Nikolic pret kryetarët ilegalë të veriut

Presidenti Serbisë, Tomislav Nikolic takon të enjten në Beograd kryetarët ilegalë të komunave veriore të Mitrovicës, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviq.

Kërkesa për takim është bërë nga përfaqësuesit e komunave në veri, Krstimir Pantic, Dragisha Milovic, Slavisha Ristic dhe Branko Ninic, si dhe nga kreu i ashtuquajturit rrethi i Mitrovicës, Radenko Nedelkovic.
Pantic ka thënë më herët për agjencitë serbe të lajmeve se ai dhe kolegët e tij do të shkojnë te Nikolici për të dëgjuar përgjigjet në pyetjet se çka është marrë vesh me Prishtinën shefi i delegacionit serb në bisedimet ne Bruksel, Borko Stefanovic.
“Duam ta dimë se cilat janë obligimet tona, të neve që udhëheqim qeveritë lokale. Nuk është mirë që qytetarët të dalin në rrugë, që t’iu cenohet siguria, nëse tashmë është arritur ndonjë marrëveshje dhe është nënshkruar në Bruksel, e cila, duhet të zbatohet”, ka thënë Pantic, transmeton Rel.
Ditë më parë, vetë presidenti i ri nacionalist i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka thënë se qytetarët e Serbisë së shpejti do ta marrin vesh saktë se për çfarë është marrë vesh shteti me Prishtinën.
Ai ka thënë se qytetarët duhet të dinë se çka i pret, dhe pas çfarë vendimesh qëndron shteti i tyre. Nikolic ka fituar postin e presidentit në balotazhin e 20 majit, kundrejt presidentit të deritashëm të Serbisë, Boris Tadic