ekspert i çështjeve kushtetuese dhe njëri nga anëtarët e grupit për hartimin e saj, Fatmir Fehmiu, thotë se dokumenti i Ahtisarit nuk është dogmë, por është një akt që duhet të zbatohet në mënyrë inventive, edhe pse aty i markon çështjet posaçërisht të pakicës serbe me diskriminim pozitiv.
“Por, Kushtetuta nuk njeh diskriminimin pozitiv dhe as atë superpozitiv, por barazi të njerëzve para ligjit. Sa për ilustrim po përmend se në sferën e sigurimit social, një serb merr pensionin nga fondi i Serbisë dhe nga buxheti i Kosovës”, rikujton Fehmiu.
Sipas tij, kaosi ekonomik dhe politik janë inkompatibil me parimet e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, prandaj, ai shfaq mendimin se institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë për ta shndërruar Kosovën në një shtet ligjor.
Se mungesa e zbatimit të ligjit rrjedhimisht përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës, e konstaton edhe Vjosa Osmani, e cila është anëtare e Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës. Pa dyshim, sfidë më e madhe për zbatimin e aktit më të lartë ligjor, sipas saj, mbetet veriu. Ajo, ndërkaq, ka pohuar se shkelja e Kushtetutës nga qeveritarët është bërë praktikë, sikurse ka përmendur emërimin e ambasadorëve që, siç ka thënë Osmani, është një proces krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës në katërvjetorin e miratimit të Kushtetutës ka vlerësuar se janë konsoliduar institucionet demokratike, është fuqizuar sundimi i rendit dhe ligjit. Në mesazhin e kryeministrit Hashim Thaçi thuhet se “miratimi i Kushtetutës mundësoi rivendosjen e ekzistencës sonë kombëtare, duke mundësuar krijimin e themeleve për ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik”.
Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, ndërkaq ka hyrë në fuqi gjashtë muaj më vonë. Gjatë këtyre viteve, është konstatuar se është shkelur nga institucionet e larta vendëse. Si shkeljen më të rëndë, Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar mbajtjen e dy posteve nga ana e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, ndërkaq së fundi edhe Kuvendi i Kosovës kishte shkelur Kushtetutën me zgjedhjen antikushtetuese të Behgjet Pacollit në postin e presidentit.
Ndryshimet kushtetuese janë parë si domosdoshmëri edhe në marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli.