Ndonëse Kosova është e pasur me resurse natyrore, por edhe njerëzore, ende mbetet ndër vendet e varfra të rajonit. Ekspertë të këtyre çështjeve thonë se po të shfrytëzoheshin resurset natyrore, për një periudhë shumë të shkurtër vendi do të shënonte ngritje të konsiderueshme ekonomike.
Kosova renditet ndër vendet që janë të pasura me resurse minerale dhe humane. Mirëpo, mosshfrytëzimi i tyre, po bënë që vendi të mbetet i pazhvilluar ekonomikisht.
Anëtari i Bordit të Odes Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Lekë Musa, tha se Qeverisë së Kosovës është duke i munguar strategjia për shfrytëzimin e resurseve të shumta minerale që ka vendi. “Duhet një politikë shumë më agresive për t`i vënë në shfrytëzim këto resurse natyrore për qëllim të zhvillimit ekonomik e cila është dashtë të zbatohet nga vet qeveria e Kosovës. Ka shumë industri që janë të gatshme që të shfrytëzojnë, për shembull thëngjillin por edhe shumë resurse të tjera për qëllime të ndryshme dhe mendoj se kjo duhet të hapen për shfrytëzim”, thekson Musa.
Për ish-ministrin e Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, është gabim që deri më tash këto dy shtylla kryesore zhvillimore nuk janë vendosur në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. “Çështja e importit dhe eksportit do të sillej nga rreth 300 deri në 500 milionë euro në vit. Në 15 vitet e ardhshme Kosova do të kishte të hyra rreth 10 miliardë euro”, pohon Çeku.
Çelës kryesor i zhvillimit ekonomik Et’hem Çeku e sheh fillimin e aktivizimeve të resurseve në favor të progresit ekonomik të vendit. Ai veç tjerash potencon se Kosova për disa vite, në mënyrë indirekte, mund të krijojë prej 21 mijë deri në 28 mijë vende të reja të punës, raporton Radio Kosova.
Sipas ekspertëve, vetëm miniera e Trepçës me riaktivizimin e saj, do të mund të arrinte të hyra prej 120 - 250 milionë euro, varësisht nga shkalla e përpunimit të xeheve.