Serbët marrin pikat statike të policisë në veri

Policia e Kosovës, në përputhje me premtimin e ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi, kishte vendosur sot disa pika statike të policisë në pjesët neuralgjike të pjesës veriore të Mitrovicës. Mirëpo, ato sot janë demoluar dhe janë marrë nën kontrollin e serbëve të rebeluar.

Qindra serbë janë tubuar në zonën e “Tre Rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës, duke demoluar kontejnerin e policisë të vendosur nga ana e Policisë së Kosovës.
Pak pas orës 13:00, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë vendosur në zonën e “Tre Rrokaqiejve” një postbllok statik. Menjëherë është dëgjuar alarmi, pas të cilit për pesë minuta janë tubuar qindra serbë në këtë zonë, duke përndjekur dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe duke rrotulluar kontejnerin, raporton Kosovapress.
Ndryshe, pika statike të policisë në veri të qytetit ishin vendosur me urdhrin e dhënë dje nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës poër Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti i ka thënë sot REL se në lagjet e banuara me popullatë etnikisht të përzier, janë vendosur pika statike të kujdestarisë dhe të kontrollit.
“Pikat statike janë vendosur jo vetëm në ato lokacione ku ka pasur incidente, por edhe në lokacionet e tjera ku mund të ketë tensione. Kjo është bërë dhe do të vlejë deri në një urdhër të ardhshëm”, beri të ditur Hoti.
Mirëpo, siç raportojnë mediet nga veriu, grupe serbësh i kanë demoluar ato dhe tani vetë po i mbajnë nën kontroll, ndërsa policët e Kosovës tashmë janë larguar.
Derisa gjendja është e tensionuar në këtë zonë, banorët shqiptarë janë të shqetësuar për sigurinë e tyre.
Forca të shtuara ndërkombëtare janë duke qarkulluar në këtë vend, ndërsa policë të EULEX-it ka edhe në urën kryesore në lumin Ibër.
Nuk raportohet për të lënduar.