Katër vjet pas miratimit të Kushtetutës nga Kuvendi i Kosovës,qeveritarë dhe njohës të çështjeve Kushtetuese, thonë se ajo nuk ka arritur të zbatohet në tërë territorin e vendit. Ata theksojnë se në shumë raste, Kushtetuta është shkelur edhe nga institucionet qendrore dhe ato lokale.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Ismet Salihu, Profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se fajtorët kryesorë për moszbatimin e vazhdueshëm të Kushtetutës në gjithë territorin e vendit janë institucionet ndërkombëtare.
“Madje si krizë më e madhe e zbatimit të Kushtetutës është pamundësia që iu është bërë institucioneve të Kosovës të instalojë dhe t’i bëjë efektive organet e veta kyçe shtetërore siç janë policia, gjykata dhe prokuroria. Por në pjesën tjetër të territorit të Kosovës që përbën 80 për qind në masën më të madhe fajtorë për moszbatimin konsekuent të Kushtetutës dhe ligjeve janë kosovarët”, thekon ai për RTK-në.
Por, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës, vazhdimisht potencojnë se ajo do të gjejë zbatim herët ose vonë edhe në veri të Kosovës.
“Unë jam i bindur se çdo zgjidhje që do të bëhet për veriun do ta respektojë Kushtetutën e Kosovës, pakon e Ahtisaarit dhe ligjet tona”, thekson zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Përderisa në veri nuk është zbatuar Kushtetuta, ekspertë të çështjeve juridike thonë se në pjesën tjetër të vendit ajo është shkelur në shumë raste.
Sipas profesorit të së drejtës Kushtetuese, Kurtesh Salihu, gjatë këtyre katër viteve shumë ngjarje dhe sjellje kanë shkuar në drejtimin kundërkushtetues.
“Nuk janë në pyetje vetëm presidentët por janë në pyetje edhe Kuvendi edhe qeveria me një varg shkeljesh të Kushtetutës. Tjetër është që disa u panë edhe disa nuk po shihen”, thekson Salihu.
Por zëvendëskryeministri Kuçi, thotë se është vetëm një organ që jep konstatimin që është shkelur Kushtetuta dhe ajo është Gjykata Kushtetuese.
“Kjo puna e Kushtetutës në Kosovë është bërë pak si tepih, kah të endesh po frikësohesh se mos po e shkel. Kushtetuta e ka shumë të qartë se çka shkelet dhe çka jo. Kur t’i thuash dikujt është shkelë ose jo Kushtetuta duhet me ia tregu nenin por konstatimin për shkelje ose jo të Kushtetutës vetëm një organ e jep në këtë vend dhe ajo është Gjykata Kushtetuese”, thekson Kuçi.
Derisa debatet për zbatim ose moszbatim të Kushtetutës në përmbajtjen aktuale vazhdojnë, tashmë disa muaj po punohet intensivisht në amandamentimin e saj.
Ndryshimet kryesore në Kushtetutë do të bëhen në pjesën që ka të bëjë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë pra, të pikave që kanë të bëjnë me misionet mbikëqyrëse. Ndryshimet tjera përfshijnë nenin që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit dhe reformën zgjedhore.