Lufta e Koshares rrumbullakon luftën 100-vjeçare për prishjen e kufirit, ku nuk është dashur të jetë për 100 vjet, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi sot në Koshare, në përkujtim të 13 vjetorit të njërës nga betejat më të njohura që ka bërë UÇK-ja. Me këtë rast, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ka vënë gurthemelin e ndërtimit të Kompleksi memorial të Koshares.
“Sa herë që përmendim Betejën e Koshares, duhet të kemi parasysh se ajo ka prishur një kufi dhe ka vendosur një tjetër”, ka thënë zv.kryeministri Kuçi ,me rastin e shënimit të 13 vjetorit të Betejës së Koshares.
Ai tha se beteja e Koshares ka simbolikën e unitetit politik e kombëtar.
“ Në këtë betejë luftuan djem e vasha nga anë e kënd Kosova e trojet shqiptare, ka shtuar Kuçi. Kur i shohim këto varre dëshmorësh që vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, kuptohet se kjo luftë ka pasur një qëllim dhe një ideologji, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe forcimin e kombit shqiptar”, tha ai duke iu drejtuar luftëtarëve se për këtë duhet të ndiheni krenarë.
“Të ndiheni krenarë se beteja juaj dha aq shumë dëshmorë liridashës dhe të ndiheni krenarë që brigada juaj dha dy heronj të kombit, Agim Ramadani e Sali Çekaj”, tha Kuçi, transmeton Koha.net.
Në manifestimin organizuar në përkujtim të 13-vjetorit të Betejes së Koshares kanë marrë pjesë përveç zyrtarëve të shtetit edhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, ministra, deputetë, kryetarë komunash dhe ish- luftëtarë të UÇK-së.
Deputeti Daut Haradinaj tha se është një dhembje, por edhe krenari të jesh prezent në përkujtim të përvjetorëve të tillë. “Para 13 vjetësh këtu është shënuar lavdia e komandantit Agim Ramadani, por edhe e Sali Çekut, Xhemajl Fetahut dhe 114 dëshmorëve tjerë. Falë guximit të tyre Beteja e Kosharës u bë një nga kapitujt më me peshë për luftën tonë për liri”, tha Haradinaj.
Rrustem Berisha, i cili ka folur në emër të Brigadës 138 ”Agim Ramadani”, tha se “e gjithë bota është e kthyer nga e ardhmja, atë e synojmë edhe ne, por e ardhmja është e sigurt vetëm pasi të gjejmë paqen për të kaluarën . Për hir të së ardhmes, ne duhet ta kujtojmë të kaluarën, për të ndërtuar të ardhmen për të gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për fëmijët e dëshmorëve, invalidët e luftës , ushtarët dhe familjet e tyre”, u shpreh Berisha.
Ndërsa, përfaqësuesi i familjes Jahari, Rifat Jashari ka vendosur gurthemelin e ndërtimit të Kompleksit Memorial në Koshare.
“Ky gurthemel duhet të jetë një masazh i të gjithë neve këtu dhe shqiptarëve kudo që janë për një bashkim e unitetet, nëse duam të çojmë amanetin e bijve dhe bijave tona ku ata dëshiruan”, tha ai.