Falcao: Nuk di asgjë për Barcën

Sulmuesi i Atletico Madridit, Radamel Falcao, thotë se ka lexuar nëpër media të ndryshme se është nën radarin e Barcelonës, pasi ai nuk di asgjë për këtë.
“E vërteta është se nuk i jap rëndësi asaj që thuhet nëpër media. Unë nuk di asgjë për këtë interesim të Barcelonës”.
“Unë po mendoj vetëm për ndeshjen me Kolumbinë ndaj Ekuadorit. Agjenti im nuk ka biseduar me mua për këto gjëra, duke më lejuar të jem i qetë dhe i fokusuar për ndeshjet me kombëtaren. Nuk mendoj se tani duhet të flas për Barcelonën. Shihemi të hënën”, është shprehur Falcao. 

Mourinho, ngushëllime pas vdekjes së Preciados

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka ngushëlluar gjithë opinionin sportiv spanjoll për vdekjen e strategut Manolo Preciado.
54 vjeçari sapo ishte emëruar trajner i Villarrealit dhe është dashur të prezantohej të premtën, por pësoi një atak fatal kardiak në dhomën e hotelit të tij në Valencia.
“Unë nuk jam askush për të lëvduar jetën e Manolo Preciados, që sot është shkapërderdhur në njëmijë copë. Por, si koleg dhe njeri i futbollit, unë dua që të ngushëlloj familjen e tij, fansat e Sporting Gijonit dhe Racing Santanderin”, ka thënë Mourinho. 

Unikkatili nuk ndalet, thyen rekorde

Babai i repit shqiptar, Unikkatili, ka vazhduar të thyejë rekorde në rrjetin më të madh social të videove, YouTube dhe atë vetëm dy ditë pas lansimit të këngës së re me Presionin, “Do”.
Kënga e re e cila u lansua pas shumë kohë pritjesh në mbrëmjen e 5 qershorit, ka arritur të krijojë një ‘boom’ të vërtetë, duke heshtur madje evenimente të mëdha si Videofesti, e mos të flasim fare për projektet e artistëve tjerë që kanë dalë në ndërkohë, pasi e gjithë vëmendja e publikut ishte mbi Unikkatilin.
Mbi 200 mijë shikime dhe mbi 45 mijë komente përbëjnë rekord të ri të arritur nga ndonjë artist shqiptar brenda 36 orëve, ndërsa mbetet të shihet kontinuiteti i suksesit të kësaj kënge gjatë verës, ku edhe artistë tjerë do të prezantojnë projektet e tyre.

Vesa falënderohet për çmimin

Këngëtarja Vesa Luma, e cila fitoi çmim në kategorinë e videospitit më të mirë RnB me këngën “Boom” në bashkëpunim me Big Basta, i është falënderuar të gjithë atyre që e kanë votuar këtë këngë.
"Best RnB – ‘Boom’, kënga ime e fundit në bashkëpunim me Big Basta. Faleminderit Videofestit dhe jurisë për këtë vlerësim të rëndësishëm. Ishte një natë shumë e bukur”, ka thënë këngëtarja.
Vesa Luma së fundmi ka paralajmëruar se së shpejti do të vijë me projekte të reja muzikore. 

Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e Enver Zymberit

Hetuesit e Task Forcës së EULEX-it në Mitrovicë, e kanë arrestuar njërin nga të dyshuarit e kërkuar në lidhje me vrasjen e policit të PK-së, Enver Zymberi.
Arrestimi u bë sot në mëngjes në Mitrovicë. Ky person është njëri nga gjashtë personat për të cilët janë lëshuar urdhër-arrestet ndërkombëtare në tetor 2011, thuhet në një komunikatë për shtyp të EULEX-it.

Tymoschuk i ofrohet Milanit

Mesfushori i Bayern Munichut, Anatoliy Tymoschuk, raportohet se i është ofruar Milani.
TMW shkruan se ukrainasi është përplasur me drejtuesit e Bayernit dhe është i gatshëm të largohet nga Bundesliga gjatë kësaj vere.
Napoli së fundi është lidhur me një transferim të Tymoschuk, por TMW thotë se menaxherët e tij po ashtu kanë qenë në kontakte me Milanin.
Rossonerët mund të jenë të interesuar në të pasi kanë humbur Mark van Bommel në fund të sezonit që sapo mbaroi.

Giovinco i frustruar me situatën

Sebastian Giovinco duket se është i frustruar me turbullirën rreth të ardhmes së tij.
Agjenti i lojtarit ende është duke pritur përgjigje nga Parma dhe Juventus, klube të cilat janë bashkëpronare të shërbimeve të mesfushorit.
“Nuk e di se çfarë presin Parma ose Juventus kur është fjala për të vendosur të ardhmen e djaloshit”, ka thënë përfaqësuesi tij Claudio Pasqualin.
Giovinco ka kaluar dy sezonet e kaluara te Parma, por pritet në sezonin e ardhshëm të kthehet te Juventusi ose të shitet te ndonjë tjetër skuadër e kreut. 

Oferta nga të gjitha anët për Gattuson

Agjenti i Gennaro Gattuso thotë se mesfushori italian synon të vazhdojë të luajë edhe sezonin e ardhshëm.
Gattuso tash është pa kontratë dhe është duke pranuar oferta të ndryshme nga anekënd botës.
“Ka rrugë të ndryshme për Gattuson për të ecur, së bashku ne do ta gjejmë zgjidhjen më të mirë. Ai ende ka shumë për t’i dhënë futbollit”.
“Glasgow Rangers? Kjo është vetëm një prej mundësive”, ka thënë Andrea D'Amico.

Ronaldo: Forma më e mirë në jetën time

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ai është në formën më të mirë në karrierën e tij.
“Kjo është koha më e mirë në jetën time, edhe fizikisht edhe aspektin psikologjik. Dua të vazhdoj ta ruaj dhe të kënaqem me veten më shumë me madridistët pasi lidhja ime me ta ka evoluar dukshëm në muajt e fundit”.
“Ndjehem shumë i afërt me ta dhe kjo është arsyeja se pse dua të qëndroj këtu një kohë të gjatë. Dua të tregoj dashurinë për këtë fanellë dhe të jap më të mirën për ekipin”, ka thënë Ronaldo. 

Mancini në planet e Italisë

Italia planifikon të drejtohet kah menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, nëse dështon në kampionatin evropian këtë verë.
The Sun shkruan se menaxheri i kombëtares Azzure, Cesare Prandelli, është nën presion të shtuar dhe një dështim Euro 2012 po thuajse me siguri do ta shkarkonte atë.
Dhe Mancini, është i pari në listën e kandidatëve të Federatës Italiane të Futbollit, pasi 47-vjeçari fitoi titullin e Ligës Premier me Cityn.
Menaxheri i Cityt ka vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij. Diskutimet për një marrëveshje të re tashmë kanë filluar, por ai ende nuk ka nënshkruar.

Argjentina kërkon mbështetje për Elvanën në DWS

Këngëtarja Argjentina Ramosaj, u ka kërkuar fansave të saj mbështetjen për kolegen dhe mikeshën Elvana Gjata, e cila merr pjesë në “ Dancing with the Stars”.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin e social Facebook, Ramosaj ka thënë se ajo do të marrë pjesë në spektaklin e DWS, ku do të këndojë baladën “Si Shiu”, por në të njëjtën kohë ka kërkuar edhe mbështetjen e publikut për këngëtaren shqiptare, Elvana Gjata.
“Sonte me një performance të këngës ‘Si Shiu’ në ‘Dancing with the stars Albania’. Dhe ju lutem jepni votën tuaj për Elvanën. Faleminderit shumë për mbështetjen”, ka thënë Ramosaj.
Bukuroshja kosovare, mori çmimin “Best Balade” në Top Fest 9, çmim të cilin ia dorëzoi pikërisht fituesja e Top Fest 8, Elvana Gjata

Ermali dhe Françeska do të bashkëjetojnë

Ermali dhe Françeska, çifti i krijuar brenda shtëpisë së “Big Brother Albania 5”, duket se do të vazhdojnë të jenë bashkë edhe në realitet.
Ermali, 25-vjeçar me origjinë nga Memaliaj, dhe Françeska, 18-vjeçare nga Vlora, kanë menduar që të nisin bashkëjetesë në Tiranë, njoftojnë mediat shqiptare.
Pas mbarimit të spektaklit, Françeska i është rikthyer eksperiencës së modelimit, ndërsa është shfaqur në evenimentin e përvitshëm të “Geraldina Sposa”, ku sfiloi mes femrave të tjera të njohura të ekranit për lançimin e veshjeve të reja të nusërisë më 5 qershor.
Ndërkohë që për Ermalin ende nuk ka trokitur ndonjë ofertë e tillë, edhe pse ai ka një eksperiencë të ngjashme si fotomodel, pasi fitoi titullin e “Mister Albania”.
Për sa u përket ambicieve të tyre profesionale për jetën, Ermali ka synim botën e televizionit, ndërsa Françeska ndjekjen e studimeve të larta për Juridik. 

Hyseni: Qeveria s’i di procedurat e anëtarësimit në OKB

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Skënder Hyseni të enjten në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës i ka kritikuar paralajmërimet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilëve, gjatë këtij viti, Kosova mund të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Deputeti Hyseni ka ripërsëritur kritikat e tija në adresë të Qeverisë së Kosovës.
“E para, paralajmërimet bombastike nga ana e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në OKB, përkatësisht për aplikim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këto janë paralajmërime shqetësuese, sepse tregojnë dy gjëra. Në esencë se ka gjasa që Qeveria nuk është në dijeni të procedurave të anëtarësimit në OKB dhe dy ka po ashtu përpjekje që Kosova të dërgohet në drejtim të Klubit të Saharës Perëndimore dhe Palestinës”, ka theksuar Hyseni.
Edhe paralajmërimet që Qeveria mund të aplikoj për status vëzhguesi, sipas ish-ministrit të Jashtëm, janë edhe më të dëmshme dhe më të rrezikshme, sepse Kosovën drejt për së drejt e çojnë në drejtim të klubit ose vendeve të entiteteve pa identitet ose me gjysmë identitet si; Saharaja Perëndimore dhe Palestina.
Gjithashtu, Hyseni ka kritikuar edhe kryeministrin e vendit, i cili, sipas tij, luftës në Kosovës po i referohet si një konflikti të thjeshtë ndëretnik. Kjo, sipas tij, është e dëmshme, sepse në Kosovë ka pas luftë.
“T’u marr shkas nga një editorial i kryeministrit këto ditë, ku disa përplasjeve gjatë luftës në Kosovë u referohet si konflikte ndëretnike ka përpjekje që edhe lufta e Kosovës të prezantohet të përshkruhet si konflikt të fërkimeve ndëretnike ku gjithë janë barabartë. Kjo është koleg të nderuar deputet e keqe, kjo qon kah një sklerozë totale kolektive që është e dëmshme për Kosovën. Në Kosovë ka pas një luftë të egër të të sunduarit me sunduesit”, ka thënë Hyseni, njofton KosovaPress.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës janë ngritur edhe disa çështje tjera, si mungesa e Ligjit të amnistisë, pagesa e sigurimit të automjeteve për qytetarët e Luginës së Preshevës etj. 

Kukan: Dialogu Prishtinë-Beograd edhe për çështje politike

Eurodeputeti, Eduard Kukan, ka thënë se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfshijë edhe çështje politike, ndërsa porositi zyrtarët kosovarë që të mos u përgjigjen me të njëjtën gjuhë deklaratave të presidentit serb, Tomislav Nikolic.
Në një intervistë për radio Kosovën, Kukan duke folur për veriun tha se situata atje është potencialisht e rrezikshme dhe sipas tij është shumë urgjente që kjo situatë të shqyrtohet me më shumë seriozitet.
Ai ka thënë se dialogu Prishtinë-Beograd është shumë i rëndësishëm.
“Mendoj se dialogu Prishtinë-Beograd është shumë i rëndësishëm; mund të them se për ne, si Parlament Evropian, ky dialog është shumë i rëndësishëm. Unë vazhdoj të mendoj se marrëveshjet e arritura vitin e kaluar duhet të implementohen në emër të asaj që t’i japin më shumë kredibilitet dialogut dhe zgjidhjeve të tij. Dhe në të ardhmen, është e domosdoshme, që dialogu të përfshijë edhe çështje politike dhe kjo është përmendur edhe nga vizita e Miroslav Lajcak në Beograd. Kjo për faktin se situata po ecën përpara, Serbia tashmë është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova, po ashtu, po ecën përpara në këtë drejtim, tash po e merr Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe mendoj se të gjitha këto zhvillime të reja reflektojnë në formatin e dialogut”, ka thënë Kukan.
Duke folur për punën e EULEX-it në Kosovë, europarlamentari ka thënë se është një mision i rëndësishëm për të arritur rezultate në Kosovë.
“Mirëpo, kur flasim për rezultatet e arritura ka shqetësime dhe kritika se nuk ka bërë sa duhet. Natyrisht, se është dashur të ketë më shumë rezultate nga aktivitetet dhe puna e tij. Të gjithë ata na shpjeguan neve se situata është e vështirë dhe ata kërkojnë më shumë mbështetje nga vendet anëtare. Por, unë dua ta shoh nga një aspekt më i balancuar, se ata kanë bërë punë të mira, por pritjet e mia për misionin janë se ata është dashur të bëjnë më shumë në të kaluarën. Për këtë tash misioni po ristrukturohet në kuadër të asaj që të jetë më funksional dhe të sjellin më shumë rezultate”, u shpreh ndër të tjera Kukan

Drews për veriun: Nuk durojmë më

Teksa pret një zgjidhje të shpejtë politike për veriun, misioni i KFOR-it në Kosovë është i vendosur të garantojë lëvizje të lirë në çdo cep të vendit dhe zero tolerancë ndaj çdo aksioni të dhunshëm kundër organizatave ndërkombëtare.
Këtë e ka konfirmuar të enjten komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, gjatë një vizite që e ka bërë në komunën e Gjakovës.
“Nuk presim përkeqësim të situatës, por përkundrazi ndoshta përmirësim të saj. Presim një zgjidhje politike në mes të qeverisë së Beogradit dhe asaj të Prishtinës, sigurisht me mbështetje ndërkombëtare, mirëpo në anën tjetër presim edhe përmirësime të raporteve të qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve në pjesën veriore”, ka thënë Drews.
Duke folur për aksionin e fundit të KFOR-it, për largimin e barrikadave serbe, siç njofton “Zëri”, gjenerali Drews ka thënë se lëvizja e lirë mbetet prioriteti kryesor i misionit paqeruajtës, prandaj në këtë drejtim nuk do të ketë asnjëherë kompromis me askënd.
“Shpresoj se mesazhi ynë ka arritur në cak, mesazh që do të jemi gjithmonë të prerë dhe nuk do të tërhiqemi nga detyra jonë kryesore, nga misioni ynë dhe kjo do të qëndroj edhe në të ardhmen”, ka thënë ai, ndërsa kundërpërgjigjen e serbëve në këtë aksion e ka quajtur si akt kriminal e terrorist.
“Deri me tani kemi qenë mjaft të duruar dhe kemi pasur shumë bisedime me përfaqësuesit e qytetarëve në pjesën veriore të cilët gjithmonë i kemi inkurajuar që t’i largojnë vet ato barrikada. Mirëpo, dikur vjen koha kur vërtete duhet vepruar dhe ashtu edhe ka ndodhur. Unë i akuzoj dhe i gjykoj të gjitha ato veprime që kanë ndodhur si kundër reagim ndaj operacionit tonë, reagime të cilat sipas mendimit tim janë të ndërmarra nga grupe kriminale e terroriste”, ka vazhduar ai, ndërsa nuk ka harruar t’i falënderojë ushtarët e KFOR-it, të cilët edhe përkundër rrezikut vdekjeprurës që u është kanosur, e kanë ruajtur gjakftohtësinë dhe kanë vepruar mjaft profesionalisht, duke e evituar më të keqen, humbjen e jetëve të njerëzve.
Ndryshe, gjenerali Drews është takuar me kryetarin e komunës së Gjakovës Pal Lekaj, nga i cili është njoftuar për të gjitha zhvillimet në Gjakovë, duke filluar nga angazhimet për zhvillim ekonomik lokal, integrimi i minoriteteve, çështja e sigurisë e deri tek çështja e aeroportit ushtarak të Gjakovës, për të cilin është thënë se i mbetet qeverisë italiane si investitor, që ta marrë një vendim për kohën dhe fatin e mëtejmë të tij. 

Presidenti malazez kushtëzon hapjen e Ambasadës në Kosovë

Presidenti malazez, Filip Vujanovic ka thënë se nuk do të nënshkruajë dekretin për shkëmbimin e ambasadorëve me Prishtinën, derisa Qeveria e Kosovës nuk ua njeh malazezëve statusin e komunitetit kombëtar pakicë.
Qeveria e Malit të Zi të enjten e kaluar mori vendimin për hapjen e ambasadës në Kosovë, duke vlerësuar se në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Megjithatë presidenti malazez ka thënë para gazetarëve se vendimi i qeverisë malazeze për hapjen e ambasadës në Prishtinë është i mirë dhe i duhur, por mbetet pranë qëndrimit të mëhershëm se nuk ka shkëmbim të ambasadorëve derisa nuk zgjidhet statusi i malazezëve në Kosovë, transmetojnë mediat.
“Nuk do ta nënshkruaj dekretin për emërimin e Ambasadorit malazez, as që do të pranoj letrat kredenciale të ambasadorit të Kosovës, derisa malazezëve në Kosovë nuk u njihet statusi i komunitetit kombëtar pakicë dhe të mundësohet përfaqësimi i tyre autentik në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Vujanovic.
Presidenti malazez ka thënë se ka marrë premtime të forta nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jajhaga se kjo do ndodhë shumë shpejt.
Mali i Zi e ka njohur Kosovën më 9 tetor të vitit 2008.

Paralizohet UP-ja

Universiteti i Prishtinës është paralizuar. Vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së për t’i kufizuar të drejtat e menaxhmentit të këtij universiteti për përdorim të buxhetit dhe marrjen e vendimeve tjera të rëndësishme, ka bërë që të bllokohet puna dhe funksionimi normal i universitetit më të madh publik në vend.
Udhëheqës të financave në UP thonë se ky vendim do ta paralizojë punën në këtë universitet, duke filluar që nga mosdhënia e pagave, investimet kapitale… dhe se ky vendim është i palogjikshëm, shkruan “Zëri”.
Vendimi i KD-së, sipas burimeve të “Zërit”, ka ngjallur pakënaqësi te një pjesë e Senatit, ndërlidhur sidomos me zgjedhjen e personelit akademik, e cila është kufizuar nga KD me arsyetimin se ka po ashtu implikime buxhetore.
“Ky vendim i KD-së është ndërmarrë tani kur pritet të publikohen edhe rezultatet e kandidatëve që kanë aplikuar për studime të doktoratës dhe kur pritet të mbahen zgjedhjet e reja. Prandaj, ky vendim është kryekëput për interesa”, thotë ky burim. Madje, ky burim ka paralajmëruar një mbledhje urgjente të Senatit lidhur me këtë çështje.
Për të ftohur gjakrat ndërmjet krerëve të udhëheqjes së UP-së dhe atyre të KD-së është paralajmëruar ndërhyrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën për gazetën drejtori i Departamentit për Arsimin e Lartë në MASHT, Naim Hasani.
Ai ka deklaruar se nuk është e përcaktuar me statut që t’i merren kompetencat menaxhmentit të UP-së, por, sipas tij, kjo do të duhej bërë sipas një rregulloreje të KD-së. Hasani ka thënë se nga KD-ja nuk kanë marrë ndonjë vendim për kufizim të kompetencave të menaxhmentit të UP-së.
Ndërkaq, anëtari i KD-së, Milazim Krasniqi, ka thënë se vendimi është marrë në përputhje me kompetencat e këtij këshilli, i cili, sipas tij, është përgjegjës për të gjitha mënyrat e harxhimit të parasë-buxhetit.
Krasniqi ka mohuar se i është marrë ndonjë kompetencë Senatit, përkundrazi ka thënë se pranimi i stafit të ri akademik ka komplikime financiare në buxhet. Ai ka theksuar se KD-ja ka për qëllim që menaxhmenti i ri (që do të zgjidhet brenda një muaji) kur ta marrë detyrën të mos ketë komplikime buxhetore. “Nuk ka as qeveri dhe as menaxhment që bën investime kapitale në tri javët e fundit të mandatit të vet”.
Mirëpo, dy prorektorët e UP-së ai për burime dhe infrastrukturë Enver Kutllovci dhe për marrëdhënie ndërkombëtare, Naser Mrasori, kanë thënë se mbrapa këtij vendimi ka qëllime tjera. Kutllovci e quan këtë vendim një hap-qëllim “më afër shpisë” tani në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në këtë universitet.
Sipas tij, në KD është paraqitur projekt-propozimi i buxhetit për vitin 2012, ku dhe është aprovuar.
“Ai buxhet i 17 njësive akademike është ndarë për secilën njësi, shuma e caktuar që në vete ngërthen projektet që kanë rreth investimeve kapitale, shpenzimeve në mallra e shërbime, paga, meditje, shpenzime komunale etj… Mendoj që është jologjike që të merret një vendim që të stopohen të gjitha aktivitetet që duhet të rrjedhin në mënyrë normale”, ka thënë Kutllovci.
Ai ka këmbëngulur se menaxhmenti i tashëm është kompetent që t’i kryejë këto aktivitete deri më 1 tetor. E prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Naser Mrasori, vendimin e KD-së e sheh më shumë si një revoltë të anëtarëve të këtij këshilli që nuk i morën me vete në New York. 

Tare: Petkovic, zgjidhja e qëlluar

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka mirëpritur trajnerin e ri të skuadrës, Vladimir Petkovic.
Ish-menaxheri i Sionit dje u zbulua si trajner i ri i Lazios pas largimit të Edy Reja në muajin e kaluar.
“Kuptova se Petkovic mund të jetë i ri për shumicën, andaj ka edhe shumë kuriozitet rreth tij. Kjo ishte një zgjidhje e guximshme, por e bazuar në fakte. E kam njohur atë për dy vite dhe isha i impresionuar nga futbolli i tij, ndërsa ai është edhe një person i shkëlqyeshëm”.
“Ne nuk duhet të bëjmë ndryshime të mëdha në pjesën e mbetur të stafit, pasi mendojmë se bashkëpunëtorët e Reja kanë dhënë rezultate të shkëlqyeshme”.
“Ne jemi të bindur se me Petkovic do të vazhdojmë të zhvillohemi siç kemi bërë në disa vitet e fundit, pasi duam të përmirësohemi edhe në vend edhe në Evropë”, ka shtuar ish-kapiteni i kombëtares shqiptare. 

Vdes trajneri i ri i Villarrealit

Manolo Preciado ka ndërruar jetë mbrëmjen e të mërkurës në moshën 54-vjeçare pasi ka pësuar sulm në zemër në dhomën e tij të hotelit në Valencia.
Ish-trajneri i Sporting Gijon sapo ishte caktuar trajner i ri i Villarrealit të mërkurën, dhe duhej të dilte në konferencë për shtyp të premten.
Preciado ka luajtur për klube si Racing Santander, Linares, Mallorca, Alaves, Ourense dhe Gimnastica gjatë karrierës së tij aktive, para se të bëhet trajner në klubin ku u pensionua.
Ai punoi te Sporting Gijon për gjashtë vite, nga viti 2006 deri në vitin 2012, dhe kualifikoi skuadrën në Primera Divizion në vitin e tij të dytë me klubin.
Preciado ishte shkarkuar nga posti i trajnerit më herët gjatë këtij viti, por pritej t’i rikthehej punës në Divizionin e Dytë me Villarrealin sezonin e ardhshëm. 

Inzaghi: Të hënën do të zbuloj hapin tim të ardhshëm

Legjenda e Milanit, Pippo Inzaghi, do të zbulojë hapat e tij për të ardhshëm gjatë javës së ardhshme.
Inzaghi ka mbetur agjent i lirë pasi kontrata e tij nuk u vazhdua nga Milani, dhe është duke analizuar ofertat për sezonin e ardhshëm.
“Të hënën, gjatë prezantimit të DVD-së time, do t’i tregoj gjithkujt se ku do të jetë e ardhmja ime”, ka thënë 38-vjeçari. 

Thunder në finale të NBA-së

Oklahoma City Thunder ka siguruar biletën për në finalet e NBA-së falë një rikthimi të parezistueshëm në pjesën e dytë që kulmoi me fitore 107-99 ndaj San Antonio Spurs në ndeshjen e gjashtë finale të Perëndimit.
Të udhëhequr nga Kevin Durant, Thunder arritën të rikthehen nga disavantazhi prej 18 pikësh për të fituar takimin dhe për t’i dhënë fund dilemës së kampionit të Konferencës Perëndimore me rezultat 4-2 në ndeshje.
Durant shënoi 34 pikë dhe 14 kërcime gjatë 49 minutave lojë. Te Spurs, Tony Parker shënoi 29 pikë dhe 12 asistime, ndërsa Tim Duncan kontribuoi me 25 pikë dhe 14 kërcime.
Fitorja është e katërta radhazi e Thunder, pas dy disfatave në dy ndeshjet e para ndaj Spurs, të cilët deri atëherë kishin pasur 20 fitore radhazi në kampionat.
Oklahoma City tash do të përballet me fituesin e Konferencës Lindore, Boston Celtics ose Miami Heat, për titullin e kampionit të përgjithshëm të NBA-së.
Celtics sonte do të presin Heat në fushë të vet për ndeshjen e gjashtë finale, duke qenë në avantazh 3-2. 

Kaka mendon të kthehet në Brazil?

Ylli i Real Madridit, Kaka, raportohet se ka folur me Ronaldon për jetën në kampionatin brazilian.
Marca shkruan se Kaka kishte drekuar me legjendën braziliane të futbollit në një restorant në Sao Paulo këtë javë dhe ka diskutuar përvojën e tij të largimit nga Evropa për Corinthians.
Ish-mesfushori i Milanit është duke u kërkuar nga Sao Paulo dhe është duke e menduar seriozisht propozimin, derisa synon të rikthejë formën për të qenë pjesë e Kupës Botërore 2014. 
<

Roma bën gati ofertë për Rossin

Roma është duke synuar të transferojë sulmuesin e Villarrealit, Giuseppe Rossi.
Rossi, i cili po rikuperohet nga operacioni në gju, është i paepur të largohet nga Villarreali pas rënies së skuadrës në divizionin e dytë të kampionatit spanjoll.
Sky Sport Italia shkruan se Roma është duke dashur ta sjellë ish-lojtarin e Manchester United në Olimpico. Çmimi i Rossit tash është përgjysmuar, dhe mund të arrijë vetëm deri në 10 milionë euro. 

Edhe United pas Lucas

Manchester United raportohet se u është bashkuar klubeve si Real Madrid, Inter dhe Chelsea në garën për yllin e Sao Paulo, Lucas Moura.
L'Equipe shkruan se United është shumë i nxehur për mesfushorin brazilian, derisa synon të ndërtojë një skuadër e cila do t’ia rikthejë titullin sezonin e ardhshëm.
Lucas ka joshur interesimin e shumë klubeve evropiane, edhe pse Real Madridi flitet si kandidati më serioz për të fituar shërbimet e tij.

Vazhdojnë thashethemet për të ardhmen e Del Pieros

Përfaqësuesit e Alessandro Del Pieros gjenden në Meksikë, ku po takohen me drejtuesit e top-klubeve të interesuara për ikonën e Juventusit, raportojnë mediat.
Sulmuesi legjendar ka deklaruar se nuk do të luajë për ndonjë klub tjetër italian, ndërkohë që klube nga SHBA-të, Amerika Latine e Spanja kanë shprehur interesim për të.
Sipas Record, skuadrat meksikane, Club America dhe Cruz Azul, janë shprehur të interesuara për shërbimet e 37-vjeçarit, i cili nuk kërkon më shumë se dy milionë euro për sezon. 

Vilanova i gatshëm për ta drejtuar Barcën

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, beson se Tito Vilanova ka kualitetet e nevojshme për të qenë trajner i Blaugranëve.
42-vjeçari do të zë vendin e Pep Guardiolas, i cili vendosi të largohej, ndërsa sulmuesi spanjoll mendon se Barca do ta vazhdojë suksesin edhe nën drejtimin e Vilanovas.
“Tito është i gatshëm ta drejtojë Barcën. Guardiola nuk ka marrë asnjë vendim pa u këshilluar me Titon fillimisht”, ka thënë Villa për AS.

Ibra te City – Dzeko e Tevez te Milani?

Sulmuesit e Manchester Cityt, Edin Dzeko dhe Carlos Tevez, mund të përfundojnë në San Siro, ndërsa në drejtim të kundër mund të shkojë Zlatan Ibrahimovic. Kështu shkruan portali sportiv Tribalfootball.com.
Dzeko gjithmonë e ka pranuar hapur dashurinë që ka për Milanin, ndërsa Rossonerët e kanë kërkuar atë qysh në kohën kur luante te Wolfsburgu.
Nga ana tjetër, Galliani është angazhuar për transferimin e argjentinasit Tevez, i cili pati një sezon përplot telashe me klubin anglez.
Sidoqoftë, Milani nuk ka para të blejë dyshen nga kampioni i Ligës Premier, por pritet ta shfrytëzojë sulmuesin kryesor, Ibrahimovic, si pjesë e shkëmbimeve. 

Aktori nga Kosova në film me Gérard Depardieu

Aktori i talentuar kosovar Arben Bajraktaraj tashmë është bërë një aktor me përmasa evropiane, i njohur për rolet e tij në pjesën e parë të filmit amerikan “Taken”, krahas aktorit të shquar, një nga yjet e Holivudit, Liam Nelson, dhe në dy seritë e “Harry Potter”.
Regjisori francez Jean-Piere Améris ka vendosur të shkrijë në shirit filmik veprën romantike të Viktor Hygo, “The man who laughs”,që cilësohet si ''mrekullia romantike'' e tij.
E njëri prej roleve kryesore në këtë film, xhirimet e të cilit tashmë kanë nisur, është rezervuar për aktorin kosovar që jeton në Francë, Arben Bajraktaraj.
”Për mua roli i Hardquanonne është shumë i respektueshëm sepse është një personazh i rëndësishëm në novelë”, shprehet aktori i shquar Arben Bajraktaraj për mediat shqiptare.
Aktorët e njohur Gérard Depardieu, Emmanuelle Seigner e kanadezi Marc-André Grondin janë treshja e yjeve që përbëjnë kastën e aktorëve në filmin “The man who laughs”, premiera e të cilit pritet të jepet në fund të këtij viti ose në fillim të 2013-s.

Rita Ora kërcen vallen shqiptare

Këngëtarja Rita Ora asnjëherë nuk e harron ta përmend prejardhjen e saj nga Kosova.
Gjatë një interviste për mediat britanike, këngëtarja është shfaqur duke vallëzuar valle shqiptare popullore.
Rita Ora pas vallëzimit me këngën e saj ‘Hot right now’, ajo e mëson moderatorin britanik se si vallëzojnë në vendlindjen e saj. 

Gjuha e dashurisë dhe erosit

Bashkëjetesa, përveçse shërben si provë për ta njohur më mirë partnerin, ajo shërben edhe për ta përmirësuar seksualitetin në çift.
Ky fakt është dokumentuar edhe në studimin e kryer nga Instituti “Key Stone” në Britaninë e Madhe, sipas të cilit, koha e jetuar bashkë me partnerin gjatë periudhës së bashkëjetesës, ndikon në përmirësimin e seksualitetit në çift.
Në këtë studim janë intervistuar 621 gra mes moshave 25 dhe 54 vjeç, të cilat i ka pyetur nëse marrëdhënia seksuale me një partner ishte përmirësuar apo përkeqësuar në lidhje me bashkëjetesën. Ndërsa, 53% prej tyre kanë pohuar se erosi në çift nuk ka ndryshuar, 11% se ai është përkeqësuar ndërsa 36% se ka përmirësim.
Në Amerikë dhe në shumë vende të zhvilluara evropiane, bashkëjetesën e shohin si një marrëdhënie intensive, heteroseksuale dhe të deklaruar nga të dyja palët. Madje, në Suedi bashkëjetesa është një praktikë normale dhe shumica dërmuese e të martuarve e kishin njohur më parë përvojën e jetesës pa martesë.
Ndërkaq në Kosovë, ende nuk është bërë ndonjë hulumtim i tillë. Mirëpo, Prishtina si vend divers që është, patjetër se do të ketë një numër të konsiderueshëm çiftesh të cilët bashkëjetesën e shohin si dëshirë, nevojë, mbase edhe shpëtim (kursim i parave)! 

Si trajtohet dhe parandalohet mungesa e vitaminës D?

Mungesa e vitaminës D trajtohet me preparate të vitaminës D. Qëllimi është për të mbajtur nivelin e vitaminës D në gjak mbi 30 ng/mL.
Kompensimi bëhet me preparate artificiale për shkak se është vështirë të merren sasi të mjaftueshme vetëm nëpërmjet ushqimit të rëndomë dhe ekspozimit të zgjatur ndaj diellit.
Preparatet janë në forma të ndryshime, zakonisht si kapsula xhelatinoze ose formë pika vaji. Rastet më të rënda duhet të trajtohen me injeksione të vitaminës D.
Për pasurim të ushqimit me vitaminë D, përdoret Vitamina D2 ose D3. Doza e trajtimit varet nga mosha, niveli i mungesës dhe nga shkaktari. Trajtimi fillon me doza më të mëdha, ndërsa pas 6-8 jave, fillohet me ulje graduale të dozës. Doza mbajtëse jepet sado që të ketë nevojë.
Vitamina D përmirëson eshtrat, përbërjen e trupit dhe cilësinë e jetës. 

Angry Birds Space Utopia vjen edhe në Android

Para një jave, Angry Birds Space ka marrë një freskim të ri – episodin Utopia.
Kjo lojë ka sjellur nivele të reja të Angry Birds Space, dhe ky azhurnim vjen falas për përdoruesit.
Më herët kjo ishte bërë e mundshme vetëm për pronarët e pajisjeve të Apple, sistemin operativ iOS, ndërsa tani koha ka ardhur që ky freskim i lojës më të famshme mobile të arrijë edhe në Android.  
Angry Birds Space me shtesën e re – Utopia, mban shumicën e përmbajtjes sin ë iOS, ndërsa nëse dëshironi ta provoni këtë, vizitoni Google Play dhe merreni lojën me risitë që ka sjell tani.

Çohet nga arkivoli, kërkon ujë dhe vdes përsëri

Një ngjarje bizare dhe tragjike ka ndodhur këto ditë në Brazil kur një djalosh dyvjeçar është çuar nga arkivoli vetëm për të kërkuar një gotë ujë dhe më pas është shtrirë sërish dhe ka vdekur.
Kelvin Santos një javë më parë është shtrirë në spital si pasojë e infeksionit të mushkërive, ndërsa gjatë mjekimit i është ndalur zemra dhe është shpallur i vdekur.
Stafi mjekësor ia ka dhënë trupin familjes. Mirëpo, vetëm një orë para se të varrosej, djaloshi është çuar nga arkivoli dhe ka thënë: “Babi, a mund të më japësh pakëz ujë?”.
“Të gjithë filluam të bërtasim, nuk e mund të besonim se çfarë po shohim. Menduam se ka ndodhur ndonjë mrekulli dhe djali ynë është ringjallur. Por, më pas, Kelvin u shtri përsëri, sikurse edhe më parë. Nuk mundëm ta zgjojmë më, kishte vdekur sërish”, ka treguar babai i fëmijës, ndërsa transmeton Global Grind.
Pas kësaj ndodhie mjekët e kanë kontrolluar dhe e kanë shpallur edhe një herë të vdekur, ndërsa nuk kanë mundur të shpjegojnë atë që ka ndodhur.
Familja e kishte shtyrë varrimin duke pritur që mos ndoshta kthehet përsëri në jetë, mirëpo pasi kjo nuk ka ndodhur, ata e kanë varrosur djaloshin.

Gropat më të mëdha që i ka bërë njeriu (Video)

Raportet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se Toka është në gjendje gjithnjë e më të keqe, mirëpo askush nuk dëshiron që të angazhohet për përmirësimin e saj. Në vend se ta bëjnë këtë, njerëzit i shkaktojnë “plagë” të pakthyeshme planetit.
Në videon e mëposhtme mund t’i shihni gropat më të mëdha që kanë ndodhur me veprim direkt dhe indirekt të njeriut. 

Nafta Brenti mbi 100 dollarë

Kontratat e naftës rikuperuan humbjet e kësaj jave dhe janë në territor pozitiv duke reflektuar rikthimin e investitorëve në tregje dhe pozicionimin e tyre në asete me risk. Optimizmi në treg bazohet në pritshmërinë që Banka Qendrore në Shtetet e Bashkuara të stimulojë ekonominë dhe kjo do ndikojë në masën e naftës së konsumuar.
Në treg ka bindje se edhe autoritetet europiane do të zgjidhin problemin e bankave të Spanjës duke ndikuar pozitivisht në ekonominë globale dhe në masën e naftës bruto të konsumuar.
Nafta bruto Brent e Londrës për korrikun u rrit 21 cent në 100.85 dollarë për fuçi. Nafta bruto amerikane për korrikun u rrit 35 cent në 85.37 dollarë për fuçi dhe ky është sesioni i katërt në radhë që kjo kontratë zgjeron fitimet.
Nafta Brent ra të premten e kaluar për herë të parë në më pak se 100 dollarë për fuçi dhe aktualisht është 20 për qind më pak vlerës maksimale të këtij viti të prekur në mars. Edhe nafta amerikane është në vlerë 23 për qind më pak nga kulmi për këtë vit që ka prekur në muajin mars.

Mediave TVSH-ja u hiqet nga 1 korriku

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të gjitha mediave do tu hiqet nga data 1 korrik i këtij viti, kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Financave (MF).
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave (MF), Menderes Ibra, ka thënë se ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, tash më ka hyrë në fuqi, i cili parasheh edhe lirimin e mediave, shërbimeve spitalore dhe kujdesit mjekësor si dhe lirimin e universiteteve private nga TVSH-ja. “Ligji i ri për TVSH-në ka hyrë në fuqi ndërsa do të zbatohet nga data 1 korrik 2012”, tha Ibra për Telegrafin.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Ymeri ka sqaruar se ndryshimet e ligjit për TVSH-në hyjnë në fuqi 15 pas publikimit në gazetën zyrtare. “Fillimi i zbatimit do të bëhet nga data 1 korrik pasi TVSH-ja ndërlidhet ndërlidhët me periudhën tatimore. “Ligji është në fuqi prej datës 15 qershor, por efekti juridik lidhet me bazën tatimore. E baza tatimore krijohet në baza të plota tatimore ose në periudha tremujore qysh është tatimi në të ardhura apo në baza mujore që është TVSH-ja”, ka thënë Ymeri, për Koha Ditore.
Vlerësohet se heqja e TVSH-së për mediat do ta lehtësojë mbijetesën e mediave pas ndalimit të reklamimit të Qeverisë nëpër media për shkak të Ligjit të ri për Prokurimin Publik.

KNKK ua dorëzon vendorëve të dhënat e personave të pagjetur

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) i dorëzoi të enjten Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) softuerin e bazës së të dhënave të dizajnuar për menaxhimin, arkivimin dhe standardizimin e të dhënave mbi personat e zhdukur.
Kjo bazë e të dhënave lehtëson identifikimin e mbetjeve mortore duke bërë përputhjen e të dhënave ante mortem me ato post mortem, thuhet në një njoftim për media të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, transmeton Evropa e Lirë.
“Softueri thuhet se do të jetë në pronësi të KQPZh-së dhe do të menaxhohet së bashku me Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML), i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Komisioni dhe DML do ta mirëmbajnë bazën e të dhënave të azhurnuar duke futur të dhënat të cilat i posedojnë lidhur me personat e zhdukur dhe mbetjet mortore para dhe pas identifikimit", thuhet në njoftim.
Në bazën e të dhënave do të përfshihet edhe lista publike e KNKK-së me emrat e personave të zhdukur në Kosovë nga 1 janari 1998 e deri me 31 dhjetor të vitit 2000.
“Me këtë pranim të softuerit, Komisioni Qeveritar po ndërmerr një hap pozitiv drejt themelimit të Regjistrit Qendror për personat e zhdukur”, ka thënë Agim Gashi, shefi i Misionit të KNKK-së në Kosovë.
“Qëndrueshmëria e këtij procesi do të varet nga sigurimi i resurseve të domosdoshme, për të cilën gjë janë zotuar të dy institucionet”, ka thënë ai. 

Qipro nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës

Qiproja, e cila muajin që vjen do ta marrë Presidencën e radhës së BE së, ka bërë të ditur se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj sa i përket refuzimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës as gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Megjithatë, përfaqësuesi i përhershëm i Qipros në Bashkimin Evropian, ambasadori Kornelios Korneliou theksoi se Qiproja do të vazhdojë të promovojë kontaktet në fushën sociale dhe ekonomike mes Brukselit dhe Prishtinës.
Ai në Qendrën e Politikave Evropiane ka folur për prioritetet e Presidencës gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012, njofton Rtk.
Më herët ai ka përmendur procesin e zgjerimit si një ndër prioritetet e Presidencës së ardhshme të Bashkimit Evropian. 

UP-ja harxhon 51 mijë euro për dreka e telefonata

Lidershipi i Universitetit i Prishtinës për çdo të tretën ditë pune ka shpenzuar shuma treshifrore parash në dreka zyrtare. Mbi 500 euro është shpenzimi mesatar për secilën drekë të organizuar.
Gazeta “Koha Ditore”, ka siguruar të mërkurën një dokument të Ministrisë së Financave që tregon se këtë vit 16.380,42 euro kanë dalë nga buxheti i UP-së për të paguar drekat. Më e lira kishte kushtuar 70 euro, e më e shtrenjta 1.833 euro. Janë 32 dreka të shtruara këtë vit nga UP-ja.
Zyrtarët e Rektoratit nuk kanë treguar qëllimin e organizimit të këtyre drekave zyrtare, shkruan gazeta.
Ferdane Llonçari, këshilltare e rektorit Mujë Rugova, ka thënë se përgjigjja duhet marrë nga drejtori i financave, Ilir Hajdari, por ky ka thënë se gjithçka duhet të shkojë nëpërmjet Llonçarit. Pas kësaj, Llonçari ka thënë se pyetjet duhet adresuar në e-mail. 

Objekti i Zyrës administrative në veri gati për dy muaj!

Punëtorët janë shumë të angazhuar për të përfunduar sa më shpejt objektin ku do të funksionojë Zyra Administrative në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Pritet që objekti të jetë funksional për dy muaj.
Në këtë institucion të ri është përqendruar vëmendja e të gjithë atyre që shpresojnë se do të ketë ditë më të mira për veriun e vendit. Ndërkohë, ka pasur shumë qytetarë që kanë konkurruar për të plotësuar 55 pozitat e kërkuara.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka deklaruar për gazetën “Tribuna Shqiptare”, se aplikacione e konkurrimit janë duke i plotësuar qytetarë nga të gjitha etnitetet.
“Ne i shohin që vijnë shumë persona edhe i plotësojnë formularët dhe ikin”, ka rrëfyer ky polic, i cili bashkë me një koleg ka qëndruar në karrige i ulur në hapësirën midis objektit të Zyrës Administrative dhe zyrave të përkohshme, në të cilat punojnë zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, të cilët pranojnë kërkesat për aplikim. /
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar ditë më parë vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e cila është thënë se do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit. 

Nikolic pret kryetarët ilegalë të veriut

Presidenti Serbisë, Tomislav Nikolic takon të enjten në Beograd kryetarët ilegalë të komunave veriore të Mitrovicës, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviq.
Kërkesa për takim është bërë nga përfaqësuesit e komunave në veri, Krstimir Pantic, Dragisha Milovic, Slavisha Ristic dhe Branko Ninic, si dhe nga kreu i ashtuquajturit rrethi i Mitrovicës, Radenko Nedelkovic.
Pantic ka thënë më herët për agjencitë serbe të lajmeve se ai dhe kolegët e tij do të shkojnë te Nikolici për të dëgjuar përgjigjet në pyetjet se çka është marrë vesh me Prishtinën shefi i delegacionit serb në bisedimet ne Bruksel, Borko Stefanovic.
“Duam ta dimë se cilat janë obligimet tona, të neve që udhëheqim qeveritë lokale. Nuk është mirë që qytetarët të dalin në rrugë, që t’iu cenohet siguria, nëse tashmë është arritur ndonjë marrëveshje dhe është nënshkruar në Bruksel, e cila, duhet të zbatohet”, ka thënë Pantic, transmeton Rel.
Ditë më parë, vetë presidenti i ri nacionalist i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka thënë se qytetarët e Serbisë së shpejti do ta marrin vesh saktë se për çfarë është marrë vesh shteti me Prishtinën.
Ai ka thënë se qytetarët duhet të dinë se çka i pret, dhe pas çfarë vendimesh qëndron shteti i tyre. Nikolic ka fituar postin e presidentit në balotazhin e 20 majit, kundrejt presidentit të deritashëm të Serbisë, Boris Tadic

Zbulohet rrjeti kriminal që shiste patentë shoferi

Mund të mos dish shkrim e lexim, por me 500 euro mund ta marrësh patentën për shofer pa asnjë problem. Madje, pa hyrë fare në provim.
Mijëra shoferë të tillë qarkullojnë rrugëve të Kosovës me patentë, të marrë në mënyrë kriminale, falë një rrjeti të gjerë zyrtarësh të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës, shkruan “Koha Ditore”.
Kjo mënyrë e pajisjes së shoferëve me patentë është zbuluar nga hetimet e deritashme të Policisë së Kosovës.
Provat tashmë janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale. Nga të gjitha këto dëshmi, me e forta po konsiderohet dëshmia e ekzaminerit Samed Veseli, të cilën dëshmi hetuesja Valdete Gubetini dyshohet se ka dashur ta fshihte.
Veseli ka zbuluar para hetuesve rrjetin e njerëzve që kanë dhënë patentë shoferë të të gjitha kategorive. Ai është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe nuk ka hezituar të tregonte gjithë çfarë ka ditur duke përmendur emra konkretë.
Pavarësisht dëshmisë që ka ofruar, Veseli që mban provime të kandidatëve për patentë, vazhdon të mbetet i dyshuar.
Burime nga Policia kanë thënë se të dyshuar janë edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ish sekretari i MI-së, Skender Gashi, koordinatori i Njësisë së patentë shoferëve, Burim Deliu, vëllai i gruas së Mujotës, Armed Ademi-pronar i kompanisë “Master Print” si dhe të gjithë udhëheqësit e njësive të patentë shoferëve.

Shahen në Gjykatë

Gani Geci dëshmoi të mërkurën në seancën gjyqësore “Bllaca II”. Diçka të re ai nuk tha. Aty ish-deputeti dhe të akuzuarit më shumë shkëmbyen sharje “me rob shpije”. Geci foli për takimet me Nazim Bllacën, derisa Azem Sylën e akuzoi si porositës vrasjesh.
Gani Gecin kësaj radhe e përcillnin në çdo hap, vëllai i tij, Esati dhe nipi, Arbeni. Të mërkurën, edhe ata ishin prezentë gjatë gjithë kohës. Madje, edhe brenda në sallë të gjykimit, shkruan “Express”.
Ata ishin të gatshëm të ndërhynin për gjithçka, edhe atëherë kur dëshmitari Geci, dikur deputet i LDD-së në Kuvendin e Kosovës, dhe të akuzuarit, shkëmbenin fjalë të rënda, fyerje e sharje, ndërmjet vete.
E kjo situatë vazhdoi deri në fund të kësaj seance, në procesin gjyqësor që njihet si “Bllaca II”.
Se atmosfera do të ndizej, u duk që në fillim. Ende pa mbërritur trupi gjykues.
Atëherë kur dëshmitari, përkatësisht Gani Geci hyri në sallë dhe u ul në bankën që i takon.
Në pritje të trupit gjykues, ai shkëmbeu disa fjalë më të akuzuarit dhe avokatët mbrojtës. Në fillim ato dukeshin fjalë të mira, por që thernin nga prapa.
“Ju po m’dhimni, se nuk ishit dashtë me qenë këtu, por ata që iu kanë pagu”, u tha Geci të akuzuarve. Në këtë rast, disa herë përmendi deputetin aktual të Kuvendit të Kosovës, Azem Syla.
Sipas Gecit, Azem Syla është fajtori kryesor që ka urdhëruar përveç tjerash, të vrasë edhe xhaxhanë e vet, Sefer Sylën.
“Ata njerëz që urdhërojnë vrasjen e xhaxhait të vet, duhet t’u bëhet ADN-ja se dyshoj se janë shqiptarë”, ka thënë ndër të tjera Geci.
Por fjalët e rënda Gecit iu kthyen në të njëjtën mënyrë. I akuzuari Shaban Syla, i afërm i deputetit Azem Syla, e akuzoi Gecin gjithashtu për vrasje. “Edhe ti ke vra...”, tha ai.
E përgjigja e Gecit ishte direkte. “ Ai që t’del me m’vra, kam me ia .....”, u shpreh ai.
Më në fund, dikujt i ra në mend se shprehje të tilla janë të rënda dhe fyerje. Të pranishmit kërkuan nga policia të qetësojë situatën.
Pjesëtarët e saj vetëm rrinin dhe shikonin për seri. Për më keq, aty ishte edhe prokurorja e rastit. Edhe ajo dëgjoi tërë këto “muhabete burrash”. Por ndoshta nuk ka kuptuar sepse është ndërkombëtare. 

Udhërrëfyes me 101 kritere

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka vlerësuar se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave do të jetë mjaft sfidues për institucionet e Kosovës. Ai ka bërë me dije se ky udhërrëfyes përmban 101 kritere teknike, por sipas tij, deri në fund të vitit pritet të plotësohen.
Rexhepi në një intervistë për “Epokën e Re”, ka thënë se në mënyrë të njëanshme shumica e këtyre kritereve janë plotësuar.
“Fatmirësisht që nga viti 2009 kemi pasur udhërrëfyesin tonë vetjak për liberalizimin e vizave, duke u bazuar në rrugëtimin e shteteve të rajonit. Që nga atëherë një numër të madh të kushteve veç i kemi plotësuar”, është shprehur Rexhepi, duke deklaruar se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave është i njëjtë sikurse i vendeve të rajonit dhe ka pasur tendenca të jetë më ndryshe.
Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se veriu i Kosovës nuk do të ketë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave pasi, sipas tij, kufiri në atë pjesë menaxhohet nga institucionet ndërkombëtare.
Sipas tij, pesë shtetet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën nuk paraqesin pengesë në këtë proces.
“Shtetet të cilat nga kanë pranuar si shtet bëjnë më shumë pengesa, sidomos ato që ballafaqohen me numrin e madh të azilkërkuesve”, është shprehur Rexhepi.