Kontratat e naftës rikuperuan humbjet e kësaj jave dhe janë në territor pozitiv duke reflektuar rikthimin e investitorëve në tregje dhe pozicionimin e tyre në asete me risk. Optimizmi në treg bazohet në pritshmërinë që Banka Qendrore në Shtetet e Bashkuara të stimulojë ekonominë dhe kjo do ndikojë në masën e naftës së konsumuar.
Në treg ka bindje se edhe autoritetet europiane do të zgjidhin problemin e bankave të Spanjës duke ndikuar pozitivisht në ekonominë globale dhe në masën e naftës bruto të konsumuar.
Nafta bruto Brent e Londrës për korrikun u rrit 21 cent në 100.85 dollarë për fuçi. Nafta bruto amerikane për korrikun u rrit 35 cent në 85.37 dollarë për fuçi dhe ky është sesioni i katërt në radhë që kjo kontratë zgjeron fitimet.
Nafta Brent ra të premten e kaluar për herë të parë në më pak se 100 dollarë për fuçi dhe aktualisht është 20 për qind më pak vlerës maksimale të këtij viti të prekur në mars. Edhe nafta amerikane është në vlerë 23 për qind më pak nga kulmi për këtë vit që ka prekur në muajin mars.