Thaçi: Mbikëqyrja e pavarësisë përmbyllet këtë vit

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar të mërkurën se mbikëqyrja e pavarësisë përmbyllet këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera. Ndërkaq, duke folur për raportet Kuvend-Qeveri, ai theksoi se forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në vend.

Thaçi këto komente i ka bërë në konferencën mbi marrëdhëniet ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit të organizuar nga OSBE.
Kreu i ekzekutivit tha me këtë rast se duke pasur parasysh rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës dhe ndarjen e qartë të pushteteve të legjislativit, ekzekutivit dhe të gjyqësorit funksionimi i këtyre institucioneve në përputhje me Kushtetutën përbën themelin e sistemit demokratik të shtetit të Kosovës.
“Në këtë aspekt forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në Kosovë. Përmirëson punën e Qeverisë sa i përket performancës dhe siguron që si institucion i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit, të sigurohet se zëri dhe vullneti i qytetarëve tanë të respektohet”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, si parakusht themelor i ndërtimit të legjislacionit modern që i shërben funksionimi të demokracisë është bashkëpunimi i vazhdueshëm i Kuvendit dhe ekzekutivit në shërbim të interesit të qytetarit dhe të forcimit të shtetit demokratik dhe ligjor.
Në kuadër të shtetndërtimit të Kosovës, bashkëpunimi i ekzekutivit dhe kuvendit ka shërbyer në krijimin e kornizës ligjore të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe dispozitat e Planit të presidentit Ahtisaari.
“Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë përfundon këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit , Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tjera”, u shpreh Thaçi.
Ai tha se në kuadër të procesit të integrimit të Kosovës në BE bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Kuvendit është edhe më tej i domosdoshëm.
“Implementimi i agjendës evropiane përmes adoptimit të ligjeve që janë në përputhje me atë evropian dhe përafrimit të legjislacionit është i pamundur nëse nuk ka bashkëpunim të ekzekutivit dhe legjislativit. Në këtë drejtim Kosova është shembull”, theksoi kreu i Qeverisë, duke shtuar se procesi i integrimit është një proces afatgjatë që kërkon reforma të thella.