Preteni, nuk tregon numrin e mosdeklaruesve të pasurisë

Më shumë punë se kurdoherë, do të ketë këtë vit Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), ngase edhe numri i zyrtarëve të lartë që duhet të deklarojnë pasurinë është shumë më i madh se më parë. Këtë vit për shkak të ndryshimeve në ligj, numri i atyre që kanë qenë të obliguar të deklarojnë pasurinë është 3 mijë e 659, ndryshe që një vit më parë ishte 1 mijë e 830.

 Por sa e kanë deklaruar, dhe për sa prej tyre do të iniciohet proceduar kundërvajtësve ngase nuk e kanë deklaruar? drejtori i AKK-së, Hasan Preteni nuk jep përgjigje. Ai nuk e tregon këtë numër. Edhe pse vetëm katër ditë para se të përfundonte afati ligjorë, Preteni derisa po shpaloste raportin vjetor të punës, pati thënë se as 50 për qind e tyre nuk kanë deklaruar pasurinë.
Shoqëria civile vlerësojnë se Preteni po koordinohet me zyrtarët që shkelin ligjin dhe po u jep mundësi që ta deklarojnë pas afatit vetëm sa për sy e faqe.
Hasan Preteni i pyetur nga Kosovapress se sa është numri i atyre që kanë deklaruar pasurinë, nuk jep përgjigje. Përveç që flet për diçka krejt tjetër, pra për sistemimin e formularëve, thotë se nuk mund të na favorizojë si medium të na e tregojë numrin para të tjerëve.
“Afati për deklarimin e pasurisë ka përfunduar, ne jemi duke i sistemuar të gjithë formularët dhe shumë shpejtë do të informojmë publikun për të gjitha. Emrat e atyre që nuk e kanë deklaruar pasurin do të bëhen publik dhe të njëjtit do t’i dërgojmë në gjykatat kompetente për kundërvajtje, se kush nuk e ka deklaruar do të kuptohet më vonë, sepse ne duhet të dhënat nga formularët t’i bartim nëpër regjistra, të cilët publikohen, afati ligjor për këtë është 60 ditë, por ne si zakonisht këtë do të bëjmë më herët”, thotë ai.
Madje për Pretenin, është favor të dish numrin e atyre që nuk kanë deklaruar pasurinë. “Asnjë medium nuk do të favorizohet, ditën e njëjtë do të informohen të gjithë”, ka thënë Preteni.
Por, Avni Zogiani, nga ÇOHU, pohon se deklarimi i pasurisë ka arritur në atë nivel, saqë kush do, deklaron çka do, e me këtë sipas tij, AKK-ja vetëm po e heq arsyen e ekzistimit të saj. “Jam i sigurt se nuk e jep numrin definitiv të atyre që kanë deklaruar apo nuk kanë deklaruar, ngase ka tregu që ka afinitet të manipulojë me ato deklarata, dhe nëse jep numrin definitiv normalisht duhet me i botu, dhe unë po mendoj që AKK-ja po koordinohet me zyrtarët e shtetit. Po koordinohet me ata që kanë shkel ligjin duke i fsheh, është shndërruar në një agjenci që e fsheh korrupsionin më shumë se që e lufton”, thotë ai.
“Ai nuk e nxjerr numrin ngase mendon se në ndërkohë mundet t’i koordinojë, nuk e di ndoshta mund të ketë edhe ndonjë përfitim, ka mundësi, por mundet me koordinuar, që ndonjë zyrtari që ka shkel deklarimin e pasurisë ta mbush atë sa për sy e faqe, sepse në fund të fund i tërë ky proces është sa për sy e faqe”, thotë Zogiani.
Edhe drejtori ekzekutiv i Lëvizjes “FOL”, Petrit Zogaj pohon se është e paarsyeshme që Preteni nuk tregon numrin e atyre që kanë deklaruar pasurinë. “Sipas ligjit, AKK-ja publikimin e të dhënave ka fat ta bëjë për 60 ditë. Ndërkohë që nuk shkruan askund që të bëhet publike numri i personave që kanë deklaruar, por agjencia nuk do të duhej të hezitonte që të jepte informacione mbi numrin e deklaruesve të pasurisë, nuk bënë as shkelje ligjore, por thjeshtë mund të jap atë numër. Ndoshta agjencia po heziton të jap numrin për faktin se ndoshta në një far mënyrë po tenton të nxit deklarimin e pasurisë, por nuk e shoh të arsyeshme, e as praktikë të mirë që agjencia mundet me ba”, thotë ai.
Mos respektimi i afatit ligjor për deklarimin e pasurisë, obligon AKK-në që ndaj tyre të iniciojë proceduarat kundërvajtësve në gjykatat kompetente, e gjithashtu e detyron që edhe t’i publikojë emrat e tyre.