Topi priti Hasanin

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pritën sot kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani.

Në takim me përfaqësuesin më të lartë të drejtësisë së Kosovës, presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e konsolidimit të një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm e profesional e të painfluencuar nga trysnitë politike, apo ekonomike.
Presidenti Topi, gjatë këtij takimi, vlerësoi lart rolin e rëndësishëm ligjor dhe konstruktiv të Gjykatës Kushtetuese të Shtetit të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes institucioneve ligjore të të dyja vendeve tona në përpjekje për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës sipas standardeve më bashkëkohore evropiane.
Presidenti Topi dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, vunë në pah rëndësinë e hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete të gjykatave kushtetuese respektive dhe marrëveshjeve të ndryshme në fushën e drejtësisë mes dy vendeve tona.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, e ka siguruar presidentin Topi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të rrisë e të zgjerojë bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe do të punojë edhe më shumë në drejtim të forcimit të institucioneve ligjore dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.