Në lagjen ‘Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, pas ngjarjeve të dy ditëve të fundit, banorët shqiptarë janë organizuar dhe po bëjnë roje përpara ndërtesave ku ata banojnë. Ndërkohë analistët bëjnë vlerësojnë se është koha e fundit që KFOR-i dhe EULEX-i të ndryshojnë qëndrimin, ndërsa Qeveria të ballafaqohet me strukturat paralele të Serbisë.
Përveç banorëve që bëjnë roje në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”, të pranishëm janë edhe Policia e Kosovës, ndërkaq aty nuk vërehen policië të EULEX-it apo pjesëtarë të KFOR-it. Policia e Kosovës, po përpiqen të ruajnë qetësinë dhe të mbrojnë banorët e kësaj lagje, pa dallim etnie.
Të dielën në orët e hershme të mëngjesit, në këtë lagje ka ndodhur një shpërthim, ku për pasojë u vra Selver Haradinaj, ndërkaq mbetën të plagosur dy fëmijët dhe bashkëshortja e tij. Sulimi në fjalë është cilësuar nga prokuroria si akt terrorist, dhe si i tillë ka rritur tensionet ndëretnike në këtë pjesë të Kosovës.
Të hënën, kontejneri i vendosur nga policia, për të bërë kontroll në këtë lagje, është larguar pas pak minutash nga dhjetëra serbë, ku është vërejtur edhe Zarko Veselinovic, vëllai i Zvonko Veselinovic, të dyshuar dhe kërkuar nga policia si drejtues të strukturave kriminale në veri.
Arben Qirezi, ekspert i sigurisë, tha për RTK-në se gjendja ne veri të Mitrovicës nuk është e re, dhe se përgjegjësinë kryesore për këtë situatë, sipas tij, e mbanë bashkësia ndërkombëtare, me qëndrimin tolerues ndaj strukturave paralele të Serbisë.
Ai tha se sulmi i fundit ka për qëllim tensionimin e sërishëm të situatës, moslejimin e vendosjes së institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mbajtjen e bisedime për këtë pjesë të Kosovës.
“Tani KFOR-i dhe EULEX-i duhet të ndërrojnë qëndrimin, ndërsa Qeveria e Kosovës duhet të formulojë qasjen ndaj veriut, sepse nuk është në pyetje rezistenca qytetare, por e strukturave të Serbisë. Pra Qeveria e Kosovës duhet të përballet me ato struktura, që nuk ka rëndësi si quhen, kriminale, paralele apo struktura shtetërore të Serbisë”.