Punëtorët janë shumë të angazhuar për të përfunduar sa më shpejt objektin ku do të funksionojë Zyra Administrative në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Pritet që objekti të jetë funksional për dy muaj.
Në këtë institucion të ri është përqendruar vëmendja e të gjithë atyre që shpresojnë se do të ketë ditë më të mira për veriun e vendit. Ndërkohë, ka pasur shumë qytetarë që kanë konkurruar për të plotësuar 55 pozitat e kërkuara.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka deklaruar për gazetën “Tribuna Shqiptare”, se aplikacione e konkurrimit janë duke i plotësuar qytetarë nga të gjitha etnitetet.
“Ne i shohin që vijnë shumë persona edhe i plotësojnë formularët dhe ikin”, ka rrëfyer ky polic, i cili bashkë me një koleg ka qëndruar në karrige i ulur në hapësirën midis objektit të Zyrës Administrative dhe zyrave të përkohshme, në të cilat punojnë zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, të cilët pranojnë kërkesat për aplikim. /
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar ditë më parë vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e cila është thënë se do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit.