Zyra e Pacollit: Mediat kanë keqinterpretuar

Pas shkrimeve në media, lidhur me kërkesën e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli për njohje të shtetit të Kosovës nga shteti që na ka njohur, ka reaguar zyra e zëvendëskryeministrit.

“Pas komunikatës së lëshuar nga zyra e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, datë 26 qershor 2012, disa nga portalet kosovare kanë keqinterpretuar informatën lidhur me takimet e zhvilluara nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli në Paris, me përfaqësuesit e lartë të disa vendeve të Amerikës së Jugut. Gjatë drekës së përbashkët me përfaqësuesit e lartë të shteteve: Peru, Argjentinë, Uruguaj, Paraguaj dhe Bolivisë, zëvendëskryeministri Pacolli ka shprehur edhe njëherë kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, si vend të pavarur dhe sovran”, thuhet në kumtesë.
Sipas Zyrës së Pacollit, gjatë këtij takimi, përfaqësuesi i lartë i shtetit të Perusë, ka asistuar zëvendëskryeministrin Pacolli në argumentimin e drejtë të çështjes së Kosovës dhe nevojën e njohjes së saj edhe nga shtetet tjera të Amerikës Latine, duke ndjekur shembullin e shtetit të tij, si njëri ndër vendet e para të Amerikës Jugore që e ka njohur Republikën e Kosovës.