Nasri kërkon falje

Samir Nasri ka kërkuar falje për sjelljet e tij pas ndeshjes gjysmëfinale të Euro 2012 ndaj Spanjës të shtunën, kur Franca u eliminua nga gara evropiane.Ylli i Manchester Cityt u përplas dhe ofendoi një gazetar pasi Franca pësoi me rezultat 2-0 nga Spanja. Si pasojë, Federata Franceze e Futbollit ka nisur një kërkim për veprimet e 25-vjeçarit, dhe ky i fundit mund të përjashtohet për dy vite nga përfaqësuesja.
 
“Shumë të vërteta të shtrembëruara qarkullojnë për momentin. Dua që tifozët, në veçanti fëmijët, ta dinë se sinqerisht më vjen keq që fjalët mund t’i kenë tronditur ata”.
 
“E dua ekipin e futbollit të Francës, futbollin dhe kam një respekt të thellë për publikun. Për pjesën tjetër, ishte një rast personal në mes meje dhe disa gazetarëve. Do ta shpjegoj vetë kur të jetë momenti i duhur”, ka thënë Nasri. 

Meireles: Portugalia si Chelsea

Raul Meireles thotë se Portugalia mund t’i befasojë të gjithë në Euro 2012, siç befasoi Chelsea në Ligën e Kampionëve.Portugalia në gjysmë-finale të garës evropiane do të takohet me kampionin në fuqi të Evropës dhe Botës, Spanjën, që shihet favorite, por Meireles mendon se edhe në këtë garë do të ketë befasi.
 
“Sezonin e kaluar fitova dy tituj me Chelsean dhe në një prej tyre, Ligën e Kampionëve, askush nuk kishte shpresa për neve – veçanërisht kur ne u përballëm me Barcelonën”.
 
“Por ne dëshmuam se ata e kanë gabim pasi e bëmë edhe kundër Bayern Munich në finale në stadiumin e tyre. Portugalia mund të mësojë nga kjo, se ju kurrë nuk dilni në fushë dhe të ndjeheni të mposhtur pavarësisht se të tjerët ju kanë eliminuar”.
 
“Është koha që Portugalia të zgjohet dhe të dëshmojë çfarë mund të bëjë. Ne duhet ta kapim rastin dhe ta bëjmë vendin tonë krenar”, ka thënë Meireles.

Podolski: T’i japim fund Italisë

Sulmuesi gjerman Lukas Podolski është i vendosur të ndihmojë rekordin e tmerrshëm të vendit të tij kundër Italisë, kur dy përfaqësueset të takohen nesër në gjysmëfinale të EuroGjermania ka dështuar të fitojë ndaj Azzurrëve në ndonjërin prej shtatë përplasjeve të tyre në garat e mëdha, e fundit prej të cilave ishte në Kupën Botërore 2006.
 
“Është koha ta thyejmë këtë seri. Që nga viti 2006 ne jemi përmirësuar dukshëm. Sot ne kemi një filozofi krejtësisht tjetër dhe një skuadër tjetër. Italianët e dinë këtë”.
 
“Një gjë është e qartë – ne duam të jemi në finale, andaj duhet t’i mposhtim italianët. Prandaj shpresoj që ky të jetë fundi i Italisë në këtë kampionat evropian”, ka thënë Podolski.

Pique: Nuk kam problem me Ramos

Mbrojtësi i Spanjës, Gerard Pique, ka hedhur poshtë thashethemet se ai nuk flet me mbrojtësin e Real Madridit, Sergio Ramos.“Është e vërtetë se neve na mungon Puyol, por Sergio është një lojtar me kualitete të mahnitshme. Në çdo ndeshje ne përmirësohemi në partneritet. Ka pasur shumë fjalë për problemet të cilat nuk ekzistojnë”.
 
“Ne kemi një raport të shkëlqyeshëm në fushë. Nëse ne nuk do të kishim folur me njëri-tjetrin, ne nuk do të ishim në gjendje të veprojmë në mënyrën siç veprojnë”, ka thënë Pique.

14:25 / 27.06.2012 Shpërndaje

David Silva thotë se ai e vlerëson bashkëkombësin e tij Andres Iniesta më shumë se sa dy lojtarët të cilët shihen si më të mirët në botë, Lionel Messi and Cristiano Ronaldo.
“Shtypi shpesh më pyet për Messi dhe Ronaldo dhe kush është më i mirë por një gjë për mua është e qartë. Për mua numër 1 është Andres Iniesta, pasi ai është bashkë-lojtari im për Spanjën dhe mund ta shoh çfarë ai është në gjendje të bëjë në fushë”.
“Andrea është magjik me topin dhe është një person i shkëlqyeshëm, një lojtar i madh për skuadrën. Nuk e njoh Ronaldon ose Messin personalisht, por Andres është një lojtar dhe karakter i madh”, ka thënë Silva.

Villas-Boas arrin marrëveshje me Tottenhamin

Andre Villas-Boas raportohet se ka arritur marrëveshje trevjeçare me Tottenhamin.
Daily Star shkruan se AVB ka arritur marrëveshje me klubin londinez, por të dyja palët kanë vendosur të presin deri në fillim të korrikun për ta konfirmuar caktimin për shkaqe kontraktuale.
Kontrata raportohet se vlen rreth 3.5 milionë funte në vit. Villas Boas po ashtu është pajtuar të punojë me trajnerin Tim Sherwood, i cili ka qenë pjesë e ekipit të Harry Redknapp. 

Kinezët 55 milionë për Kakan

Mesfushori i Real Madridit, Kaka, ka pranuar një ofertë të majme nga Kina.
Corriere dello Sport shkruan se pronari i klubit Guangzhou Evergrande, Xu Jia Ying, është duke kërkuar yllin brazilian para fillimit të sezonit të ri kinez.
Kinezët i kanë ofruar Kakas një kontratë trevjeçare që kap vlerën e 18 milionë eurove një vit.
Xu e di se ai duhet po ashtu t’i paguajë Realit për të nënshkruar me Kaka, edhe pse shpreson ta ulë çmimin prej 25 milionë euro sa spanjollët kërkojnë për momentin.
Skuadra kineze tashmë ka angazhuar Marcello Lippin si trajner të ri.

Interi duhet të shesë për të blerë

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se klubi nuk do të bëjë nënshkrime të reja para se të shesë lojtarë nga skuadra aktuale.
Nerazzurrët janë në kërkim të lojtarëve të rinj, me trajnerin Andrea Stramaccioni që synon të rindërtojë një ekip që do të luftojë për titull sezonin e ardhshëm.
Rodrigo Palacio nga Genoa tashmë ka nënshkruar për Interin, derisa mbrojtësi i Palermos, Matias Silvestre, po ashtu është afër kalimit në Giuseppe Meazza, por Moratti thotë se për momentin nuk do të ketë nënshkrime të reja.
“Nuk ka asgjë çfarë të thuhet për afatin kalimtar. A duhet të shesim së pari? Sigurisht...”, ka thënë Moratti. 

Cavani nuk do të shitet

Drejtori Sportiv i Napolit, Riccardo Bigon, ka thënë se skuadra nga Seria A nuk do ta shesë sulmuesin Edinson Cavani këtë verë.
Uruguaiani ka joshur vëmendjen e klubeve si Manchester City dhe Juventusi pas paraqitjeve të tij të shkëlqyeshme për napolitanët sezonin e kaluar, por Bigon e ka bërë të qartë se uruguaiani nuk është në shitje.
“Mund të konfirmoj se Cavani nuk është për shitje për asnjë çmim. Presidenti ia ka bërë të qartë çdokujt se çfarë mendon për transferimin. Dhe Edi, po ashtu, ka qenë shumë i qartë për synimet e tij për të qëndruar te Napoli”.
“Ne nuk kemi planifikuar asnjë takim për të diskutuar të ardhmen. Nuk ka nevojë për biseda për këtë çështje. Ne kemi raporte shumë të ngushta me Edinson”, ka thënë Bigon për Corriere dello Sport.

Duran Duran në Shkup

Pop rok atraksioni britanik ‘Duran Duran’ për herë të parë do të ekzekutojë koncert në Shkup.
Koncerti do të zhvillohet në ambient të hapur në Kalanë e Shkupit, në mbrëmjen e 7 korrikut.
Britanikët po zhvillojnë turneun me rastin e promovimit të albumit të tyre më të ri të titulluar “All You Need is Now”, album i cili doli në shitje në muajin mars.
Bendi i famshëm i viteve 80-të vjen për të dhënë koncert në Shkup, pas një performance tjetër në Selanik të Greqisë.
Duran Duran në Shkup vjen me formacionin Nick Rhodes, John Taylor, Roger Taylor dhe Simon Le Bon.
Produksioni Avalon, i cili është organizator i këtij koncerti, ka njoftuar se biletat kanë dalë në shitje edhe në Prishtinë tek këto kafeteri: Papillon, Peoples, Sokoli dhe Mirusha dhe në Madeks. Në qytetin e Gjilanit ato mund të gjendet Te Papaku, ndërsa në Ferizaj në lokalin Blla, Blla.
Përveç kësaj pas koncertit të Duran, Duran, Avalon organizon edhe një mega-spektakël tjetër. Lenny Kravitz, rokeri amerikan do të paraqitet me koncert në Shkup më 2 tetor.
Rokeri paraqitet për herë të dytë në Maqedoni pas koncerti që e zhvilloi 5 vjet më parë në Ohër.

Gentës të postojë koncertet në Facebook

Genta Ismajli ka filluar të mendojë për adhuruesit të cilët mund të humbin njërin nga koncertet e saja gjatë këtij sezoni veror.
Genta a shkruar në Facebook se do të sjellë video dy minutëshe për çdo koncert që do ta mbajë gjatë verës.
“Për të gjithë ata që për ndonjë arsye nuk kanë mundësi të jenë në koncertet verore të Genta Ismajlit pasi janë jashtë vendit apo janë larg qyteteve, do të postojmë video deri në dy minuta gjatë gjithë verës për të gjitha koncertet”, ka është shkruar në Facebook. 

Big Basta bashkëpunim me Dj Blunt dhe Real1

Reperi nga Tirana, Big Basta këto ditë pritet të publikoj videoklipin e këngës “Radio and Club”, në bashkëpunim me Dj Blunt dhe Real1.
“Radio and Club” do të titullohet edhe albumi i reperit, të cilin pritet ta publikoi më 7 korrik.
Big Basta së fundmi u shpërblye me çmim në VFM '12 për videoklipin e tij ''Boom'', këngë kjo në bashkëpunim me këngëtaren Vesa Luma. 

Drita D’Avanzo, shqiptarja e “Mob wives”

Drita D’Avanzo është një nga emrat e njohur në televizionin amerikan si pjesë e reality show ''Mob wives''.
Kjo shfaqje përcjell jetën e femrave, pasi burrat ose baballarët e tyre janë arrestuar dhe burgosur për lidhje me mafian.
Drita ka lindur dhe është rritur në Amerikë, por prindërit i ka shqiptar. Ka modeluar që në moshën 14-vjeçare, por si profesion bazë ka të qenit “make-up artist”.
Është duke lancuar linjën time kozmetike të quajtur “Just Me Cosmetics”, diçka për të cilën ajo është shumë e lumtur.
Gjithashtu ka luajtur me skuadrën kombëtare të futbollit për femra.
Për Dritën, rrugëtimi deri tek një karrierë e suksesshme në televizion ka qenë i mundimshëm.
''Është e vështire të jesh pjesë e një shfaqje televizive. Unë jam njeri shumë diskret dhe nuk para hapem me të tjerët. Kam punuar në të njëjtin vend për vite me radhë dhe asnjëherë s’kam ndarë me të tjerët shqetësimet ose problemet e mia. Pra, nuk është e lehtë për mua të hapesh me dikë dhe të flasësh për çdo gjë”.
“Gjithashtu më ka shqetësuar fakti nëse kjo ka qenë zgjedhja e duhur për fëmijët e mi, por mundësitë e biznesit janë të pafundme ndaj dhe më është dashur të bëj dhe të ofroj më të mirën për fëmijët e mi,'' ka thënë ajo për ''Bluetooth''.
Ndërkohë, Drita shpreson që shumë shpejt ta vizitojë Shqipërinë, pasi gjithmonë ndihet krenare me prejardhjen e saj shqiptare

Jahjaga priti studentët nga Universiteti i Durhamit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti në një takim zëvendësdrejtorin e Institutit për Siguri Globale në Universitetin e Durhamit të Britanisë së Madhe, James Sweeney dhe një grup prej 12 studentësh të këtij instituti.
Sweeney e njoftoi Presidenten Jahjaga për aktivitetin e Institutit, gjegjësisht Universitetit, i cili është universiteti i tretë në Britani sipas rangimeve dhe gëzon një reputacion të lartë.

Studentët i bënë pyetje presidentes lidhur me zhvillimet në Republikën e Kosovës, si një vend ku intervenimi ndërkombëtar ka pasur sukses dhe si vend që udhëhiqet nga një presidente femër.
Jahjaga foli për të arriturat e Republikës së Kosovës, për konsolidimin e shtetësisë dhe të njohjeve të saj, për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe për një varg çështjesh të tjera, thuhet nw njoftimin e lëshuar nga Presidenca.

U certifikuan 73 diploma universitare të Kosovës

Në bazë të marrëveshjes së arritur në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Asociacioni i Universiteteve Evropiane (EUA) ka certifikuar sot 73 diploma universitare, të lëshuara në Kosovë.
"Certifikimi i sotëm i 73 diplomave të para universitare është i mirëpritur. Kjo mundëson që këta të rinj të shfrytëzojnë diplomat e tyre universitare për të vijuar studimet ose për të kërkuar punësim në Serbi, si kudo tjetër në Evropë. Kjo përmirëson mënyrën e jetesës së qytetarëve, duke e sjellë kështu praktikën serbe më afër normave evropiane. Kjo plotëson dy prej objektivave për të cilat është zhvilluar dialogu, megjithëse në një mënyrë modeste", ka thënë Robert Cooper, lehtësuesi i BE-së në dialogun Kosovë –Serbi, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë.
Certifikimi është bërë përmes një komisioni ekspertësh akademikë të EUA-së, të cilët kanë verifikuar që diplomat universitare janë dhënë me korrektësi nga institucionet e autorizuara dhe në përputhshmëri me praktikën më të mirë evropiane.
“Këto diploma të certifikuara do të trajtohen në Serbi në të njëjtën mënyrë sikur diplomat e tjera të lëshuara jashtë Serbisë. Në fakt, kjo nënkupton se të diplomuarit të cilët dëshirojnë të vijojnë më tutje programe edukative dhe/ose të kërkojnë punësim në administratë publike në Serbi mund t’i dorëzojnë diplomat e tyre, bashkë me certifikatën e EUA-së në universitetin e tyre të zgjedhur ose institucionin përkatës. Universiteti në fjalë pastaj do të japë një konfirmim për pranimin. Me këtë konfirmim, të diplomuarit mund ose të regjistrohen në programe akademike, ose të aplikojnë për një pozitë në administratë publike”, thuhet në kumtesë. 

SEEMO, keqardhje për miratimin e neneve 37 dhe 38

Organizata për Media e Evropës Juglindore, SEEMO, me seli në Vjenë, ka shprehur keqardhje për vendimin e Kuvendit të Kosovës, që të mbahen nenet 37 dhe 38, të papranueshme për media, në Kodin Penal.
Kjo ishte hera e dytë, në dy muajt e fundit, që parlamenti ka votuar në favor të neneve, të cilët gazetarët i mbajnë përgjegjës, nëse ata nuk i zbulojnë burimet e tyre.
SEEMO vlerëson se deputetët nuk treguan kujdes ndaj rekomandimeve vendëse dhe ndërkombëtare lidhur me dekriminalizimin e shpifjes.
“Politikanët e Kosovës pretendojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektiv i tyre”, tha sekretari i përgjithshëm i organizatës, SEEMO, Oliver Vujovic.
“Me qëllim që të bëhet anëtare e BE-së, Kosova duhet t’i miratoj dhe respektoj ligjet evropiane dhe t’i pranoj standardet ndërkombëtare në të gjitha fushat, përfshirë edhe mediat”, tha Vujovic, duke shtuar se “mediat e lira janë element esencial i demokracisë”.
Ai ka shfaqur shpresën se “në të ardhmen e afërt, deputetët e Kosovës do ta rishqyrtojnë vendimin e tyre lidhur me amandamentet dhe do ta mbështesin shtypin e lirë në Kosovë”. 

Rexhepi: Bogdanovic do të arrestohet, nëse hyn ilegalisht

I ashtuquajturi ministër për Kosovë, në Qeverinë e Serbisë, Goran Bodanovic do të arrestohet nëse të enjten hyn në Kosovë për festën e Vidovdanit. Kështu ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ngase, sipas tij, Bogdanovicit i është ndaluar hyrja meqë nuk i është përmbajtur më herët rregullave duke bërë edhe deklarime politike.
Rexhepi thotë se kanë kërkuar edhe nga EULEX-i ta kryejnë punën e tyre, por, sipas tij, edhe nëse nuk i përmbahen në veri, Bogdanovic nuk do të hyjë në pjesë të tjera të Kosovës.
Do të lejohen të hyjnë nesër për festën e tyre vetëm ata që realisht duan të bëjnë pelegrinazhe, e jo huliganë dhe tifozë që kanë qëllime të tjera.
“Realisht ne kemi do të dhëna që edhe disa grupe që janë vet në Serbi janë ilegale qoftë çetnike, ajo 1939. Janë do tifozë huliganë të ‘Cervena Zvezdës’ dhe shumë të tjerë. Ne do t’i ndalojmë të gjithë ata dhe atyre nuk do t’u lejohet. Atyre do t’u ndalojmë ta bëjnë këtë pelegrinazh, siç e quajnë. Ka organizata të ndryshme joqeveritare, të grave e disa të tjerë që me të vërtetë dojnë me festu e ajo është çështje e tyre. E atyre nuk do t’u ndalohet me festu. Ndalesa natyrisht është edhe për ish-ministrinë Bogdanovic për arsye se në kaluarën nuk ju ka përmbajtur udhëzimeve tona që të mos të ketë deklarime politike dhe atij ju ka ndalu hyrja”, ka thënë Rexhepi, duke potencuar se kanë kërkuar edhe nga EULEX-i që ta kenë parasysh këtë ndalesë.
Sipas tij, Bogdanovic do të shkelë në Kosovë vetëm nëse hyn ilegalisht, por në asnjë mënyrë nuk do të ketë qasje në Gazimestan. Rexhepi ka thënë se nëse zyrtari serb hyn ilegalisht, ai do ta arrestohet pa asnjë dyshim.
“Si të hyjë në mënyrë ilegale, aty ku ka akces, ajo sanksionohet me ligj dhe e kanë për obligim ta arrestojnë dhe ta deportojnë”, ka thënë ai, raporton Kosovapress.
Madje, sipas Rexhepit, tendencat e tij (Bogdanovic) mund t’i ketë vetëm në pjesën veriore dhe se në pjesë të tjera as që ka gjasa ta bëjë një gjë të tillë.
“Realisht në pjesët e tjera të Kosovës nuk kanë shans, por në veri jemi të varur pak të me vullnetin dhe vendosmërinë e EULEX-i. Nëse ata i bëjnë ato lëshime ne nuk i bëjmë në pjesët tjera. Ata nuk japin bash në mënyrë decidive e japin me dykuptimësi por besojë se edhe ata do t’i përmbahen”, ka thënë ai.
Rexhepi ka pohuar se kanë shtuar masat e sigurisë, edhe pse, sipas tij, nuk ka shumë të interesuar këtë vit që të bëjnë pelegrinazh në Gazimestan.

Thaçi: Mbikëqyrja e pavarësisë përmbyllet këtë vit

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar të mërkurën se mbikëqyrja e pavarësisë përmbyllet këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera. Ndërkaq, duke folur për raportet Kuvend-Qeveri, ai theksoi se forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në vend.
Thaçi këto komente i ka bërë në konferencën mbi marrëdhëniet ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit të organizuar nga OSBE.
Kreu i ekzekutivit tha me këtë rast se duke pasur parasysh rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës dhe ndarjen e qartë të pushteteve të legjislativit, ekzekutivit dhe të gjyqësorit funksionimi i këtyre institucioneve në përputhje me Kushtetutën përbën themelin e sistemit demokratik të shtetit të Kosovës.
“Në këtë aspekt forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në Kosovë. Përmirëson punën e Qeverisë sa i përket performancës dhe siguron që si institucion i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit, të sigurohet se zëri dhe vullneti i qytetarëve tanë të respektohet”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, si parakusht themelor i ndërtimit të legjislacionit modern që i shërben funksionimi të demokracisë është bashkëpunimi i vazhdueshëm i Kuvendit dhe ekzekutivit në shërbim të interesit të qytetarit dhe të forcimit të shtetit demokratik dhe ligjor.
Në kuadër të shtetndërtimit të Kosovës, bashkëpunimi i ekzekutivit dhe kuvendit ka shërbyer në krijimin e kornizës ligjore të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe dispozitat e Planit të presidentit Ahtisaari.
“Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë përfundon këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit , Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tjera”, u shpreh Thaçi.
Ai tha se në kuadër të procesit të integrimit të Kosovës në BE bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Kuvendit është edhe më tej i domosdoshëm.
“Implementimi i agjendës evropiane përmes adoptimit të ligjeve që janë në përputhje me atë evropian dhe përafrimit të legjislacionit është i pamundur nëse nuk ka bashkëpunim të ekzekutivit dhe legjislativit. Në këtë drejtim Kosova është shembull”, theksoi kreu i Qeverisë, duke shtuar se procesi i integrimit është një proces afatgjatë që kërkon reforma të thella. 

Zyra e Pacollit: Mediat kanë keqinterpretuar

Pas shkrimeve në media, lidhur me kërkesën e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli për njohje të shtetit të Kosovës nga shteti që na ka njohur, ka reaguar zyra e zëvendëskryeministrit.
“Pas komunikatës së lëshuar nga zyra e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, datë 26 qershor 2012, disa nga portalet kosovare kanë keqinterpretuar informatën lidhur me takimet e zhvilluara nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli në Paris, me përfaqësuesit e lartë të disa vendeve të Amerikës së Jugut. Gjatë drekës së përbashkët me përfaqësuesit e lartë të shteteve: Peru, Argjentinë, Uruguaj, Paraguaj dhe Bolivisë, zëvendëskryeministri Pacolli ka shprehur edhe njëherë kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, si vend të pavarur dhe sovran”, thuhet në kumtesë.
Sipas Zyrës së Pacollit, gjatë këtij takimi, përfaqësuesi i lartë i shtetit të Perusë, ka asistuar zëvendëskryeministrin Pacolli në argumentimin e drejtë të çështjes së Kosovës dhe nevojën e njohjes së saj edhe nga shtetet tjera të Amerikës Latine, duke ndjekur shembullin e shtetit të tij, si njëri ndër vendet e para të Amerikës Jugore që e ka njohur Republikën e Kosovës. 

Inaugurohet objekti i Agjencisë për regjistrim civil

Është inauguruar të mërkurën në Prishtinë objekti i ri i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa pritet që me këtë të lehtësohet marrja e dokumenteve për qytetarët e Prishtinës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, me këtë rast theksoi se është krenar që po inaugurohet ky objekt, i cili është i përgatitur shumë mirë teknikisht dhe që do të jetë në shërbim të qytetarëve të Prishtinë.
“Këtu do të vendosen Qendra Komunale për Regjistrim Civil dhe Qendra Komunale për Regjistrim të Automjeteve dhe pjesa e gjendjes civile për vulat apostile. Po ashtu do të vendosen pjesa më e madhe e Agjencionit të Regjistrimit Civil, përveç pjesës së prodhimit të dokumenteve për të cilin do të ndërtojmë një objekt tjetër, që do të ketë kushte të posaçme”, theksoi Rexhepi.
Ai tha se objekti do të krijojë kushte optimale për të punësuarit, ku do të jenë diku rreth 150 zyrtarë që do të punojnë, në të njëjtën kohë edhe për qytetarët e Prishtinës, që deri më tash është dashur në shumë vende të shpërndara për të marrë dokumentet dhe për të bërë aplikimet, ndërsa tash të gjitha janë të koncentruar në një vend.
“Ky objekt ka mbi 4 mijë e 500 metra katrorë hapësirë, është gjashtë kate dhe ka kushtuar më shumë se 2 milion e 500 mijë euro. Pra një objekt që ka marrë një kosto solide, janë shumë të shtrenjtë, por janë reprezentativë”, tha ministri Rexhepi.

Të respektohet marrëveshja për regjistrat kadastralë

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper insiston që Kosova duhet respektojë marrëveshjen për regjistrat kadastralë, duke kërkuar nga Prishtina të nxjerrë Ligjin për Agjencinë e Pronës, e cila është kompetente të shqyrtojë dokumentacionin kadastral. Institucionet e Kosovës këmbëngulin se marrëveshja për regjistrat kadastralë dhe marrëveshjet e tjera nuk po respektohen nga Serbia.
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për lehtësimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper konsideron që Serbia dhe Kosova po i bishtnojnë zbatimit të marrëveshjes për kadastrat.
Juri Laas zëdhënës i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se BE-ja kërkon përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjes. Ai ka theksuar se pikërisht rreth kadastrave, Cooper në takimin fundit ka kërkuar respektim të marrëveshjes nga Prishtina, raporton RTK.
“Kosova duhet të nxjerr ligjin mbi Agjencinë Kosovare të Pronës. Kjo është ajo që duhet të bëjë ana kosovare rreth marrëveshjes”, ka thënë Laas.
Shefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha thotë se asnjë pengesë nuk është nga ana e Kosovës.
“Nga ana jonë nuk ka asnjë pengesë apo mangësi në zbatimin marrëveshjes. Serbia është ajo që duhet të na i dorëzojë librat kadastralë, e që deri më tani nuk kemi asnjë hap nga ana e tyre në këtë drejtim”, ka thënë Meha.
Me marrëveshjen për Kadastrat është paraparë që regjistrat kadastralë t’i jepen për verifikim një agjencie teknike të përkohshme ose Agjencisë së Pronës. Por, kjo e fundit nuk e ka ligjërisht në mandatin e saj trajtimin kësaj çështje.
Zëvendësshefi i kësaj agjencie, Xhevat Azemi ka thënë se çështja e marrjes së dokumenteve në shqyrtim nga AKP kërkon së pari miratim ligji.
“BE është përcaktuar që shqyrtimin dhe verifikimin dokumenteve kadastrave ta bëjë sekretariati i AKP-së e ne na duhet ligji për t’u marr me këtë”, ka thënë Azemi.
Marrëveshja për regjistrat kadatsralë është njëra nga shtatë ë marrëveshjet e arritura në bisedimet e ashtuquajtura teknike midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE-së. 

Silva: Jemi të gatshëm për Portugalinë

Mesfushori i Spanjës, David Silva, thotë se ata janë të gatshëm për ndeshjen e sotme gjysmëfinale të Euro 2012 të cilën zhvillojnë kundër Portugalisë.“Portugalia është një skuadër e mirë dhe ka luajtur futboll të shkëlqyeshëm. Ata kanë treguar se nuk varen vetëm nga Ronaldo, pavarësisht se sa i mirë ai është për Portugalinë dhe Real Madridin. Ne nuk jemi të obsesionuar vetëm të luajmë kundër Ronaldos”.
 
“Ne jemi të gatshëm për ndeshjen ndaj Portugalisë. Ne e dimë se do të jetë e vështirë, por mbetemi optimist. Frika do të jetë me Portugalinë pasi ata luajnë me kampionët”, ka thënë Silva.

Liverpooli pas Vargas

Agjenti i lojtarit të Fiorentinas, Juan Manuel Vargas, ka zbuluar se Liverpooli është i interesua për klientin e tij.
Anësori peruan pritet të largohet nga Viola këtë verë dhe është lidhur fuqishëm me një kalim në Anfield.
“Ai mund të largohet nga Fiorentina, kjo është e mundshme, por për momentin këto janë vetëm thashetheme dhe nuk ka asgjë zyrtare. Ai nuk kaloi një sezon të mirë dhe është i paepur të përmirësohet sezonin e ardhshëm”.
“Liverpooli është një opsion, por po ashtu është Malaga që mund t’i japë atij prestigjin të luajë në Ligën e Kampionëve”.
“A ka ai ndonjë preferencë në mes të Ligës Premier dhe La Ligës? Vargas do t’i vlerësonte secilën Ligë, edhe pse Serie A po ashtu ka meritat e veta. Në të kaluarën ne kemi biseduar edhe me Interin dhe Nerazzurrët ishin të interesuar”, ka thënë Jorge Cyterszpiler për TMW. 

Pato: Më pëlqen Liga Premier

Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, thotë se atij do t’i pëlqente të luajë në Angli.
Pato është lidhur me një kalim te Chelsea dhe Arsenali sezonin e kaluar.
“Më pëlqen futbolli anglez. Kam miq që luajnë për Chelsean, Liverpoolin dhe Manchester United”.
“Për momentin unë kam një shije të vërtetë për të luajtur në Britani, duke vizituar Londrën një muaj para Olimpiadës. [Por] prioriteti im është të përfundoj kontratën te Milani”.
“Kam shumë për t’i falënderuar ata dhe fokusi im është të vazhdoj ta bëj këtë, t’u sjellë kënaqësi tifozëve të Milanit dhe të vazhdoj kontratën time deri në vitin 2014. Dhe pastaj, kush e di?”, ka thënë sulmuesi për The Sun.

Modric dëshiron Real Madridin

Luka Modric raportohet se i ka thënë Tottenhamit se dëshiron të largohet për t’u transferuar te ndonjë klub që luan në Ligën e Kampionëve.
Marca shkruan se kroati tashmë ua ka bërë të qartë Spursave se dëshiron të luajë për një ekip më të klasit.
Edhe pse PSG dhe Manchester United kanë shfaqur interesim për të, mendohet se zgjidhja e parë e mesfushorit është Real Madridi, ku ai shihet si një mbulesë ose alternativë për Xabi Alonson. 

Giroud dëshiron trofe me Arsenalin

Olivier Giroud thotë se ai i është bashkuar Arsenalit për të fituar trofe.
“Ka një gjeneratë të mirë të lojtarëve këtu, një skuadër të mirë. Ata nuk janë ndihmuar nga lëndimet sezonin e kaluar dhe kishte disa ndryshime, dhe për qëndrueshmërinë e skuadrës kjo e bën ndryshimin”.
“Por mendoj se ka një shpirt të mirë këtu dhe kjo është një arsye tjetër se pse zgjidha këtë klub. Jam i bindur në potencialin e grupit dhe jam i bindur se në të ardhmen, shpresoj sezonin e ardhshëm, ne të fitojmë diçka”.
“Është vështirë në Angli pasi ka shumë ekipe të mëdha, por kjo është ajo që e bën atë me sharm, kjo e bën atë të bukur. Është liga më e vështirë dhe nuk do të jetë e lehtë ta inkorporoj veten, por jam plot vetëbesim”, ka thënë Giroud për Arsenal Player. 

Capello: Rooney kupton vetëm gjuhën skoceze

Fabio Capello e ka sulmuar sërish Wayne Rooneyn pas performancës së dobët ndaj Italisë në Euro 2012.
Sulmuesi i Manchester Unitedit e ka ngacmuar strategun italian në një deklaratë kur kishte thënë se lojtarët e Anglisë e kishin më të lehtë të përshtaten me metodat e Roy Hodgson, sepse nuk kishte probleme me komunikimin.
Ndërsa pas paraqitjes së dobët të 26-vjeçarit ndaj Azzurrëve, Capello ka thënë se Rooney i kupton vetëm instruksionet dhe gjuhën e Sir Alex Ferguson.
“Pasi e shikova ndeshjen e fundit, mendoj se Rooney kupton vetëm gjuhën skoceze”, ka thënë Capello për Corriere dello Sport

NRG Band vijnë me ”Qa po bojm na sonte?”

Grupi muzikor NRG Band ka publikuar videoklipin e këngës me titull “Qa po bojm na sonte”.
Videoklipi i këngës që është realizuar në Itali, ishte paralajmëruar më herët nga grupi me përshkrimin si ”videoklip në një format jo të zakontë”.
Ndërkohë, vokalisti i grupit, Besnik Qaka në fillim të muajit korrik do të paraqitet në gjykatë, pasi po përballet me akuzën për marrëdhënie me një të mitur disa vite më parë.
Ai është deklaruar i pafajshëm dhe ka shprehur besimin se gjykata do e dëshmojë pafajësinë e tij.

Mozilla lëshon Firefox 14 për Android

Më herët gjatë ditës ishte thënë se Mozilla ka lansuar versionin beta të Firefox 14 për Android, ndërsa tani është bërë e ditur se versioni i plotë i shfletuesit Firefox 14 është në dispozicion për përdoruesit.
Firefox 14 për Android sjell një numër të karakteristikave të reja për pajisjen tuaj mobile që bazohet në Android, dhe i njëjti është kompatibil për pajisjet që kanë Android 2.2 Froyo dhe versionet më të reja të sistemit operativ të Google.
Shfletuesi Mozilla Firefox sjell shfletimin më të mirë për Android, pasi që tani është optimizuar edhe për tablet, përmes shpejtësisë, përgjigjes së përkryer për ekranet e ndjeshme në prekje si dhe privatësinë e përdoruesit, e cila mundëson përdorim të sigurt të internetit.
Nëse dëshironi të dini më shumë për Firefox 14, atëherë vizitoni Google Play Store. 

Arrin 130 km/h me ‘skateboard’ (Video)

Mischo Erban e ka thyer rekordin e Guinnessit për shpejtësinë më të madhe të arritur me ‘skateboard’.
Rekordi i ri i arritur në Quebec të Kanadasë është 130 kilometra në orë.
Kështu, 28-vjeçari Erban bëhet njeriu më i shpejtë me ‘skateboard’, ndërsa rekordin e mëparshëm e ka kaluar për rreth 17 kilometra në orë. 

Bien në ujë, dhëndri harron nusen (Video)

Mashkulli duhet që të sillet si xhentëlmen së paku në ditën e martesës. Mirëpo, në rastin e Eric dhe Maegan Walber, nuk ndodhi ashtu.
Gjatë ceremonisë martesore, mysafirët së bashku me nusen dhe dhëndrin kishin hipur mbi një dok për t’u fotografuar, por në moment doku i lëshon dhe ata bien në ujë.
Dhe, në vend se ta shpëtonte nusen e tij, dhëndri iku vetëm... 

Asnjë punësim sezonal jashtë Kosovës

Kosova nuk ka arritur të nënshkruajë asnjë marrëveshje me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për punësim sezonal. Se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë këtij viti nuk ka arritur që të ofrojë punësim sezonal jashtë vendit për asnjë qytetar të Kosovës, këtë e konfirmon zyrtari për informim në këtë ministri, Musa Demiri.
“Përveç projektit për punësim sezonal të studentëve të UP-së në Gjermani nuk ka ndonjë projekt tjetër të punësimit sezonal jashtë Kosovës, kurse përbrenda Kosovës ka filluar zbatimi i projektit ‘punët publike 2012’ projekt ky i Bankës Botërore i kryer përmes ministrisë së punës dhe komunave”, tha Demiri për REL.
Kosova me Gjermanin kishte nënshkruar marrëveshje për punësim sezonal vite më parë dhe kjo marrëveshje është ende në fuqi.
Në Gjermani, sipas kësaj marrëveshje çdo vit punësohen 300 studentë nga Kosova.
Gjatë këtij viti zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kishin konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ministri Nenad Rasic kishte negociuar më shumë vende të BE-së për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.
“Kosova nuk është anëtare e BE-së dhe nuk njihet prej të gjitha shteteve të BE-së nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete me ndonjë shtet për këtë çështje. Ne nuk kemi të drejtë që të marrim pjesë në konkurrencën e punës së BE-së”, bën të ditur Musa Demiri.
Ndërkohë, në projektin “punët publike 2012”, që bëhet brenda Kosovës, sipas Musa Demirit pritet të punësohen një numër i konsiderueshëm i punëkërkuesve që janë të paraqitur në shërbimin e punësimit nëpër komuna.
Kosova, sipas hulumtimeve të bëra, ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë.
Norma e papunësisë ka arritur në 48 për qind dhe norma e të punësuarve është jashtëzakonisht e ulët, rreth 26 për qind.
Derisa shkalla e lartë e papunësisë është në këtë nivel të lartë, përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thonë se duhet bërë më shumë për rritjen e punësimit sezonal.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi thotë për REL se duhet të punohet bashkërisht për arritjen e nënshkrimit të marrëveshje për punësim sezonal me vendet e BE-së.
“Herën tjetër do të kërkoj që si partnerë të kyçemi edhe në negociatat për marrëveshjet për punësim sezonal më vendet e BE-së. Ndoshta do të ishin më frytdhënëse ato biseda nëse do të ishin të gjithë faktorët që kanë të bëjnë më këtë çështje”, thekson Arifi.
Ndryshe, në Kosovë sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 250 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën.
Por, thuhet se ky numër mund të jetë edhe më i lartë, sepse jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit. 

Vazhdon seanca përmbyllëse ndaj Haradinajt

Në Gjykatën e Hagës po vazhdon seanca përmbyllëse e procesit të pjesshëm gjyqësor ndaj ish-kryeministri të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish-bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, të cilët akuzohen për kinse krime lufte të kryera në Kosovë, ku mbrojtja po vazhdon të thotë fjalën përfundimtare, kundër provave të paraqitura nga prokuroria.
Në ditën e tretë të seancës përmbyllëse, avokati mbrojtës i Idriz Balajt, Grey Smith, i cili ka thënë se një nga temat të cikat i ka paraqitur prokuroria, është e se Idriz Balaj ka qenë gjithmonë me Ramush Haradinaj, dhe se paku ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet ku ishte i pranishëm Haradinaj, ku Smith ka paraqitura provat, të cilat dëshmojnë se Balaj nuk ka marrë pjesë në disa nga këto takime.
Ndryshe, kjo është dita e tretë e seanca përmbyllës, e cila ishte paraparë të zgjaste vetëm dy ditë.
Pas përfundimit të seancës përmbyllëse, për rreth dy muaj më pas trupit gjykues do të marrë vendimin përfundimtar për këtë rast.
Ndryshe, kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në vitin 2008 është shpallur i pafajshëm për të njëjtën akuzë.

Umreja e kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi ka veshur ihram. Derisa ndodhej dhjetë ditë më parë në Arabinë Saudite, ka lënë kostumin dhe të gjitha teshat e tjera, për t’u mbërthyer me vetëm dy pëlhura të bardha gjatë kohës sa ka kryer ritualin e umres.
Umreja nënkupton vizitën në Qabe, qendrën nga drejtohen besimtarët myslimanë gjithandej botës derisa falin namazin. Haxhi përbën një ritual të ngjashëm me umren, veçse haxhi është obligim për myslimanët dhe bëhet vetëm në një kohë të caktuar të vitit. Umreja ndërkaq mund të bëhet në çdo kohë dhe nuk është obligim.
Në Kabinetin e Kryeministrit e kanë konfirmuar lajmin që nuk ishte publikuar deri tash, por për të cilin është mësuar vetëm nga gazetarët që e kanë përcjellë delegacionin e Kosovës në Arabinë Saudite.
Abelard Tahiri, shef i protokollit të kryeministrit, ka thënë se Thaçi ka vepruar ngjashëm edhe kur ka qenë në Jerusalem apo në Vatikan, qendra shpirtërore këto të besimeve të tjera. Sipas tij, rituali islam është bërë me kënaqësi nga kreu i ekzekutivit.
“Shkuarja në vendin e shenjtë, në Qabe, ka qenë pjesë e protokollit të mbretit të Arabisë Saudite, me ftesën e të cilit është realizuar vizita”, ka thënë Tahiri.
Kushdo që vesh ihramin duhet të përmbahet nga veshja e këmishës, brekëve, palltos së gjatë, xhybes, qyrkut, herkës, sarëkut në kokë, kapelës, mesteve dhe çorapeve. Pra, ndalohet çfarëdo petku i prerë ose i qepur që shërben për veshjen dhe mbathjen e trupit të njeriut. Përjashtim bëjnë nallanet apo papuçet. Janë të lejuara ato, shkruan “Koha Ditore”.
Abelard Tahiri ka treguar të jetë respektuar kjo nga delegacioni që ka kryer ritualin, në përbërje të të cilit pos Thaçit e Tahirit kanë qenë edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, këshilltari i Thaçit, Ismail Syla, këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, shefi i protokollit të Thaçit, Edi Sejdiu, si dhe zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme që ka përkthyer në takime, Fuad Morina.
Delegacioni kishte falë namaz në Qabe dhe kishte bërë lutje.
Pjesë e umres është edhe tavafi. Në këtë rast bëhet ecja rreth Qabesë. Për të kryer tavafin duhet sjellë shtatë herë rreth Qabesë. Për pikënisje shërben guri i zi.
E Qemajl Morina, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, ka shprehur besimin që delegacioni kosovar të ketë pasur qëllim ta vizitojë këtë vend të shenjtë në mënyrë që rituali të jetë i pranueshëm për ta. Ai ka thënë se Kabineti i mbretit të Arabisë Saudite nuk do të aranzhonte zhvillimin e këtij rituali, nëse nuk do të merrte një sinjal nga pala e Kosovës.
“Pa pëlqimin e delegacionit të Kosovës nuk e kanë bërë”, ka thënë Morina. “Secili mysliman që e viziton Arabinë Saudite, normal që shpreh dëshirën për të kryer edhe umren”, ka shtuar ai.

Preteni akuzon Sadri Feratin dhe Zymer Halimin

Deputeti Sadri Ferati dhe gjenerali i FSK-së, Zymer Halimi, po ndiqen penalisht nga një prokuror për shkak se “ia kanë mohuar të drejtën Hasan Pretenit të merrte në shfrytëzim një banesë në Mitrovicë”.
Preteni, që drejton Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit, nuk e kishte fituar një banesë në vitin 2006 në Mitrovicë që, sipas prokurorisë, i takonte atij e jo Raif Pretenit. Aso kohe Komuna e Mitrovicës kishte ndarë disa banesa për kuadro. Në bazë të kritereve një i takonte Preteni,t si kuadër i TMK-së. Qiraja mujore për banesë ishte 0.50 euro për metër katror.
E për mohimin e kësaj të drejte Prokuroria e Qarkut e Mitrovicës ka gjetur dy përgjegjës, të cilët konsiderohen fajtorë. Ish-kryeshefi ekzekutiv i Komunës së Mitrovicës, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, dhe gjeneralbrigade Zymer Halimi, i cili aktualisht është udhëheqës i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në FSK, akuzohen nga prokurori i Qarkut të Mitrovicës, Jusuf Mejzini, për shpërdorim të detyrës zyrtare, vepër kjo që dënohet deri në tetë vjet burgim, shkruan “Koha Ditore”.
Ndërsa, dy të akuzuarit kanë thënë se nuk janë në dijeni se është ngritur aktakuzë kundër tyre, derisa kanë përjashtuar veten nga përgjegjësia për ndarjen e banesave. 

Koalicioni që shkaktoi luftën në ish-Jugosllavi kthehet në Serbi

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikolic është takuar me liderin e socialistëve Ivica Dacic dhe zyrtarisht ia ka ofruar atij mandatin për formimin qeverisë së re.
Ivica Dacic nuk i është përgjigjur Nikolicit për këtë ofertë, por ka theksuar se vendimin për këtë duhet ta marrë kryesia e partisë së tij, SPS-ja, shkruan agjencia B92, të martën.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) nga radhët e së cilës u zgjodh kryetari i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka thënë se partia e Boris Tadicit e ka të vështirë ta themelojë qeverinë dhe se ka mundësi që qeverinë ta themelojnë “përparimtarët” dhe “socialistët”, shkruan “Koha Ditore”.
As SPS-ja e as shefi i kësaj partie, Ivica Dacic nuk janë deklaruar lidhur me këto pohime. Konfirmohet vetëm se Dacic ka ftuar për të mërkurën kryesinë e partisë së tij, meqë dëshiron që vendimin për të formuar qeverinë me SNS-në e Nikolicit ta formalizojë nëpërmjet organeve të partisë. Vendimin për formimin e Qeverisë SPS-ja pritet ta marrë më së largu të premten.
“Po, koalicioni ynë ka marrë një ofertë nga SNS-ja për mandatarin e qeverisë, përkatësisht që Ivica Dacic të jetë në krye të saj. Ne patëm një mbledhje, por nuk kemi folur për këtë. Mirëpo, nuk janë të rëndësishme funksionet. Ivica Dacic, Jovan Krkobabic dhe unë do të vendosim për atë se çfarë është e pranueshme”, ka thënë në Jagodinë, Dragan Markovic-Palma, kreu i ‘Serbisë së Bashkuar’”, që është pjesë e bllokut të socialistëve.
Nga zyrtarët e SPS-së, të martën ka folur vetëm kryetari i Këshillit socialist dhe kryetar i Kuvendit të qytetit të Beogradit, Aleksandër Antic. Ai ka theksuar se procesi i formimit të qeverisë republikane është shumë më kompleks sesa formimi i qeverisë së qytetit. Ai shpreson se qeveria republikane do të formohet në një kohë optimale.
“Është e qartë se krijimi i qeverisë republikane është shumë më kompleks dhe ne jemi dëshmitarë se lyp shumë kohë, por besoj se në një të ardhme të afërt ky proces do të mbyllet”, tha Antic.
Ndërkohë, Partia Demokratike (DS) e Boris Tadicit ka kërkuar sqarime nga partneri në koalicionin e fundit qeveritar, SPS-ja, se pse ka ngecur formimi i qeverisë dhe cilat janë pengesat. DS-ja ka kërkuar nga partia e Dacicit të tregojë edhe nëse është në fuqi marrëveshja e arritur më 8 maj.
“SPS-ja i ka dhënë mbështetje qeverisë së udhëhequr nga Boris Tadici, andaj opinioni duhet të jetë i njoftuar nëse kjo marrëveshje është në fuqi”, thuhet në komunikatën e DS-së. “DS-ja ka bërë gjithçka që të sigurohet shumica parlamentare dhe qytetarët e Serbisë të fitojnë një qeveri efikase. Me koalicionin rreth SPS-së, menjëherë pas zgjedhjeve kemi arritur pajtimin për programin dhe kemi siguruar shumicën e nevojshme pa kurrfarë kushtëzimesh kadrovike”.
Nëse qeveria e re formohet nga SNS-ja e Nikolicit dhe SPS-ja e Dacicit, atëherë kjo do të jetë formulë e ngjashme me atë të viteve 90, përkatësisht periudhës kur shpërtheu lufta në Kosovë. Atëbotë Nikolici ishte pjesë e Partisë Radikale Serbe që kishte për lider Vojislav Sheshelin, e që tash akuzohet për krime lufte në Gjykatën e Hagës, kurse Partia Socialiste, por edhe vetë shteti serb kishte për president Slobodan Miloshevicin, që bëri vetëvrasje, ndërkohë që gjykohej po nga Tribunali i Hagës.
Partia e Sheshelit ishte larguar nga qeveria në shenjë proteste për arritjen e Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999. 

Riformatohet FK-ja

Me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë ndryshohet edhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati ka bërë me dije për “Epokën e Re”, se grupet e ekspertëve kanë filluar rishikimin e strategjisë së kësaj force, e cila përfshinë strukturën dhe misionin e ardhshëm.
“Kemi filluar rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë në Republikën e Kosovës. Konkretisht FSK-ja është duke e rishikuar strategjinë e saj, duke përfshirë strukturën dhe misionin e ardhshëm. Grupet punuese janë duke punuar në këtë drejtim. Nga fundi i këtij viti do të dalim me rekomandimet kryesore se çfarë kapacitetesh ka FSK dhe cilat kapacitetet duhet t’i ketë në të ardhmen”, ka thënë Kastrati.
Në këtë kontekst, Kastrati ka pohuar se në përbërje të këtyre grupeve punuese janë të angazhuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Komandanti i FSK-së ka thënë se pas përfundimit të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur pret nga Qeveria e Kosovës që të marrë përgjegjësi të reja, të cilat janë në interes të FSK-së dhe të qytetarëve.
“Presim nga Qeveria e Kosovës se cilat udhëzime dhe detyra do të na japë. Unë si komandat i FSK-së jam i gatshëm t’i kryej të gjitha obligimet me të cilat ngarkohem, përfshirë edhe draftimin e një force ushtarake. Detyrë jona është t’i propozojmë Qeverisë së Kosovës se çfarë strukture duhet të ketë në të ardhmen FSK-ja”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se KFOR-i edhe më tutje do të vazhdojë të veprojë dhe do të merret me ofrimin e sigurisë në Kosovë. 

Tash, Ministrinë

Aleanca Kosova e Re ka riaktualizuar kërkesën për të marrë edhe një ministri në Qeverinë e Kosovës. Kjo parti po e sheh si mundësi të mirë largimin e Hajredin Kuçit nga posti i Ministrit të Drejtësisë, për zbatimin e marrëveshjes Thaçi –Pacolli.
Nënkryetari i AKR-së, Vegim Gashi thotë se partia e tij ka kuadro të duhura për ta plotësuar vendin e mbetur bosh në ekzekutiv, shkruan “Express”.
Edhe pse kanë kaluar nëntë muaj prej afatit të fundit për t`iu ndarë edhe një ministri Pacollit, zyrtarët e AKR-së deklarojnë se ky është momenti më i mirë për të marrë hisen e shumëpritur në Ekzekutiv.
Nënkryetari i Partisë së Pacollit, Vegim Gashi ka thënë të martën se AKR-ja në vazhdimësi ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes, por sipas tij, tash janë krijuar rrethanat e duhura për të zbatuar marrëveshjen.
“Pavarësisht prej asaj që ka kaluar një kohë dhe sigurisht edhe mundësia jonë si subjekt politik me e pas një përfshirje më të madhe në jetën politike dhe në qeverisjen aktuale në Kosovë, edhe ky moment është i rëndësishëm dhe i vlefshëm për ne”, ka thënë Gashi.