Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka vlerësuar se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave do të jetë mjaft sfidues për institucionet e Kosovës. Ai ka bërë me dije se ky udhërrëfyes përmban 101 kritere teknike, por sipas tij, deri në fund të vitit pritet të plotësohen.
Rexhepi në një intervistë për “Epokën e Re”, ka thënë se në mënyrë të njëanshme shumica e këtyre kritereve janë plotësuar.
“Fatmirësisht që nga viti 2009 kemi pasur udhërrëfyesin tonë vetjak për liberalizimin e vizave, duke u bazuar në rrugëtimin e shteteve të rajonit. Që nga atëherë një numër të madh të kushteve veç i kemi plotësuar”, është shprehur Rexhepi, duke deklaruar se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave është i njëjtë sikurse i vendeve të rajonit dhe ka pasur tendenca të jetë më ndryshe.
Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se veriu i Kosovës nuk do të ketë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave pasi, sipas tij, kufiri në atë pjesë menaxhohet nga institucionet ndërkombëtare.
Sipas tij, pesë shtetet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën nuk paraqesin pengesë në këtë proces.
“Shtetet të cilat nga kanë pranuar si shtet bëjnë më shumë pengesa, sidomos ato që ballafaqohen me numrin e madh të azilkërkuesve”, është shprehur Rexhepi.