Ministria e Bujqësisë gjatë vitit të kaluar ka zënë 2500 fermerë të cilët kanë deklaruar rrejshëm hektarët e mbjellur me grurë, për ketë sivjet kjo ministri është shumë më shumë e kujdesshme në verifikimin e aplikacioneve që bëhen nga fermerëve për të përfituar nga subvencionet e ministrisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, thotë për Telegrafin se verifikimi i granteve po bënë që të ketë edhe vonesa në ekzekutimin e pagesës.
Sipas tij, grantet investive dhe subvencionet janë formë direkte e përkrahjes së fermerëve, me të cilat synohet të përmirësohet gjendja e fermerëve. “Ne si ministri, për shkak të tendencave të mëdha për të mashtruar nga ana e fermerëve, ku një pjesë e konsiderueshme i deklarojnë rrejshëm si numrin e krerëve të bagëtisë, ashtu edhe sipërfaqet që i kanë të mbjella, jemi detyruar që t’i kontrollojmë në shkallë 100 për qind të gjitha aplikacionet në terren. Pra, asnjë pagesë nuk e ekzekutojmë pa e kontrolluar fermerin në vendngjarje dhe nëse merret parasysh që aplikacionet arrijnë deri në mbi 30000 copë, atëherë është e kuptueshme që nevojitet kohë për t’i kontrolluar të gjitha”, tha Behramaj.
Ai ka treguar se në vitin 2011 ka pasur rreth 2500 fermerë që i kanë deklaruar rrejshëm mbi 14000 hektarë sipërfaqe të mbjella me grurë. “Kemi pasur 99 fermerë ose 23302 krerë të kafshëve të imëta dhe 204 fermerë ose 3399 krerë të lopëve qumështore që janë deklaruar rrejshëm nga ana e blegtorëve dhe pikërisht për të mos lejuar që të keqpërdoren subvencionet, kontrollohen të gjitha aplikacionet dhe subvencionet vonohen pak më shumë deri sa të ekzekutohen”, thekson ai.
Zëdhënësi Adil Behramaj ka premtuar se me vetëdijesimin e fermerëve për të mos mashtruar, do t’i marrim edhe më shpejt subvencionet. Ministria për të gjithë fermerët mashtruese ka ndërmarrë sanksione. “Të gjithë fermerët që deklarojnë rrejshëm numrin e krerëve ose sipërfaqet e mbjella do ta humbasin të drejtën për të përfituar edhe për 3 vite të tjera pas", ka thënë këshilltari dhe zëdhënësi në Ministrinë e Bujqësisë Adil Behramaj.