Shqipëria dënon dhunën në veri të Kosovës

Një ditë pas shpërthimit të eksplozivit në shtëpinë e një shqiptari në zonën e “Tre Rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës, ku mbeti i vdekur 38-vjeçari kosovar Selver Haradinaj dhe u plagosën dy anëtarë të familjes së tij, ka reaguar edhe Tirana zyrtare, raporton agjencia e lajmeve NOA.

 Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, përmes një komunikate, “dënon ashpër shpërthimin që shkaktoi vdekjen e një qytetari të pafajshëm në veri të Mitrovicës, si dhe çdo akt tjetër dhune që cenon forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëjetesës në veri të Kosovës”.
MPJ e Shqipërisë më tej bën thirrje për qetësi e maturi, për kapërcimin e kësaj situate.
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ngushëllon familjarët e Selver Haradinaj për humbjen e kryefamiljarit të tyre dhe u uron shërim të shpejtë të lënduarve. “Shprehim bindjen se autoritetet përgjegjëse, Policia e Kosovës dhe EULEX-i do të sjellin para drejtësisë autorët e këtyre akteve kriminale”, thuhet ndër të tjera në reagimin e MPJ-së.