SEEMO, keqardhje për miratimin e neneve 37 dhe 38

Organizata për Media e Evropës Juglindore, SEEMO, me seli në Vjenë, ka shprehur keqardhje për vendimin e Kuvendit të Kosovës, që të mbahen nenet 37 dhe 38, të papranueshme për media, në Kodin Penal.

Kjo ishte hera e dytë, në dy muajt e fundit, që parlamenti ka votuar në favor të neneve, të cilët gazetarët i mbajnë përgjegjës, nëse ata nuk i zbulojnë burimet e tyre.
SEEMO vlerëson se deputetët nuk treguan kujdes ndaj rekomandimeve vendëse dhe ndërkombëtare lidhur me dekriminalizimin e shpifjes.
“Politikanët e Kosovës pretendojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektiv i tyre”, tha sekretari i përgjithshëm i organizatës, SEEMO, Oliver Vujovic.
“Me qëllim që të bëhet anëtare e BE-së, Kosova duhet t’i miratoj dhe respektoj ligjet evropiane dhe t’i pranoj standardet ndërkombëtare në të gjitha fushat, përfshirë edhe mediat”, tha Vujovic, duke shtuar se “mediat e lira janë element esencial i demokracisë”.
Ai ka shfaqur shpresën se “në të ardhmen e afërt, deputetët e Kosovës do ta rishqyrtojnë vendimin e tyre lidhur me amandamentet dhe do ta mbështesin shtypin e lirë në Kosovë”.