Eurodeputeti, Eduard Kukan, ka thënë se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfshijë edhe çështje politike, ndërsa porositi zyrtarët kosovarë që të mos u përgjigjen me të njëjtën gjuhë deklaratave të presidentit serb, Tomislav Nikolic.
Në një intervistë për radio Kosovën, Kukan duke folur për veriun tha se situata atje është potencialisht e rrezikshme dhe sipas tij është shumë urgjente që kjo situatë të shqyrtohet me më shumë seriozitet.
Ai ka thënë se dialogu Prishtinë-Beograd është shumë i rëndësishëm.
“Mendoj se dialogu Prishtinë-Beograd është shumë i rëndësishëm; mund të them se për ne, si Parlament Evropian, ky dialog është shumë i rëndësishëm. Unë vazhdoj të mendoj se marrëveshjet e arritura vitin e kaluar duhet të implementohen në emër të asaj që t’i japin më shumë kredibilitet dialogut dhe zgjidhjeve të tij. Dhe në të ardhmen, është e domosdoshme, që dialogu të përfshijë edhe çështje politike dhe kjo është përmendur edhe nga vizita e Miroslav Lajcak në Beograd. Kjo për faktin se situata po ecën përpara, Serbia tashmë është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova, po ashtu, po ecën përpara në këtë drejtim, tash po e merr Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe mendoj se të gjitha këto zhvillime të reja reflektojnë në formatin e dialogut”, ka thënë Kukan.
Duke folur për punën e EULEX-it në Kosovë, europarlamentari ka thënë se është një mision i rëndësishëm për të arritur rezultate në Kosovë.
“Mirëpo, kur flasim për rezultatet e arritura ka shqetësime dhe kritika se nuk ka bërë sa duhet. Natyrisht, se është dashur të ketë më shumë rezultate nga aktivitetet dhe puna e tij. Të gjithë ata na shpjeguan neve se situata është e vështirë dhe ata kërkojnë më shumë mbështetje nga vendet anëtare. Por, unë dua ta shoh nga një aspekt më i balancuar, se ata kanë bërë punë të mira, por pritjet e mia për misionin janë se ata është dashur të bëjnë më shumë në të kaluarën. Për këtë tash misioni po ristrukturohet në kuadër të asaj që të jetë më funksional dhe të sjellin më shumë rezultate”, u shpreh ndër të tjera Kukan